“Torturoheshin me hekur të skuqur ose të varur kokëposhtë në çengela”- Historia tronditëse e “grupit sabotator” të naftës: Tomi Kriston e thërrisnin në hetuesi dhe…

Aug 23, 2023 | 11:28
SHPËRNDAJE

Burgi-i-TiranesNga Agim Musta

Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta,  (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.

Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.

               -Portrete bashkëvuajtësish-

                                                         (1945-1991)

Shkrimtarët dhe artistët gjatë diktaturës komuniste

Elita e një kombi janë shkrimtarët dhe artistët e të gjitha fushave. Para vendosjes së diktaturës komuniste edhe Shqipëria nuk ishte e përjashtuar nga ky rregull, prandaj grushti i hekurt i partisë-shtet goditi pa mëshirë që në vitet e para të ekzistencës së tij shkrimtarët dhe artistët. Shkrimtarët shqiptarë të para luftës ishin intelektuale të elitës shumica e tyre kishin kryer studimet e larta në universitetet më të mira të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht këta shkrimtarë dhe artistë ishin të parët që u ekzekutuan në gijotinën Komuniste:

  1. Nebil Çika. Publicist dhe gazetar. Ekzekutohet pa gjyq nga bandat komuniste në nëntor të vitit 1944.
  2. Patër Anton Harapi. Poet, orator, publicist dhe udhëheqës shteti. Ekzekutohet në vitin 1946.
  3. Dom Lazër Shantoja. Një nga prozatorët më të shquar të vendit tonë. Autor i disa veprave në prozë dhe poezi. Arrestohet në vitin 1945 dhe pasi torturohet mizorisht (i presin këmbët me sharrë), ekzekutohet në vitin 1946.
  4. Baba Ali Tomori. Poet, prozator, studiues dhe përkthyes. Pasi torturohet mizorisht, ekzekutohet në vitin 1948.
  5. Vinçenc Prendushi. Poet i shquar dhe autor i disa veprave. Përkthyes i shkëlqyer. Vdes në burg nga torturat.
  6. Bernardin Palaj. Autor i disa veprave letrare. Poet dhe përkthyes. Vdes në burg.
  7. Et’hem Haxhi Ademi. Dramaturgu i parë shqiptar. Autor i disa tragjedive. Kryen studimet në Vjenë dhe një nga përkthyesit e shkëlqyer të gjuhës gjermane. Vdes në burg, pasi vuan 22 vjet dënim.
  8. Gjergi Bubani. Poet, publicist dhe përkthyes. Një nga drejtuesit e parë të Radio-Tiranës. Vdes në burg nga torturat.
  9. Qani Panariti. Përkthyes i talentuar. Pushkatohet në vitin 1947.
  10. Dhimitër Fallo. Publicist dhe përkthyes. Vritet në atentat nga bandat komuniste në vitin 1944.
  11. At Gjon Shllaku. Kritik letrar dhe publicist. Pushkatohet në vitin 1946.
  12. Dom Ndre Zadeja. Poet dhe dramaturg. Pushkatohet në vitin 1947.
  13. Terenc Toçi. Publicist dhe funksionar i lartë i shtetit. Pushkatohet në vitin 1945.
  14. At Nikoll Gazulli. Linguist dhe përkthyes. Vdes në burg.
  15. At Aleksandër Sirdani. Vdes në burg nga torturat.
  16. Akile Tasi. Drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Vdes në burgun e Burrelit.
  17. Mirash Ivanaj. Linguist dhe publicist. Ish-ministër i arsimit. Vdes në burg në vitin 1953.
  18. Qemal Draçini. Kritik letrar. Vdes në burg.
  19. Ndoc Nika. Shkrimtar dhe përkthyes: Vdes në burg.
  20. Nexhat Hakiu. Poet dhe studiues. I burgosur.
  21. Mit’hat Aranitasi. Publicist dhe përkthyes. I burgosur.
  22. Myqerem Janina. Përkthyes. Vdes në burg.
  23. Sejfulla Maleshova. Poet dhe përkthyes. Ish-anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër i Arsimit në vitet e para të shtetit diktatorial komunist. Në vitin 1948 internohet në Fier dhe vdes në internim në kushte të mjerueshme.
  24. Petro Marko. Romancier dhe publicist. Shkrimtar disident. Arrestohet në vitin 1947 dhe vuan 2 vjet burg.
  25. Kasëm Trebeshina. Poet, dramaturg dhe prozator. Ish-komunist i orëve të para dhe pjesëtar në forcat e Sigurimit. Në fillim të viteve 1950, i zhgënjyer nga pushteti komunist, kërkon heqjen e shtetësisë shqiptare dhe largimin e tij nga Shqipëria. Për këtë burgoset dy herë dhe vuan 10 vet burgim.
  26. Lazër Radi. Publicist dhe përkthyes. Vuan 10 vjet burg dhe 30 vjet internim.
  27. Pashko Gjeçi. Përkthyes i Dantes dhe i Homerit. Vuan 5 vjet burg.
  28. Arshi Pipa. Poet dhe kritik letrar. Autor i disa veprave. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me 10 vjet burgim. Pasi lirohet nga burgu, arratiset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku dhe vdes.
  29. Mark Dema. Përkthyes. Vuan 15 vjet burgim.
  30. Mustafa Greblleshi. Prozator dhe humorist. Vuan 5 vjet burgim.
  31. Mitrush Kuteli. Prozatori dhe tregimtari më i shquar shqiptar. Vuan 2 vjet burgim.
  32. Vexhi Buharaja. Përkthyes i talentuar i poetëve persianë. Orientalist. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me 8 vjet burgim.
  33. Baltazar Benusi. Autor i disa veprave studimore. Jurist. Dënohet me 15 vjet burgim.
  34. Kudret Kokoshi. Poet i shquar dhe përkthyes. Vuan 24 vjet burgim.
  35. Riza Dervishi. I internuar për 10 vjet për motive politike. Autori i librit: “Jeta ime me klerikët bektashianë dhe persekutimi komunist”
  36. Musine Kokalari. Prozatore dhe studiues e letrave shqipe. Dënohet në vitin 1946 me 20 vjet burgim. Vdes në vitin 1983 në internim, në Rrëshen.

                                                                ***

Shteti komunist shqiptar për qëllime propagandistike, i duhej të afronte një mori njerëzish, që kishin një farë talenti në letërsi, muzikë dhe në artet figurative, për t’i përdorur si lustraxhinjtë të diktaturës. Njerëz të pamoralshëm, konformist, të mikluar nga disa privilegje të çastit, që diktatura i ofronte, u afruan si mizat në qypin me mjaltë dhe iu vunë punës, për ta paraqitur në art dhe letërsi Shqipërinë si vendin më të “lumtur” të botës. U arrit deri atje, sa diktatori Hoxha identifikohej me Shqipërinë dhe anasjelltas. Kulti i Enver Hoxhës nga sahanlëpirësit e neveritshëm, u ngrit në zenit. Për atë u shkruan mbi 2000 libra, u botuan mbi 5000 poezi dhe poema, u ngritën mbi 700 buste dhe monumente, u shkruan parulla në faqet e maleve me përmasa biblike, iu kushtuan mbi 2000 këngë dhe iu bënë mbi 3 milionë foto, përveç qindra portreteve në piktura me përmasa gjigante. E çfarë nuk u shkrua dhe nuk u tha për njeriun, që e çoi Shqipërinë drejt greminës?!

Servilizmi i neveritshëm kishte arritur deri atje sa të shkruheshin në fasadat e institucioneve shtetërore shprehjen e kryeministrit sadist, Mehmet Shehu; “Atje ku vendos këmbën Enver Hoxha, ne duhet të vëmë kokën”!

Ne ç’vend të botës në kohët moderne, thuhej një shprehje e tillë për diktatorin? Roli i shkrimtarëve dhe artistëve nuk ishte vetëm ngritja e kultit të diktatorit, por me veprat e tyre ata duhet të ndërtonin “njeriun e ri” të klonuar dhe si një manekin, vegël qorre në duart e partisë-shtet. Jo më kot Stalini thoshte: “Shkrimtarët janë inxhinierët e shpirtrave”. Pikërisht diktaturat komuniste këtë detyrë ju kishin ngarkuar shkrimtarëve dhe artistëve, dhe një pjesë e tyre që dërgoheshin jashtë shtetit, përdoreshin dhe për punë të pista të Sigurimit shqiptar. Ndonjëri që dredhonte sado pak nga rruga e caktuar nga partia gjëmëmadhe dënohej egërsisht. Kështu u persekutuan shkrimtarët dhe artistët e poshtëshënuar:

  1. Anton Frashëri. Publicist dhe përkthyes. Sekretar i “Vatra” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U burgos dhe vdes në burg.
  2. Gulien Deda. Publicist dhe përkthyes. I burgosur.
  3. Beqir Haçi. Poet dhe përkthyes. I burgosur.
  4. Ramadan Sokoli. Muzikolog, vuan 5 vjet burgim.
  5. Luigj Filaj. Muzikolog. I burgosur.
  6. Zef Gruda. I burgosur.
  7. Zef Leka. I burgosur.
  8. Dhora Leka. E burgosur. Vuan 35 vjet burgim dhe internim.
  9. Dom Frano Ilia. I burgosur.
  10. Selman Riza. Linguist dhe autori i disa veprave studimore shkencore. Vuan mbi 10 vjet burgim dhe internim në Jugosllavi dhe Shqipëri.
  11. Pano Taçi. I burgosur.
  12. Jorgo Bllaci. Poet dhe përkthyes. I burgosur.
  13. Fadil Kokomani. Publicist. Torturohet mizorisht deri në çmenduri. Pasi vuan 10 vjet burg. Ekzekutohet në Spaç.
  14. Vangjel Lezho. Publicist dhe përkthyes. Ekzekutohet në Spaç, pasi vuan 10 vjet burgim.
  15. Zhaneta Ogranaja. Poete. Dënohet me 10 vjet burgim. Torturohet mizorisht dhe mbetet e sëmurë psikike e përjetshme.
  16. Mehmet Myftiu. Shkrimtar i internuar.
  17. Gramoz Omari. Mjek dhe muzikant i talentuar. Ekzekutohet natën e vitit të ri të vitit 1968.
  18. Viktor Stratobërdha. Regjisor. I burgosur.
  19. Bilal Xhaferri. Poet dhe tregimtar i talentuar. Internohet në Rrushkull në vitin 1960. Arratiset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku boton revistën “Krahu i Shqiponjës”. Helmohet nga Sigurimi komunist shqiptar.
  20. Bedri Myftari. Vuan 6 vjet burgim.
  21. Halil Laze. Vuan 8 vjet burgim.
  22. Frederik Rreshpja. Poet i talentuar. Vuan mbi 10 vjet burgim.
  23. Lluk Kaçaj. Këngëtar bas i mirënjohur. Vuan 4 vjet burgim.
  24. Milto Vako. Van 15 vjet burgim.
  25. Kiço Venetiku. Vdes në burg.
  26. Vangjush Tushi. Piktor. Vdes në burg.
  27. Edison Gjergo. Vuan 10 vjet burgim.
  28. Ali Oseku. Vuan 5 vjet burgim.
  29. Stavri Rafael. Këngëtar dhe skenograf. Vuan 20 vjet burgim.
  30. Minush Jero. Vuan 4 vjet burgim.
  31. Mihallaq Luarasi. Vuan 10 vjet burgim
  32. Sherif Merdani. Këngëtar. Vuan 12 vjet burgim.
  33. Ahmet Golemi. Mjeshtër boksi. Tregimtar. Vuan 10 vjet burgim.
  34. Fatos Lubonja. Gazetar. Vuan 17 vjet burgim.
  35. Bashkim Shehu. Vuan 9 vjet burgim.
  36. Mehdi Prodani. Vuan 7 vjet burgim.
  37. Xhemal Broja. Dramaturg dhe regjisor. Vuan burgim dhe internim.
  38. Astrit Delvina. Tregimtar, romancier dhe poet. I burgosur dy herë. Vuan 17 vjet burgim
  39. Sami Repishti. Pasi vuan 10 vjet burgim arratiset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka shkruar disa libra midis të cilëve “Në hijen e Rozafës”.

                                                                     ***

Një vend të veçantë në persekutimin barabar komunist në Shqipëri renditet ekzekutimi i 4 poetëve të rinj të pafajshëm, që nuk ka ndodhur në asnjë vend të bllokut komunist të Evropës Lindore. Ata ishin:

  1. Trifon Xhagjika. Lindur në Peshtan të Tepelenës në vitin 1936, në profesion oficer artilerie. Poet. Arrestohet në vitin 1963 dhe ekzekutohet po në atë vit, për qëndrime armiqësore ndaj udhëheqjes komuniste.
  2. Vilson Blloshmi. Lindi në vitin 1948 në katundin Bërzeshtë të Librazhdit. Poet dhe përkthyes. Me profesion mësues. Në moshën 28 vjeç, dënohet me vdekje dhe ekzekutohet. Faji i tij: I këndonte trishtimit që kishte pllakosur Shqipërinë.
  3. Genc Leka. Lindi ne Bërzeshtë të Librazhdit në vitin 1941. Me profesion mësues. Poet antikomunist. Arrestohet dhe pushkatohet në vitin 1977, së bashku me Vilson Blloshmin.
  4. Havzi Nelaj. Lindi në katundin Kollovoz të Kukësit.

Poet dhe kundërshtar i hapur i luftës kundër besimeve fetare. Në vitin 1966 arratiset në Jugosllavi, po kthehet nga UDB-ja Jugosllave. Pasi vuan 15 vjet burgim në Spaç, lirohet dhe internohet përjetësisht në katundin Arës të Kukësit. Arrestohet në vitin 1988, për largim nga vendi i internimit dhe dënohet me vdekje në litar, për të tmerruar komunitetin kuksian. Vetëm të marrët vrasin poetët. Udhëheqja komuniste shqiptare, nuk ishte vetëm kriminele, por dhe delirantë.

                                                                   ***

Pas shembjes së diktaturës komuniste, u liruan nga burgjet me mijëra të burgosur politikë, që kishin përjetuar me dhjetëra vjet ferrin komunist. Mjaft prej tyre që kishin një farë talenti dhe iu krijuan kushtet dhe mundësitë, botuan libra me motive nga persekutimi gjysmëshekullor komunist.

  1. Agim Hamiti. I dënuar me 15 vjet burgim. Ka botuar një libër me kujtime nga burgu minierë i Spaçit.
  2. Agim Musta. Me profesion mësues. I dënuar me 13 vjet burgim. Autor i 10 librave me motive nga terrori komunist dhe i hartës “Burgjet e shtetit-burg”.
  3. Ahmet Bushati. Teknik ndërtimi. I dënuar me 10 vjet burgim. Ka botuar librin “Në gjurmët e një ditari”
  4. Amik Kacarruho. Vuajti 7 vjet burgim. Që nga viti 1990 banon në Itali. Autor i disa librave me motive nga terrori komunist.
  5. Bedri Alimehmeti. Gazetar sportiv. Ka botuar librin “Tirana e përgjakur”, për ekzekutimet pa gjyq që u bënë në Tiranë gjatë periudhës 1-17 nëntor 1944.
  6. Beqir Ajazi. Ka vuajtur 15 vjet burgim. Publicist dhe autor i disa librave me motive nga diktatura komuniste.
  7. Caf Jonuzi. Nga Malësia e Madhe. Dy here i burgosur. Ka vuajtur 30 vjet burgim. Ka botuar kujtime për malësorët që kanë vuajtur në burgjet e komunizmit.
  8. Drita Çomo. Ka vuajtur dy dekada internim. Vdes nga kanceri në moshën 23 vjeç. Libri i saj “Ditari”, është një perlë në gjininë e tij.
  9. Dhori Fallo. I burgosur dhe i internuar. Libri i tij “Të shkuara, por të paharruara”, pasqyron ndodhitë tronditëse nën terrorin komunist.
  10. Enver Lepenica. Ekonomist i lart në profesion. Publicist dhe autor i disa veprave për terrorin komunist. Bashkautori i “Antologjia e plagëve nën terrorin komunist” volumi i parë dhe i dytë.
  11. Fatbardha Saraçi (Mulleti). E internuar për shumë vjet. Mësuese me profesion. Autore e librit “Dhimbje”, ku pasqyrohet persekutimi nga diktatura komuniste i grave në qarkun e Shkodrës dhe të Tiranës.
  12. Fatos Lubonja. Vuajti 17 vjet burgim. Gazetar me profesion. Autor i disa librave me motive nga diktatura komuniste. Më i përmenduri është libri “Ridënimi”.
  13. Fritz Radovani. I persekutuar. Autor i librit monografik “Patër Meshkalla”. Banon në Australi që nga viti 1997.
  14. Gani Ratkoceri. Ka vuajtur 7 vjet burgim. Me profesion mësues letërsie. Ka botuar disa libra me motive historike dhe kujtime nga burgjet komuniste.
  15. Gaqo Peci. Ka vuajtur 5 vjet burgim. Mësues në profesion. Ka botuar një libër me kujtime nga persekutimi komunist.
  16. Gjon Mark Ndoj. Ka vuajtur 17 vjet burgim. Ka botuar disa libra me kujtime nga terrori komunist. Më i përmenduri është: “Kohën s’mujta me e ndalue” botuar para vdekjes së tij në vitin 2007.
  17. Enrik Gjoka. Ka vuajtur 6 vjet në burgjet e komunizmit. Ka botuar disa libra me motive nga Shqipëria dhe Franca ku banon prej shumë vjetësh.
  18. Kolec Gjergji. I burgosur politik për më shumë se 10 vjet. Autor i disa librave me motive nga diktatura komuniste.
  19. Liri Lubonja. Gazetare në profesion. E internuar për 15 vjet. Autore e një libri me kujtime nga persekutimi komunist.
  20. Loni Mishtari. Mësues në profesion. Ish-i burgosur politik për 14 vjet. Autori i romanit “Epoka e djajve”.
  21. Gjergj Komnino. Poet dhe mbledhës folklori. Dënohet me vdekje në vitin 1957. Pas faljes së jetës mbetet i sëmurë psikik i përjetshëm.
  22. Kapllan Resuli. Romancier, eseist dhe poet. Vuan 15 vjet burgim në burgun famëkeq të Burrelit.
  23. Kin Dushi. Shkrimtar dhe publicist. Vuan 10 vjet burgim.
  24. Mark Ndoja. Vuan 5 vjet burgim.
  25. Dhora Leka. Vuan 25 vjet burgim dhe internim.
  26. Bajram Hyseni. Poet dhe publicist. Vuan 20 vjet burgim.
  27. Luan Myftiu. Mësues në profesion. Ka botuar disa libra dhe shumë artikuj me motivin nga diktatura komuniste. I internuar për shumë vjet.
  28. Maks Velo. Ka vuajtur 7 vjet burgim. Arkitekt në profesion. Autor i disa librave me regjime nga burgjet komuniste.
  29. Maria Dvorani (Medicina). Ka vuajtur 4 vjet burgim. Autore e disa librave për vuajtjet e grave shqiptare në burgjet komuniste.
  30. Marie Mazrreku. Ka vuajtur shumë vjet internim. Autore e një libri për persekutimin komunist.
  31. Makensen Bungo. Vuajti 4 vjet në burgjet e komunizmit. Autori i librit “Këneta”, kushtuar kampit famëkeq të Maliqit.
  32. Ndue Gjon Markaj. I burgosur dhe i internuar për shumë vjet. Autor i një libri me kujtime për persekutimin komunist.
  33. Nuredin Boriçi. I burgosur politik, me profesion mësues. Autori i disa librave me motive nga burgjet e diktaturës. Vuajti mbi 10 vjet burgim dhe internim.
  34. Pal Doçi. Me profesion oficer i karrierës. Vuajti 5 vjet në burgjet e komunizmit. Autor i disa librave me motive historike.
  35. Petrit Velo. I burgosur politik për 36 vjet. Autor i disa librave me kujtime nga lufta civile në Shqipëri dhe persekutimi komunist.
  36. Piro Kuqi. Vuajti disa vjet në burgjet e komunizmit. Autor i disa librave me poezi.
  37. Pjetër Arbnori. Mësues i letërsisë në profesion. Vuajti 29 vjet burgim. Autor i disa veprave me motive nga persekutimi komunist.
  38. Preng Gruda. I burgosur politik. Autor i disa librave me kujtime nga burgjet e diktaturës.
  39. Rozeta Pepellashi. E internuar për shumë vjet. Autore e dy librave me kujtime nga persekutimi komunist.
  40. Selfixhe Broja (Ciu). E internuar për disa vjet për motive politike. Publicistë dhe prozatore që para Luftës së Dytë Botërore. Autore e një libri me kujtime nga persekutimi komunist.
  41. Spartak Ngjela. Jurist me profesion. Vuajti 17 vjet burgim. Autor i shumë artikujve dhe botues i disa librave.
  42. Tanush Kaso. I dënuar me 13 vjet burgim. Autor i disa librave në prozë dhe poezi nën motivin nga persekutimi komunist.
  43. Tomor Aliko. Vuajti 15 vjet për motive politike. Autor i disa librave me kujtime nga burgjet e diktaturës komuniste dhe i librit studimor “Gjenocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist”
  44. Uran Butka. I internuar për disa vjet. Me profesion mësues. Autor i disa veprave për ngjarjet historiko-politike në Shqipëri. Gjatë periudhës 1939-1945.
  45. Uran Kalakula. Me profesion mësues letërsie. Poet, vuajti 21 vjet burgim dhe disa vite internim. Autori i disa librave me kujtime dhe kritikë letrare.
  46. Viktor Martini. I burgosur politik. Autor i librit “Dëshmoj”. Aktualisht banon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
  47. Visar Zhiti. Me profesion mësues letërsie. Ka vuajtur 7 vjet burgim. Poet dhe prozator. Bashkautor në “Antologjia e plagëve nën terrorin komunist” volumi i parë dhe i dytë. Autor i disa librave në prozë dhe poezi.
  48. Xhemal Shkëmbi. Klerik bektashian. Ka vuajtur 8 vjet në burgjet e komunizmit. Autor i dy librave në prozë dhe poezi.
  49. Zyhdi Morava. Poet dhe prozator. I dënuar me 10 vjet burgim politik. Autor i shumë veprave. Midis tyre po përmendim “Qefini i Hënës”, kushtuar dy poetëve Librazhdit të pushkatuar nga diktatura.
  50. Zef Pllumbi. Klerik katolik. Vuajti 25 vjet burgim. Autor i librit “Rrëno vetëm për me tregue”.
  51. Dhimitër Pango. Vuajti 18 vjet në burgjet e diktaturës komuniste. Autor i 3 librave me tregime me motive nga diktatura komuniste dhe jeta në emigracion. Aktualisht banon familjarisht në Belgjikë.
  52. Tanush Mulleti. I internuar për motive politike. Bashkautor i “Antologjisë të plagëve nën terrorin komunist”, volumi i parë.
  53. Nim Pashai. Ish-i burgosur politik. Autor i librit “Bukë, mall dhe lot”.
  54. Astri Xhaferi. Ish-i burgosur politik. Autor i librit “Buqeta e lotëve”.
  55. Ylber Merdani. Ish-i burgosur politik. Poet dhe prozator. Ka botuar disa libra me poezi dhe studime për persekutimin komunist në qarkun e Korçës.
  56. Gëzim Çela. I burgosur 3 herë për motive politike. Vuajti mbi 20 vjet burgim. Autor i librit “Klithma e një nëne”
  57. Enver Hasa. Me profesion oficer akademist. Vuajti 18 vjet burgim. Autor i librit “Mos hani nga kjo qershi”, kushtuar burgut të Burrelit.
  58. Reshat Kripa. Ish-i burgosur politik. Autor i librit “Një tregim për mikun tim”.
  59. Dod Bajraktari. Ish-i burgosur politik. Autor i romanit “Urrejtje dhe ndëshkim”.
  60. Pirro Piqoni. Vuajti 20 vjet burgim për motive politike. Autor i një libri me kujtime nga burgjet e diktaturës.
  61. Gjergj Titani. Poet dhe publicist. Oficer me profesion. Dënohet me 20 vjet burgim.
  62. Petraq Xhaçka. I dënuar me 25 vjet. Ka botuar libra me kujtime për burgjet. shënim: Përveç autorëve të lartpërmendur ekzistojnë dhe autorë të tjerë të persekutuar, që nuk janë përmendur në këtë libër për mungesë njohurish për veprat e tyre të shkruara.

“Sabotatorët” e naftës, Nafta shqiptare, ka qenë një nga vrimat e zeza të ekonomisë socialiste, që ka gëlltitur miliona dollarë, të pajustifikuara. Shoqëria “Anglo-Persian Kompani” e para kërkuese e naftës në Shqipëri, që në vitet 1920-1924, arriti në përfundim se territori shqiptar, kishte rezerva të vogla nafte, që nuk ia vlente të investohej për të. Prandaj “Anglo- Persian Kompani” ia shiti aksionet e saj të naftës në Shqipëri, shoqërisë italiane AGIP. Italianët, duke shfrytëzuar afërsinë gjeografike me burimet e naftës shqiptare, patën fitime të vogla duke vënë në shfrytëzim puset e naftës në Kuçovë dhe Patos. Për këtë ka meritë të veçantë gjeologu polak, me famë evropiane, Stanislav Zuber, i cili erdhi në Shqipëri në vitin 1936 i punësuar pranë shoqërisë AGIP. Zuberi, i dashuruar me Shqipërinë, u vendos në Kuçovë së bashku me bashkëshorten e tij gjeologen italiane, Matilda, e cila fatkeqësisht u vra në Kuçovë gjatë një bombardimi ajror anglo-amerikan, në fund të vitit 1943.

Në vitin 1946, Zuberi u arrestua si “sabotator” i naftës dhe si “agjent” i Fuqive Perëndimore. Ai hetohej për të treguar vendburimet e naftës, të arit, uraniumit në Ballkanin Perëndimor për të cilat interesohej posaçërisht qeveria Jugosllave, pasi Zuberi kishte bërë studime në vitet ’30-të, në territorin ballkanik.

Pas largimit të inxhinierëve sovjetikë të naftës, në fillim të viteve ’69, teknikëve dhe specialistëve shqiptarë në këtë fushë, iu ngarkua një barrë e rëndë për të mbajtur në efiçencë puset e naftës dhe për gjetjen e vendburimeve të reja. Ata punuan ditën dhe natën në kushte tepër të vështira, me pagesa shumë të ulta, në një trysni të vazhdueshme frikësimi. Në vitin 1974, në sajë të punës vetëmohuese të specialistëve të naftës, prodhimi i saj, arriti kuotën më të lartë, që ishte prodhuar në Shqipëri pas vitit 1945. Për këtë arritje, u shtruan darka dhe dreka dhe u dekoruan me medaljet më të larta të Republikës shumë inxhinierë dhe teknikë të naftës të asaj kohe. Nuk kishte kaluar as tre muaj nga lavdërimet dhe dekorimet që u thanë në mbrëmjet solemne kur fajtorët pa faj i lidhën me pranga dhe i rrasën në qelitë e errëta të burgjeve të diktaturës.

U arrestuan inxhinierët: Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Mynyr Arapi, Beqir Alia, Protoko Murati, Dhimiter Stefa, Teki Biçaku, Niko Koçobashi, Enriko Veizi, Petraq Xhaçka, Petrit Sadushi, Kadri Rama, Thanas Nasho, etj. U arrestua dhe drejtori i Institutit të Naftës, Lipe Nashi, një ish-punëtor i zgjuar me origjinë nga Përmeti, që “Partia” e ngriti deri në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Naftës dhe pas disa vjetësh e bëri “kokë turku”, duke e dënuar 25 vjet në burgjet e komunizmit. Të arrestuarit iu nënshtruan një hetuesie intensive, ku përdoreshin të gjitha llojet e torturave, për t’iu marrë pohimin se kishin sabotuar në prodhimin e naftës sipas udhëzimeve të agjenturave sovjetike dhe anglo-amerikane. Hetimet i drejtonin hetuesit Rustem Ajazi, Pajtim Lame, etj., xhelatë të gatshëm, për t’iu marrë shpirtin cilitdo, që urdhëronte partia-shtet. U dënua me vdekje dhe u ekzekutuan inxhinierët: Xhavit Sallaku, Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli, ndërsa të tjerët u dënuan me dënime të rënda, që shkonin nga 10-15 vjet burgim.

Krahas anës së dukshme të këtyre proceseve të trilluar, pa asnjë fakt real, mbrapa fasadës, ishin anët e padukshme dhe të pa pasqyruara në proceset e falsifikuara të hetuesve xhelatë. Profesorin e gjeologjisë, inxhinierin e talentuar, Tomi Kriston, e thërrisnin në orët e vona të natës, në qelitë e burgjeve të Tiranës, për të dëshmuar kundër kolegëve të tij dhe për t’i akuzuar ata si “sabotatorë” dhe “agjentë”. Tomit i tregonin njerëz që torturoheshin me hekur të skuqur, ose të varur kokëposhtë në çengela, duke i bërë presion se ashtu do ta pësonte dhe ai, në qoftë se nuk pranonte të dëshmonte atë që kërkonin hetuesit mizorë. Ja se ç’më ka treguar shoku im Prof. Dr. Muharrem Seseri, shok i Tomi Kristos: “Gjatë kohës që zhvillohej hetuesia e inxhinierëve të naftës, ku pjesën më të madhe të tyre e njihnin dhe e kishin kolegë, Tomi u tjetërsua nga pamja dhe të folurit. Mundohesha t’i nxirrja ndonjë fjalë, për shkakun që e mundonte, por ishte e pamundur. Pas disa javësh, Tomi i shkëlqyer dhe i ndershëm, vendosi t’i jepte fund jetës, se sa t’u dilte dëshmitar i rremë kolegëve të tij të naftës. Piu helmin dhe mbylli sytë për gjithmonë, duke ikur nga kjo botë, si një martir i ndershmërisë. Askush nuk nuk u ngarkua me faj për vdekjen e Prof. Dr. Tomi Kristos”. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura