NGA REDI SHEHU
I nguli thikën mu në zemër 14-vjeçarit. E shtyu thellë atë derisa përshkoi gjithë shoqërinë shqiptare tejpërtej. Pastaj, me krenari postoi në Colosseum-in dixhital tonin, armën së bashku me një nënqeshje rrëqethëse, duke ekzekutuar publikisht “common sense”-in me të cilin në rregullojmë përditshmërinë tonë. Një karshillëk si përshtyrje në surratin e secilit prej nesh, që krekosemi se kemi ndërtuar një farë qytetarie që gjarpëron mes smogut qytetas, por që ngelet akoma primitive nën sfondin e reklamave digjitale të ‘city light’-ve komerciale. Sa herë që mjete të ftohta e të mprehta, të nxehta e fishkëllyese, tejshpojnë trupa burrash e grash, fëmijësh e pleqsh, shoqëria jonë ngrihet duke ulëritur me jehonë që shuhet vetëm në pak ditë në pritje të plagëve të radhës. Qasja jonë në këto histori ka qenë reaguese jo parandaluese, sepse e para është më e thjeshtë, ndërsa e dyta më e vështirë, e cila nuk do thjesht masa, por do zemra e njerëz, humanizëm e këmbëngulje.
Para se të pyesim se përse e vrau, ne duhet të pyesim se çfarë i ofruam ne atij? Çfarë bota sot po u ofron brezit të ri? Globalizimi i ekonomisë, tregut, ideve, modës e qejfit, medias, spektaklit dhe vanitetit e të çoroditjes së familjes ka sjellë edhe globalizimin e dhunës, dhimbjes e të gjitha pasojave që ato sjellin. Me pak fjalë ka sjellë globalizimin e ulërimës, e cila merr të njëjtën trajtë pavarësisht flamujve nga vjen. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 10.000 të rinj në Evropë mes moshës 15-29 vjeç humbin jetën çdo vit nga dhuna e përdorimit të armëve të ftohta. Në Britani, krimet me thikë mes moshave 13-19 vjeç, çdo vit kalojnë 280, shifër e cila është thjesht dyfishuar krahasuar me vitet paraardhëse. Në Australi panorama është edhe më pesimiste. Ndërsa përsa i përket Shteteve të Bashkuara, statistikat për vitin 2023 të vrasjeve me thikë kapin shifrën prej 119.892 personash, ku adoleshentët përbëjnë absolutisht grupin më të madh të këtyre viktimave.
Ky është jo vetëm një problem i yni, ky është edhe problem i yni. Territoret janë të ndryshme, ndërsa ushqimi është i njëjtë. Përgjegjësia është fjala më e artikuluar, por, nga kush? Duhet ta pranojmë që të gjithë jemi brenda një dalldisjeje, e cila na ka marrë jo vetëm vëmendjet tona, por na ka marrë bashkë me fytyrën edhe shpresat tona. Kërkojmë të kemi rezultate të ndryshme nga e njëjta metodë. Kërkojmë të kemi siguri e prosperitet, dije e arsimim, drejtësi e qeverisje të mirë duke kërkuar vetëm në katalogjet memories sonë, por pa ndryshuar asgjë nga vetja dhe duke bërë ekzaktësisht me vetëdije të njëjtat gabime.
Thika në të vërtetë u ngul mu në zemrën e shoqërisë tonë. U rrotullua mirë për të treguar se vdekja e saj është e pashmangshme. Kjo nuk ishte thjesht një vrasje. Jo, ajo ishte një vrasje arrogante e vlerave të cilat të struktura e të ndrojtura, kanë ngelur në skutat më të largëta të vetëdijeve tona. Virtyti është fshehur si pasojë e arrogancës sonë, paaftësisë për ta formatuar vetveten në versionin e të qënurit pozitiv. E mira sot ka më shumë se kurrë veti avulluese, zhduket menjëherë nga kujtesa, e cila pushtohet patundshëm nga mosmirënjohja dhe egoizmi. Në kohën kur mashtrimi dhe hipokrizia heqin hopthi vallen e së vërtetës, poshtërsia dhe maskarallëku asfiksojnë çiltërsinë e ku imoraliteti turbullon shqisat dhe perceptimet, ecja vetëm në shtegun gjithnjë e më të ngushtë të së drejtës bëhet pothuaj një pamundësi. Zhveshja e shpirtit dhe e trupit nga petku i së moralshmes, sot përbën një rutinë, ndërkohë që fisnikëria qëndron e trembur prej faktit e të qenurit një gjë e rrallë. Respekti dhe dashuria, në emigrim e sipër, kundrojnë shoqërinë tonë si të ishte një rrënojë lufte me viktima që ecin. Vringëllues të shpatave prej gjuhe vrasim e presim realitetin dhe pastaj kthehemi të pikëlluar në funeralin e së vërtetës të mallëngjyer me pika loti të parafabrikuara.
Kohë më parë, Peter Maurin dhe Dorothy Day patën përkufizuar shoqërinë virtuoze si bazë e civilizimeve, duke u mbështetur në postulatin se një shoqëri e mirë është ajo shoqëri që ta lehtëson punë për të qenë njeri i mirë. Një shoqëri e lirë është ajo shoqëri që ta lehtëson punën për të qenë njeri i lirë. Që të jesh i lirë dhe të jetosh i lirë do të thotë se duhet të jetosh shpirtërisht, sepse vetëm shpirti është i lirë. Ajo që po ndodh me shoqëritë relativiste sot është se ata duke zhbërë kuptimin e ligjeve morale, duke atomizuar, thërrmijëzuar dhe subjektivizuar kuptimin e të qenurit i mirë dhe të qenurit i lirë, në fund të fundit kanë ekzekutuar shpirtin, e kanë futur brenda një burgu, i cili rrethohet nga një liri aparenciale mashtruese. Është kjo natyrë e shoqërive të sotme, të cilën Hannah Arendt e përkufizonte si krizë autoriteti, një krizë e autoritetit moral që shpërfaqet si kaos. Krizë ndaj të kuptuarit se parimet morale që në thelb janë të pandryshueshme, janë objektive dhe mbi të gjitha, janë parime universale.
Çfarë u ofrojmë ne fëmijëve tanë? Çfarë i ofron shoqëria e sotme rinisë? Më kujtohet se një njeri i mençur pat thënë se “fëmijët janë si një arkë kursimi, ku prindërit depozitojnë sjelljet e tyre”. Në fakt, fëmijët tanë janë depozita plote apo boshe të sjelljeve dhe moraleve tona. U bënë dekada që bëjmë përgjegjës institucione e struktura, deri edhe media, por përsëri fenomeni sa vjen dhe rritet. I tillë është edhe në ato shoqëri të zhvilluara, ku institucionet dhe shërbimet janë në nivele më të larta. Treguesit na çojnë në faktin se nuk kemi gjetur çelësin për ta zgjidhur situatën, për sa kohë edhe në ato vende ku nuk ka probleme me shërbimet ndaj qytetarëve, situata është e njëjtë. E çelësi është te bërthama e njeriut, te shpirti i tij. Ne nuk mund të pretendojmë të kemi një shoqëri të mirë e të drejtë, nëse atë e ushqejmë vazhdimisht me produkte që i vrasin shpirtëroren dhe e shpërbëjnë të natyrshmen brenda saj. Një shoqëri pa shpirt është një shoqëri boshe pa përgjegjësi, pa fajtorë e për rrjedhojë pa pendim. E kur nuk pendohesh, atëherë nuk ka asnjë arsye që të përmirësohesh.
Kaosi dhe përshpejtimi brenda rendit të ri të unifikuar digjital kanë zëvendësuar dy qendrat e pushtetit të shoqërive tradicionale do të thoshte Foucault, fenë dhe qeverinë. Ata zëvendësuan fuqinë e strukturave tradicionale mbi jetën, lidhjet familjare dhe sjelljen e individëve. Ata praktikisht përkryen procesin më të panatyrshëm në botë, atë ndarjes së vetes nga vetvetja. Atë të njeriut që biologjikisht është i gjallë ama shpirtërisht pa faj, pa pendim, pa jetë. Në këtë optikë, marrja e çdo mase institucionale, e cila ofron vetëm riparime të jashtme ka një sukses me koeficient të kufizuar. Rezultati real ndjehet kur njeriu t’i kthehet vetes së vet përmes çdo lloj procesi që të rikthen te natyrshmëria e tij, ku padyshim është edhe institucioni i një familjeje me vlera.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al