Kush fshihet pas aferës? Vetting: Si iu “dekonspiruan” mbetjet toksike dhe manovrat e “Kurum”! Zbulohet transferta 3.2 mln euro e kompanisë “Sokolaj” drejt turqve

Sep 20, 2024 | 9:33
SHPËRNDAJE

ARMAND KULLAU/ Sot që flasim, industritë e shumë vendeve prodhojnë miliona tonë mbetje të rrezikshme si kimikate, metale të rënda dhe mbetje radioaktive, që nëse nuk përpunohen, përbëjnë rrezik për ambientin dhe shëndetin e njeriut. Sa më e rrezikshme të jetë mbetja toksike, aq më shumë kushton trajtimi i tyre për t’i kthyer në mbetje të parrezikshme ose asgjësimi.

Eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka, thekson për “Vetting” se, “trajtimi i këtyre mbetjeve, madje edhe magazinimi i tyre sipas kushteve që parashikon direktiva e Bashkimit Europian për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme është tepër i kushtueshme, ndaj dhe shohim sot që shumica e mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë magazinohen ose trajtohen në mënyrë tepër elementare, madje në disa raste edhe në ambiente të hapura”. Grupe interesi të joshura nga përfitimet preferojnë që t’i marrin mbetjet e rrezikshme dhe t’i transportojnë në vende të botës së tretë, ku korrupsioni dhe varfëria injorojnë rreziqet e përhershme që vijnë nga depozitimi i këtyre mbetjeve.

Nga ana tjetër, eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti, deklaroi se: “Metalet e rënda janë nga më të spikaturit kur themi për mbetje të rrezikshme, pasi përveç sëmundjeve të zakonshme që mund t’u shkaktojnë organeve, ato i shkaktojnë sëmundjet e rënda kanceroze. Kështu që duhen parë me përparësi, industria në Elbasan, e zhvilluar po them relativisht, ka vuajtur shumë nga mospastrimi i vendosjes së filtrave”. Në fillim të gushtit 2024, Shqipëria do të ishte në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të dyshimeve për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës dhe Kinës. Fillimisht alarmi u dha nga organizata ndërkombëtare mjedisore “Basel Action Network” me qendër në Basel.

Eksporti i mbetjeve toksike në mënyrë të paligjshme rrezikon të kthehet në një bumerang për Shqipërinë, sepse përveç faktit që mbetjet toksike do të rikthehen në Portin e Durrësit, nga ana tjetër cenohet rëndë imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Por a janë prodhuar këto mbetje vetëm në vendin tonë, apo kanë ardhur në mënyrë të paligjshme? Sipas informacioneve nga BAN, ky nuk është rasti i parë i dyshuar për mbetje toksike nga Shqipëria drejt vendeve të Azisë. Për “Vetting”, drejtori ekzekutiv i BAN, Jim Puckett, u shpreh se një dërgesë me mbetje të rrezikshme u bllokua më herët këtë vit nga Agjencia e Doganave Kineze në Fangcheng.

“Fillimisht dëgjuam për mbetjet nëpërmjet sinjalizuesit tonë në faqen tonë të internetit. Zotëria, besoj se ishte zotëri, na kontaktoi në mënyrë që mos të zbulohej se kush ishte ai vetë, por kishte informacione për eksportin e paligjshëm të mbetjeve nga Shqipëria. Ai kishte informacion për ne në korrik 2024. Ai nuk ishte në gjendje të na tregonte për sa kohë po ndodhte kjo dukuri, por ishte në gjendje të na tregonte se ishte bërë një dërgesë e mëparshme, një dërgesë shumë e madhe prej 115 kontejnerësh, të cilët shkuan në Kinë”, – tha Jim Puckett!

Autoriteti Portual në Singapor ka bllokuar ngarkesat e nisura nga Shqipëria dhe pritet që këto ngarkesa të rikthehen në Durrës në muajt në vazhdim, të cilat dyshoheshin se kishin si destinacion Tajlandën. “Vetting” ka kryer një investigim që hedh dritë mbi të gjithë aktorët e përfshirë në trafikun e mbetjeve të rrezikshme. Për herë të parë zbulohet fakti se eksporti i mbetjeve, duke përfshirë edhe mbetjet e rrezikshme nga portet shqiptare, ka ndodhur 84 herë gjatë dy viteve të fundit me autorizimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nën drejtimin e Mirela Kumbaros. Madje, në shumë raste këto mbetje kanë kaluar tranzit nga Shqipëria, duke vendosur në pikëpyetje shëndetin publik dhe sigurinë kombëtare.

Ish-zv.komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari, tha për “Vetting”: “Jemi në kushtet që është cenuar siguria e Portit të Durrësit. Pra, është cenuar siguria e Portit të Durrësit, kemi cenim të mjedisit, të jetës dhe të shëndetit dhe si e tillë, duhet që të trajtohet si një kërcënim i sigurisë kombëtare”.

Në fillim, BAN ka ngritur shqetësimin për dy anijet e firmës “Maersk”, e cila kishte marrë përsipër transportin e tyre drejt Tajlandës me ngarkesë totale 800 tonë. Sipas informacioneve paraprake, në fillim të muajit korrik 41 kontejnerë të kompanisë MSC janë ngarkuar në anijen “Contship Vow”, e cila disa ditë më vonë i ka shkarkuar në portin e Triestes tek anija “Maersk Campton”. Nga verifikimet paraprake, të dyja anijet “Maersk” rezultonin në pronësi të kompanisë “Zodiac Maritime”. Fillimisht “Vetting” kontaktoi “Zodiac Maritime”, e cila deklaroi se këto anije përdoren nga kjo e fundit, por që në këtë rast ishin nënkontraktuar nga “Maersk”. Në kthim-përgjigje për “Vetting”, përfaqësuesi i zyrës së shtypit të “Maersk”, Pavl Rasmussen deklaroi se për sa i përket rastit në fjalë ka informacione të pasakta të shpërndara në media.

Për “Vetting”, Rasmussen deklaroi se dy anijet janë të marra me qira, që do të thotë se nuk janë në pronësi të kompanisë “Maersk”, por anijet janë regjistruar në flotën tonë që u shërben klientëve tanë. “Për çdo informacion shtesë në lidhje me kontejnerët, unë do t’i referohem kompanisë ‘MSC’, të cilës ne po i mbajmë kontejnerët në mungesë të saj”, – tha Rasmussen në përgjigjen e tij me ‘email’.

KOMPANITË E DYSHUARA

Mbas publikimit të lajmit në media, Prokuroria e Durrësit filloi hetimin për çështjen e trafikut të paligjshëm të mbetjeve toksike, ku dyshohet se kompania “Sokolaj” në pronësi të Gjovana Sokolaj, ka eksportuar mbetje të rrezikshme me destinacion Tajlandën. Sipas “BIRN”, që i referohej dosjes së Prokurorisë Durrës, kompania “Sokolaj” është eksportuese e kontejnerëve dhe kompania turke “Kurum International” rezulton burimi i produkteve që dyshohen si të rrezikshme. Më 21 gusht 2024, “Kurum” bëri një deklaratë publike për mediat, duke mohuar lidhjet me eksportin e mbetjeve të rrezikshme. “Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”, – deklaroi kompania turke.

Reagimi i “Kurum”-it erdhi pas lajmit se e vetmja kompani që mund të prodhonte këtë kategori mbetjesh në sasi të mëdha ishte firma turke. Dyshimet për përfshirjen e kësaj të fundit u përforcuan me deklaratën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e cila në mënyrë indirekte implikoi kompaninë me qendër në Elbasan. Sipas deklaratës së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, “vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS”. “Sokolaj” shpk është themeluar në vitin 2006 nga Gjovana Sokolaj së bashku me bashkëshortin e saj, Doni Sokolaj dhe ka si objekt veprimtarie import/eksportin e mineraleve, si dhe transportin e mbetjeve të rrezikshme. Gjatë këtyre viteve kompania ka pasur si aksioner edhe turkun Serdar Can Hakliol, i cili rezulton njëkohësisht ortak me Gjovana Sokolaj te kompania “Florester Metalik”.

Nga të dhënat e siguruara nga “Vetting” rezulton se kompania “Sokolaj” shpk ka interesa financiare në Turqi, ku ka lidhur një kontratë me kompaninë turke “Hakliol Madencilik”. Nga viti 2014 deri në vitin 2023, “Sokolaj” ka transferuar drejt kompanisë turke shuma me vlerë totale 319 milionë lekë ose 3.2 milionë euro. Në vitin 2022, “Sokolaj” shpk është pajisur me licencë për transportin dhe grumbullimin e mbetjeve të rrezikshme nga ministrja Mirela Kumbaro. Megjithatë, një detaj i rëndësishëm ka kaluar pa rënë në sy. Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting”, një vit më pas leja e kompanisë do të pësonte ndryshime, të cilat do të rrisnin kapacitetet për përpunimin e mbetjeve toksike. Konkretisht është shtuar kodi 12 01 17 për mbetjet e materialeve shpërthyese, të tjera nga ato që përmenden te kodi 12 06 01. Pyetja që ngrihet është: Për çfarë mbetjesh materialesh shpërthyese po flasim, që përdoren nga kompanitë private apo ushtria, të cilat i përpunon kompania “Sokolaj” shpk?

Hetimet e prokurorisë kanë vendosur në lëvizje administratorët e kompanisë, ku e afërmja e Gjovana Sokolaj, Olizana Pemati, ka kryer veprime të tjera me kompanitë. Menjëherë pas publikimit të lajmit në media për eksportin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, në 13 gusht në Qendrën Kombëtare të Biznesit është ngarkuar vendimi, ku Olizana Pemati është shkarkuar nga aksionerët e kompanisë më herët në 27 qershor. Teksa hulumtojmë se çfarë eksporton kjo kompani, në skenë dalin kompani të huaja, të cilat janë lidhura me “Sokolaj” shpk. Gjovana dhe Doni Sokolaj janë bashkëpronarë të kompanisë “Scholz” shpk së bashku me kompaninë gjermane “Scholz Internationale Handelsgesellschaft”, e cila rezulton në pronësi të kompanisë “Scholz Holding GmbH”. Të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznesit nuk zbulojnë pronarët realë të kësaj kompanie. Sipas informacioneve nga Open Data Albania, në 2016 “Scholz Holding GmbH” kaloi në pronësi të kompanisë më të madhe në Kinë në fushën e riciklimit të skrapit “Chiho Environmental Group Limited”.

LIDHJET ME KINEZËT

Lidhjet kineze me Shqipërinë nuk janë rastësi sepse përpara dërgesës në Tajlandë, ka pasur dërgesa të tjera transit që nuk lidhen vetëm me “Sokolaj” shpk, por me kompani nga Kosova. Sipas drejtorit ekzekutiv të BAN, Jim Puckett: “Më herët ishin 115 kontejnerë, për të cilët mësuam se do të shkonin në Kinë dhe autoritetet kineze i kanë bllokuar atë, akoma duke pritur aty, ndaj ne po përpiqemi të punojmë me kompaninë ‘Maersk’ për t’i rikthyer ato. Deri tani kemi informacion vetëm për dy ngarkesa eksporti, e para e cila do të shkonte në Kinë në prill të këtij viti dhe u bllokua në Fengchengs, në portin Nansha të Kinës”. Menjëherë pas denoncimit nga organizatat ndërkombëtare, më 21 gusht 2024 erdhi reagimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila pa dashje zbuloi se ka pasur ngarkesa të tjera me mbetje që janë transportuar edhe më parë.

Eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka, u shpreh për “Vetting” se: “I vetmi në këtë mes që po themi ka realizuar një inspektim të denjë për sa u takon iniciativave që kanë marrë, sepse kjo iniciativë e marrë nga konventa e Baselit, por edhe nga organizata me qendër në Bruksel për sa i takon këtij transporti apo kësaj sasie me mbetje toksike, që po shkon në rrugë të jashtëligjshme, pra duke u konsideruar si koncentrat zinku, por nga krahu tjetër rezulton që nuk është thjesht koncentrat zinku, i vetmi institucion në këtë mes është autoriteti portual në Kinë, në Guangxi të Kinës”.

Në ndryshim nga homologët kinezë, doganat shqiptare deklaruan se për rastin në fjalë po bashkëpunojnë me OLAF, Zyrën e luftës kundra mashtrimeve në Bashkimin Europian. Sipas doganave, rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria, por një transit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese “Apfelbaum” shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Switzerland. Doganat shtojnë se firma zvicerane “ACHRO AG” është urdhëruese sipas “BILL OF LOADING” (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOW GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse /GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China/.

Drejtori i “Apelbaum” shpk, Arten Bajrushi, kompanisë së cilës Doganat iu referuan gabimisht si “Apfelbaum”, për “Vetting” u shpreh i habitur që doganat e kanë përmendur kompaninë e tij pasi nuk ka lidhje me rastin. “Për çdo gjë lajmëroni kompaninë ‘Achro’ zvicerane, e cila e ka blerë mallin në Kosovë. Ajo është blerësja e mallit, përndryshe sipas saj sepse i kam pyetur, nuk kanë lidhje me ata kontejnerët që po kthehen”, – tha për “Vetting” Arten Bajrushi.

Drejtori Barjushi deklaroi se për më shumë informacione duhet të kontaktonim kompaninë zvicerane “Achro Ag”. “Vetting” arriti të kontaktonte Mostafa Azizin, i cili deri në mars 2024 ka qenë i punësuar te kompania zvicerane. Sipas ish-punonjësit të “Achro Ag”, nga Trepça nuk mund të vinë mbetje të rrezikshme. I pyetur për testet nga dogana kineze Fengcheng në Portin e Nansha-s, Azisi refuzoi të komentonte rezultatet. “Vetting” u përpoq të kontaktonte administratorin e “Achro Ag”, Arjan Dzemaili për të marrë një koment, por deri në publikimin e këtij materiali z.Djemaili dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë ishin të paarritshëm.

MANOVRAT E “KURUM” PAS SKANDALIT

Dokumentet nga dogana kineze, të cilat janë marrë nga organizata mjedisore BAN zbulojnë se nuk kemi të bëjmë me koncentrat zinku për 115 kontejnerët. Sipas Jim Puckett: “Ne patëm këtë rastin në Kinë dhe burimi nga doganat na siguroi të dhënat për analizat e mbetjeve. Ne mësuam se autoritetet kineze morën testet e materialeve për t’i analizuar se çfarë përbërje kishin, të cilat treguan nivele të lartë të Plumbit, si rasti i materialeve toksike me nivel 8% të metalit të plumbit dhe burimi konfidencial na siguroi edhe dokumentet e porositësit”. Të njëjtin mendim kishin dhe ekspertët mjedisorë, të cilët evidentojnë faktin se në rastin e kësaj ngarkese kemi të bëjmë me produkte nga industria e hekurit dhe çelikut.

Eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka tha për “Vetting” se: “Rezultati i atyre është që nuk kemi vetëm koncentrat zinku në këtë mes, paçka se shumica dallohet që është e atillë, por po themi kemi mbetje nga procesi i trajtimit metalurgjik të metalit. Pra, ata e definojnë si mbetje të një procesi industrial, ku ka brenda hekur, ku ka brenda squfur, zink, plumb, magnez dhe sasi të vogla bakri. Kjo nuk është lëndë e parë mesa duket. Këtu kemi të bëjmë me mbetje të rrezikshme, të paktën nga sa shprehen autoritetet (kineze)”.

Duke kontrolluar kontejnerët që janë bllokuar nga dogana kineze dhe janë publikuar nga BAN Bazel, “Vetting” konfirmoi se këto janë ngarkesa me mbetje të rrezikshme, që kanë dalë nga Porti i Durrësit duke u bazuar te sistemi i gjurmimit të kontejnerëve. Ngelet e paqartë se çfarë do të ndodhi me këta kontejner pasi në sistem nuk ka informacione se kur do të kthehen, ndërsa kanë disa muaj të bllokuar në Portin e Nanshas në Kinë. Autoritetet shqiptare e kanë mbajtur të fshehur ngarkesën me mbetje të rrezikshme, edhe pse janë informuar për rezultatet e testit. Vetëm pas denoncimit nga mediat ndërkombëtare, Doganat janë “detyruar” të pranojnë faktet. Por, a është kompania turke “Kurum” në qendër të këtij skandali ndërkombëtar?

Shqipëria është anëtare e konventës ndërkombëtare të Bazelit për mjedisin, ku nën rregullat e rrepta të sigurisë specifikohet mënyra se vendi ynë mund të eksportojë mbetjet toksike. Për të transportuar këto mbetje drejt vendeve të tjera, Shqipëria duhet të ketë një leje paraprake nga vendi destinacion si Tajlanda, por edhe nga vendet transit ku do të kalojë produkti. Në leje specifikohen informacionet mbi llojin dhe sasinë e mbetjeve, si dhe destinacioni dhe mënyra e përpunimit ose asgjësimit të tyre. Një pjesë e mirë e këtyre mbetjeve prodhohen nga konglomerati turk “Kurum International”, i cili sipas dosjes nga Prokuroria e Durrësit është burimi i mbetjeve të rrezikshme që dyshohet se ka eksportuar “Sokolaj” shpk nga Porti i Durrësit. Këto mbetje që shënohen me kodin “10 02 07*”, janë mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme. Skandali me eksportin e mbetjeve nuk ka nxjerrë në skenë jo vetëm kompaninë turke, por ka ngritur një problem serioz se ku shkojnë këto mbetje toksike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura