Trafikimi i mbetjeve toksike/ Investigimi i Vetting: 84 ngarkesa nga Shqipëria u realizuan në 2 vite! Kush “firmosi” për transportin! BAN: 115 kontejnerë u bllokua në Kinë! Kompania “MAERSK” justifikohet

Sep 19, 2024 | 20:11
SHPËRNDAJE

Nga Armand Kullau/ Sot që flasim, industritë e shumë vendeve prodhojnë miliona tonë mbetjesh të rrezikshme si kimikate, metale të rënda dhe mbetje radioaktive, të cilat nëse nuk përpunohen përbëjnë rrezik për ambientin dhe shëndetin e njeriut.

Sa më e rrezikshme të jetë mbetja toksike, aq më shumë kushton trajtimi i tyre për t’i kthyer në mbetje të parrezikshme ose asgjësimi.

Eksperti i Mjedisit, Rodion Gjoka thekson për Vetting se: “Trajtimi i vet këtyre mbetjeve, madje dhe vet magazinimi i këtyre mbetjeve sipas kushteve që parashikon direktiva e Bashkimit Europian për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme është tepër e kushtueshme ndaj dhe shohim sot shumica e mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë magazinohen ose trajtohen në mënyrë tepër elementare, madje në disa raste edhe në ambiente të hapura”.

rodion gjoka

Grupe interesi të joshura nga përfitimet preferojnë që t’i marrin mbetjet e rrezikshme dhe t’i transportojnë në vende të botës së tretë, ku korrupsioni dhe varfëria injorojnë rreziqet e përhershme që vijnë nga depozitimi i këtyre mbetjeve.

Nga ana tjetër, eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti deklaroi se: “Metalet e rënda janë nga më të spikaturit kur themi për mbetje të rrezikshme, pasi përveç sëmundjeve të zakonshme që mund t’u shkaktojnë organeve, ato i shkaktojnë sëmundjet e rënda kanceroze. Kështu që duhen parë me përparësi, industria në Elbasan, e zhvilluar po them relativisht, ka vuajtur shumë, nga mospastrimi i vendosjes së filtrave.”

ahmet mehmeti

Në fillim të gushtit 2024, Shqipëria do të ishte në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të dyshimeve për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës dhe Kinës.

Fillimisht alarmi u dha nga organizata ndërkombëtare mjedisore, ”Basel Action Netëork” me qendër në Basel.

Eksporti i mbetjeve toksike në mënyrë të paligjshme rrezikon të kthehet në një boomerang për Shqipërinë sepse përveç faktit që mbetjet toksike do të rikthehen në Portin e Durrësit nga ana tjetër cënohet rëndë imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Por a janë prodhur këto mbetje vetëm në vendin tonë apo kanë ardhur në mënyrë të paligjshme?

Sipas informacioneve nga BAN, ky nuk është rasti i parë i dyshuar për mbetje toksike nga Shqipëria drejt vendeve të Azisë. Për “Vetting”, drejtori ekzekutiv i BAN, Jim Puckett u shpreh se një dërgesë me mbetje të rrezikshme u bllokua më herët këtë vit nga Agjencia e Doganave Kineze në Fangcheng.

10ac9004-7ea4-4c58-b6d3-10f014867db2

“Fillimisht dëgjuam për mbetjet nëpërmjet sinjalizuesit tonë në faqen tonë të internetit. Zotëria, besoj se ishte zotëri na kontaktoi në mënyrë që mos të zbulohej se kush ishte ai vetë, por kishte informacione për eksportin e paligjshëm të mbetjeve nga Shqipëria. Ai kishte informacion për ne në korrik 2024, ai nuk ishte në gjendje të na tregonte për sa kohë po ndodhte kjo dukuri, por ishte në gjendje të na tregonte se ishte bërë një dërgesë e mëparshme, një dërgesë shumë e madhe prej 115 kontenierësh, të cilët shkuan në Kinë.”- tha Jim Puckett!

Autoriteti Portual në Singapor ka bllokuar ngarkesat e nisura nga Shqipëria dhe pritet që këto ngarkesa të rikthehen në Durrës në muajt në vazhdim, të cilat dyshoheshin se kishin si destinacion Tajlandën.

“Vetting” ka kryer një investigim që hedh dritë mbi të gjithë aktorët e përfshirë në trafikun e mbetjeve të rrezikshme. Për herë të parë zbulohet fakti se eksporti i mbetjeve, duke përfshirë edhe mbetjet e rrezikshme nga portet shqiptare ka ndodhur 84 herë gjatë dy viteve të fundit me autorizimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nën drejtimin e Mirela Kumbaros.

Madje, në shumë raste këto mbetje kanë kaluar tranzit nga Shqipëria, duke vendosur në pikëpyetje shëndetin publik dhe sigurinë kombëtare.

eea944a8-dfd0-46b8-8330-c629939a0e82

Ish-Zv.komandati i Flotës Detare, Artur Meçollari tha për Vetting se: “Jemi në kushtet që është cenuar siguria e Portit të Durrësit, pra është cenuar siguria e portit të Durrësit, kemi cenim të mjedisit, të jetës dhe të shëndetit dhe si e tillë, duhet që të trajtohet si një kërcënim i sigurisë kombëtare”.

Në fillim, BAN ka ngritur shqetësimin për dy anijet e firmës “MAERSK”, e cila kishte marrë përsipër transportin e tyre drejt Tajlandës me ngarkesë totale 800 ton. Sipas informacioneve paraprake, në fillim të muajit korrik 41 kontenierë të kompanisë MSC janë ngarkuar në anijen “Contship Voë”, e cila disa ditë më vonë i ka shkarkuar në portin e Triestes te anija Maersk Campton.

Nga verifikimet paraprake, të dyja anijet “MAERSK” rezultonin në pronësi të kompanisë “Zodiac Maritime”. Fillimisht “Vetting” kontaktoi “Zodiac Maritime”, e cila deklaroi se këto anije përdoren nga kjo e fundit, por që në këtë rast ishin nënkontraktuar nga “MAERSK”.

Në kthim-përgjigje për “Vetting”, përfaqësuesi i zyrës së shtypit të “MAERSK”, Pavl Rasmussen deklaroi se përsa i përket rastit në fjalë ka informacione të pasakta të shpërndara në media.

Për “Vetting”, Rasmussen deklaroi se dy anijet janë të marra me qira, që do të thotë se nuk janë në pronësi të kompanisë Maersk, por anijet janë regjistruar në flotën tonë që u shërben klientëve tanë.

“Për çdo informacion shtesë në lidhje me kontejnerët, unë do t’i referohem kompanisë “MSC”, të cilës ne po i mbajmë kontejnerët në mungesë të saj”, tha Rasmussen në përgjigjen e tij me e-mail.

Por kush janë kompanitë që dyshohen se janë të përfshira në trafikimin e mbetjeve të rrezikshme?

LEXO EDHE: 

Trafikimi i mbetjeve toksike/ Investigimi i Vetting: 84 ngarkesa nga Shqipëria u realizuan në 2 vite! Kush “firmosi” për transportin! BAN: 115 kontejnerë u bllokua në Kinë! Kompania “MAERSK” justifikohet

Vetting/ Si Ministria e Mjedisit “dekonspiroi” mbetjet e rrezikshme të “Korum International”! Kush fshihet pas firmës “Sokolaj” që transportoi kontejnerët në Tajlandë! Lidhjet me shtetasit turq

“Kjo vjen era korrupsion i gjallë”- Vetting hedh dritë mbi ngarkesën e bllokuar në Kinë, si i ‘fshehën’ lëndët e rrezikshme! Manovrat e “Kurum” pas skandalit të dytë

Drejtori i BAN flet për Vetting: Shqetësuese, mbetjet e rrezikshme ruhen në ambient të hapur, mund të përhapen! Heshtja e italianes “MCS”, si u përfshi në skandalin e kokainës në SHBA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura