MYSLIM PASHAJ/ KRYESHENJA… Në pushim teksa të gjithë po mundoheshin të dilnin në avllinë e kullës së Labinotit, Muzhiku gjeti rastin e u shkëput, shkoi afër Presidiumit, duke e prekur Tarasin në krah. Atij ia mori mendja se Liri Gega do t’i fliste për rastin e Spanjollit, mbasi ajo shumë herë, kishte informuar në KC, se ç’karakter i vështirë dhe egoist ishte ky Mehmet Shehu, por Tarasi nuk ia kishte vënë veshin.
“E donit? Ja e sollëm, bëjini derman…ai është më i rrezikshëm se Sadik Premtja. Po unë ia kam prerë shkurt!”, tha Liri Gega. Tarasi gjeti rastin kur u krijua një hapësirë e lirë dhe i tha Lirisë me një qeshje ligësie vrastare: “Do t’ia gjejmë ilaçin komunist. A nuk ia ngarkojmë këtij trimit, që të eleminojë Sadik Premten se Besniku nuk po bën dot gjë?”.
*****
FSHATARËSIA APO PROLETARIATI!
Në seancën e tretë, njëri pas tjetrit flisnin për komunizmin dhe Partinë, sikur të kishin ardhur nga vatha e Marksit. Por, askush nuk dinte gjësend, veçse si nëpër ëndërra, nën odën e kasollet rrotull, thoshin: “Do t’ua lërojmë nënën pasunarëve!”. As këta që shkundnin supet, që s’dinin se ku kishin ardhur, e ku do të shkonin nesër.
Mehmeti po i shihte, dhe me vete po thoshte: “Këta janë Komiteti Central…Pika mua! Këta unë u jap një komandë tani, që të rrokullisen në vidhimë! Pa t’u kanosem një herë që të mbyllin gojën, se do t’i shtrydh…këta duhet të më dëgjojnë!”, po hamendonte. “Por, pa prit pak…kishte ardhur një kohë, kur Labinoti duhej të ngulej në syrin e tij, aty ai, kishte gjetur një bashkësi që po e njihte për herë të parë, dhe se ajo s’po i pëlqente, mbasi po ia ngatërronte planet dhe po ia hidhte poshtë atë skicën e shtetit të tij socialdemokrat…Ishin ata që kishin krijuar Partinë e tyre, e cila ende nuk ishte bërë Partia e tij”.
“Ku je or Gjinish( Mustafa Gjinishi, miku i tij revolucionar që e frymëzonte në kohë të adoleshencës dhe rinisë së parë në shkollën Teknike), pse nuk po dukesh, e pse nuk po vjen?”, gati po thërriste ai. …Mehmeti filloi të fliste prapë, kur duhej të mbahej qetësi. Miladini nuk ngrihej, po prej andej shikonte delegatët, përqaste diskutimet. Vetëm disa kokrra ishin motivuar, se aty do të bëhej një zgjedhje e re e Komitetit Central dhe e njeriut që do ta drejtonte këtu e tutje…Partinë. Tarasi e pikasi sërish Spanjollin. Miladini iu kthye me të shpejtë Mugoshës: “Po ky qënka nga ata të përzhiturit e Spanjës, që bota i quajti rrugaçë. Për këtë më ke folur!?”, i kërkoi shpjegim. “Ai është…për këtu ku jemi ne, por të gjithë më thonë se ai nuk mund të qaset në sofër, se të lë pangrënë. Kështu më kanë thënë pikë për pikë, disa nga drejtuesit komunistë. Ata e quajnë ekstremist. Po ai më shumë se të gjithë këta e di, se komunistët shqiptarë janë pjesë e gjirizeve…”, iu kthye Mugosha pa e ngritur kokën.
Besniku nuk e kishte përcjellë për në KC pseudonimin “Vjosa” por këtu po e thërrisnin “Spanjolli”. Atij nuk i erdhi mirë. Deri tani kishte bërë vetëm kundërshtime, duke u munduar që të jepte dhe idetë e tija, por asgjë nuk ishte pranuar. Diçka ishte arritur, që të krijohej një duet me atë, që nuk e kishte takuar, ndonjëherë…Tarasin që ishte, atje, në krye, e ai bënte sikur nuk po ia varte, ndërkaq Mehmeti po merrte shikimet dhe vemendjen e shumicës që e hasnin për herë të parë. Edhe pse Mustafa Kaçaçi hodhi bombën e parë, në tribunë shpejt u konsumua, e po i mbyllej goja.
“Ai atje, Tarasi…e hë…po ky Shehu miza miza nga na doli…”, tha Kaçaçi me vete. Tarasi kërkoi të sqaroi pozicionin e fshatarësisë dhe lirisë që do të sillte ajo, fliste dhe shikonte se si shkumëzonte Shehu, të cilin e ndau si më të rrezikshmin për të, se sa Kaçaçin. Miladini në një copë letër që ia shkroi Tarasit, i tha se: “Diskutimet le të bëhen, le të jenë të ndryshme, këto të gjitha na bëjnë mirë tani që ne po njohim njëri tjetrin, na japin dorë që të përcaktojmë sjelljet e ardhshme, le të trazohet burimi. Ne do ta kullojmë Taras!”, i shkroi ai.
“Tani e kam radhën prapë që të ngrihem”, tha me vete Mahmeti. E kishte harruar Besnikun, shefin e tij. Si po më ndodh kështu? Po e kërkonte me sy.
Komunistët e Vlorës ia kishin vënë kufirin te thana: “Rri aty ku të ka emëruar Partia… more vesh apo jo”.
Mirëpo këtu në Labinot ai duhet të shpërthente, që ata të gjithë të kthenin kokën dhe ta njihnin, se kush ishte…, “se që ta dini ju… mua nuk më pjerdh bytha për kokat tuaja, ju gorrica të papjekura, as që dua t’ia di se kush është në krye e kush do të vihet, unë kam ardhur nga ana e anës, i kam rënë botës kryq e tërthor, më është dashur që këto kohë të kyçem me kyç, se ashtu ma do puna!”, radhiste ligjërimin ai.
“Po ky, Mehmeti po na harron fare…”, mendoi Besniku. “E di ai, se Qarkorin e drejtoj…unë!”. Sakaq, erdhi me të shpejtë, i shkoi në krahë të tij Mehmeti dhe filloi t’i fliste në vesh. “Nuk i duroj dot këto bexga, që të qorrojnë sytë”. I ra me gishtin tregues fletës së bllokut që ishte hapur. “Mos harro, se bexga nxjerr një lule të verdhë e të bukur dhe brenda saj ka një nektar me ëmbëlsi jete”, iu gjegj atypëraty Besniku.
“Nuk e dua atë mjaltë!”, i tha. Atypëraty, u ngrit pa leje dhe thirri: “Po jua përsëris, s’keni asgjë në torbë me këto që keni bërë. Ju që keni harruar proletariatin, keni harruar vetveten. Unë jam komunist me italianët, spanjollët dhe francezët…”. Ai ishte ngritur kundër shallvareve të tij fshatare për hir të ideologjisë që e nxirrte në krye Proletariatin. Kjo ishte shumë e pakuptueshme për argumentet e një fshatari siç ishte Mehmeti! Ata kërcikuqtë dhe shallvaret e tij ishin ngritur në luftë.
“Mjaft ore ti se na lodhe veshët. Tërci vërci…po ne të tjerët ça jemi?”, u dëgjua. Bllazho e përfshiu me vështrim. Mugosha, buzëqeshi dhe i bëri shenjë Bllazhos, që ta dëgjonte. Tarasi që nuk e kishte marrë veten nga britmat që ishin shtuar, befas u përqendrua.
“Ku e njeh ti fshatarësinë, shoku Taras. I ke varur një këmborë të madhe. Ma lër mua fshatërsinë se unë jam nga fshati. Pse nuk ia hedh sytë proletariatit, apo e ke me qëllim të keq. A…aa…! Të lutem, nuk na thotë kështu Stalini. Miqtë tanë jugosllavë duhet ta kishin bërë këtë verejtje”. Koço Tashko u kujtua që t’i shkonte pranë. Aty i tha në vesh: “Shoku Spanjoll, ja kjo është dogma, do ta kuptosh më vonë!”. Mehmeti e kish mendjen tjetërkund. Kur ia dha me të madhe: “Ç’na qënkan këta ushtarakë që kanë shkruar atë raport për Çetat dhe nuk thonë asgjë se çfarë është bërë. Këtu është folur kot, kur Çetat tona në të gjithë Shqipërinë kanë folur me aksionet e tyre luftarake”.
“Kush jemi ne, ore ti Spanjoll?”, u ndje një zë. “Ju që drejtoni, këtë mbledhje, kush tjetër? Çetat mbjellin grurin e Partisë dhe e mbajnë gjallë atë”.
Mehmeti sikur ishte shburgosur nga Qarkori, por qëllimi i tij që s’e thosh dot kurrë ishte, që Çeta të krijonte Partinë. Kjo i trazoi të gjithë. Besniku u ftoh. Në pushimin e katërt ai doli poshtë fikut nën kullë dhe foli me Tarasin. Mehmetin, tanimë, e kish piketuar Tarasi. Ai duhej mbajtur i lidhur ndryshe të hante! Ishte vënë në shënjestër si gjahu i tij. Ndërsa Mugosha e kishte futur në një valle tjetër, në gjahun trockist të kokave. Kjo do të ishte prova, sepse Mehmeti ishte një zbulesë e Mugoshës dhe e Nako Spirut ndaj, ai po i zbuste të gjithë ata, të Presidiumit. Mehmeti mbeti prapë i vetëm dhe i pangjitshëm. Shikoi edhe një herë rrotull duke psherëtirë: “Ku je or Gjinish i ëndërrave?”, gati thirri.
GJAHTARË!
Besnikun nuk e mbante vendi. S’po e përfillte njeri. E pati një takim të ftohtë me Tarasin, por ai nga gjendja e tollovisë së Konferencës, s’e kishte mendjen. Të gjithë ishin përthithur prej kërshërisë, për një nga fytyrat e reja që po i dëgjohej fjala. Mehmeti ishte një zbulim dhe gjetje që Besniku e kish sjellë në Konferencë, mirëpo vet, ngjante si hije. Ishte afër Spanjollit, ndërsa fytyra po i zymtohej edhe më shumë. Në ditën e tretë, afër muzgut, Besniku Tarasi, Dushani, Mugosha dhe Muzhiku, ishin mbledhur pas mureve të asaj kullës tipike të Labinotit. Të ulur, ashtu, në gurë, me vështrimet për nga dheu, të mbledhur si një lloj sekti, duke parë materjen, poshtë syve dhe këmbëve sikur kërkonin të zbulonin, a të interpretonin, diçka të shenjtë e të mistershme…
E zuri fjalën Dushani: “Do flasim këtu veçmas për një objektiv që e kemi lënë pas dore. Përvoja e revolucionit na sjell pasqyra dhe mbresa për të mësuar se ç’duhet të bëjmë me Kryengritjen e Përgjithshme…por…”, e ndërpreu ai veten.
Të tjerët kishin ngrirë se nuk po e kuptonin se ku e kishte strehën e fjalës që po këputej. Po hapnin veshët. “Shoku Besnik, unë do të cys…për të mirë dhe jo për të keq…besoj se kuptohemi si komunistë. Këtë e kërkon Partia. Ti e ke marrë ngarkim”, prapë ai u ndërpre. Besniku pa e ngritur kokën, por duke parë rrëkenë që po i shkonte poshtë këpucëve, u mendua të sillte ndërmend se çfarë i ishte ngarkuar! “Fraksioni…”, kjo fjalë e gozhdoi. Atij i kishin ngarkuar që të vriste Sadik Premten dhe detyra po ngelej e paplotësuar… “A të kemi caktuar një detyrë për të eliminuar një armik të rrezikshëm të Partisë!?”. Besniku u step sërish.
Tarasi ia hodhi sytë për të parë ndjesinë që po i lindte. Besniku u përqendrua për ta bërë të ditur situatën në Qarkor, e cila ishte pa kontroll. Xhepi e kishte nxjerrë nxënësin e tij, jashtë loje. Prandaj ai ishte aq i plogët dhe kishte ndryshuar shumë.
Xhepin e donte i gjithë Lumi i Vlorës, ndaj ai e kishte shumë të vështirë që të vepronte, sepse Xhepi kishte qënë Orakulli i tij.
Përkushtimin e parë ideologjik, Besniku e kishte marrë nga Sadik Premtja, edhe pseudonimi i zgjedhur ishte bërë nga mendja dhe gjuha e tij. Në çast, Tarasi iu hodhi krahët të dyve, Dushanit dhe Besnikut. Kokat u ulën edhe një herë, për të parë se ç’thoshin gurët interpretues. Ngjante sikur komploti po zbriste që nga Plaka e Marsit. Sipas rrëfimeve nga brezi në brez, ndryshimet e motit në fillim apo në fund të muajit mars lidheshin me “mitin e plakave”. Mos ishte vallë Kaptina ai mal i Plakave të Marsit? Po i afroheshin fundit të muajit, kur dielli del në horizont dhe dita bëhej e barabartë me natën?
Do ta ndryshojmë këtë vepër që ta kemi ngarkuar ty! Atë do ta kryejë Spanjolli. Është fat që e kemi pranë, kaq aktiv në Konferencë, ai që ka atë ashpërsinë aq të bukur, si natyrë komunisti. Ata u ngritën dhe u shkundën nga kumti që solli i deleguari i Kominternit. Dushani u shkëput për t’i thirrur Detit. “O Det, ti e njeh Spanjollin, dil e thirre, se kemi nevojë për një konsultë me të…”
Besniku kishte mbetur i mbuluar me pezmë…po ama, ishin tre katër çaste të tilla kur ai po zgjohej. Ia kishin hequr një barrë shumë të rëndë. “Besnik mos e quaj këtë si një mosbesim te ty!”, i tha Tarasi, por nga kokëulja, s’po e shihte dot në fytyrë. Besniku u lehtësua. “Siç po dëgjojmë Mehmeti është profesionist, mbasi ka marrë pjesë në luftë, tek era e gjakut njerëzor, ne të tjerët, s’e kemi provuar!”, shtoi Tarasi, por i doli ashtu, me zor. “Ti je sekretar Politik i Qarkorit dhe ti e komandon atë”, shtoi Muzhiku.
Spanjolli po hidhte hapat e shpejtë e të sigurt duke iu afruar grupit që e priste. Nuk po i pëlqente imazhi i parë i atij grushti delegatësh, por fakti që ata po e kërkonin, e bëri të kapërxente kërshërinë. Mendoi se e kishin thirrur për ta qortuar, nga që ishte shumë i ashpër në diskutime. U ngjit dhe ai në grup, e u përkul, së bashku me ta. Tarasi i bëri shenjë Dushanit që ai t’ia kumtonte Spanjollit.
“Spanjoll, kjo që po themi këtu…do të ngelet e sendërtuar në fjalë besimi dhe partie! E kam fjalën për fshehtësinë e vendimit. Asnjë lloj shkrese nuk do të ketë. Partia ka ngecur me njeriun e dytë kundërshtar… se të parin(Anastas Lulon) siç thoni ju …është në shënjestër… Ky Xhepi po tallet dhe loz me Partinë tonë!”.
“…Në këto raste Revolucioni vepron me ashpërsinë e tij…drejt prerjes së kokave, siç dihet…Ti do të marrësh shenjë… maja e bajonetës në këtë rast do të jetë Xhepi, si objekt primar i eleminimit. Ndryshe nuk fillon dot Kryengritja e Armatosur!”. Të gjitha këto u thanë sikur të goditeshin në alfabetin mors.. Ishte një moment kur plakat e marsit po fillonin që të ngrinin…por, pas një çasti u shkrifëruan.
“Ja ku kemi edhe të deleguarën përgjegjëse, për Qarkorin e Vlorës!”, u dëgjua. Dy javë më parë Liri Gega ishte takuar me Vjosën. Dhe që të dy kishin ndjerë alergji për njëri tjetrin. Ajo nuk e kishte pëlqyer, për natyrën e tij. Sapo dëgjoi këtë propozim u rrudh në ballin e saj të bukur. Spanjolli nuk e priste këtë propozim. Humori dhe energjia që ai po transmetonte në Konferencë, kishin goditur në shenjë! Ç’ishin vallë ata, që po i shihte për herë të parë këto ditë, si Tarasi apo Dushani, të cilët po i tregonin poligonin e vdekjes, duke ia ngarkuar atij një detyrë luftarake të një lloji tjetër, të cilat qaseshin me terrorin brenda partisë. Ai u drithërua! Firi fiu…fiu…uuu…ia bëri mendja! Në ditët e dëshpërimit, kur ai donte që t’i hipte kalit të aventurës komuniste, që të mund të merrej vesh, se kush ishte, për t’u bërë i njohur e i dukur, kurse kjo që po ndodhte për atë që ia thanë pas shtëpisë së Konferencës, sikur ia ndau kokën mëdysh.
…Kishin kaluar vite, e ai, pas shkollës së Fultzit kishte mbetur pa punë, se ia kishin marrë edhe traktorin me të cilin punonte në fermë dhe askush nuk e qaste në zyra. Shkonte për të pirë kafe me Mustafa Gjinishin dhe Demir Godellin. E midis tyre s’kishte se ç’t’u rrëfente veçse hapte krahët e si me hobe të hidhte gurë me furi…ndaj atyre që i dilnin përpara…Sakaq fluturonte në përfytyrim, në Parlament e në qeveri, në zyrat e Mbretit, me bomba në duar…Ai, sikur e dëgjonte një zë: “Hë, ja se ku e ke shenjën dhe shtegun e veprës, a je komunist, apo jo!?”. Aty, në Labinot, në një Konferencë historike ai po merrte një detyrë të lartë e aq delikate për Partinë…të eleminonte Sadik Premten, njeriu që kish në dorë Qarkorin e Vlorës dhe që kish krijuar celulën e parë komuniste. Ai po bllokohej, s’jepte dot përgjigje, nuk po tregonte gatishmëri. Këtë po e kuptonte edhe Tarasi i cili në brendësi të tij dukej sikur po i thoshte: “Ja këtu duket se …sa të vlen lëkura”.
“Hëëë!”, iu drejtua Tarasi me cinizëm. Aritmetika e Spanjollit nuk e po e plotësonte dot figurën në të cilën kish rënë. Dushan Mugosha ngriti shpinën për ta rrëzuar barrën që kishte marrë përsipër.”Unë kam ardhur…( ai donte të thoshte “…në partinë tuaj…”, por e tërhoqi). “Unë kam ardhur në Parti, prej partive të tjera, të cilat janë parti në luftë…si ajo spanjolle, franceze dhe italiane…kam qenë në kërkim e në luftë për veten time…dhe kam humbur, më duhet vetëm luftë që të fitoj…por jo…”, s’dinte se ç’të thoshte!
“Sadik Premten e njoh nga shkolla që kemi bërë bashkë…vetëm kaq…ju e keni peshuar me kandarin e Partisë…ë…ë…ë…partia e njeh…unë jam në Qarkor dhe celulë…celula më urdhëron…! Këtu në Konferencë po takoj njerëz që me mbushin me dyshim, ndaj kam frikë të zbraz armën time!”, i habiti ai me fjalët që gatoi. Këtë nuk e prisnin. Dushani kishte ngelur keq.
“Shok! Ç’është kjo? Një komunist nuk i gjegjet veprës që kërkon Partia. Ky është vështrim trockist!”, kërcëlliti Muzhiku dhëmbët. Spanjolli kur pa se ata prisnin fjalën e besimit, në hutim e sipër, përplasi pëllëmbët poshtë kokave që hetonin gurët e dheun…prrau…prrau…prrau…dhe erdhi në vete. Të katër të tjerët u trembën me sindromën e panjohur që sapo shprehu Spanjolli. Besniku sikur u zgjua për së dyti, nga kjo kërcëllimë. “Ky qënka i çkalluar! Na turpëroi në sy të Partisë!”, mendoi ai. Mehmeti, nuk i la shumë të mendonin…”Unë do ta kryej detyrën që më ngarkon Partia, sikur të ishte edhe vëllai im! Po që të jemi të hapur, unë kam ardhur nga krusma e kampeve dhe ploja e luftës për Kryengritjen e Përgjithshme. Unë jam për përmbysjen e madhe!”, tha. Ata ngritën kokat.
“Shok! Për Kryengritjen e Armatosur, ka se kush mendon! Ti je një ushtar dhe duhet të dëgjosh se ç’thotë doktrina jonë!”. Dushanit iu skuqën sytë. Tarasi ndezi cigaren e tretë. Kjo kishte qënë një Konferencë e vërtetë. Iu errën sytë, balli iu rrudh e mosha iu rrit, të paktën nja dhjetë vjet. Dora po i dridhej. Kishte kohë që udhëtonte. Nesër moti do të prishet. Do të fryjë era e madhe me shi e pastaj me dëborë. Plaka me bagëtinë do të ngrijë, e gjallesat do të shndërrohen në gurë. Ai shikoi një shesh aty më tej, pa asnjë gjurmë fijesh bari, rrotull ishin shkëmbinjë me myshk të kadifejtë të mbirë e qepur prej gurëve. Plaka kish shkuar në Kaptinë të Martaneshit për të kullotur bagëtinë duke parë motin që po ngrohej…”Ëh! Më të dhje… atë dimër!” Në këtë çast, Marsi iu drejtua Shkurtit, si vëlla, më jep tri ditë hua, që ta ngrijë Plakën me gjithçka!”. Këto po ndërmendëte Mehmeti, tërë mllef.
Më tej duhet të jetë edhe një pikonjë uji që rrjedh si lotët e po së njëjtës plakë të marsit. Ishte i vetmi delegat që vinte në Labinot për herë të parë. Po këmbeheshin stinët. Mehmet Shehu, nuk ndjehej mirë. Një ankth po ia çante barkun e tij të ftohtë.
“A janë në vete këta…s’e kanë mendjen tek Kryengritja siç e thotë Lenini, por më caktojnë mua të vras shokun tim për të cilin nuk e di se ç’faj ka bërë!”, po fliste Mehmeti me vete. U shkëput prej tyre dhe u hodh nga një mur dhe desh ra…Tarasi po e ndiqte me vështrim të pandalur. Ai që po zhdukej nga sytë, ai që në dy seanca ishte në qendër të vemendjes, tani sapo ia kishin bërë inxheksionin dhe ai po dridhej.
Lëvizi gjymtyrët, i dukej se po e lidhnin. “Mua s’ka zot nënë të më lidhë!”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al