Edhe sot ajo ruan të njëjtin adhurim si atëherë kur ishte fëmijë dhe e shihte bregut të detit në Durrës. Në kujtimet e saj ai vjen në të gjitha këndvështrimet si: xhaxhi Enver, Enver Hoxha, babai, gjyshi, udhëheqësi… Kur shumë janë thënë e shkruar rreth figurës së Enver Hoxhës, nusja e djalit të diktatorit, Ilirit, Teuta, ka vendosur të botojë kujtimet e saj nga jeta nën një çati me njeriun që sundoi Shqipërinë për afro gjysmëshekulli.
Përpos kujtimeve që lidhen me jetën e saj më intime, si njohja dhe dashuria me Ilirin, hyrja në familjen Hoxha, lindja e tre djemve, emrat e të cilëve ia ka vënë vetë Enveri (Ermali, Shkëlzeni dhe Besmiri), marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të familjes…, Teuta ndalet edhe në disa momente, që ajo i përshkruan me shumë dhimbje.
Ndër to janë edhe ditët e fundit të diktatorit. Me këtë rast ajo u kundërvihet edhe të gjithë atyre që kanë folur e shkruar për këtë ngjarje dhe që kanë sjellë variante krejt të ndryshme. I kundërvihet në radhë të parë, së kunatës, Liljanës, të cilën e quan “e persekutuara e familjes”. Për të ajo thotë se trillon në kujtimet dhe intervistat e saj. Sipas autores së librit “Enveri në kujtimet e mia”, të gjitha çka Liljana Hoxha ka thënë në lidhje me ditët e fundit të Enverit janë thjesht trillime për të mbuluar “paturpësinë” e saj.
Sipas Teutës, vetëm dy ditë para se Enver Hoxha të binte në koma, Sokoli e Liljana janë nisur për pushime në Vlorë dhe kjo e fundit, nuk është kthyer as kur u njoftuan për gjendjen e Enverit. Sipas saj, ka qenë Sulo Gradeci që ka dërguar njerëz ta marrin, duke përdorur shprehjen: “Shkoni merreni atë!” Edhe pse nuk ia përmend emrin, Teuta Hoxha i kundërvihet edhe Blendi Fevziut, i cili në biografinë “Enver Hoxha-e para biografi e mbështetur në dokumente të arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën”, pretendon se Enver Hoxhën e kanë gjetur të vdekur përtokë.
“Por ekipi i mjekëve nuk mund të bënte asgjë. Ata e gjetën atë të shtrirë jo në krevat, siç dëshmon zonja Hoxha, por në dysheme. Në momentin e fundit ishte orvatur të hidhte dy hapa, i shtyrë nga një vrull dhe fuqi e fundit, por nuk kishte arritur dot. Ishte shembur në tokë, çuditërisht në një skenë identike me atë të orëve të fundit të idhullit të tij, Josif Viserianoviç Stalinit”, shkruan Blendi Fevziu.
Ndërsa Teuta Hoxha është e gatshme të vërë në dispozicion kartelat mjekësore të dy muajve të fundit të jetës së Enver Hoxhës që dëshmojnë për kontrollet e shpeshta që i bëheshin atij. “Në këto kushte, si mund të arrijë një mendje e shëndoshë të pranojë atë trillim të pseudobiografit?”, shkruan Teuta Hoxha. Më poshtë, dëshmia e Teuta Hoxhës për ditët e fundit të Enverit dhe vdekjen e tij.
NGA LIBRI
… Ato ditë, pasi qemë kthyer në Tiranë nga shqetësimi për shëndetin e Enver Hoxhës, Sokoli dhe Liljana na ngrihen e ikin në Vlorë për… pushime. Dhe kur e bënë këtë? Dy ditë para se babai të binte në gjendje kome. Paturpësisht, sot, zonja në fjalë na shitet se i paska dërguar Nexhmija ngaqë donte t’i hiqte nga shtëpia(!). E vërteta është krejt ndryshe.
Nexhmija, që ato ditë të rënduara ishte mbërthyer pas të shoqit, as që e kishte mendjen te tekat e njërit apo tjetrit në shtëpi. Kurse ata të dy, ndërsa Enveri ishte në shtrat, ngrihen e ikin papritur nga shtëpia dhe gjejnë prehje në Vlorë, në shoqërinë e mikut të ngushte V.K. dhe të bashkëshortes së tij.
Nuk besoj të pretendojë që edhe miqtë ia kishte dhënë Nexhmija me vete! Megjithëse, me teoritë e konspiracionit që fantazon pa pushim, nga ajo çdo gjë mund të presësh.
Më datë 9 prill, në orën 9 e 30, kur Enver Hoxha bie në koma, Sokolin dhe të shoqen i lajmërojnë që të kthehen urgjentisht në Tiranë. Të gjithë u habitëm kur pamë Sokolin që erdhi vetëm, pa të shoqen që vazhdoi të rrinte në Vlorë, duke mos i prishur vakancat, në shoqërinë e miqve të ngushtë.
Mesa dëgjoja nëpër shtëpi, Sokoli kur erdhi në Tiranë dhe pa gjendjen e rëndë të të atit, i lutej së shoqes që të kthehej, por ajo nuk pranonte.
Mbasdite vonë, kur gjendja u pa, që ishte e pakthyeshme, mbaj mend Sulo Gradecin që, foli me oficerin e rojes dhe i revoltuar i tha: “Shkoni merreni atë”. Më bëri përshtypje që as emrin nuk ia përmendi.
Kur vjen rreth orës 20 të darkës, dhe e kupton se çfarë skandali kishte bërë, fillon të qajë me zë mjaullitës, duke i thënë doktor Isufit, “Pse nuk më lajmërove më parë, por më le të turpërohem”.
Po sot ajo e manipulon në mënyrë të pandershme këtë ngjarje duke thënë “…u nisëm (në Vlorë) në datën 9 dhe nuk na ndalon njeri që të thotë se shiko babai është i sëmurë, që ka pasur goditje madje që i ka pushuar zemra”.[Intervista dhënë gazetarit Alfred Peza].
A mund ta besoj njeri, që Enver Hoxhës t’i kishte pushuar zemra, dhe këta të dy, si dy pëllumba, dalin nga shtëpia dhe të paktën as nuk dyshojnë se diçka e rëndë kishte ndodhur!!! A thua,se atë ditë, megjithëse Enver Hoxha, ishte me “zemër të ndalur”, të gjithë, d.m.th pjestarët e familjes, punëtore të shërbimit, ekipi shëndetësor, oficerë, shoferë, pra një mori njerëzish, vazhdonin qetësisht punën, sikur s’kishte ndodhur asgjë. Ndaj nga ta merrnin vesh këta të dy, kur “qetësia” zotëronte gjithë shtëpinë!?
Dhe pa e vrarë mendjen, thotë që na lajmëruan në datë 10 në të gdhirë. Pra gati 24 orë pasi kishte ngjarë goditja e rëndë. Kjo është një tjetër gënjeshtër e ulët e saj. Të gjitha këto që thotë janë marrëzira, që vetëm një mendje jonormale mund të ketë guximin të gënjej kaq trashë. Për të mbuluar skandalin që bëri, u mundua të krijonte një tjetër “legjendë”, sikur ajo më paskësh parë sikur qeshja bashkë me xhaxhain tim, se gjoja ne ishim gëzuar që vdiq Enver Hoxha (!). Nuk e kuptoj se si në atë hidhërim të madh që na kishte pushtuar të gjithëve, ajo e kishte mendjen të përgjonte “buzëqeshjet” e mia!?
Një sajesë e pafytyrë, sa ndjej neveri edhe kur i shkruaj këto gjëra. Çdo gjë që tjerr në adresë time, pa dyshim është një ndodhi e jetës së saj. E filloi këtë histori të shpifjeve, si një epsh për protagonizëm, të cilin e motivoi duke e trajtuar veten si e “persekutuara e familjes”, që të bëhej sa më interesante, madje të bëhej e preferuar edhe nga kundërshtarët e Enver Hoxhës, që mendja e çmendur e gënjente se do të merte edhe ndonjë post. Dhe e vazhdoi lojën e saj, duke e zhytur veten gjithnjë e më shumë në turpin e mashtrimit. Nuk e kupton se ne nuk ka çfarë të na bëjë. Jetën tonë dhe as të sajën në të shkuarën, nuk e zhbën dot!
9 PRILL 1985, NJË DITË ANKTHI
Atë ditë, Iliri kishte shkuar në punë, ndërsa unë ndodhesha në shtëpi, sepse isha ende me lejen e paslindjes. Rreth orës nëntë e gjysmë të mëngjesit, më kujtohet që kisha ndër duar Besmirin e vogël, kur në apartamentin tonë hyn punëtorja që merrej me shërbimin në ambientet e Enver Hoxhës. Ajo duke qarë, me zërin që i dridhej nga ngashërimi tha: “Komandanti është shumë keq”. Nga gjendja e saj kuptova që diçka shumë e rëndë kishte ndodhur.
Atë moment ndjeva që më priteshin gjunjët, mezi po qëndroja në këmbë, sa gati po më binte djali nga duart. Ia lashë menjëherë Besmirin asaj në duar dhe nxitova të shkoj nga dhoma e babait. Sa hapa derën e korridorit, prania e shumë njerëzve që m’u shfaqën përpara tregonte që gjendja ishte vërtet alarmante. Nuk më kujtohet kush më ndali e më tha: “Shko te shoqja Nexhmije, është në studion e saj”. Ishin momentet që mjekët e kishin larguar, sepse po kryenin terapi intensive tek i sëmuri. Nuk e marr përsipër, se nuk do mundja kurrë ta përshkruaja gjendjen e mamasë kur e pashë.
Vetëm fjalët “lajmëro Ilirin” dolën të qarta nga goja e saj. Ato dy ditë që babai ra në gjendje kome, kanë qenë ditë ankthi për të gjithë ne. Ishin ditë të një pështjellimi të madh. Të dërmuar në shpirt, prisnim me ankthin e shpresës nga çasti në çast që gjendja e tij të kthente, por edhe çdo minutë që kalonte ishte një minus për shpresat tona. Më kujtohet që më datë 9, afër mbrëmjes pati përmirësim, që na bëri të gëzohemi dhe të përqafohemi me njëri-tjetrin, por nuk zgjati shumë se gjendja përsëri u keqësua. Unë kam qenë vetë aty, jam një dëshmitare okulare, që e kam përcjellë çast pas çasti atë ngjarje të kobshme ato dy ditë, bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes, duke ndenjur te dera e dhomës së Enverit, me sytë e veshët të fiksuar aty, për të mësuar çdo të re rreth gjendjes së tij.
E theksoj këtë fakt, sepse sot ca pseudogazetarë, që guxojnë të shkarravitin “biografira”, pa ditur asgjë të vërtetë, se Enver Hoxhën e gjetën të vdekur të shtrirë përtokë. Enver Hoxhës, jo vetëm Nexhmija që nuk i ndahej asnjë çast, por ato dy muaj të fundit, ekipi i mjekëve ishte në gjendje gatishmërie të lartë. Ata e kishin vënë të sëmurin në monitorim të pandërprerë, 24 orë në 24 orë. Më kujtohet mamaja, që gjithë natën rrinte në dhomën e tij, veshur me rrobat e ditës, e pagjumë, mbështetur në një divan.
Në dhomë hynte e dilte ndihmësmjeku, por edhe mjeku rojë, që kontrollonte vazhdimisht në intervale të shkurtra kohore gjendjen e tij. Për dy muajt e fundit, ne kemi kartelën mjekësore, ku është shënuar çdo 15 minuta, jo vetëm për vizitat dhe mjekimin, por edhe për gjendjen e “pacientit” dhe të gjitha veprimet e tij. Në këto kushte, si mund të arrijë një mendje e shëndoshë të pranojë atë trillim të pseudobiografit? E vërteta është se zemra e Enverit pushoi, kur pranë tij ndodhej një tufë mjekësh të përkushtuar, që për asnjë çast nuk e lanë vetëm.
11 PRILLI 1985, ZEMRA E ENVERIT PUSHON SË RRAHURI
Ajo së cilës ne i trembeshim aq shumë, ndodhi në të hyrë të 11 prillit, në ora 02 e 10, kur zemra e tij pushoi së rrahuri. Është e vështirë ta përshkruash tronditjen që pësoi gjithsecili prej nesh. Mamaja e përjetoi shumë, shumë rëndë. E ulur në një karrige rrinte me sytë e mbyllur dhe Kostandina e mbante me kompresa në ballë e në qafë. Nuk qante, mërmëriste fjalë me vete, dhe vetëm emri Enver kuptohej kur e shqiptonte. Shpirtin ia mundonte dhimbja e patreguar…
Ishte një humbje e pazëvendësueshme. Ajo humbi shokun e jetës, burrin e shtëpisë, ne humbëm njeriun e dashur, babain, gjyshin e fëmijëve, ndaj dhimbja ishte shumë e madhe. Mua m’u duk se kishte ndodhur një gjë e tmerrshme, pasi ishte vdekja e parë që e përjetoja kaq afër. Në atë gjendje nuk e përfytyroja dot se si mund të ikte pa kthim nga shtëpia një nga njerëzit e tu të dashur. Më ka mbetur ende në sy imazhi kur babai doli për herë të fundit nga shtëpia, por këtë herë në arkëmort, për të mos u kthyer kurrë më. Paskëtaj, ai do t’i përkiste gjithë popullit, ne nuk do të mund ta qanim e ta përcillnim siç bëjnë të gjithë. Më kujtohet kur bënim homazhe pranë trupit të tij në Presidiumin e Kuvendit Popullor, ndjeja një ftohtësi, diçka që më largonte dhe m’i thante lotët.
Atëherë unë kuptoja që kishim humbur edhe Udhëheqësin. Pra këto janë përjetime që unë, edhe sot, pas kaq vitesh, i kujtoj me dhimbje. Tashmë janë të njohura për publikun filmimet dhe fotografitë e shumta të ditëve të zisë kombëtare, ku janë fiksuar në celuloid, aq shumë lot dhe dhimbje… Për ne, familjarët, kuptohet që ishte një ngushëllim i madh, pjesëmarrja e mijëra-mijëra vetëve në këtë mort kombëtar. Dhimbja e njerëzve ishte e papërshkruar.
Më kujtohet që në disa raste u detyruam ne, pjesëtarët e familjes, të ngushëllonim dhe të qetësonim njerëzit në hidhërimin e madh që i kishte pushtuar. Pavarësisht se me ndryshimin e sistemit, u hodh shumë baltë mbi figurën e Enver Hoxhës, unë përsëri kam bindjen, se lotët kanë qenë të sinqertë. Vargani i pambarim, vaji dhe dhimbja ishin nga njerëzit e popullit, të cilët kishin humbur udhëheqësin e tyre…