Thjesht indeksim apo pensione më të larta? Çfarë pritet të ndodhë nga 1 tetori! Ja sa para më shumë do të hyjnë në xhepat e të moshuarve

Sep 6, 2024 | 9:21
SHPËRNDAJE

Në fillim të muajit tjetër, qeveria pritet të rrisë masën e pensionit. Akoma nuk ka një vendim final për këtë çështje, por prej muajsh ekzekutivi ka nisur një proces vlerësimi për skemën aktuale të pensioneve.

skema-e-pensionit

Ajo që thuhet nga ekspertët është që do të rishikohen pensionet e ulëta, nën 150 euro. Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, janë mbi 140 mijë persona, që aktualisht marrin një pension më pak se 150 euro në muaj. Këtu përfshihen pensionet në zonat rurale si edhe pensionet familjare në zonat urbane. Konkretisht, deri në fund të vitit të shkuar në skemën e pensioneve rezultonin rreth 705 mijë qytetarë, nga të cilët 608 581 pensione urbane dhe 96 418 pensione rurale.

Në mënyrë të detajuar, nga 608 581 pensione urbane: 503 747 janë pensione pleqërie duke përfshirë këtu pleqëri të plotë, të reduktuar dhe të pjesshme. Për këtë kategori masa e pensionit shkon mesatarisht 18 341 lekë dhe bashkë me kompensimet që aplikohen, arrin në 19 922 lekë në muaj. Ndërkohë, 60 956 janë pensione invaliditeti (nga sëmundje të përgjithshme, sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë), të cilët përfitojnë mesatarisht 18 851 lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe kompensimet dhe pjesa tjetër, pra 43 878 persona trajtohen me pensione familjare.

Për këta të fundit, pra për pensionet familjare në zonat urbane masa e përfitimit shkon në 8 558 lekë bashkë me kompensimet arrin 10 139 lekë. Është pikërisht kjo kategori, që do të preket nga rritja e pensionit dhe me ndryshimet që do të finalizohen vitin e ardhshëm, pensionet familjare në zonat urbane nuk do të jenë nën 150 euro, duke nënkuptuar këtu një rritje mesatare me rreth 5 mijë lekë. Kategoria tjetër që preket në tërësinë e saj janë pensionet në zonat rurale. Janë 96 418 persona në skemë, nga të cilët 86 902 trajtohen me pensione pleqërie (pleqëri e plotë dhe e pjesshme), 5 636 me pensione invaliditeti dhe 3 880 me pensione familjare.

PREMTIMI

Ndërkohë, ministri i Financave, Petrit Malaj, premtoi në daljen e tij të parë për mediat dy ditë më parë se sfidë personale e tij, por edhe e qeverisë mbetet adresimi i çështjes së pensioneve. Ministri paralajmëroi se në muajin tetor është parashikuar të ndodhë indeksimi i pensioneve me një vlerë prej 4.1 miliardë lekë. Megjithatë, ministri la të kuptohej se po punohet për diçka më shumë. Ai tha se grupet e punës po punojnë me synim pensione më të larta.

“Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit. Problem është skema aktuale e pensioneve që do të duhet ta rishikojmë. Kemi ngritur grupet e punës dhe po punojmë me ekspertë të Bankës Botërore. Këtu flas jo vetëm për indeksimin e pensioneve”, – tha ai.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura