TIRANE- Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u propozon homologëve të tij në Itali dhe në Greqi krijimin e një Trekëndëshi të Sigurisë Detare, mes tre shteteve fqinje. Tahiri u është drejtuar homolgëve të tij me një letër, ku i fton ata të zhvillojnë një takim të përbashkët në Shqipëri.
Në letrën e tij drejtuar dy ministrave, të Italisë Angelo Alfano dhe Ministrin e Brendshëm të Greqisë, Nikos Dendias, zoti Tahiri thekson se “Bazuar në analizën e specialistëve tanë, por jo vetëm, rezulton se grupe kriminale shqiptare e jo vetëm, po bashkëpunojnë në mënyrë shumë të organizuar dhe tejet efikase në trekëndëshin kufitar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore, duke e shndërruar sakaq këtë trekëndësh në një zonë me parametra të ulët të sigurisë”.
Më tej, ministri Tahiri nënvizon se “shtimi i përpjekjeve në një formë më të integruar, nëpërmjet forcave të sigurisë së tre vendeve, do t’i shërbejë më tej intensifikimit të marrëdhënieve tona dhe sigurisë ndërkufitare e rajonale”.
Sipas ministrit të Brendshëm shqiptar; “Ky takim do t’i shërbejë diskutimit dhe arritjes së një marrëveshje trepalëshe bashkëpunimi, në kuadër të luftës kundër trafiqeve të paligjshme që kryhen në det.”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al