Triumfi i një kënge të ndaluar

Dec 8, 2023 | 8:15
SHPËRNDAJE

NGA PIRRO LOLI PIRRO LOLI

Tefta Duda e kish dhënë provën nëpër komisionet e bazës që nga fshati (Sheperi) zona e rrethi dhe kish provuar një gëzim të paparë në jetë; kënga e saj ishte vlerësuar si më e mira që mund të paraqitej në festivalin kombëtar më 5 tetor 1973. Specialistët kryesorë të rrethit e kishin pranuar si befasi. Kënga e Tefta Dudës u përzgjodh më e mira në 400 këngë si shpresë edhe për çmim të parë në rreth.

“Fushës Sheperit ca lot shamizeza derdh”, ishte një baladë me një barrë dhimbje përsipër, shkruar nga poetesha e talentuar Vasilika Vasi (i ndritë shpirti!). I këndohej kurbetit të zi të jetës që kish pllakosur shumicën e familjeve në të dhjetë fshatrat e Zagorisë. Ishte zëri e grave shamizeza mbetur të veja me burra gjallë, “Ç’ka bari që s’mbin në qafë/ nga lotët që derdhin gratë… ose nga gulçimi buçet era…/ se punojë e lodhen gratë / po çlodhuni pak, moj të mjera se lëngoni ditë e natë”. Vargjet e goditura të Vasilika Vasit dhe zëri i Tefta Dudës kishin mbledhur të gjithë dhimbjen e kurbetit në një këngë.

Balada kish një varg në fund që, dukej si thirrje, siç kërkohej, dukej si një rreze shprese e dëshire “Eja të shoç Zagorinë, kush është si ne …” Ishte zëri triumfues i gruas që i gufonte gjoksi e çuditërisht i ndritnin sytë nga një dritë e brendshme entuziaste. E, ajo çikëz ceni në biografi, që kur e kishin pushuar si mësuese, kish marrë fund e shpirti i saj ngazëllehej. TVSH e filmoi që në prova (jashtë rregullit) si parandjenjë për kohët që do të vinin si triumf, por edhe si dëshmi se nuk mund të vritej kënga… Por nuk ishte e thënë.

Një urdhër nga lart ndaloi të këndohej ajo. Këngë nga T. Duda. Po pse, Pse? – Pyesnin njerëzit…. Nuk përgjigjej njeri, veç pëshpëritej. Një cen në biografi! Thashetheme, spiunllëqe, ndoshta edhe nga vendlindja… Urdhrin e kish dhënë sekretari i parë, Rrapo e kish emrin dhe flitej se ai qe një kuadër me autoritet e atë këngë duhet ta këndojë një tjetër me biografi të mirë….

Tefta e përjetoi me dhimbje të brendshme sikur i qe këputur shpirti; vetëm jastëku i gjumit tregonte lotët e saj në netët mbushur me ahe e psherëtima. Askush nuk i hodhi dorën në sup. A thua u trembën dhe ata të komisioneve?! Në letërsi e në arte kish raste dhe më të rënda ndalimi. Spiunohej e ndalohej fjala, ngjyra, piktura, teatri, poezia dhjetëra autorë, shkrimtarë e artistë ndaloheshin e dënoheshin me “edukim” në miniera e burgje… Por, ja. Në skenë do të vinte e bija, që do imponohej me talentin e saj në të gjithë vendin.

MIMOZA KOSTURI

Mimoza është ajo pema që e merr emrin nga lulet e saj, ato të imtat, aromatike që këputen nga mëma e bëhen tufa për të dashuruarit. E bija e dinte udhën e këngës. Ishte rritur me zërin e nënës. E kujton që kur ishte vajzë e vogël në shkollën e muzikës, kur mbështeste ballin në gjoksin e së ëmës, dëgjonte brengën dhe ca tinguj, të plagosur, psherëtima, ahe, në boshllëk e këto i transmetoheshin në të njëjtin qarkullim gjaku; nota e melodi elegjiake dhe e bija do t’i mbillte pak nga pak në shpirtin e saj e, do arrinte deri te një teoricienë e muzikës edhe soprano e talentuar. Kronikën e saj e shkroi nëpër pentagrame.

(Më 1988 konkurroi për kanto në Akademinë e Arteve nën kujdesin e sopranos së njohur Suzana Frashëri. Mimoza Kosturi mbrujti artisten brenda vetes me vullnet dhe talent duke e rritur krenarinë e rrënjës së saj dhe të krejt këngës tradicionale aq të pasur të Zagories. Duke dëgjuar interpretimin e Mimozës, të duket më madhështor vatani, më i lulëzuar Çajupi, më supelartë Andon Zakua, më tragjik tragjizmi i grave; ndërkohë, këngët polifonike që këndon ajo, dhe grupi i saj, kanë lartësuar dhe poetët, Neço Muka, Lefter Çipa, Spiro Dede, Vasilika Vasi apo rapsodët, Zaho Balili, Feti Brahimaj etj.

“Zagoria, Zagoria” me Mimozën dhe grupin e Ansamblit,(në veçanti, Mehmetin e Hyson), të tronditin, të entuziazmojnë dhe të trishtojnë njëkohësisht. Ajo ka krijuar një sintezë poetike dhe tingëllore, për (Itakën) tonë, Zagorinë, që është bërë “dritë e udhëve të mia”… Krenari e nostalgji me një dhimbje të bukur e të padukur, por që të bren si mola e që të bluan së brendshmi.

(Zagoriti ka mbi 200 vjet në rrugët e kurbeteve) e në këtë braktisje masive, çdo zagorit e ka marrë Zagorinë me vete, me male e pemë dhe oborrin e shtëpisë mbi supe. Se poeti dhe artisti është qenie speciale dhe malet e rëndë, dasmat dhe hidhërimet i ka “ëndërr nëpër kontinente”. Krenaria e nostalgjia e mund dhimbjen… e vargjet e poetit Spiro Dede në zërin e Mimozës, “Zagoria, Zagoria/ drit’ e udhëve të mia/ngado shkoj të marr me vete/ ëndërr nëpër kontinente…”, na duket sikur na zmadhohet vendlindja e na i thajnë lotin e syrit, andaj, kudo e kurdoherë, mbetemi zagoritë nëpër rrugët pa kthim në kërkim të një qytetërimi më jetik.

* * *

Mimoza (Duda) Kosturi shpejt u emërua si këngëtare në Ansamblin e K.V.Popullore. Ky kolektiv me këngëtarë të mëdhenj e ngriti peshë artisten dhe e vuri në krye si marrëse e këngës labe. Ishte radha e Mimozës që midis mjeshtreve të polifonisë labe do shpaloste zërin e saj magjik e tingëllues me një diapazon të gjerë, që shprehet me një interpretim mbresëlënës. (Ishte fat reciprok të këndoje në atë grup polifonik, me kthyesin e këngës Mehmet Vishe që, me atë zë gurgullues, “aprovone” zërin e parë dhe i bënte konak të ngrohtë e të sigurt zërit të Mimozës; për të ishte fat të kishte në krah hedhësin fenomenal, Hyso Xhaferin, me zërin e tij aq të ëmbël, aq melodioz, aq dramatik kombinuar me zërin e Mozës, lindur për tingëllimë në odat e parajsës spërkatur me lot baladash.

Ai iku para kohe, (i ndritë shpirti), por pas la emrin “Hysua i polifonisë”. Ai i thyente qelqet e qiellit, e, ndoshta kjo ishte parajsa e tij.) …M. Kosturi u emërua përgjegjëse në redaksinë e muzikës në RTV ku, e konsolidoi artisten jo vetëm si njohëse të veprimtarisë muzikore të klasikëve botërorë, por dhe si interpretuese e tyre. Ajo ka dhënë koncerte edhe jashtë vendit si në Itali, Zvicër, Francë, por shquhet si interpretuese e këngës popullore të përpunuar.

POLIFONIA

Ajo e ndjente se me këngën labe derdhi portretin, jo vetëm të vetin e të nënës së saj, Teftës, por të të gjithë Labërisë. Polifonia shqiptare është një monument shtatlartë i kulturës dhe etnisë sonë, i njohur tashmë në botë si pronë e UNESCO-s dhe nuk është aspak e rastit pasioni i pashuar i Mimozës për t’ia “marrë labçe”.

Polifonia jonë ka përthithur gjithçka nga jeta e mitologjia, dhe ka hedhur shtat në çdo qelizë të jetës, heroizmin, baladat, doket e zakonet e, plot gjak, dashuri shpirt e revoltë ka përqafuar e shtrydhur legjendat me flokë përgjakur, i ka mbjellë luginave, arave, kodrave shpateve e maleve të Labërisë e kjo farë si gruri e misri i bukës, del nga zemër këngëtarësh trima e trimëresha shëndetplotë në psikën mbarë popullore, qelizë më qelizë të jetës së shqiptarit që nga lindja deri në vdekje.

Mimoza këndonte jo vetëm me zë por dhe me sy, me duar, me fytyrë me gjoks me shpirt dhe ashtu drithërueshëm, ngashëreheshe të mbusheshin sytë. Ajo zbriti në këtë “pentagramin” e lavdishëm kombëtar për t’ia lartësuar supet polifonisë dhe vetvetes. Portreti i saj si artiste derdhet në disa CD. Te “Vajzë e valëve” me njëmbëdhjetë këngë, Mimoza shkëlqen me të gjithë diapazonin e saj; modelohen këtu këngë të zgjedhura, me një interpretim mbresëlënës me atë lirizëm të brishtë, ku kombinohet tradita labe me një kultivim artistik të veçantë. Moza ka zbritur nga Dhëmbeli, andej ku “ç’ ka bari që s’mbin në qafë”, e, jo më kot, tek bregu i detit ku ajo, bija e njohur himarjote “pret e pret/ e pret e zeza pret…

Solistja jonë provon një tjetër dhimbje, buzë detit, në Himarë dhe për bukuri madhore, si kombinim kobi mali e deti, njësohet me pritjen tragjike. Pritje homerike kjo. Ankth cfilitës. Vdekje e trishtuar. Pa të vdekur. (Edhe sikur të kishte ardhur leshrabardhë ai emigranti, që këndonte Tefta), do qe harruar, por perla e pritjes në zërin e dy vajzave labe(himarjote e sheperjote) do mbetet brezash e pavdekshme. Në atë interpretim origjinal shohim edhe ata zogjtë e bukur se “mund të sillnin ndonjë lajm a ndonjë letër” por jo e jo, zogjtë e qiellit, bashkë me valët e lodhura të detit, kanë ngrirë përjetësisht si një obelisk i akullt buzë detit.

…Mimoza është e prerë për baladën me vaje e psherëtima. Ajo këndon me zërin e brendshëm që para se ta shqiptojë, buza i dridhet, gjoksit, jehon dhe ashtu rrokëzuar, zvarritur në ahe e ohe, ku ajo këndon duke qarë, në fakt këndon me sy e zë të përlotur që të ngjeth e, me atë interpretim melankolik, elegjiak e shpërthyes, zotëron krejt sallën. Ajo është veçanërisht origjinale në lirikën e mrekullueshme të dashurisë që labi e qëndis me metafora të rralla, që do t’ia kish zili çdo poet i talentuar; ajo e përthith në shpirt këngën labe.

A di se stacionet e saj të udhëtimit janë pa fund; e vetëdijshme për arritjet, me modesti të ndrojtur, ecën pa u lodhur. Udha e këngës është e përpjetë, por në çdo lartësi përmban shpirtin popullor përplot me burra stoikë, krenarë e të bukur, si dhe gra e vasha lastonja me diellin në ballë e këngën në shpirt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura