EMISIONI VETTING
Matrioshka SOKOLAJ shpk
Para disa ditësh, Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro ishte e ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News24”, ku foli edhe për problemin e mbetjeve të rrezikshme.
Paraprakisht, “Vetting” kishte zbuluar se kompania “SOKOLAJ” në pronësi të Gjovana Sokolaj, e cila është nën hetim nga Prokuroria e Durrësit kishte shtuar një kod në vitin 2023 nga licenca që kishte marrë miratimin nga Ministria dhe Agjencia e Mjedisit për transportin e mbetjeve të rrezikshme. Kompania ka përfituar kodin e ri “12 01 17*”, i cili bën fjalë për mbetjet e materialeve shpërthyese, të tjera nga ato që përmenden te kodi 12 06 01.
Misteri me këtë kod lidhet me faktin se askush nuk e di se për çfarë mbetjesh të rrezikshme bëhet fjalë. Gjatë një prononcimi të ministres Kumbaro, për Neës24 e ftuar nga gazetarja Nisida Tufa, e cila u pyet: “ Një vit më pas leja e kompanisë pëson ndryshime, të cilat do të rrisnin kapacitetet e mbetjeve toksike dhe është çështja e kodeve, që të mos i hyjmë çështjes së kodeve…ajo që shqetëson publikun, por nuk di nëse mund ta marr nga ju këtë përgjigje. Për çfarë mbetjesh materialesh shpërthyese flasim që përdoren nga kompanitë private apo nga ushtria?
Mirela Kumbaro: Licenca që nuk i intereson publikut se si quhet, është licenca e parashikuar nga ligji III.2.B.”
Pavarësisht shqetësimit se për çfarë mbetjesh të rrezikshme të lëndëve plasëse bëhej fjalë, Ministrja Kumbaro nuk iu përgjigj pyetjes së gazetares Nisida Tufa, por edhe shqetësimit të ngritur më herë nga emisioni “Vetting”.
Por le të rikthehemi te dokumentet zyrtare të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ku në vitin 2022 janë eksportuar vetëm 37 kg mbetjesh toksike.
Përveç vitit 2022 që përkon me licencën e marrë nga “SOKOLAJ” shpk kemi edhe një detaj të rëndësishëm që vjen për herë të parë nga “Vetting”.
Në raportin zyrtar për gjendjen e mjedisit evidentohet se janë eksportuar nga Shqipëria 37 kg mbetjesh të rrezikshme, që përmbajnë absorbente, lecka të kontaminuara, paketime të kontaminuara, filtra naftë, mbetjesh materiale shpërthyese etj.
Duhet theksuar se këto mbetje nuk janë specifikuar dhe janë vendosur bashkë dhe ngrihet pyetja: Si është bërë eksporti?
Pra, gjenerimi i një sërë transaksionesh, veprimesh dhe marrja e një autorizimi nga Ministria e Mjedisit për vetëm 37 kg mbetje toksike, ngrenë pikëpyetje se me çfarë mbetjesh toksike kemi patur të bëjmë.
Por si arriti një kompani si “SOKOLAJ” shpk të marri një licencë kaq të rëndësishme dhe të krijojë një grup kompanish me shtrirje jashtë Shqipërisë?
Kjo kompani është themeluar në vitin 2006 nga Gjovana Sokolaj dhe bashkëshorti Doni Sokolaj dhe ka patur si aksioner edhe turkun Serdar Can Hakliol, i cili aktualisht rezulton aksioner te kompania “Florester Metalik” së bashku me Gjovana Sokolaj. Ky subjekt ka si veprimtari kryesore tregtimin me shumicë dhe pakicë të të gjitha materialeve të ndërtimit dhe çdo materiali tjetër që përdoret në sektorin e ndërtimit.
Sipas gazetarit Gjergj Thanasi është shumë e vështirë të realizohet një numër i lartë dokumentesh dhe veprimesh në kohë kaq të shkurtër.
Më tej Thanasi shtoi se “Mënyra se si është formuluar dokumentacioni i firmës guackë ‘SOKOLAJ shpk’ dhe bishtave të saj, se ka firma në Greqi, në Maqedoni, ka firmë në Kroaci, që të gjitha janë si ato matrioshkat ruse, tregon që është një mendje shumë e zgjuar që është mbrapa këtij trafiku që ka bërë dokumentacionin.”
Muajin e kaluar Prokuroria e Durrësit nisi hetimet ndaj kompanisë “SOKOLAJ shpk”, e cila dyshohet se ka bërë eksportin e mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit.
Gazetari Gjergji Thanasi shprehet se: “Është lënë gjurmë edhe te terminali I kontejnerëve, terminali i kontejnerëve është ndarë nga pjesa tjetër e Portit dhe ke Sigurinë Portuale, tek dogana”.
Në fillim të publikimi të skandalit, institucionet shtetërore, Ministria e Mjedisit, Doganat dhe Autoritetit Portual i Durrësit luanin ping-pong me njëra-tjetrën për të anashkaluar përgjegjësinë.
Sipas ekspertit të mjedisit Abdulla Diku: “Gjëja më e keqe është se humbet kredibiliteti i vendit, pra ne nuk jemi më një vend i besueshëm për çdo lloj eksporti apo ngarkese që nisim nga portet tona apo aeroporti”.
Megjithatë një detaj i rëndësishëm është evidentuar nga transporti i dyshuar për eksportimin e mbetjeve të rrezikshme. Çfarë ka ndodhur?
“Vetting” zbulon se “SOKOLAJ” shpk ka eksportuar oksid hekuri pa autorizimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit nga Porti i Durrësit.
Nga informacionet zyrtare nga Agjencia e Mjedisit, rezulton se nga dokumenti doganor ‘SOKOLAJ shpk’ ka kryer eksport të oksidit të hekurit, ku theksohet se mbetje te smarcit dhe okalines, që klasifikohen si okside hekuri dalin nga procesi teknologjik i punës së shoqërisë ‘Kurum International Sh.a.’
Sipas ekspertëve mjedisorë, oksidi i hekurit është mbetje e parrezikshme.
Sipas ekspertit Abdulla Diku: “Nëse mbetjet janë transportuar pa autorizim, kemi të bëjmë me trafik mbetjesh, nëse mbetjet janë të eksportuara me autorizim mjedisor si mbetje jo të rrezikshme, sërish kemi trafik mbetjesh, sepse tjetër gjë është autorizimit, tjetër gjë është etiketa dhe tjetër gjë janë mbetjet.”
Pra, sipas Agjencisë së Mjedisit kemi vetëm oksid hekuri, por pa autorizimin e Ministres Mirela Kumbaro, e cila ka konfirmuar këtë fakt edhe në deklaratën për “News24”. Ministrja Kumbaro u shpreh se subjekti në fjalë nuk ka marrë kodin e autorizimit nga institucioni, i cili shërben për gjurmueshmërinë e tij.
Sipas AKM: “Lidhur me pyetjen ju bëjmë me dije se subjekti “Sokolaj shpk” është gjobitur me masën 1, 300, 000 lekë pasi nuk dispononte Autorizim Eksporti nga Ministri i MTM, kjo verifikuar me faturat që shoqëria “Sokolaj Shpk” kishte blerë oksid hekuri nga shoqëria Kurum International Sh.a”, deklaron Agjencia Kombëtare e Mjedisit për “Vetting”.
Drejtori ekzekutiv i Basel Action Network, Jim Puckett më herë kishte ngritur shqetësimin për këto materiale të shpërndara rifuxho në portin e Durrësit për të zbuluar se për çfarë substanca bëhej fjalë.
“Vetting” i bëri kërkesë për informacion Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për substancat e depozituara në kalatën lindore të Portit të Durrësit, çfarë lloj substancash ishin dhe a po trajtoheshin sipas ligjeve për mbrojtjen e mjedisit.
Në kthim-përgjigje për “Vetting”, AKM-ja deklaroi se substancat ishin oksid hekuri dhe ekzistonte një kontratë e lidhur midis “SOKOLAJ” shpk dhe KURUM-it, e cila zbulohet për herë të parë.
Në lidhje me analizat, Agjencia e Mjedisit deklaroi se nuk ishte në kompetencat e saj dhe nuk dha asnjë koment për mënyrën se si po trajtohen këto mbetje.
“Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për përbërjen e këtyre substancave, por deri në publikimin këtij materiali nuk morëm asnjë reagim nga zyra e Inspektoratit.
Sipas Gjergj Thanasi: “Kompania shqiptare i ka blerë nga KURUM dhe në këtë rast KURUM-it ligjërisht KURUM-it nuk ke çfarë i bën se nuk e ka eksportuar ai, ai ka të drejtë ta shesë mallin, biles KURUM-I dhe e ka kontabilizuar, e ka njoftuar te TATIMET, për të paguar taksat se dihet se është ajo taksa mbi të ardhurat që merren në burim”.
Ajo që e bën më interesante çështjen është se kompania që i ka blerë këto ngarkesa nga “SOKOLAJ” shpk është “GS Minerals D.o.o” e regjistruar në Kroaci, e cila rezulton në pronësi të familjes Sokolaj. Ka qenë ky veprim që ka krijuar dyshimet se këtu kemi të bëjmë me një ngarkesë tjetër, e cila nuk ka thjesht oksid hekuri.
Sipas kryetari të partisë “Mundësia” dhe deputetit Agron Shehaj: “Ky është elementi më i rëndësishëm që tregon qartazi që kemi të bëjmë me një aktivitet ilegal, eksportuesi kishte diçka për të fshehur se ndryshe nuk kishte pse t’ia shiste vetes, ngarkesën dhe pastaj ia shiste subjektit final në Azi.”
Nga të dhënat në faqen e “D&B” e cila mbulon sektorin financiar ndërkombëtar për kompanitë rezulton se në vitin 2023 “GS MINERALS D.O.O” nuk arriti të shtonte stafin duke zbuluar se ka patur vetëm një punonjës, Gjovana Sokolaj, e cila mesa duket ka shërbyer vetëm për të kryer transaksionet.
Gazetar Gjergj Thanasi shkon më tej teksa deklaron se: “Kemi falsifikim dokumentesh, është bërë apo nuk është bërë analiza, kush e ka bërë analizën? Se në qoftë se e bëj unë si subjekt, unë mund të shkruaj flori atje, mund të shkruaj djathë, ullij të mbushur Berati, shkruaj ca të dua. Pra, dogana është brenda, siguria portuale ka gjurmë”.
Sipas Agron Shehajt: “Ky rast tregon hapur se institucionet shtetërore kanë dështuar në zbulimin e këtij trafiku”.
Më tej Shehaj për “Vetting” u shpreh se: “Duhet të themi të vërtetën. E vërteta është se po të mos ishte për Shqipërinë, s’do kishte ndodhur asgjë. Trafikimi i mbetjeve toksike do vazhdonte si pa gjë të keqe fare, askush nuk do ngrinte zërin”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al