Ministria e Brendshme ka rishikuar rregullat për funksionimin e kompanive private që ofrojnë shërbimin e sigurisë fizike.
Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi i ri “Për funksionimin e shërbimit privat të sigurisë fizike dhe qendrës së trajnimit privat të punonjësve të shërbimit”. Ndër të tjera në udhëzimin e ri kanë ndryshuar edhe rregullat për sigurimin dhe shoqërimin e vlerave monetare dhe sendeve të çmuara.
Rregullat për transportin e vlerave monetare dhe sendeve të çmuara vijojnë të trajtohen në një pjesë të veçantë të udhëzimit.
Udhëzimi i mëparshëm përcaktonte se 1 automjet i blinduar dhe jo më pak se 2 punonjës përdorej për transportin e shumave me vlerë deri 10 milionë lekë që përfshihej në kategorinë A të transportit të vlerave monetare. Udhëzimi i ri parashikon se sigurimi i vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara gjatë transportit me vlerë deri në 20 milionë lekë do të realizohet me një automjet të blinduar dhe jo me më pak se 2 punonjës.
Po ashtu një makinë e blinduar dhe jo më pak se 3 punonjës do të përdoren në rastet e transportit të shumave me vlerë nga 20 milionë deri në 35 milionë lekë nga vlera monetare prej 10 milionë lekë deri në 25 milionë lekë që parashikohej në udhëzimin e mëparshëm.
Për kategorinë C që përfshinte transportin e shumave me vlerë nga 25 milionë deri në 75 milionë lekë në udhëzimin e mëparshëm ku përdorej 1 automjet i blinduar dhe jo më pak punonjës, udhëzimi i ri parashikon se për kategorinë C, sigurimi i vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara gjatë transportit do të jetë me vlerë nga 35 milionë lekë deri në 100 milionë lekë. Kjo realizohet me një automjet i blinduar me pjesë të ndarë të vendit të transportit të vlerave monetare nga kabina e drejtuesit të mjetit i nivelit BR-4 (me frëngji për hapje zjarri me armë) dhe jo më pak se 4 (katër) punonjës shërbimi të SHPSF-së me armatimin përkatës.
Për kategorinë E udhëzimi i mëparshëm përfshinte se për sigurimin dhe transportin e shumave me vlerë nga 150 milionë deri në 550 milionë lekë në udhëzimin e mëparshëm përcaktohej përdorimi i 3 automjeteve të blinduara dhe jo më pak se 6 punonjës. Në udhëzimin e ri përcaktohet se kategoria E përfshin sigurimin e transportin e shumave me vlerë nga 200 milionë deri në 550 milionë lekë, ku do të përdoren 3 automjete të blinduara dhe jo më pak se 7 punonjës të sigurisë.
Ndërsa për transportin e shumave nga 550 milionë lekë deri në 950 milionë lekë përveç dy automjeteve me frëngji për hapje zjarri numri i punonjësve të sigurisë do të jetë 8 punonjës nga 7 punonjës që parashikohej në udhëzimin e mëparshëm.
Udhëzimi i ri
- Kategorizimi i automjeteve të blinduara dhe shoqëruese
Për transportin e vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara dhe për transportin e punonjësve të SHPSF-së, përdoren automjete të blinduara sipas kategorizimit të mëposhtëm:
- Kategori A: Sigurimi i vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara gjatë transportit, me vlerë deri në 20.000.000 (njëzet milionë) lekë realizohet me: a) një automjet i blinduar me pjesë të ndarë të vendit të transportit të vlerave nga kabina e drejtuesit të mjetit i nivelit BR-3, (me frëngji për hapje zjarri me armë): i. niveli i blindimit të automjetit BR-3; ii. pjesa ku vendosen mbajtësit e vlerave monetare të jetë pa xham në faqet anësore dhe të pasme të mjetit. b) jo më pak se 2 (dy) punonjës shërbimi të SHPSF-së me armatimin përkatës B1, B4 dhe mjete speciale (njëri prej të cilëve i certifikuar për drejtues mjeti); c) sistem komunikimi të vazhdueshëm me Qendrës së Menaxhimit të Shërbimeve; ç) sistem gjurmimi GPS; d) monitorimi me kamera ÇTV me rezolucion të lartë, të vendosura brenda dhe jashtë mjetit të blinduar; dh) Kamera për lexim automatik të targave.
- kategori B: Sigurimi i vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara gjatë transportit, me vlerë nga 20.000.000 lekë deri në 35.000.000 (tridhjetë e pesë milionë) lekë realizohet me: a) një automjet i blinduar me pjesë të ndarë të vendit të transportit të vlerave monetare nga kabina e drejtuesit të mjetit i nivelit BR-3, (me frëngji për hapje zjarri me armë): i. niveli i blindimit të automjetit BR-3; ii. pjesa ku vendosen mbajtësit e vlerave monetare të jetë pa xham në faqet anësore dhe të pasme të mjetit. b) jo më pak se 3 (tre) punonjës shërbimi të SHPSF-së me armatimin përkatës B1, B4 dhe mjete speciale (njëri prej të cilëve i certifikuar për drejtues mjeti); c) sistem komunikimi të vazhdueshëm me Qendrën e Kontrollit të SHPSF-së, Qendrës së Menaxhimit të Shërbimeve; ç) sistem gjurmimi GPS; d) monitorimi me kamera ÇTV me rezolucion të lartë, të vendosura brenda dhe jashtë mjetit të blinduar; dh) Kamera për lexim automatik të targave.
- Kategoria C: Sigurimi i vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara gjatë transportit, me vlerë nga 35.000.000 (tridhjetë e pesë milionë) lekë deri në 100.000.000 (njëqind milionë) lekë realizohet me: a) një automjet i blinduar me pjesë të ndarë të vendit të transportit të vlerave monetare nga kabina e drejtuesit të mjetit i nivelit BR-4 (me frëngji për hapje zjarri me armë): i. niveli i blindimit të automjetit BR-4; ii. pjesa ku vendosen mbajtësit e vlerave monetare të jetë pa xham në faqet anësore dhe të pasme të mjetit. b) jo më pak se 4 (katër) punonjës shërbimi të SHPSF-së me armatimin përkatës B1, B4 dhe mjete speciale (njëri prej të cilëve i certifikuar për drejtues mjeti); c) sistem komunikimi të vazhdueshëm me Qendrës së Menaxhimit të Shërbimeve; ç) sistem gjurmimi GPS; d) monitorimi me kamera ÇTV me rezolucion të lartë, të vendosura brenda dhe jashtë mjetit të blinduar; dh) kamera për lexim automatik të targave.
- Kategoria D: Sigurimi i vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara gjatë transportit, me vlerë nga 100.000.000 (njëqind milionë) lekë deri në 200.000.000 (dyqind milionë) lekë realizohet me: a) një automjet i blinduar me pjesë të ndarë të vendit të transportit të vlerave monetare nga kabina e drejtuesit të mjetit i nivelit BR-5 (me frëngji për hapje zjarri me armë): i. niveli i blindimit të automjetit BR-5; ii. pjesa ku vendosen mbajtësit e vlerave monetare të jetë pa xham në faqet anësore dhe të pasme të mjetit. b) një automjet të blinduar BR-4 (me frëngji për hapje zjarri me armë) për transportimin e punonjësve të SHPSF-së; c) jo më pak se 5 (pesë) punonjës shërbimi të SHPSF-së me armatimin përkatës B1, B4 dhe mjete speciale (tre prej të cilëve të certifikuar për drejtues mjeti); ç) sistem komunikimi të vazhdueshëm me Qendrën e Menaxhimit të Shërbimeve dhe ndërmjet mjeteve të eskortës; d) sistem gjurmimi GPS; dh) monitorimi me kamera ÇTV me rezolucion të lartë, të vendosura brenda dhe jashtë mjetit të blinduar; e) kamera për lexim automatik të targave.
- Kategoria E: Sigurimi i vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara gjatë transportit, me vlerë nga 200.000.000 (dyqind milionë) lekë deri 550.000.000 (pesëqind e pesëdhjetë milionë) lekë, realizohet me: a) një automjet i blinduar me pjesë të ndarë të vendit të transportit të vlerave nga kabina e drejtuesit të mjetit i nivelit BR-6 (me frëngji për hapje zjarri me armë): i. niveli i blindimit të automjetit BR-6; ii. pjesa ku vendosen mbajtësit e vlerave monetare të jetë pa xham në faqet anësore dhe të pasme të mjetit.
- b) dy automjete të blinduar BR-4 (me frëngji për hapje zjarri me armë), për transportimin e punonjësve të SHPSF-së; c) jo më pak se 7 (shtatë) punonjës shërbimi të SHPSF-së me armatimin përkatës B1, B4 dhe mjete speciale (tre prej të cilëve të certifikuar për drejtues mjeti); ç) sistem të bllokimit motorik të automjetit që transporton vlera monetare; d) sistem komunikimi të vazhdueshëm me Qendrën e Menaxhimit të Shërbimeve dhe ndërmjet mjeteve të eskortës; dh) sinjali i njoftimit SOS; e) sistem gjurmimi GPS; ë) monitorimi me kamera CCTV me rezolucion të lartë, të vendosura brenda dhe jashtë mjetit të blinduar; f) kamera për lexim automatik të targave
- Kategoria F:
Sigurimi i vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara gjatë transportit, me vlerë nga 550.000.000 (pesëqind e pesëdhjetë milionë) lekë – 950.000.000 (nëntëqind e pesëdhjetë milionë) lekë realizohet me: a) një automjet me pjesë të ndarë të transportit të vlerave nga kabina e drejtuesit të mjetit nivelit BR-7 (me frëngji për hapje zjarri me armë): i. niveli i blindimit të automjetit BR-7; ii. pjesa ku vendosen mbajtësit e vlerave monetare të jetë pa xham në faqet anësore dhe të pasme të automjetit. b) dy automjete të blinduara BR-4 (me frëngji për hapje zjarri me armë) për transportimin e punonjësve të SHPSF-së; c) jo më pak se 8 (tetë) punonjës shërbimi të SHPSF-së me armatimin përkatës B1, B4 dhe mjete speciale (tre prej të cilëve të certifikuar për drejtues mjeti); ç) sistem të bllokimit motorik të automjetit që transporton vlera monetare; d) sistem komunikimi të vazhdueshëm me Qendrën e Menaxhimit të Shërbimeve dhe ndërmjet mjeteve të eskortës; dh) sinjali i njoftimit SOS; e) sistem gjurmimi GPS; ë) monitorimi me kamera ÇTV me rezolucion të lartë të vendosura brenda dhe jashtë mjetit të blinduar; f) kamera për lexim automatik të targave.
- Transportimi i vlerave monetare mbi shumën 950.000.000 (nëntëqind e pesëdhjetë milionë) lekë, përveç masave të parashikuara në kategorinë F, pikat “a”, “b” dhe “c” nga shërbimi privat i sigurisë fizike, strukturat e Policisë së Shtetit në territorin e të cilit do të lëvizë eskorta, planifikojnë dhe marrin masa shtesë sigurie, sipas përcaktimit të bërë nga legjislacioni në fuqi.
- Në raste të veçanta, kur transportimi i vlerave monetare të bankave të nivelit të dytë (i planifikuar të kryhet gjatë ditës, në afatin kohor nisja me lindjen e diellit dhe mbërritja në destinacion me perëndimin e diellit) mund të zgjatet, drejtuesi teknik njofton strukturat vendore të policisë.
- Sasia e vlerave monetare në valutë të huaj, konvertohet me shumën në lekë sipas përshkrimeve të mësipërme si dhe në bazë të kursit zyrtar të këmbimit valutor, sipas Bankës së Shqipërisë, ditën e transportit të vlerave.
- Për transportimin e vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara sipas përcaktimeve të kategorive E dhe F, si dhe çdo transportim që do të kryhet për jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, drejtuesi teknik i SHPSF-së njofton DVP-në në mënyrë të koduar 2 orë përpara lëvizjes, në juridiksionin e të cilëve do bëhet transportimi i vlerave monetare.
- Nëse subjekti i SHPSF-së i pajisur me licencë të nënkategorisë 1.3.B ndryshon destinacionin e përdorimit të mjeteve të blinduara të SHPSF, të certifikuara për transportimin e vlerave monetare, materialeve dhe sendeve të çmuara, sipas procedurave të përcaktuara në këtë udhëzim, i hiqet licenca sipas përcaktimit të bërë në germën “a”, të pikës 1, të nenit 40, të ligjit nr.75/2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, i ndryshuar./Monitor