“Topi” në fushën e UEFA-s

Jul 15, 2024 | 7:53
SHPËRNDAJE

AGRON LOCIAGRON LOCI

E kujt i kish shkuar ndërmend që pikërisht ditën që bota për herë të parë do të përkujtonte gjenocidin serb në Srebrenicë, datë e miratuar vetëm dy muaj më parë në OKB, pikërisht atë ditë, më 11 korrik, kampionia e Shqipërisë, Egnatia, do të bënte debutimin e saj në Champions League, ku shorti i kish vënë përballë kampionen e Bosnje Hercegovinës, që këtë vit ishte shpallur Borac (luftëtari) i Banja Kukës, kryeqendra e një prej gjashtë rajoneve të banuara me serbë në Republikën Srpska. Që ndeshja parashikohej të ishte e tensionuar, këtë e kish paralajmëruar më parë edhe institucioni më i lartë i futbollit në Europë, teksa prej ditësh u kish kërkuar drejtuesve të Egnatias të mos planifikonin praninë e tifozëve rrogozhinas në Banja Luka.

Dhe siç pritej, qysh në momentin që lojtarët tanë zbritën në fushë, tifozët serbë filluan kërcënimet dhe ofendimet në mënyrë verbale, duke thirrur në kor “ubi shiptari” (vriti shqiptarët) si dhe “Kosovo je src Serbija” (Kosova është zemra e Serbisë). Këto thirrje u shoqëruan edhe me provokime nacionaliste me simbolikën e tre gishtave apo të hartës së Kosovës mbuluar nga flamuri serb i rrethuar nga katër C (S) cirilike (“Samo sloga Serbija spasava” që përkthehet si “vetëm harmonia e shpëton Serbinë”, por që kohët e fundit në vend të fjalës “harmoni” serbët preferojnë të përdorin fjalën “bashkimi”). Ajo që ishte e trishtueshme të shikoje ishte teksa koret dhe thirrjet antishqiptare nuk dilnin vetëm nga goja e atyre që konsiderohen si tifozë ultras, që dallohen për retorikën dhe simbolikën ultranacionaliste me përmbajtje fashiste e shoqëruar shpesh edhe me veprime të dhunshme dhe ekstremiste, por ato fjalë e simbolika u përdorën gjatë të gjithë kohës edhe nga fëmijët, gratë dhe të moshuarit, të cilët thërrisnin në kor “vdekje shqiptarëve”. Tregues ky që urrejtja është e rrënjosur aq thellë në të gjitha brezat dhe që nuk garanton ndonjë të ardhme optimiste të marrëdhënieve ndëretnike në rajon.

Dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Në shkollat serbe në lëndën e historisë qysh në fëmijëri serbët edukohen me idenë se një ndër momentet kyç të historisë së tyre dhe që “justifikon pretendimin që kanë mbi territorin e Kosovës”, është beteja e Fushë-Kosovës mes një ushtrie të drejtuar nga princi serb, Llazari dhe ushtrisë turke gjatë periudhës së Mesjetës në vitin 1389. Sipas historisë serbe, Llazari këtë betejë e bëri në territorin e Kosovës, që banohej nga serbë dhe administrohej nga familja e tij. Nga ky kryemit i tyre mbi “betejën e lavdishme me nuanca hyjnore” të ngjashme sipas serbëve gati-gati me betejën biblike të Armagedonit, ku përplasen e mira dhe e keqja në botë, derivojnë duke filluar sidomos nga shek. i 19 edhe mite të tjera si ata të “serbëve si popull i zgjedhur nga Zoti” (pasi Llazari vdiq për të mbrojtur Krishterimin nga gjysmëhëna), apo miti se “serbët janë popull martir dhe i vuajtur si hebrenjtë”, etj. Të edukuar me këtë frymë, për më tepër kur përballen qoftë edhe në sport kundër atyre që histori-grafia serbe i quan “pushtues të tokave serbe” (shqiptarëve) nuk ka sesi të mos pritej që atmosfera të ishte armiqësore e mbushur me retorikë e simbolika nacionaliste. Duke iu rikthyer ndeshjes, stafi teknik bëri mirë që i kërkoi drejtuesit të ndeshjes dhe të deleguarit të UEFA-s që të ndalonin thirrjet dhe provokimet antishqiptare, përndryshe do të largoheshin nga fusha. Mirë do të kish qenë që diçka të tillë ta kishin bërë qysh pa filluar takimi. Për më tepër, të kishin kërkuar që edhe ata flamuj që qëndruan varur nëpër tribuna deri në fund të ndeshjes, ku shfaqej harta e Kosovës mbuluar nga flamuri serb, të largoheshin në mënyrë që të rifillonte ndeshja. E çuditshme ishte gjithashtu edhe fakti se përse arbitri polak, banor në një vend sllav, bënte sikur nuk e kuptonte se çfarë përmbajtje kishin thirrjet apo flamujt e banderolat kundër shqiptarëve, por priti deri sa u njoftua nga stafi i ekipit shqiptar. Për më tepër, u vu re edhe anësia e tij e hapur në gjykimin e ndeshjes në favor të ekipit kundërshtar që shpresojmë të jetë evidentuar edhe nga instancat përkatëse që monitorojnë performancën e tyre.

Duke iu rikthyer edhe njëherë histerisë kolektive kundër shqiptarëve nëpër tribuna, m’u kujtua se grekët e lashtë përdornin termin “barbarë” zakonisht për ata që nuk ishin grekë, pra për të huajt, por që në thelb nënkuptonte njerëz apo grupe e kombe “të pacivilizuar”.

Në kohët moderne kur bota e civilizuar mosmarrëveshjet i zgjidh përmes dialogut, arsyes barbarët e mbetur si relike të një kohe dhe mentaliteti të pandryshueshëm kërkojnë t’i zgjidhin përmes luftës, dhunës, shfarosjes së tjetrit. Për më tepër, ajo situatë ku një stadium i mbushur plot kërkon zhdukjen fizike të tjetrit ngjason me disa vargje të poetit të njohur Ferlinghetti teksa për barbarët shkruan: “Kush janë barbarët? A janë ata tifozë lakmues që ulërijnë e kërkojnë gjak”? Dhe serbët e treguan edhe njëherë ashtu si në Beograd disa vite më parë, kësaj radhe në Banja Luka, se ata janë barbarët e kohëve moderne.

NGA BOSNJA NË ISLANDË

Vetëm 24 orë më vonë, një tjetër ekip i yni, Vllaznia, do të ndeshej me ekipin islandez të Valur në Rejkjavikun e ftohtë, ku për banorët e ishullit në mes të oqeanit përplasjet me karakter etnik duket sikur i përkasin një bote tjetër, që nuk ka lidhje fare me realitetin e mentalitetin tyre. Ndeshja deri në momentet e fundit ishte duke u zhvilluar normalisht në favor të shkodranëve, por në fund të saj pati incidente për shkak se goli i barazimit të islandezëve u vlerësua dhe u përjetua si jo fair dhe jo i rregullt nga ana e stafit drejtues dhe lojtarëve shkodranë, irritim që u përcoll edhe tek ata pak tifozë shqiptarë në stadium. Pavarësisht vendimeve disa herë të kontestueshme dhe në favor të islandezëve nga ana e gjyqtarit kryesor, stafi, lojtarët në radhë të parë dhe tifozët nuk duhej të reagonin ashtu ndaj lojtarëve apo gjyqtarëve në fund të ndeshjes. Është e kuptueshme se veprime të tilla nxiten nga pasioni apo emocionet e momentit kur mendon se të është bërë një padrejtësi. Por sot në futbollin modern stafi dhe lojtarët janë të instruktuar dhe të edukuar sesi duhet të sillen në momente e situata të tilla. Mungesa e profesionalizmit edhe jashtë fushës edhe pasi ka përfunduar ndeshja, mosmenaxhimi i mirë i situatës nga lojtarët dhe stafi mund të jenë penalizues. Pasi raste të ngjashme nga institucioni më i lartë i futbollit nuk tolerohen gjë, që mund t’i sjellë një penalizim të dhimbshëm për shkodranët duke ditur se edhe ai barazim ishte në favor të tyre për më tepër që ndeshja e kthimit zhvillohej në Shkodër dhe se islandezët nuk dukeshin një ekip që mund ta rrezikonin kalimin në turin tjetër të ekipit tonë. Ndoshta leksioni për të ardhmen jo vetëm për Vllazninë, por për të gjitha ekipet shqiptare është se ka ardhur koha që duhet të sillemi si profesionistë, madje edhe jashtë fushës, apo kur ka mbaruar loja nëse kërkojmë që të jemi të suksesshëm.

NGA FUSHA NË TRYEZAT E DREJTËSISË

Ankesa e stafit drejtues dhe teknik të Egnatias gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes në Banja Luka, largimi i lojtarëve tanë nga fusha dhe ndërprerja e ndeshjes për shumë minuta janë mbajtur shënim nga delegati dhe gjyqtari i ndeshjes si dhe janë dërguar në zyrat përkatëse të institucionit europian të futbollit për t’u gjykuar.

Ndërkohë edhe pala islandeze përmes një njoftimi ka denoncuar se “ka marrë kërcënime me vdekje nga pjesëtarë të stafit të Vllaznisë”. Kjo ka bërë që përpos instancave përgjegjëse pranë UEFA-s, çështja të jetë marrë në shqyrtim edhe nga Interpoli për të vlerësuar sesa të vërteta janë këto deklarata të bëra nga klubi islandez. Aktualisht “topi” është në fushën e UEFA-s dhe pritet që brenda kësaj jave të njihemi me vendimet që do të marrin organet e saja të specializuara për të dyja incidentet. Shpresojmë që UEFA të mos na rikthejë në kujtesë qëndrimet e institucionit gjatë kohës së presidencës Platini, por të jetë objektive në vendimet e saj pa preferenca okulte nacionaliste, apo vlerësime me standarde të dyfishta. Pasi në rastin e Banja Lukës kemi një sjellje recidiviste me fakte të pakontestueshme, zanore dhe pamore, me thirrje luftënxitëse deri në kërkesën për vrasje dhe zhdukje për shkak të etnisë bazuar në motive të qarta nacionaliste ndërsa në rastin e Rejkjavikut kemi një incident të çastit dhe pa paramendim. Në fund të fundit, përplasje të tilla si rasti i Rejkjavikut i kemi parë disa herë edhe gjatë ndeshjeve të Kampionatit Europian dhe ekipet nuk janë penalizuar. Të shpresojmë që vendimet të jenë në një linjë me atë parim që UEF-a e ka themelin e saj, që është “fairness”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura