Tranzicioni qeverisës, as ferr e as parajsë…?

Oct 23, 2024 | 7:40
SHPËRNDAJE

Xhevat MustafaXHEVAT MUSTAFA

Prej më shumë se 10 vjet, këtu, në Shqipërinë socialisto-rilindase apo më saktë edramiste, fatkeqësisht nuk ka as PD, as PS, as demokraci, as pluralizëm, as popull, as sindikata dhe rini studentore me fuqi qeveri-rrëzuese e ndryshuese, as drejtësi, as shtet…! Këtu ka vetëm një Edi Rama të parë e të fundit, që ka ambicie e dëshirë të mbretërojë si Enveri, deri në frymën e fundit! Pra, që duke i vjedh dhe ble votat, nuk lejon as zgjedhje të lira e të ndershme, as rrotacion politik e qeverisës, as shumëçka ndër të mirat që duhej të kishin ardhur fare pa doganë në këtë vend para, të paktën prej 50 vitesh…!?

Këto të mira të demokracisë nuk u lanë të vinin në Shqipëri për skenar, strategji, mision, faj, përgjegjësi apo papërgjegjshmëri deri në çnjerëzillëk, më së shumti nga qeverisjet e PKSHPPSH-PSSH…, mbush me ministra e drejtues të tjerë të lartë me nivel mediokër arsimor, kulturor e intelektual si dhe me shqiptari të pakët apo të vakët…! Prej më se 11 vitesh, vendet e gjyshërve, baballarëve, dajallarëve, xhaxhallarëve… i kanë zënë dhe po i mbajnë, njësoj si paraardhësit e tyre, bijtë e bijat, nipat e mbesat, stërnipërit e stërmbesat, nuset e dhëndurët… Për të lehtësuar gjëmat dhe mëkatet e të parëve të tyre, trashëgimtarët e këtyre 11 viteve po investojnë pa u kursyer e po mashtrojnë pa ndjerë vrasje në ndërgjegje e turp, edhe para të gjallëve, për ta zbukuruar atë epokë baltë-blozë, gjak, djersë e lot… përzier e për t’ua reklamuar diktaturën enveriane të lindurve pas vitit 1980 si të vështirë, por jo të ferrshme e për t’u mallkuar e sharë me shpirt e plot gojën. Qëllimi i parë e final i tyre është rrëmbimi i mandatit të katërt e pas tij, edhe i të tjerëve me radhë!

Më e keqja, këto tmerre deri më 22 mars 1992, ua fshehin apo ua censurojnë fëmijëve, nipërve dhe mbesave të lindur pas 1990-ës! Njëkohësisht e jo çuditërisht po këta shprehin kujtesë të fortë për bëmat dhe gjëmat që kanë bërë qeveritë PD-Berisha për 13 vjet! Për më tepër e me dozë më të fortë diskretitimi të vetvetes, i shtojnë dhe stërzmadhojnë të këqijat e qeverisjes “së djathtë”, sikur nuk i kanë përjetuar shumica e shqiptarëve, lindur dhe rritur pas vitit 1960-të! Për më keq, sikur nuk e dinë se 67 vjetët e qeverisjeve apo të mbretërimit të tyre janë në të vërtetë 5 herë e dy vjet më shumë se 13 vitet e qeverisjes nga PD-Berisha… Pa e idealizuar edhe qeverisjen e “së djathtës”, nuk mund as të mbulohen me gjethe fiqsh, as të justifikohen dhe harrohen edhe mungesat, gabimet, shtrembërimet, mosrealizimet, dështimet, bëmat dhe gjëmat, korrupsioni jo me përmasat e “epokës Rama”, gjatë 13 viteve të qeverisjes nga koalicioni i partive “të djathta” apo “PDBerisha”! Por, nuk është as e logjikshme, as e drejtë, as e besueshme dhe e pranueshme të vihet shenja e barazimit apo e njëllojllëkut për të këqijat mes 67 viteve të qeverisjeve nga “e majta” dhe 13 viteve të qeverisjes nga “e djathta”!? Kushdo që e bën këtë, shpreh qëllimshëm fanatizëm e militantizëm partiak; ligësi, mungesë sinqeriteti dhe ndershmërie, së pari me veten, e pastaj me shqiptarët dhe ndërkombëtarët!

Nën këtë kontekst, edhe në gjendjen aspak normale, të kënaqshme e fort nxitëse dhe optimiste që janë PD dhe opozita, më së shumti nga diversioni afro 34-vjeçar prej “të majtës” nëpërmjet “kuajve dhe pelave të Bllokut dhe Sigurimit enverian-ramizian e të Sorosit” se sa vetvetes, nuk është në të mirë të vendit e të shumicës së popullit të paragjykohet dhe bëhet si gogol ikja e “Rama-qeverisë”, rrotacioni dhe qeverisja nga “e djathta”, domethënë nga PD dhe partitë në koalicion me atë! Propaganda qeveritare e “së majtës”, pasi arritën me ndihmën edhe të Xhorxh dhe Aleks Soros, të Blinken, të McGonigalit, Yuri Kim, Escobar… non gratizimin e Berishës, pjesë e skenarit për dobësimin sa më të madh e afatgjatë të Berishës e të opozitës, nuk reshtin si gjatë 33 viteve duke “i lemerisur” trimat “e majtë” dhe sidomos popullsinë fshatare, me shumicë dërrmuese me të këqijat që do të kenë nëse fiton koalicioni “i djathtë” dhe sidomos nëse rikthehet Berisha në pushtet!? Për më keq e paturpësisht, bëjnë sikur nuk e marrin me mend edhe se nëse ndodh kjo pak e mundshmja, ai nuk do të rikthehet kurrsesi 100% me mendtë, programin, politikat, grupin e deputetëve, ekipin qeverisës të 2013- ës!

As për revansh dhe hakmarrje ndaj atyre që e persekutuan dhe e braktisën në ditë të vështira, duke “harruar” edhe mirënjohjen, që e kanë shumë më të fortë se ata edhe qentë dhe macet shtëpiake! As për t’ia kaluar Rama-qeverive për korrupsion, kanabizim, kullëzim, varfërimin jetësor e njerëzor të vendit e shumë banorëve të tij, në qytete e fshatra; për abuzime në interes të familjeve të tyre, klaneve, oligarkëve shqiptarë e ndërkombëtarë…! As për “shitjen” thuajse badihava me fatura publike të copave të territorit, sovranitetit dhe interesit kombëtar shqiptar “investitorëve strategjikë”, që nëpërkëmbin hapur apo fshehur keq e trashë, me “gjethe të thata fiqsh” interesat gjeostrategjike të vendit e të kombit! Strategjia paraelektorale e Ramaqeverisë, me themele drogash, për të rrëmbyer mandatin e katërt, është bërë e qartë prej kohësh se po realizohet, së pari nëpërmjet SPAK-ut, duke goditur figurat më me fuqi politike, me mbështetjeje më masive poshtë në popullin e në frontin opozitar dhe më me mundësi për të ndikuar në suksesin e opozitës. U fillua një vit më parë me arrestin shtëpiak të Sali Berishës, u vazhdua me burgosjen e Ervin Salianjit dhe më 21 tetor 2024 me Ilir Metën.

Nga këto arrestime, tipike për karakterin, natyrën dhe shpirtin e Edi Ramës, nënkuptohet edhe e vërteta lakuriqe së nëse nga vetvetja, nga pozita, arrestohen ca Çyrbe, “kapterë” e “togerë”, nga opozita arrestohen “gjeneralë” apo krerë!? Logjika e veprimeve të deritanishme qeveritare, me rast fare të freskët arrestimin e Ilir Metës, të shtyn të mendohet e besohet se Rama parti-qeveria do të investojë, urdhërojë apo ndikojë në SPAK e në gjykata për eliminimin politik të Berishës nga drejtimi i koalicionit opozitar gjatë fushatës elektorale të pranverës 2025, nëpërmjet dënimit të tij me burg, qoftë edhe minimal, edhe me një dosje që, jo rastësisht, ka më shumë firma të vetë Edi Ramës si ish-kryetar bashkie se sa të Berishës si kryeministër…!

E megjithatë, edhe nëse ndodh ky shpërdorim i ri dhe kjo padrejtësi e re nga SPAK e GJKKO, përsëri PD dhe koalicioni i “së djathtës”, edhe në mungesë të Berishës, të Metës, Salianjit… e duke flakur tej disa “kuaj të tejlodhur dhe të ndotur në moçale korrupsioni e flirtesh të pas kulisave”, paguar me firma e vula tenderash e lejesh ndërtimi”, kanë figura, strategji dhe programe para e paszgjedhore, shanse e mundësi të shumta e reale për fitore! Nënkuptueshëm edhe për një qeverisje shumë më të aftë, shumë më konstruktive, shumë më njerëzore e sociale, shumë më shqiptare e më të pastër se qeveritë Rama-rilindja!

Natyrisht, pa anashkaluar e harruar faktin parësor apo përcaktues se kjo varet nga shumica e shqiptarëve, nëse ata do të mendojnë, reflektojnë e votojnë më shumë në të mirë të vetvetes, si popull, qytetarë, shqiptarë e jo ngushtësisht apo thjeshtë si partiakë të verbër apo militantë…! Por, një kujtesë si për “të majtët” ashtu edhe për “të djathtët”: rotacioni politik dhe qeverisës nuk është as gogol e as pëllumb, as ferr dhe as parajsë. Ai është një traditë e praktikë normale e paqësore në vendet me të vërtetë demokratike, kur një parti, koalicion, qeverisje është përmbytur nga korrupsioni i pafre e i pandëshkueshëm, nga dështimet dhe skandalet, nga të paaftët e të papërgjegjshmit…!

Për kushtet që po përjeton Berisha, për gabime, dështime dhe “mëkate” gjatë afro 34 viteve në drejtimin e PD-së e të qeverive të saj, përfshirë edhe mos përgatitjen e një zëvendësuesi të denjë të tij, natyrisht pa ia harruar dhe mohuar meritat e kontributet; për alergjinë ndaj tij, deri në shpalljen “non grata” nga SHBA, Britania e Madhe…, për ftohtësinë deri në vlerësimin si një “kapitull apo figurë e të shkuarës” nga disa vende të tjerë me peshë vendimmarrëse në BE, a nuk do të ishte më shumë në të mirë të PD, opozitës, Shqipërisë, shumicës së shqiptarëve, tërheqja apo dorëheqja vullnetare e Berishës nga drejtimi i PD, duke mbetur vetëm de facto e në terren apo në frontin elektoral në krye të saj…? Nëse gjykojmë të çliruar nga dozat dhe duart e forta të kultit, idealizimit, mitizimit… kjo nuk do të ishte gjëmë apo tragjedi as për PD e as për opozitën si koalicion.

Parë nga një këndvështrim tjetër, mund t’u jepte një përgjigje shqip edhe zërave me “burime nga Surreli” për një kompromis të fshehtë Rama-Berisha në dëm të PD-së dhe opozitës e me çmim katastrofik humbjen e zgjedhjeve të pranverës 2025, me kushtin e nënkuptueshëm e që personalisht e paragjykoj si të papranueshëm nga Berisha: “Dëshiron lirinë për vete dhe dhëndrin, mbaji sa më gjatë nën ballkonin, nën vartësinë apo si peng PD-në dhe opozitën; mos u angazho seriozisht dhe mos rreziko fitoren e mandatit të katërt nga ana ime… Kështu fitojmë të dy…”! Pazar i pistë, që është i vështirë besueshëm e pranueshëm nga shumica e demokratëve dhe shqiptarëve! Por, për deri sa politika është quajtur edhe kurvë, që shumicën e pisllëqeve i ka bërë pas kulisave e larg syve të popujve dhe mediave, mund të mendohet edhe si një pazar jo plotësisht e jo krejtësisht, jo 1000% i pamundur…!/ Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura