Tirana që s’është më në fotografitë e viteve ‘30 (FOTO)

Feb 12, 2015 | 13:57
SHPËRNDAJE

Një shesh, një lulishte, një xhami, një radhë ndërtesash italiane dhe më tej asgjë më. Tek-tuk ndonjë ndërtesë e vetmuar dhe pastaj fushë.

Tirana e viteve '30
Tirana e viteve ’30

Kjo është Tirana, kryeqyteti shqiptar në vitin 1938. Kanë kaluar boll vite që atëherë. Një shesh, një radhë ndërtesash italiane-ministri dhe përtej syri nuk të zë veçse beton.

Mallin për atë qytetin e dikurshëm na e nxjerr një ekspozitë fotografike në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, me rastin e 95-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet.

Një koleksion prej 32 fotografish bardhë e zi, të realizuara nga fotografë të ndryshëm të kohës, na kthejnë në Tironën, e cila sot nuk është më.

Është aty pazari, atmosferën dhe zhurmën e të cilit ta sjellin tregtarët e shtambave prej balte, e artizanëve, e bozaxhiut me ibrik në dorë, gratë kokëmbuluara, që depërtojnë mes kaçileve e koshave të fshatarëve. Ajo çka të bie më shumë në sy është urbanistika, e cila sapo kishte filluar të ravijëzohej.

Nga një vështrim prej së larti është fare e thjeshtë të shquash perimetrin e kryeqytetit të asaj kohe, ndërtesat, arkitektura e të cilave është edhe më e dukshme, e rrethuar prej hapësirave boshe apo shtëpive me qerpiç. Në një seri fotografish të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar, të bëjnë përshtypje radhët e gjata të njerëzve përgjatë sheshit dhe rrugëve kryesore.

Përpara Bankës së Shqipërisë dhe pranë Parlamentit Shqiptar, sot Teatri i Kukullave, zhvillohet një paradë. Shqiptarët kanë festë. Është viti 1938, 10- vjetori i Mbretërisë shqiptare. Këtë e dëshmon edhe një fotografi, e cila tregon katër gra dhe dy vajza të vogla, të veshura me kostume popullore, që pozojnë përpara një posteri kushtuar jubileut: “10 vjet Monarki”.

Hapja e kësaj ekspozite, e cila do të jetë edhe nesër e hapur, u mundësua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me shoqatën “ALSAR”, shkollën jopublike “Tirana Jonë” dhe Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë. Dje, në ceremoninë e hapjes, drejtori i MHK-së, Melsi Labi, u ndal në rëndësinë e vendimeve të Kongresit të Lushnjës për shpalljen e Tiranës kryeqytet, vlerat historike dhe arkeologjike të këtij qyteti, ku përmendi vendbanimet e vjetra, si Kalaja e Petrelës apo Kalaja e Dorzit.

Në një muze historik nuk mund të mungojë edhe pak histori. Me fotografitë historike në sfond, nxënësit e shkollës “Tirana Jonë” bënë një prezantim historik për Tiranën, duke folur për familjet e shquara dhe shkrimtarët tiranas, për kryetarët e Bashkisë së Tiranës ndër vite dhe për lëvizjet demografike që kanë ndodhur ndër vite në kryeqytet.
[portfolio_slideshow]

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura