Trendi i urrejtjes

Sep 25, 2024 | 8:13
SHPËRNDAJE

ANETA WOLTERANETA WOLTER

Të jesh kundër emigrantëve sot në Evropë është në modë, madje shumë në modë. Ky trend haset kudo, në të gjitha grupimet politike. Te vendasit po aq sa te të huajt. Te të rinjtë, të moshës së mesme apo pensionistët. Tek shitësja e supermarketit apo ai endacaku që ulëret në tren kundër të huajve. Padyshim, për fat ka ende përjashtime të shumta. Por nuk mund të mohohet që konsensusi për këtë trend është rritur dukshëm. Po pse? A kanë evropianët, vërtet, kaq shumë arsye për t’i urryer të huajt? Çfarë ka ndodhur këto pesë vitet e fundit në Evropë? Pse pikërisht tani ky zgjim i urrejtjes në rritje? Dihet që valë emigrantësh dhe refugjatësh ka pasur rregullisht në Evropë, a vallë kanë ndryshuar evropianët, apo kanë ndryshuar sjelljet e të huajve? Apo është diçka tjetër?

Sot nuk dua të analizoj arsyet. As të xhongloj me statistikat. Dhe as të ndaj migrantët në nëngrupe migrantësh, pasi jo vetëm refugjatët, por edhe migrantët e integruar preken në një formë apo tjetër nga ky trend. Sot do përpiqem “të shkrep” një foto të momentit të këtij trendi. Tabloja e plotë ndoshta do të konturohet një ditë nga ekspertët, duke parë mbrapsht. Për këtë dua t’i kthehem shumë shkurt të kaluarës së kontinentit, fotos së atëhershme të kohës, urrejtjes ndaj hebrenjve në shoqëri: Kishte të majtë që mendonin se hebrenjtë bankierë shfrytëzonin njerëzit. Të djathtë: Hebrenjtë na kanë zënë vende të rëndësishme në ekonomi, në banka, në art. Moralruajtësit: Këta hebrenj, këta vrasës të Zotit tonë. Mashtruesit: Këta kanë shumë para, t’ua marrim e t’i degdisim nëpër botë dhe në furra. Shteti: Këto para na duhen për ushtrinë, për rrugët… Pra, konsensus i gjerë, i mirëmenaxhuar.

Asnjë nga këto arsye nuk ishte ajo që ndezi fitilin e luftës, pasi luftërat, si rregull, i hapin dhe i mbyllin ata që kanë në dorë pushtete dhe financa. Por urrejtja mjafton për të përçarë njerëzit dhe mobilizuar masat, për t’u dhënë atyre një armë në dorë, si viktima të radhës. Në një luftë të kalkuluar, s’ka asgjë të moralshme. Le të kthehemi te sot. Si duket fotoja e ditës? Disa të majtë: Ka emigrantë që nuk e pranojnë emancipimin. Të djathtë:

Këta të huaj që jetojnë nga taksat tona dhe na prishin racën. Të huajt vetë: Ne kemi punuar kaq shumë për të arritur deri këtu, këta tani na prishin reputacionin. Moralruajtës: Feja e tyre nuk na pëlqen. Të varfër: Këta po na marrin punët dhe banesat, që në fakt janë për ne. Pensionistë: Na vrasin veshët dhe sytë me zhurmën dhe pamjen e tyre.

Qytetar i zakonshëm: Sa njerëz janë vrarë prej azilantëve ekstremistë! Parti: I fitojmë zgjedhjet duke i kritikuar ata, ashpërsuar ligjet dhe duke i degdisur jashtë Evropës. Urrejtja zëvendëson arsyen dhe menaxhohet. Historia vetëm përsëritet. A ka zgjidhje për këto? Sigurisht që ka. Është shumë kollaj të përshtatesh me ligj emigracionin dhe azilin dhe të jesh social aq sa mundesh. Megjithëse nuk e di nëse ndryshimi i ligjeve do të mjaftonte për ta stopuar trendin. Por, për momentin, as këtë nuk po e dalloj dot qartë në këtë foto. “Ku po i çon mushka këta”? – do të më pyeste babai, po të ishte gjallë. “As ata vetë nuk e dinë”, – do t’i përgjigjesha me fjalët e Krishtit. Por, siç duket, ekuilibrat po ndryshojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura