Tregimi/ Dr. Flamur Topi: Një gabim i vogël njerëzor

Aug 2, 2024 | 11:54
SHPËRNDAJE

flamur topiDR. FLAMUR TOPI

Do të bëhesha ministër. Lajmin e pabesueshëm e mësova herët në mëngjes, në emisionin televiziv “Koha për t’u zgjuar”. Në fillim, më shkoi mendja për ndonjë ngatërresë të mundshme, por kurrikulumi i botuar në të përditshmen s’hidhte hijëzën më të vogël të dyshimit: “Sokol Pogu, 40 vjeç, drejtor për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë X, ekspert i shquar, zotërues i shtatë gjuhëve të huaja, profesor doktor…”. Që nga ai çast s’po ndihesha i qetë. Me siguri është bërë ndonjë gabim, mendoja. Kisha arsye të mos e besoja. Gazeta, që prej një muaji, çdo dy-tri ditë, botonte një variant të qeverisë së ardhshme, thuajse çdo herë të ndryshëm. Nga ana tjetër, përpara këtij lajmi shokues s’kisha idenë më të vogël për lëvizjen më të fundit të kryeministrit të pritshëm. Askush s’më kishte thënë një fjalë të vetme, askush s’qe këshilluar me mua dhe as më kishte propozuar gjësend. Duhet t’u them se nuk jam aspak një tip karrierist. E nëse të majtët vetëm tre muaj më parë më emëruan drejtor drejtorie, e bënë sepse u duhesha për shkak të cilësive të mia profesionale dhe të specializimeve të shumta në Perëndim. S’pata kohë të bluaja më gjatë, sepse zilja e telefonit të shtëpisë më përmendi.

– Alo! Urdhëroni!
– Urimet më të mira, vëllaçko! – u dëgjua zëri i një gruaje entuziaste.
– Cila jeni? – pyeta disi me ngurrim, pa ditur ç’qëndrim të mbaja.
Deri atëherë qe thjesht një njoftim në gazetë. Asgjë më shumë.
– Si? S’po më njeh? – thuajse thirri gruaja, kinse e zhgënjyer prej meje.
– Jam Mira, kushërira!
-Ah! – thirra duke u kujtuar.
Pothuajse ia kisha harruar zërin. Kishte vite që s’komunikoja me të.
– Lart e më lart! – vazhdoi kushërira e largët.
– Tani, besoj, do të bësh diçka për Andin tim. Po cili ishte Andi? I shoqi? Djali? E ndjeva veten si mos më keq!
Fill pasi lashë trupin e telefonit në shtratin e vet, një tjetër tringëllimë.
– Hajde, Sokol vëllai, hajde! Fora e bëre! Fora! Ministër, jo shaka! S’po e njihja!
– Agimi, more Sokol, Agimi! Të kujtohet kampi i rinisë në Golem? Eh, kur mblidhnim stika tek ato pishat buzë detit…
Ende s’po kujtohesha.
– Sokol vëllai! Do të kaloj ndonjë ditë andej nga zyra e re! E kam një hall të vogël, ashtu…

Edhe tek mbyllja derën e jashtme të apartamentit, telefoni s’pushonte së rëni.

Në sheshpushimin pakmetërsh të katit të dytë, sikur të m’i njihnin çapet, dera u hap papritur me rrëmbim dhe në prag u duk Sheja, fqinja ime.

– Mirëmëngjesi, zoti ministër! – më përshëndeti ajo, si asnjëherë tjetër, gati-gati me përulësi.
– Pa dale se…
– Hë mo edhe ti! Gjithnjë kështu, modest!

Para se të ndaheshim, më kujtoi t’i bëja derman të shoqit, një shofer veteran i autobusëve urbanë; mos e merrja për shofer personal ose të paktën ta rekomandoja te të tjerë, kolegë të lartë.

Te shkallët e jashtme të ministrisë u kryqëzova me eprorin. Mezi po mbushesha me frymë nga të vrapuarit.

– Vonë, shumë vonë! – qortoi nëpër dhëmbë ministri, teksa ngjiste me nxitim shkallët, pa m’i hedhur një herë të vetme sytë. – Goni, – iu kthye papritur me zë të lartë badigardit të vet, që s’i shqitej, me siguri që ta dëgjoja unë, – të ka rënë në vesh ndonjëherë shprehja “Si mësalla me dy faqe”? (Sigurisht që s’e kishte dëgjuar; s’qe më shumë se njëzet e pesë vjeç!) Eh, ja, nga këta tipa e pësuam këtë herë. U besuam! Besuam shumë! Ja pse.

* * *

U ktheva në shtëpi helm e vrer! Gruaja m’u hodh në qafë e më mbuloi me të puthura, ndërsa më qortonte sypërlotur që isha treguar aq i fshehtë me të.

– Ç’më je hutuar e ngrysur kështu, si të të jenë mbytur gjemitë?! Hej, mblidh veten! Do të jesh ministër pa portofol, jo pak! Mbi të gjitha ministritë do të jesh! Do të kesh makinë, shofer personal, badigardë, një milion lekë në muaj, telefona falas, pasaportë diplomatike për veten e familjen, e ç’do më? Hajde, mos më rri kështu, hundë e buzë!
– Po mund të mos jetë e vërtetë, a më kupton? Mundet që…

Ajo më vështroi si e shpërvarur, si të thoshte: “Edhe tani kërkon të ma hedhësh?! Pa shih këtu”!

Zilet s’reshtën tërë ditën e ditës. Më uronin nga të gjitha anët. Veç babai, 90- vjeçar, s’u duk aq entuziast:

-E ç’m… ministri do të jesh, o bir?! Pa një portofol në xhep! Të tjerët do të kenë milionat në duar, ti asnjë dyshkë!

Më erdhi për të qeshur, por s’ia kisha ngenë ta sqaroja se ç’është një ministër i quajtur “pa portofol”. Prisja, si ndër ethe, një telefonatë nga selia e fitimtarëve, për të më siguruar se isha unë, bash unë, i propozuari i tyre, por gjer në mbrëmje askush s’u bë i gjallë. Ankthi po më mbyste.

Rreth orës tre të natës, tek kotesha, se gjumi s’po më zinte, brofa në këmbë paksa i trembur nga zilja e telefonit. “Mbase është ai!” – thashë me një frymë. Më kishte rënë në vesh se kryeministri i ardhshëm punonte deri në orët e vona të natës për strukturimin e qeverisë së re.

– Alo! – u dëgjua zëri i trashë, i zvarritur, i rëndë dhe autoritar i të panjohurit. – Sokoli je, mo?
– Po! – iu përgjigja. – Unë jam.
– Ministri? – ironizoi tjetri.

S’dija ç’të thosha! Heshta. S’iu përgjigja.

– Paske qenë nepërkë e helmatisur, more Sokol! S’të paskemi njohur! – foli tjetri, i bindur se po e dëgjoja, edhe pse heshtja e s’bëhesha i gjallë. – Tradhtar e shkuar tradhtarit! Një zuzar, ja ç’je! Pale, të bëmë edhe drejtor drejtorie e ti shkon u falesh atyre! Bravo! Vaj me të majtët e vaj me të djathtët! Bir kur… ja ç’paske qenë! More, po kaq shumë u ke shërbyer, sa të zgjodhën për ministër?! Ë?! Por dije, do të ta shtypim kokën e gjarprit! Fërtele do të të bëjmë! – kërcënoi egërsisht.

S’thashë asnjë fjalë gjatë kohës që i huaji përbetohej për të më bërë gjëmën. Dridhesha i tëri.

* * *

Po gdhinte. Me padurim prisja orën shtatë të “Kohës për t’u zgjuar”, edhe pse atë natë s’kisha vënë gjumë në sy. I erdhi radha më në fund “gazetës sime”, që jo më larg se një ditë më parë më kishte shpallur ministër të qeverisë së re. Në çast m’u përmbys bota, m’u bë se u kthye mbrapsht, me këmbë përpjetë. Gazeta e përgënjeshtronte lajmin. Kishte qenë një gabim fatal, që ata e quanin “njerëzor”. Kompjuteristja e tyre, një studente spitullaqe, që punonte “part time” për ta, “thjesht” kishte ngatërruar, kishte bërë lesh e li programin. Për më zi, gazeta botonte një variant krejt të ndryshëm. Sipas editorialistit B. K. (që kolegët, midis tyre e përkthenin si biri i ku…, kaq i mbrapshtë qe) do të isha me siguri nga të pushuarit e parë të qeverisë së ardhshme, si sabotator i integrimit të vendit në familjen e madhe europiane.

Ngriva. U mblodha kruspull, edhe pse jashtë qysh në mëngjes temperatura kishte vajtur 38 gradë dhe paralajmëronte për një ditë jashtëzakonisht të nxehtë.

Ora 07:20. Asnjë telefonatë. Ora 07:45. Ende asnjë zile. Ora 08:00. Heshtje varri, sikur bota befas të kishte dhënë shpirt.

I lodhur, i dërrmuar, i vrarë dhe i rënë krejtësisht, zbrita shkallët e pallatit tim. S’më bëhej të ecja, të shkoja për në punë. Fqinja e katit të dytë, Sheja, po ngjiste si me përtesë shkallët, me një shishe qumështi në dorë.

– E?! – m’u drejtua shpërfillëse atë mëngjes. – E dëgjove Bashkimin? Pale, po do të të pushonin nga puna, si sabotator të integrimit…

Dola jashtë në rrugicë, i pafrymë. Befas, celulari u drodh, si i trembur, brenda çantës sime.

– Alo! Urdhëroni!

Po ai zë, i trashë, i rëndë, kërcënues, autoritar, në të njëjtën kohë edhe ironik.

– A e sheh, moj nepërkë, si e pësove? U shërbeve sa munde nën rrogoz dhe të hodhën tutje, si limon i shtrydhur! U tallën, të përqesh…

Ia mbylla telefonin. S’po e duroja dot më.

* * *

Vetëm babai më ngushëlloi atë mbrëmje.

– Mos u mërzit, – më tha. – Je më mirë aty ku je. Ja, të them unë. S’ke ç’e do ministër pa portofol! S’ke ç’e do!

Hej, ç’aventurë! Me gjithë gjendjen e vështirë, një çast më erdhi për të qeshur, por në të njëjtën kohë edhe për të qarë, tamam sikur të kisha shkarë nga mendtë. Kisha qenë plot 24 orë ministër. 24 orë të mundimshme që më kishin lodhur, drobitur, drithëruar e tronditur sa një jetë e tërë! Pas asaj mynxyre, duhej doemos të mblidhja veten. Të merrja urgjentisht lejen e të zhdukesha nga sytë këmbët! Të shkoja larg, sa më larg të ishte e mundur! Të largohesha nga të gjithë, nga gjithçka që më kishte rrethuar deri atëherë. Në fund të botës të shkoja! Telefoni heshtte prej 24 orësh, si i damllosur papritur dhe i mbetur i pazë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura