BEHAR GJOKA
Libri “Tri tavernat”, i autorit Ervin Nezha, në thelbin e romanit, përçon te lexuesi, si sugjerim imagjinar dhe autorial, dy situime letrare: E para, ndërkohësinë, me gjasë kohërat e ndërthurura, si fat i qenies, diç më tepër të personazhit/personazheve, që janë protagonistë të ndërkohshëm të tekstit. Përzierja imagjinare e kohëve të ndryshme, që e sugjeron dhe materializon ndërkohësinë, na shpie fillimisht në të kaluarën e afërt, pra në kohën e komunizmit, ku ndërkohë fitoret e djeshme, sot shpërfaqen si marrëzi në diell, pra të një realitetit fund e krye utopik, gjithnjë në largim. Nga ana tjetër, në faqet e këtij libri, vjen e rimarrë tërthorazi e kaluara historike, pra një kohë shumë më e largët, që skicohet si një sfond i trimërisë legjendare, të Gjorg Golemit të Sopotit. Koha e tanishme, pra konkretja e sotme, e cila gati përkon me kohën e rrëfimit, gjithsesi duke e sjellë në tekst, secilën kohë dhe ndërkohësinë, pa fundin e lumtur.
E dyta, tipari më i dukshëm i romanit “Tri tavernat”, në shpalimin artistik, është anësimi nga ngjyresat postmoderne në hapësirën e tekstit. Zanafilla e mishërimit të postmodernes, kuptohet që është e lidhur me gërshetimin i kohëve të ndryshme, madje duke realizuar ndërkohësinë, si formatim estetik. Dija teorike për kahjet e posmodernes, thekson: “…postmodernizmi nuk është asgjë më tepër se sa një plotësim i revoltës moderniste kundër “realizmit tradicional”, një revoltë kjo e papërfunduar nga vetë modernizmi”(2015: 25), në librin “Koncepti i postmodernes”, të autorit Hans Bertens. Më tepër se ndërkohësia e realizuar, shenjat postmoderne, lidhen me kundrimin e secilës kohë, në vetë procesin e bashkëlidhjes së tyre në materien e tekstit, e sidomos në optikën e përthyerjes, e cila sa vjen e kthjellohet nga dija teorike, me gjasë e poetikës së kësaj mënyre shkrimi, të cilën U. Eco, për marrëdhëniet ndërkohore, përveç të tjerash, ka sugjeruar “ironinë intertekstuale”, gjë që rimerret nga Linda Hutcheon, në librin “Poetika e Postmodrenizmit”, teksa shprehet: “…shoqërimi i përhershëm i ironisë që lidhet me kontekstin dhe, gjithashtu, kthimi obsesiv i saj në të sotmen.”(2013: 9). E kaluara historike, jo pak e largët, përveç tjerash, shpluhuros figurën e Gjorg Golemit, nga një harrim i gjatë, kurse kështjellën e pamposhtur të socializmit absurd, buzë Adriatikut, e tall dhe e përqesh, e ironizon më së shumti, ku madje akti i zhvarrimit (i shkatërrimit të varreve të hershme), për të mbajtur në këmbë socializmin, zbulon marrëzinë e kohës, por njëherit materializon tonet groteske të tekstit.
LINJAT E PRANISHME
Në lëvrimin e romanit, njëherit të zhanrit të hapur, rol parësor, ka prania e linjave dhe kurbave evolutive, që pësojnë personazhet që gjenden në këto situime, gjithsesi të ndërlikuara. Në tekstin e romanit “Tri tavernat”, janë parashtruar këto linja:
A – Linja politike – shoqërore e bashkëkohësisë dhe të kaluarës së afërt, e cila është më kryesorja dhe përkon me socializmin, që realisht po jetonte grahmat e fundit. Verbëria e ideologjisë së barazisë në varfëri, se mundet ta mbajmë në këmbë ëndrrën e utopike, i shpie në marrëzinë e zhvarrimit të ushtarëve të huaj, vetëm për tu zhvatur sendet me vlerë, sidomos dhëmbët prej floriri. Bashkëlidhja e ngushtë në verbërinë iluzore me “mençurinë” pa tru, për të dhunuar varret, vetvetiu shndërrohet në lajtmotivin qendror të ngjarjeve, si dhe të evoluimit të personazheve, në atë nivel të sipërmarrë nga autori. Pragu i bashkëkohores së tanishme, shfaqet vetëm për të ulur siparin e realitetit letrar, të projektuar nëpërmjet imagjiulur siparin e realitetit letrar, të projektuar nëpërmjet imagjinatës dhe humorit të hollë të autorit.
B – Linja intime, shpaloset me dy pamje, pothuajse të ndryshme, së pari me anë të sjelljes havërdare të Myrtezait me Kristinën, dhe që mbyllet pabesueshëm me vajzën e vogël, në krahët e këtij zabërhani, si pasojë e lidhjes me Irenën, arkeologes së re, vajzës së rritur në shtëpinë e fëmijës. Së dyti, është paraqitur si një dashuri e pastër, në mes Kleanthit dhe Irenës, një dashuri që shkrepi befas, e po kaq shpejt shuhet, e cila përvijohet me ngjyra ëndërrore, e lindur në makthin e gërmimeve shkatërrimtare, një ndjenjë që mbetet në mes të udhës, sapo trokiti në fatin e tyre, sepse atëbotë, dashuria e pastër, vështrohej si një rrezik, që zvetënonte “dashurinë” për partinë dhe udhëheqësin.
C – Linja historike, që vjen tërthorazi, dhe më tepër plasohet si dekor, i kohës letrare, si pasojë e gërmimit shtazarak, duke dhunuar kufomat, e cila ndërkaq pati ekzistuar gojarisht si legjendë e përveçme për Gjorg Golemin dhe sopotarët trima të paepur. Kuptohet që historikja, më tepër shpërfaqet si sfond, por edhe si një rrethanë për të zbuluar fytyrën e tjetërsuar të socializmit allashqiptarçe, që ishte ulur këmbëkryq në këto troje, para viteve ’90, të shekullit të kaluar.
NARRATOR I GJITHPRANISHËM
Rrëfimi është mjeti i sendërtimit të prozës, përcaktuar si poetika e prozës, nga T. Todorov, dhe në faqet e romanit “Tri tavernat”, narratori formësohet si rrëfimtar i gjithpranishëm. Fakti domethënës që në materien e librit, mbizotëron narrator i gjithpranishëm, vetiu e shpërndërron atë në referencë të botës letrare. Tipologjia e rrëfimtarisë së gjithpranishme, ka rëndësi të posaçme në këtë roman, sepse ndihmon për të plazmuar të treja kohët, të integruar në hapësirën tekstologjike, të kaluarën e largët dhe të afërt, por edhe të tanishmen e kohës letrare, si një përmasë vetëm e cekur. Formësimi i rebusit letrar, të tre kohëve, ndërkaq ka mundësuar endjen e ndërkohësisë, si element thelbësor i thurjes së realitetit letrar. Prania e tre kohëve, si dhe realizimi i ndërkohësisë, si akt ndërlidhës dhe përndarës, në njëfarë mase, ndonëse e fshehtë, ka endur vonesën narrative, mezi të rrokshme, nga një lexim. Kalimi nga njëra gjendje në tjetrën, nga njëra kohë te tjetra, me përqendrim te e kaluara e afërt, koha e monizmit, megjithatë brenda stilit të autorit, me një ritmikë dinamike, shqiptohet gjithnjë koncize në shpalimin e mëtimeve autoriale.
Kjo gjendje e pazakontë e narrativës së gjithpranisë, shoqëruar në ligjërim dhe me njëfarë vonese nontekstuale, ndërkaq të përkujton sugjerimin e I. Calvinos, teksa nënvizonte më herët: “…koha e rrëfimit mund të jetë edhe me ndalesa, me cikle, ose e pandryshueshme.”(2011: 78), çka realisht ndikon për të dekoduar laryshinë e narrativës së gjithpranishme, vellosë tregimtare, që ka ngjizur botën romanore. Po ashtu, vizatimi me detaje të gjetura, i hapësirës ku luhen ngjarjet, përshkrimi i mjediseve, vendit të ndodhjes së tri tavernave, tanimë të kthyer në kooperativë, të cilët në mënyrë fantazmagorike, kanë marrë përsipër të shpëtojnë rendin socialist, tanimë të rrënuar në të gjithë treguesit. Pjesë e vlertë e sfondit, ku janë vendosur tri tavernat, është fjala për mrekulli, ka ende ndeshen gjurmë të Egnatias, rrugës antike. Prania e narratorit të gjithdijes, ka ndihmuar edhe në figurimin e personazheve, me ato tipare fizike dhe morale, të mëveshura, si prototipa dhe karaktere, gjithnjë të kundruar përmes lentes ironike, e cila shpesh shkon gjer në sarkazëm dhe grotesk, por edhe të ngjyresave të zmadhimit qëllimor të bëmave, ku dukshëm prania e autorit si rrëfimtar i gjithpranishëm, ka peshë specifike. Nëpërmjet narratorit të gjithdijes, episodet e tekstit, të shkurtra dhe lakonike, në një kuptim, krijojnë gjasat e rrëfenjëzave, pra edhe të një një teknike të përrallëzimit organik të tekstit, si shprehësi dhe ligjërim autorial, të cilat ndërkaq lidhen me fatin e protagnistëve. Madje, tipi i narratorit të gjithpranishëm, si nënshtrat i një nënteksti, të endur me vetëdije, po kaq krijon mundësitë e narrativës si lojë me rrezikun.
STRUKTURA KOMPOZICIONALE
Libri “Tri tavernat”, nis me përkushtimin e beftë: “Ngjarjet e këtij romani dhe personazhet janë sajesë e imagjinatës së autorit”, pra që vjen si një përmbysje e “implikimit”, aq të zakonshëm në romanet e kësaj kohe. Pjesa fondamentale, e kompozicionit të romanit, që ndërkohë është materializuar në tridhjetë e një kapituj, episode apo ndarje të ndryshme, të cilat paraprihen nga numrat romak. Përgjithësisht, ndarjet në tekst, janë të shkurtra, pra tejet lakonike, saqë qëndrojnë edhe më vete, duke endur në sfumaturën kompozuese, një prozë ciklike, me ngjarje dhe mikrongjarje, të integruara brenda botës së prpzëshkrimit, të cilat endin unicitetin e zhanrit të gjatë të prozës, sidomos duke u bazuar në fatin e personazheve, si dhe nga teknika e rimarrjes së gjendjeve të ndryshme letrare. Megjithatë, ka disa raste, ku nëndarjet janë tepër të shkurtra, duke përvijuar stilin e ligjërimit konciz të prozës së gjatë. Ndër episode më të shkurtra, do të përmendja kapitujt, XVII, XXV, XXIX (që janë nga më të shkurtrit), dhe XXX, ndonëse edhe këto njësi ligjërimi, qëndrojnë si pjesë organike e romanit, si tërësi tekstologjike.
Krahas, strukturimit të lëndës së romanit, në tridhjetë e një kapituj, nëpër episode të ndryshme të librit, ndeshim edhe ligjërimin në formën e letrës, një teknikë shkrimi e njohur në letrat shqipe, si përthyerje e shkrimit të prozës, për të zgjeruar pentagramin e shpalimit të ngjarjeve. Kështu, letra e Institutit Arkeologjik Turk, e cila është përfshirë në kapitullin V, duke zgjeruar ndjeshëm hapësirat e shqetësimit mbi dhunimin e varreve, gjë që e përngjyros strukturën narrative, me një pentagram tjetër ligjërimi, që derdhet natyrshëm në materien e romanit. Një peshë tjetër, fiton dashuria e Irenës për Kleanthin, me letrën e parë, që është përfshirë në kapitullin XVIII, si dhe letra e dytë, e cila gjendet në kapitullin XXX, tanimë duke iu drejtuar me emër, si tregues se marrëdhënia ka marrë krisje përfundimtare.
Pjesë po kaq e rëndësishme, e kompozimit strukturor, të menduar enkas kështu, të këtij romani, është “Epilogu”, pra pika ku realisht mbyllen linjat, përfundon zhvillimi i karaktereve, me anë të fundit, pa Hapy and, pa lumturi, pra si një libër i hapur.
LARMIA E PERSONAZHEVE
Një ndër elementët jetik, për formësimin e tipareve të romanit, është prania dhe roli i personazhit/personazheve, në një tekst proze. Në faqet e romanit “Tri tavernat”, pavarësisht se është një tekst i ngjeshur dhe konciz, në strukturën ndërtuese dhe narrative, ndërkaq parakalojnë një mori personazhesh, të cilët vërtet e plasojnë kohën, rrethanat jetësore, që ngjizen përmes imagjinares, pa shkëputur lidhjen me realitetin konkret, pra me hapësirën ku luhen fatet e tyre, dhe prandaj në tiparet karakteriale të skicuara mishërojnë larminë e përfaqësimit, të kohës/kohëve dhe të hapësirës. Autori, me anë të narrativës dinamike, të ngjeshur në përthyerje dhe ritmikë, por njëherit edhe të ligjërimit dialogues, që identifikon dhe tipizon personazhet, përgjithësisht ia ka mbërritur, që në secilin protagonist të pranishëm, në figurimin e personazheve, të evidentojë ngjyrat e përfaqësimit, të grupeve shoqërore dhe të ndërlidhjes me kohën. Në qendër të këtij romani, ndonëse vjen me disa trajta dhe rrafshe, është vënë dhe madje është skalitur figura e pushtetarit, të kohës së sistemit monist. Në parakalimin e tyre, varësisht kurbës së ndryshimeve, figura më e plotë, personazhi më i gdhendur, që edhe pse evoluon, në kuptimin artistik, ndërkaq përçon në secilën pamje, kohë dhe hapësirë, ndodhi në të cilën përfshihet, që ngërthen “cilësitë” më të mbrapshta të sistemit, që në tekst prezantohet me emrin Myrteza Farruku, kryetari i kooperativës. Ky burokrat ideologjik, beson për nevoja e tij, në një ëndërr të marrë, se me dhunimin e varreve, duke shkulur dhëmbët e kufomave, do të shpëtonte socializmin, që prej motesh e kishte marrë rrokullimën për në humnerë. Në fakt, realisht ai ka një ëndërr më të madhe, se mendja e shkulur, një ëndërr pothuajse të çmendur, që të bëhet anëtar i Byrosë Politike. Optimizmi utopik, gati atavik, shpështjellë në ëndrrën e marrë, që duke zhvarrosur kufomat e ushtrisë osmane, duke u marrë stolitë atyre, kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Bajo Myzeqarin, sekretarin e Parë të rrethit, Zylyftar Kabashin, nënkryetari i Byrosë Politike, shoku Lutfi Kali, kryetari e këshillit, Hamdi Qafa, Rasim Hollën, nëndrejtorin e Institutit Arkeologjik, që thotë, me një krenari propagandisti, “arkeologji leniniste”, që simbas autorit, përfaqëson një togfjalësh butaforik. Edhe në emrat, që u ka vendosur, shpesh me mbiemra krahinash, skicon dhe portretizon me doza humori dhe ironie, secilin nga protagonistët e pranishëm. Në këtë roman spikaten edhe figura të tilla, si Kleanthi, një ekspert i arkeologjisë, Irena, e cila shpërfaq një linjë të brishtë dashurie, dhe me të ngjet e pamundura, është martuar me Myrtezain. Skena e gjyqit popullor, mbi Demir Sulonjakun, që është “emëruar” tradhëtar i atdheut, për nevojat e sistemit, pa kryer asnjë tradhti, vetëm për t’i hapur udhën Myrtezait, që të lidhej me Kristinën. Një sërë personazhesh, që skicohen me penelata të shpejta, ndonëse me shenja të thella, të mbeten në mendje për karakteristikat e kohës dhe individualizimin e stilizuar, të ligjërimit dhe figurimit të tyre.
“RINGJALLJA” E GJORG GOLEMI
Vlerë më vete, në kuptim real dhe metaforik, në hapësirën e tekstit “Tri tavernat”, veçanërisht bart “ringjallja” e Gjorg Golemit, një tjetër figurë madhore e qëndresës arbnore, kundër hordhive osmane. Në faqet e librit, gati si në një lojë simbolike, ngjet kalimi nga legjenda për trimëritë e pashoqe, te faktimi i njërës prej betejave më heroike të kësaj figure. Siç pohohet në roman: “… me rëndësi është se dëshmon, që lufta kundër osmanëve ka qenë organizuar shumë përpara se të krijohej Lidhja e Lezhës. “(2024: 87), si një fakt domethënës, që zgjeron përmasat e figurës së Gjorg Golemit. Dekodimi i legjendës, me gjasë i kujtesës orale, kalimi në rrafshin historik, ngjet rastësisht dhe në mënyrën më të dhunshme të mundshme. Pikërisht, aty ku dikur ishte zhvilluar epopeja e Kryetrimit të Sopotit, kooperativistët e një fshati, dikur më tri taverna, pastaj të kthyer në han, ku tanimë kanë mbetur vetëm rrënojat, “heronjtë e marrëzisë”, kanë gjetur mënyrën, më saktë kanë shpikur me mendjen e tyre të ngushtë dhe diabolike, një mundësi të pazakontë, për të shpëtuar socializmin, që po rrëzohej çdo ditë. Ky roman, varësisht problematikës që trajton, pamjeve të ndryshme, shoqërore, politike apo elpnomike, ndërkohësisë së projektuar, sendërton idenë e Harold Bloom, te libri “Si dhe përse lexojmë”: …një realitet ekzistues, qoftë bashkëkohor, qoftë historik… [1].
Me vrull revolucionar të paparë, me hov optimist, ia kanë mësy varrezave të ushtarëve turq, vetëm e vetëm për tu marrë sendet me vlerë, dhëmbët prej floriri dhe relike të tjera, që kanë kufomat e tyre. Punojnë pa pushim, sikur në një aksion shpëtimtar, e dikur kjo marrëzi bie në veshët ë arkeologëve turq. Për njëfarë kohe, gërmimi po bëhej me rregulla dhe udhëzimet, e arkeologëve, të Kleanthit, gërmime që ndërkohë dëshmojnë të vërtetën e betejës së madhe, me gjasë të disfatës së pësuar nga pushtuesit turq, prej heroizmit të Gjorg Golemit. Është një figurë e madhe e rezistencës arbnore, pa të cilën vështirë se Gjergj Kastrioti, do të realizonte Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin e arbnorëve, të principatave feudale të kohës. Gjorg Golemi ka vendin e vet në histori, e prandaj atë që e lë në hije historiografia, letërsia e merr për sipër që ta mishërojë si kujtesë shpirtërore dhe artistike, e shenjimit të madhështisë së kësaj figure, të epopesë së qëndresës arbnore, e cila kulmon me shekullin e XV, që përçon para botës madhështinë e racës arbnore, që shkëlqen veçmas më bëmat dhe heroikën e dy Gjergjëve, trimit të rrallë Gjergj Araniti, që ndërkaq e mbërriti apogjeun e shkëlqimit me heroikën shembullore të Gjergj Kastriot Skanderbegut.
GROTESKU DHE HIPERBOLIZIMI
Me peshë shprehësie, por edhe si gjurmë të stilit autorial, të shtrira në hapësirat tekstologjike të romanit “Tri tavernat”, janë edhe dy elementë të parapëlqyera, si tregues të shpalimit artistik, në materien e librit. Nga njëra anë, përdorimi i groteskut, pra ironisë therëse, fanitet herë pas here, në faqet romanore, duke e ngjyrosur realitetin letrar, me tonalitet të ironisë dhe humorit tallës dhe shkatërrues të dukurisë, që autori ka vënë në qendër të tekstit. Evidentimi i pranisë së groteskut, jo vetëm si zgjim kënaqësie, por diçka më tepër duke e parë si gjurmim i atmosferës së krijuar, merr rëndësi të posaçme. Në situatën e fillimit kemi të shprehur parashtrimin: “…brigada e ngritur apostafat për të çelur toka të reja…”(2024: 9), si një qëllim i shpallur, i kohës së paradoksit. Pranëvënia me pohimin rastësor “qenka varrezë e vjetër”, ose në përfundimin e papritur: “…bashkë me eshtrat kanë gjetur monedha floriri…”, që ndërkaq formulon qëllimin e nënkuptuar, të fluturimit pindarik të kohës. Për të mbërritur gjer te kulmi i marrëzisë: “…të qëndrojmë në ballë si lokomotiva e parë, që të shpëtojë socializmin dhe komunizmin bashkë.”(2024: 13), e cila skicon dhe plazmon klimën e pastër të groteskut. Kjo ngjyresë e pranisë së groteskut, të nënkuptuar vjen edhe në situatën: “Dhe ky informacion të klasifikohet si politik, e të lexohej nga brigadierët në kohën e pushimit të drekës.”(2024: 24), e cila vetëmsa e përshkallëzon sarkazëm, për kohën e absurdit të marrëzisë. Po ashtu, në stilemën tjetër: “…pati hapur fjalën se kishte parë një ushtri të çuditshme, si e ngritur nga varri, me rroba me ngjyra të shpëlara nga vjetrimi dhe lagështia, ushtarë me sy të gjakosur dhe gjymtyrë të lidhura…”(2024: 26), një pikturim surreal, i rrafsheve të ndërkohësisë. Për të ardhur te shprehja: “Çdo varr i gërmuar është plumb për armikun…”(2024: 45), që shënon kulmin e groteskut, situatë që të përkujton parullën e dikurshme “çdo votë plumb për armikun…”
Element tjetër, që e përngjyros tekstin me pamje të shpërfytyruar, si tregues i pranisë së ndryshimeve intertekstuale, pra me doza postmoderne, është edhe hiperbolizmi. Kështu në situatën: “kukuvajka pati bërë shtatëqind e tri herë “ku-ku-ku”, ndërsa shoku im pati shënuar gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë herë.”(2024: 16-17), që e zbulon të plotë për lexuesin marrëzinë, ku ishte kredhur qenia njerëzore, në motet e monizmit. Pjesë e hiperbolës është edhe metamorfoza e historisë së gërmimit, e cila del më qartë në situatën: “…ata që gërmonin, kishin rënë në thesarin e mbretëreshës Teutë…”(2024: 23). Maja më e lartë e zmadhimit, që shpaloset e përngjitur me ironinë sarkastike, arrihet në pohimet e befta autoriale: “…më pak se tre – katër muaj u ndërtuan mbi pesëmbëdhjetë legjenda, dhjetë tregime dhe nja tri – katër romane.”(2024: 24), e cila përthekon përmasat e hiperbolizimit total. Pjesë e vështrimit legjendar dhe historik, janë edhe “Tri tavernat”, të cilat gjenden në anë të rrugës “Egnatia”.
RRAFSHET E LEXIMIT TË ROMANIT
Struktura romanore, e përndarë në shumë episode, e përcjellur përmes narrativës dinamike, shoqëruar me pasazhe të shkurtra, me tharm lakonik, prandaj për të hyrë në dhënie marrje reale, me hapësirën tekstologjike, në rastin e romanit “Tri tavernat”, sugjeron disa rrafshe leximi. Në mesin e tyre, dy janë më të rrokshmet, të cilat janë përvijuar në materien letrare:
– Lexim linear, pra i secilit episod të tekstit, që mishëron tërësinë e romanit të ndërkohësisë. Rrafshi i leximit linear, patjetër që ndikon për të perceptuar kohët e ndryshme, të pranishme dhe të bashkëlidhura në faktimin identifikues të ndërkohësisë, linjat e shtjelluara në hapësirën e tekstit, si dhe për të materializuar evoluimin e personazheve.
– Lexim integral, pra i secilës pjesë, të kapitujve përbërës, të ndarjeve më të vogla, të cilat në kuptimin e narrativës dhe kumtit, ndërkaq qëndrojnë më vete, si njësi ligjërimi, të sendërgjimit të romanit. Konceptuar dhe realizuar, me këto ndarje, mbase edhe si tregimthe të shkurtra apo si rrëfenjëza, të cilat ndërkaq ndërlidhen organikisht dhe artistikisht, në mes tyre, me gjasë edhe prej atmosferës ndërkohore dhe fatit të personazheve, që përcillen rreth fatit të tavernave, toposit të hershmërisë, të kthyera në han, e mandej të përmbysjes në gjendjen e kooperimit total, të gjithçkaje.
Filli përbashkues i rrafsheve të ndryshme të leximit, ka të bëjë edhe me teknikën e rimarrjes së ngjarjeve, e rimarrjes nga njëri kapitull në tjetrin. Materializmi i teknikës së rimarrjes, sa për ta prekur nga afër, si praktikë shkrimi, sa për ilustrim të praktikës së shkrimit si rimarrje, po sjellim për lexuesin dy ligjërime:
– Fundi i njërit episod: “Sido që të jetë, shoku Bajo, unë Kristinën e dua dhe kam vendosur të martohem me të.”(2024: 30), që mbyll skenën groteske, kur kryetari i komitetit, e zuri gafil Myrteza Farrukun, në zyrën e këtij të fundit.
– Fillimin e pasazhit tjetër: “Ardhja e Bajo Myzeqarit në fshat nuk qe pa shkak. Së pari, ai kishte ardhur vetë të shihte se si shkonte procesi i gërmimeve.”(2024: 31), i cili tregon se marrëzia e zhvarrimit, për të mbajtur në këmbë socializmin e telefosur, tanimë kishte marrë dhenë, dhe për çudi shihej si aksion shpëtimtar.
NË VEND TË PËRFUNDIMIT
Romani “Tri tavernat”, pason librin me tregime “Të vdesësh nën diell” dhe romanin “Erërat që trazojnë mjegullën”, duke e nisur udhëtimin në letërsi, me shkrimin e prozës, madje duke e realizuar tregime dhe romane, që kanë zgjuar interesin e lexuesit dhe te mendimit kritik. Pra, jemi në një përvojë shkrimi, që në një hark të shkurtër kohor, bashkë me tregimin, ose shkollën e prozës, ndërkaq prej autorit është lëvruar edhe romani, që shpesh emërtohet si cak pjekurie, ndonëse romani si tipologji shkrimi vijon që të mbetet zhanër i hapur. Teksti “Tri tavernat, përfaqëson romanin e dytë të autorit, por në tharmin e përçuar, bashkë me tepritë apo mungimet, shkurtësinë e tekstit, ndërthurjen e rrafsheve të ndryshme kohore, portretizimin e personazheve, në një kuptim pa kurba zhvillimi, ndonëse këto aspekte, ka mundësi që të jenë shenja të rrugëtimit autorial, që gjallojnë në secilin libër, jo vetëm në letrat shqipe, ndonëse në esencën thënëse, është një libër i hapur. Një libër i hapur, për lexuesin dhe interpretimet, ka gjasa të receptohet si lexim i hapur, madje një proces dobisjellës, si për çdo libër, është akti i rileximit. Sugjerimi i I. Calvinos: “Në universin e pafund të letërsisë gjithmonë hapen rrugë, shumë te reja ose shumë të vjetra, për tu zbuluar stile dhe forma, që mund të ndryshojnë imazhin tonë mbi botën…”(2011: 55), na kthjellon që të ndalemi te veprat, që eksperimentojnë, larg klisheve dhe skemave, duke synuar hapësira shkrimi të tjera, anipse ndesh në hijedrita, të horizontit të pritjes, në nivelet e komunikimit dhe shprehësisë letrare.
[1] Harold Bloom: Si dhe përse lexojmë, Tiranë, Botimet Dudaj, 2008, f. 151.
/Gazeta Panorama/
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al