Nga Armand Kullau
“Unë jam Drita, e kundërta e errësirës.
Erdha engjëll në këtë botë dhe e tillë do mbërrij dhe në destinacion të përjetësisë…
Quhem Drita Haxhillari, intelektuale me 21 vite punë në arsim. Krenare për aq sa punova pasi misioni im fisnik i mësimdhënies, u ndërpre për fatin tim të keq, duke u përballur me plot sfida për shëndetin…
Ishte kulmi i vapës të fund korrikut 2005 që pas disa sëmbimeve që ndjeja në gjoksin e majtë, vendosa të drejtohem në ambulancën e lagjes. Pas vizitës më drejtuan për të bërë mamografinë dhe ekon. Kur mora vesh që kisha kancer në gjoks atë çast m’u shemb qielli mbi kokë, por e mblodha veten dhe vendosa të luftoj fort për jetën.
Por…nëse deri dje lëshoja dritë, forcë, kurajo dhe buzëqeshje për të gjithë…sot gjendem në një situatë tejet të vështirë…është zbehur gjithçka…ngriu buzëqeshja ime…e shpirti më këlthet fort…sa nga dhimbjet fizike që kanë kapluar trupin tim po kaq dhe nga mënyra e jetesës në kushte të mjerueshme.” e nis rrëfimin e saj njeriu simbol i luftës kundra kancerit, Drita Haxhillari.
Për “News24”, Drita zbulon se motivi dhe mbështetja që e ka mbajtur në këmbë përballë sfidave është edhe pasioni i saj për artin poetik.
Prej 20 vitesh poetja Haxhillari ka luftuar me sëmundjen e kancerit në gji, por prej disa muajsh i duhet të luftojë me indiferencën dhe mungesën e shërbimit shëndetësor jetik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Në pamundësi për të realizuar shintigrafinë kockore, për të cilën kishte marrë rekomandim nga reparti i Onkologjikut për ta bërë në prill 2024, Drita iu drejtua televizionit “News24”.
“Unë personalisht kam që në janar, nuk e di sa muaj, por po mbushet viti, që jam e planifikuar për të bërë shintigrafinë, por si unë janë e janë shumë të tjerë.
Dhe sa herë që paraqitemi për të bërë shintigrafinë na përcjellin me një fjalë:
“Nuk ka lëndë të parë, nuk ka lëndë reagent, prisni do tju marrim vet në telefon”, tha Drita për “News24”.
Shintigrafia kockore është një pajisje mjekësore, e cila zbulon qelizat tumorale në kockë dhe rekomandohet te pacientët që kanë kryer ndërhyrje për tumorin, për të parë nëse sëmundja ka prodhuar metastaza apo është zhdukur plotësisht nga organizmit. Në QSUT pacientëve iu thuhet se kjo pajisje mungon.
“Dua të them që shintigrafia në spitalet private është, në spitale të tjera është, pse të mos jetë te spitali ynë onkologjik për ne që luftojmë me vdekjen?”, shprehet Drita për shintigrafinë.
Teksa ekranet e medias dhe institucioneve shëndetësore gjatë gjithë tetorit u mbuluan me ngjyrat rozë, nën këto pamje u kamufluan problemet e rënda që ka vet Shëndetësia.
Sipas mjekëve, ky problem e ka zanafillën nga politikat shëndetësore që ndjek Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria nuk pranojnë mungesat që janë dhe po s’pranove që ke një problem, nuk do të ngresh dot një strategji për ta ngritur atë problem”, tha për “News24” Dr. Ilir Alimehmeti.
Sipas organizatave jofitimprurëse që monitorojnë sektorin e shëndetësisë, buxheti është vetëm njëri nga problemet.
“Nuk kemi të bëjmë vetëm me një sistem të keqfinancuar, por kemi të bëjmë edhe me një sistem shumë të korruptuar”, deklaroi për “News24” drejtuesja e “Together For Life” Egla Bardhi.
Sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, Shqipëria është shteti i fundit në Evropë për paratë publike që investojmë në shëndetësi pasi vetëm 2.78% e buxhetit 2024 ka kaluar në këtë sektor.
“Nga krahu tjetër, nga kompensohet kjo mungesë parash? Kompensohet nga xhepat tanë dhe ne e dimë se na e thotë organizata botërore e shëndetësisë.
60% e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri dalin nga xhepat e qytetarëve”, u shpreh Dr. Alimehmeti.
Por problemet me sëmundjet tumorale kanë ndjekur vazhdimisht pacientët e Onkologjikut pasi jo vetëm që numri i pacientëve është rritur, por fondet nuk kanë ndryshuar, madje janë ulur.
Sipas drejtueses së “Together For Life”, Egla Bardhi, problemi kryesor në shëndetësi janë investimet.
“E kemi të faktuar tashmë që çdo mungesë shërbimi fillon nga një buxhet shumë i ulët në sektorin e shëndetësisë, për më tepër në sektorin e shëndetësisë në Onkologjik, i cili për hir të së vërtetës ka një kosto të jashtëzakonshme, qoftë për buxhetin e shtetit, kosto të jashtëzakonshme edhe për pacientët që e marrin këtë shërbim.
Përsa kohë nuk kemi një buxhet të mjaftueshëm për këtë shërbim, kemi edhe keqtrajtime të pacientëve përsa i takon marrjes së shërbimit cilësor “, pohoi për “News24” drejtuesja e “Together For Life”.
Por planifikimet dhe investimet në shëndetësi nuk janë diçka që mund të presin pasi ditët, orët, por edhe minutat në QSUT ndajnë jetën nga vdekja.
“Këto të miat nuk janë dëshira por janë nevoja. Nuk dua asgjë, vetëm për shëndetin të më sigurohet shintigrafia sepse dua të di a ka vajtur sëmundja në kockë?”, pyet e shqetësuar Drita Haxhillari.
Apeli për ndihmë kundra sëmundjes
Deri para disa ditësh, Drita nuk mund të fliste pasi kreu një ndërhyrje në mushkëri dhe aktualisht ka humbur njërën nga kordat e zerit. Ajo jeton në një garsonierë shumë të vogël me sipërfaqe 10 metra katrorë dhe kërkon ndihmë pasi banesa ndikon drejtpërdrejt te shëndeti i saj.
“Në qoftë se ka njerëz të mirë në këtë botë, të vënë dorën në zemër, të më ndihmojnë. Së paku të kem një strehë, të tjerat pastaj do ti përballoj vet…sa të mundem”, tha Drita.
Për shkak të sëmundjes, prej disa vitesh Drita është spostuar nga qyteti i Poliçanit në Tiranë në garsonieren pranë QSUT-së që të marri në kohë shërbimet, pa të cilat e ka të vështirë të përballojë sëmudjen.
“News24” kontaktoi QSUT-në, për arsyet e mungesës së reagentit, por deri në publikimin e këtij materiali nuk mori asnjë përgjigje nga Qendra Spitalore.
Vitin e kaluar Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi raportin e auditimit në QSUT, për periudhën 2020-2022, ku konstatohej se ishte rritur numri i pacientëve me sëmundje tumorale, por ishin ulur fondet për onkologjikun nga 17,7 % në 7, 9% në vitin 2022.
Aktualisht QSUT-ja ka si drejtoreshë Alma Cani, e cila në 25 mars zëvendësoi Albana Ficon pasi kjo e fundit dha dorëheqjen nga posti një muaj pas fillimit të hetimeve nga Prokuroria për zjarrin në Urgjencën e re të QSUT-së.
Pavarësisht ndryshimit të drejtuesve, deklarata e Dritës nxjerr në pah faktin se ky problem ka qenë, është dhe vazhdon të jetë dhe hapur po shkelet ligji për shërbimet shëndetësore, një ligj që ua garanton marrjen e shërbimeve sipas protokolleve.
Sipas mjekut Alihmehmeti, institucionet duhet të mbledhin grupet e interesit, të alokojnë fondet dhe personat që prekin këto fonde duhet të ndëshkohen.
Si Drita ka shumë pacientë të tjerë që trajtohen me kimioterapi dhe e kanë të domosdoshme të bëjnë shintigrafinë pasi lufta ndaj tumorit fillon me monitorimin e sëmundjes dhe çdo vonesë në zbulimin e vatrave të reja rrezikon drejtpërdrejt jetën e pacientit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al