Teksa Donald Trump dhe Elon Musk kanë nisur punën për mbylljen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio njoftoi se ai do të drejtojë USAID, duke konfirmuar marrjen de-fakto të agjencisë humanitare nga Departamenti i Shtetit.
Lajmi erdhi disa orë pasi Elon Musk, tha se Presidenti Donald Trump Ka nënshkruar mbylljen e agjencisë, raporton CNN.
Rubio tha se “funksionet e USAID-it” duhet të përputhen me politikën e jashtme të SHBA-së dhe se ajo është “një agjenci krejtësisht e papërgjegjshme”.
Sekretari amerikan i shtetit tha se ai po shërben si ushtrues i detyrës së administratorit të USAID-it, por theksoi se ai “ia ka deleguar autoritetin” dikujt tjetër me të cilin është në kontakt.
“E kam thënë shumë qartë gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin tim se çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë, ai program do të jetë në linjë me interesat kombëtare të SHBA-së. USAID-i ka një histori të injorimit të kësaj dhe ka vendosur që, disi është një organizatë bamirëse globale, e ndarë nga interesat kombëtare. Këto janë para të taksapaguesve”, tha Marco Rubio vizitës në El Salvador.
Kujtojmë se Elon Musk tha më herët sot se Presidenti Donald Trump ra dakord që Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar duhet të mbyllet, pas disa ditësh spekulimesh mbi të ardhmen e agjencisë pasi financimi i saj u ngri dhe dhjetëra punonjës të saj u lanë pushim.
“Për sa i përket çështjeve të USAID-it, unë e diskutova atë me presidentin në detaje dhe ai ra dakord që ne duhet ta mbyllim atë”, tha Musk në një bisedë në X Spaces të hënën.
Musk tha se kishte kontaktuar me Trump “disa herë” dhe Trump konfirmoi se dëshiron të mbyllë agjencinë, e cila shpërndan miliarda ndihma humanitare dhe fonde zhvillimi çdo vit, raporton CNN.
“Sipas udhëzimeve të drejtuesve të Agjencisë, selia e USAID në ndërtesën Ronald Reagan në Uashington, D.C. do të jetë e mbyllur për personelin e Agjencisë të hënën, më 3 shkurt 2025. Personeli i caktuar normalisht të punojë në selinë e USAID do të punojë nga distanca nesër, me përjashtim të personelit me funksione thelbësore në terren dhe mirëmbajtje të ndërtesës, të cilët do të kontaktohen individualisht nga drejtuesit e lartë”, thuhej në e-mail, një kopje e të cilit është siguruar nga CNN.
Rreth 60 punonjës të lartë të USAID-it u pezulluan javën e kaluar me akuzat për përpjekje për të anashkaluar urdhrin ekzekutiv të Trump për të ngrirë ndihmën e huaj për 90 ditë.
USAID u krijua në vitin 1961 gjatë administratës së Presidentit John F. Kennedy dhe është krahu humanitar i qeverisë amerikane. Agjencia shpërndan miliarda dollarë çdo vit në mbarë botën për të ndihmuar në uljen e varfërisë, trajtimin e sëmundjeve dhe reagimin ndaj urisë dhe fatkeqësive natyrore.
Ajo gjithashtu promovon ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin përmes mbështetjes së organizatave joqeveritare, mediave të pavarura dhe nismave sociale.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al