GJENERAL PIRO AHMETAJ
Ndërsa kanë mbetur 90 ditë, establishmenti politik, mediatik dhe opinioni publik jo vetëm në SHBA, por edhe në kryeqytetet e BE, NATO-s, Kiev, Moskë, Pekin etj., mbeten të fokusuara nga zgjedhjet në USA. Nga njëra anë, në garë për herë të dytë është rikthyer fuqishëm biznesmeni Donald Trump, i cili edhe mbasi “Zoti e shpëtoi nga atentati me armë zjarri”, ka konfirmuar se: “Të gjitha akuzat politike dhe gjyqësore ndaj tij do të gjykohen dhe marrin përgjigjen e merituar nga qytetarët Amerikanë më 5 nëndor 2024”.
Nga pala tjetër, llogaritë e demokratëve duke konfirmuar z. Jeo Biden për presidencë2, rezultuan drejt një fitoreje të sigurt për Trump. Prandaj, për ta rikuperuar është pothuajse e konfirmuar që zv.presidentja Kamala Harris, në 3 muajt në vijim do të përballet me fuqinë e sloganit të “Trump-2”: “Për një Amerikë edhe më të madhe/vitale si dhe Amerikanët të parët”, por edhe me performancën si zv.Presidente në 4 vitet e fundit.
Që në fillim të herës, më duhet ta nënvizoj se kjo analizë nuk është gjithsesi “për të rikonfirmuar simpatinë personale”, por të paraqes një “food for thought”, ose përmbledhje strategjike rreth “Platformës-Trump2º, zhvilluar nga Fondacioni Heritage, një ºthink tankº republikan amerikan në DC, i cili edhe pse “i pavarur”, njihet për qasjet konservatore si dhe lidhjet me ish-Presidentin Trump. Më konkretisht, projekt-platforma 2025 (920 faqe), përmban: “një axhendë qeverisëse jo vetëm nga janari i 2025, por për të ardhmen e USA”. Ndërsa edhe vetë hartuesit e platformës, konfirmojnë se synimi kryesor i Trump-2025, është promovimi i një pakete politikash të djathta për të çliruar USA nga kapja e mekanizmave të shtetit, pra nga interesat e aktorëve të nëndheshëm (pa votuar), burokracia me kollare demokratike, korrupsioni, filantropistët etj.. Me fjalë të tjera, për ta ç’bunkerizuar, ç’burokratizuar, reformuar, modernizuar dhe forcuar pushtetin ekzekutiv, ose qeverinë federale të SHBA duke e “rikthyer përsëri Amerikën në një superfuqi të pamposhtur dhe pakonkurrueshme edhe për shekujt që vijnë”.
Ndërsa “New York Times” e konsideron projektin “Një projekt radikal të politikës konservatore”, CNN paralajmëron se autorët e tij, rreth 140 personalitete që kanë shërbyer edhe në administratën “Trump-1”: “Pritet të kenë pozicione kyçe edhe në administratën e “Trump-2”. Gjithsesi, z.Trump e ka mohuar të ketë lidhje të drejtpërdrejta me këtë projekt. Kështu, më 5 korrik 2024, në platformën e tij “Truth” (e vërteta) ka konfirmuar: “Unë nuk di asgjë për Projektin 2025, nuk e kam as idenë kush qëndron mbas tij”
Në kapacitetin e ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s si dhe nga konsultimet me kolegë/strategjistë në Washington, në vijim po paraqes një përmbledhje të ideve thelbësore, ose rreth “4 kolonave të projektit ose Platformës Trump – 2025”:
Kollona nr. 1: Rivendosjen e familjes amerikane dhe rikthimin te vlerat konservatore të Ronald Regan si qendër e gravitetit të Plaftormës “Trump-2”, për ta bërë Amerikën “great again/përsëri të madhe ndërsa Amerikën superfuqi të pakonkurrueshme edhe për shekujt në vijim”; centralizimin dhe modernizimin e shtetit administrativ; mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve të kombit; garantimin e të drejtave individuale të dhëna nga Zoti. Në parathënie, presidenti i Fondacionit Republikan Kevin Roberts ka ngritur alarmin: “Ka ndodhur një marshim i gjatë i marksizmit kulturor nëpër institucionet e SHBA. Qeveria federale është kthyer në një gjigant të armatosur kundër qytetarëve amerikanë dhe vlerave konservatore, ndërsa liria e qytetarit dhe të drejtat e njeriut gjenden të kërcënuara/rrethuara si kurrë më parë”.
Edhe pse jo vetëm në dukje “një platformë radikale por me vullnetin dhe parakushtin për konsensus sa më të gjerë për t‘i bashkuar Amerikanet”. Kështu, Paul Dans, ndër kontribuuesit e projektit thekson: “Përgatitje sistematike për të formuar një armatë/ushtri të re të konservatorëve, të gatshëm për t’u përballur me shtetin e kapur nga rrënjët (deep state), pra nga fuqia e interesave të nëndheshme e aktorëve të pavotuar, korrupsioni, burokratët, etj.. Kjo korrespondon edhe me retorikën e fortë të Trump-it, po e citoj: “Do të pushojë nga puna prokurorët marksistë që po shkatërrojnë Amerikën”, si dhe “do të zhdukë nga rrënjët deep state”, si dhe emërimin e “një prokurori special për të ndjekur dhe ndëshkuar politikanët dhe pushtetarët e lartë (përfshi presidentin) më të paaftë dhe më të korruptuar në historinë e SHBA-ve”!
Nga ana tjetër, projekti rekomandon orientimin e qeverisë dhe shoqërisë amerikane drejt vlerave kristiane si dhe balancave konservatore. Për të arritur këtë synim, Russell Vought, një nga drejtuesit e projektit, sugjeron për të futur parimet e nacionalizmit kristian në qeveri dhe jetën publike, nëse/ mbasi Trump të fitoje mandatin e dytë. Po kështu, kandidati presidencial Trump u tha anëtarëve të një organizate të krishterë të premten e kaluar ne Florida se: “Nëse votojnë për të në nëntor, për katër vjet nuk do të duhet të votojnë më”, deklaratë shumë e fortë, që edhe pse të gjithë e kuptojnë …, mbetet ende e pakomentuar nga shtabi i Trump!
Kolona nr. 2, zgjerimi domethënës i kompetencave, ose forcimi i fuqisë vendimmarrëse të Presidentit të SHBA si dhe rritje e kontrollit të Shtëpisë së Bardhë mbi departamentet e qeverisjes federale. Kështu, kujtojmë se, “Trump-1”, që në 2019 mendonte se neni i dytë i Kushtetutës së SHBA-ve i jepte atij “të drejtën për të bërë gjithçka ekzekutive si president”. Ndërsa po kështu, drejtori i Heritage, Kevin Roberts argumenton se: “Nocioni i agjencive të pavarura federale që nuk i përgjigjen presidentit cenon vetë themelin e Republikës së SHBA-ve”. Prandaj, Platforma “Trump-2” sugjeron vendosjen e shumicës së departamenteve të qeverisë federale nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Presidentit: “Duke eliminuar pavarësinë dhe burokracinë e këtyre institucioneve”. Më konkretisht, propozon marrjen nën kontrollin e Presidentit të Departamentit të Drejtësisë (DOJ), Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Departamentit të Tregtisë (DC), Komisionit Federal të Komunikimeve (FÇ), Komisionit Federal të Tregtisë (FTC); si dhe transformimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) etj.
Projekti bazohet në një politikë edhe më të rreptë (pra përveç murit me beton-digjital) të kontrollit të kufijve nga emigracioni paligjshëm në SHBA. Ai rekomandon arrestimin dhe dëbimin e emigrantëve pa dokumente që jetojnë në SHBA, si dhe propozon edhe përdorimin e ushtrisë për zbatimin e ligjit. Stephen Miller, arkitekt i njohur i politikës së Trump për imigracionin, që mendohet te marrë një post të lartë në një administratë e “Trump-2”, konfirmon se projekti përfshin: “Ndalimin dhe largimin e shkelësve të emigracionit në SHBA”.
Në këndvështrimin e këtij Projekti, Departamenti i Drejtësisë (DOJ) është: “Një burokraci e fryrë me një bërthamë kritike të personelit që orientohet nga një axhendë radikale liberale/majtiste” dhe që ka “humbur besimin” e popullit amerikan. Prandaj, ajo duhet të reformohet tërësisht nën mbikëqyrjen e Shtëpisë së Bardhë. Po ashtu, Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) duhet të jetë përgjegjës para Presidentit. Projekti 2025 pranon se dënimi me vdekje është një çështje e ndjeshme popullore dhe angazhohet për t’u marrë seriozisht me promovimin e këtij ligji… përfshi për krime të urryera si pedofilinë, i cili do të lihet në kompetencë të shteteve të veçanta të SHBA.
Në këndvështrimin e këtij Projekti, Departamenti i Drejtësisë (DOJ) është: “Një burokraci e fryrë me një bërthamë kritike të personelit që orientohet nga një axhendë radikale liberale/majtiste” dhe që ka “humbur besimin” e popullit amerikan. Prandaj, ajo duhet të reformohet tërësisht nën mbikëqyrjen e Shtëpisë së Bardhë. Po ashtu, Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) duhet të jetë përgjegjës para Presidentit. Projekti 2025 pranon se dënimi me vdekje është një çështje e ndjeshme popullore dhe angazhohet për t’u marrë seriozisht me promovimin e këtij ligji… përfshi për krime të urryera si pedofilinë, i cili do të lihet në kompetencë të shteteve të veçanta të SHBA.
Projekti rekomandon reforme radikale të Departamentit të Shtetit: “Të gjithë punonjësit në role drejtuese në DASH duhet të shkarkohen deri në fund të 20 janarit 2025”! Kiron Skinner, e cila ka shkruar kapitullin e DASH të Projektit (ajo ka drejtuar për rreth 1 vit zyrën e planifikimit të politikave të DASH gjatë administratës Trump 1), e konsideron shumicën e punonjësve të DASH shumë të majtë dhe rekomandon që ata të zëvendësohen nga ata që janë më besnikë ndaj një presidenti konservator. Pra, projekti “i pavarura”, përputhet me planet e Trump për të pushuar nga puna mijëra qeveritarë duke rikthyer “Programin F”, që Trump e vendosi në urdhër ekzekutiv të tetorit 2020 dhe Biden e anuloi në janar 2021.
Kolona nr. 2, reformë domethënëse ekonomike. Projekti, si edhe biznesmeni Trump, mbetet kritik ndaj Rezervës Federale dhe propozon shfuqizimin të tij. Projekti parashikon si zgjidhje radikale: “Kalimin nga taksë mbi të ardhurat në një taksë konsumi, siç është taksa kombëtare mbi shitjet”
Po ashtu, rekomandon thjeshtimin e taksave mbi të ardhurat individuale në dy normat tatimore të sheshta nga: “15% mbi të ardhurat deri në bazën e pagave të sigurimeve shoqërore dhe 30% të ardhurat mbi të. Të ulë normën e taksës se korporatave nga 21% në 18%, duke e quajtur atë ‘taksën më të dëmshme’ për vendin, reduktimin e normës së fitimeve kapitale në 15% nga niveli aktual/2024-ës prej 20%, për bizneset me fitim të lartë, ndërsa me krenari kujton që Trump-1, e uli normën nga 35% në 21%”.
Kolona nr. 3, Arsimimi, Shëndetësia, mbrojtja klimaterike, media, etj.. Shkrirja e Departamentit të Arsimit (DoE), programet e të cilit ose do të transferohen në agjenci të tjera ose do të ndërpriten. Arsimi do t’u lihet kompetencë e 52 qeverive/shteteve të SHBA për të përzgjedhur programet dhe standardet federale, ndërsa kërkimi shkencor do t’i nënshtrohet një reforme të gjithanshme për të dominuar edhe mijëvjeçarët në vijim.
Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) do të reformohet sipas parimeve konservatore. Projekti kërkon të shkurtojë ndjeshëm fondet për “Medicare dhe Medicaid”. Ai propozon që pornografia të quhet krim, heqjen e mbrojtjeve ligjore kundër diskriminimit bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor si dhe mbylljen e programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI) duke detyruar Departamentin e Drejtësisë të ndjekë penalisht “racizmin kundër të bardhëve” etj..
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS): “Do të shndërrohet në Departamentin e Jetës”. Në vitin 2022, në çështjen Dobbs kundër Organizatës së Shëndetit të Grave, Gjykata e Lartë vendosi që Kushtetuta nuk i jep të drejtën abortit, duke jua lënë shteteve të krijojnë legjislacionin. Mbi këtë bazë, Projekti inkurajon presidentin e ardhshëm “të miratojë mbrojtje më të fuqishme për lindjet e reja”, megjithëse as nuk promovon ndalimin absolut të abortit, por parandalimin e shtatzënisë në adoleshencë.
Projekti këshillon se në rast fitoreje, presidenti republikan, Trump-2 të shkojë më tej sesa thjesht të anulojë urdhrat ekzekutivë të Presidentit Biden për ndryshimet klimaterike. Ai propozon braktisjen e strategjive, përfshirë shfuqizimin e ligjeve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dhe Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), të cilat i konsideron: “nxitësit kryesorë të industrisë së alarmit të ndryshimeve klimatike.”
Projekti ‘Trump-2’ akuzon rrjetet sociale, “Facebook”, “Instagram”, “Twitter” dhe “TikTok”, se rrezikojnë shëndetin mendor dhe lidhjet sociale të të rinjve amerikanë duke krijuar një formë varësie: “Politika federale nuk mund të lejojë vazhdimin e tyre”, të cilat janë po ashtu “si makineri/armë dezinformimi si dhe spiunazhi kundër sigurisë si dhe interesave kombëtare amerikane”.
Kolona nr. 4: Të gjitha vendimet që lidhen me politikën e jashtme duhet t’u japin përparësi Nr.1 interesave kombëtare “America First”, e thënë më qartë: “Amerika një superfuqi e pakonkurrueshme si dhe interesat e amerikanëve të pacenueshme”. Transformimi i Pentagonit dhe institucioneve kryesore të sigurisë për të reduktuar burokracinë dhe rritur fuqinë/aftësitë ushtarake të SHBA në mbrojtjen e sovranitetit dhe interesave amerikane. Programet e modernizimit të forcës/fuqisë hapësinore, kibernetike, inteligjencës artificiale do iu alokohen triliona euro, duke e bërë kështu USA shumë shekuj përpara të gjithë të tjerëve.
Ristrukturimi thelbësor dhe uljen e shpenzimeve administrative/burokratike të UN. Ndërsa përtej gjysmë konteksteve: “një SHBA e pakonkurrueshme, një NATO dhe BE më e fortë, një botë edhe më e sigurt, mbeten qasja e fortë e projektit Trump-1/2”. Por është pranuar, që falë edhe kërcënimit të tij të shumëpërfolur: “vendet që nuk respektojnë këto kuota (2%) nuk do të mbrohen nga NATO”, nga më pak se 5 sot 23 vende anëtare (2017) kanë rritur shpenzimet ushtarake në 2% të GDP (2024) dhe po ashtu BE mbi 500 milardë euro shpenzimet për mbrojtjen. Nga ana tjetër, ka përsëritur publikisht se: “Nëse do isha President (pra jo Biden), Putini që e njeh mirë vendosmërinë time, nuk do kishte ndërmarrë këtë marrëzi në 02/2022”, ndërsa garanton se: “Trump-2 do ta mbyllë për 24 orë luftën e ndaj Ukrainës…”!
Kështu “zgjidhje të forta ka” edhe për ndalimin e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, përballjen e Izraelit me Shtetet dhe Organizatat Terroriste (Hamasin, Hezbullah) ndërsa sa për paqen në Ballkan, do të “imponohet” nga zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar në dhomën ovale, midis Serbisë dhe Kosovës në kohën e administratës “Trump-1” (shtator 2020).
Kiron Skinner, e cila ka shkruar kapitullin e Departamentit të Shtetit e konsideron Kinën një kërcënim serioz për USA dhe është kritik ndaj çdo marrëveshjeje pajtuese me të. Projekti shpreh gjithashtu shqetësim për vjedhjen kineze të pronësisë intelektuale dhe akuzon “Big-Tech” se veprojnë në emër të PKK për të minuar SHBA-të. Do inkurajohet evitimi i investimeve kineze në SHBA dhe kompanitë që kërkojnë të investojnë në sektorë të ndjeshëm në Kinë do të përballen me kufizime deri te revokimi lejes.
Në përmbledhje, përtej zhurmës elektorale rreth Platformës konservatore “Trump 2”:”Nëse ka apo s’ka lidhje Trump me këtë fondacion”, mund të themi me siguri: “Ky projekt si dhe kjo analizë janë bazuar në supozimin që Trump fiton zgjedhjet e 5 nëntorit 2024”!
Në shtesë, për të mbetur i ndershëm me lexuesin dhe mijëra ndjekësit (përfshi respektin ndaj kritikëve), mund të konfirmoj se edhe si autori kësaj analize, me gjithë përpjekjen e sforcuar për ta parë si i paanshëm këtë Platformë (Trump-2) (kujtoj se kam pasur privilegjin të jem pjesëmarrës në ceremoninë e presidentit Trump-1, janar 2017), nuk mund të mohoj konsideratën e lartë për qasjen e fortë konservatore, kurajën shtetare, vendosmërinë shembullore të Presidentit Trump-1 si dhe shpresën se Trump-2 do t’ia dalë jo vetëm për USA, në përballjen me shtetin e kapur nga establishmenti i nëndheshëm (pa-votuar), interesat e filantropistëve, korrupsioni, demokracia burokratike etj.
Përtej analizës në tërësi, po paraqes edhe “tre mesazhe strategjike” që mund të nxjerrim nga Projekti-Trump/2, në raport me rajonin, Kosovën, interesat kombëtare si dhe ardhmërinë Euroatlantike të RSH.
Së pari, duke përsëritur mirënjohjen për mbështetjen vendimtare që SHBA i ka dhënë kombit për: “Njohjen e pavarësisë 112 vjet më parë; çlirimin e Kosovës para 25 vitesh; anëtarësimin e RSH në NATO në 2009 etj.”, po ashtu do të mbetet e skalitura në memorien e historisë sonë kombëtare edhe “Marreveshja Trump – 2020” nënshkruar nga dy vendet sovrane (Kosovë-Serbi) në dhomën ovale, pra nën përkujdesjen personale të Presidentit Trump-1: “paketë me investime strategjike, autostrada e paqes Beograd-Prishtinë; port rajonal në ujërat e thella të Adriatikut si dhe ‘qershia mbi tortë’, njohja nga Izraeli e Kosovës etj.”. Thënë këto, mbetem besimplotë që kjo marrëveshje deri te njohja e Kosovës edhe nga Serbia, do të “imponohet edhe nga Trump-2”, përkundër riciklimit të oshilacioneve të Millosheviçit dhe të tjerë mendjendryshkur jo vetëm në Beograd.
Së dyti, përveç regjimit të E.Hoxhës, që për 45 vjet paturpësisht e trajtonte USA si: “Xhelat botëror dhe armikun e Shqiptarëve”, shpresoj se si në 33 vitet që lamë, edhe gjatë Trump-2 ose znj.Harris, do të dështojnë me turp bollshevikët e moderuar në Tiranë, që nga fuqia e mbipushtetit, fotot me Presidentët, vizitat e personaliteteve, stërvitjet e USA/NATOs, mbështetjen/projektet ekonomike, luftën për vulën e opozitës zyrtare etj., t’iua shesin shqiptarëve si mbështetje partiake nga SHBA. E kundërta është e vërtetë, të gjithë Presidentët e USA (përfshi Trump) në 112 vjet: “Kanë qenë dhe mbeten vetëm me Shqiptarët, si dhe me interesat gjeopolitike të USA në rajon dhe Mesdhe”.
Së treti, konsideruar kontekstin e projektit ‘Trump-2’ besoj edhe më fort se edhe Shqipëria ka domosdoshmëri jetike që pas 80 vjetësh, t’i rikthehet modelit të së djathtës se Mit’hat Bej Frasherit, ku: “Familja, Atdheu, Zoti, Liria, Vota, Prona, Tregu, dinjiteti, Interesat Kombëtare, balancat demokratike e pushteteve si dhe besimi në vlerat Euroatlantike”.
Për më tej, përtej patronazhistëve të pushtetit dhe kamikazëve të vulës/listës së opozitës, mbetet misioni i përbashkët i shqiptarëve me arsye fisnike që, Shqipëria, të bëhet si USA dhe gjithë Europa, edhe për inat të politikanëve zullumqarë, shtetarëve kusarë, filantropistët globale si dhe sekserëve të gjithëpushteteve që veçanërisht 33 vitet e fundit kanë pushtuar të djathtën dhe sundojnë me “kollare demokratike” kombin tonë të bekuar.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al