LEONARD DEMI
Strategë dhe zyrtarë perëndimorë argumentojnë se Ukraina nuk mund të luftojë në mënyrë efektive nëse nuk do të jetë në gjendje të sulmojë bazat ushtarake në thellësi të Rusisë, nga të cilat nisen raketa apo avionë luftarakë, që bombardojnë qytete dhe qendra industriale ukrainase; të godasë zonat e grumbullimit të forcave tokësore, industrinë e prodhimit të armatimeve, industrinë e energjisë civile, rafineritë e naftës, termocentralet dhe pjesë të tjera të infrastrukturës energjetike; ose qendrat e kontrollit politik rus. Këto sulme do të zvogëlonin efikasitetin e ofensivave të Rusisë, do të dobësonin aftësinë e saj mbrojtëse, do ta bënin veprimin ushtarak më pak të qëndrueshëm për një kohë të gjatë dhe do të rrisnin kostot e luftës për Rusinë.
Kësisoj, mëngjesin e 18 shtatorit, ushtria ukrainase shkatërroi një depo të madhe municionesh, 500 km në veri të kufirit ukrainas: arsenalin nr. 107 të ushtrisë ruse me qindra tonë municione; ndërsa, pas tri ditësh, goditi një nga tri bazat më të mëdha në rajonin e Krasnodarit, si dhe një aeroport ushtarak. Ndërkohë, ushtria ruse pushtoi qytetin Ukrainsk, që e sjell Rusinë një hap më afër qëllimit të saj të kahershëm për të pushtuar të gjithë rajonin lindor të Donetskut, të cilin, tashmë, e kontrollon pjesërisht. Pushtimi i Ukrainskut dhe sulmet në bazat e Toropets dhe Krasnodarit pohojnë një nga dinamikat kryesore të luftës në muajt e fundit: forcat ruse po fitojnë terren në Ukrainë, ndërsa Kievi po përpiqet ta pengojë këtë përparim, duke goditur me dronë bazat ushtarake dhe magazinat kyçe të operacioneve ruse.
Tani, liderët ukrainas dëshirojnë të shkojnë më tej, të bëjnë një goditje të madhe ushtarake për të ushtruar trysni mbi popullsinë ruse dhe presidentin e saj, për ta detyruar atë të negociojë për t’i dhënë fund luftës. Prandaj kërkojnë që Uashingtoni të autorizojë Kievin të përdorë armët perëndimore me rreze të gjatë veprimi për të goditur thellë në territorin rus.
Ky debat nuk ka ndonjë përcaktim të vërtetë ushtarak, por ngërthen një tërheqje emocionale, që udhëheqësit ukrainas e përdorin për të ushtruar trysni ndaj Shtëpisë së Bardhë për municione gjithnjë e më të fuqishme. Shtetet e Bashkuara kanë armë që mund të fluturojnë shumë më larg se distanca midis Kievit dhe Moskës, por druhen t’ia japin Ukrainës nga frika se një sulm ndaj kryeqytetit rus me armë amerikane mund të ndezë një luftë të tretë botërore.
FRONTI ALEAT
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar dhe zyrtarë të lartë në Francë kërkojnë që, së bashku me amerikanët, të ngrenë një front të bashkuar për konfliktin me Rusinë me qëllim që t’i japin Ukrainës shansin më të mirë për të qëndruar dhe të jetë në gjendje të negociojë me sukses përpjekjet për një paqe të ardhshme. Kësisoj, Britania e Madhe këmbëngul për të lejuar Ukrainën të përdorë raketat frankobritanike Storm Shadow të godasë Rusinë në thellësi. Më herët, edhe Franca e ka mbështetur iniciativën, por raketat e veta SCALP mund të përdoreshin vetëm kundër objektivave ushtarake të lidhura drejtpërdrejt me përpjekjet luftarake të Moskës në Ukrainë. Në vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë, më 13 shtator, Kryeministri Starmer nuk e mori këtë miratim. Presidenti Bajden hezitoi të lejonte Ukrainën të përdorë raketat franko-britanike me rreze të gjatë veprimi. Nga ana tjetër, Kancelari gjerman Olaf Scholz mbetet kundër idesë që Ukraina të përdorë armë gjermane me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar objektiva në territorin rus, edhe nëse vendet e tjera vendosin ta lejojnë këtë.
Pesë ish-sekretarë të mbrojtjes britanike dhe ish-kryeministri Johnson i kanë kërkuar Kryeministrit Starmer të lejojë Ukrainën të përdorë raketat britanike Storm Shadow me rreze të gjatë veprimi edhe pa mbështetjen e SHBA-së. Ata vërejnë se dështimi i përpjekjes do të ishte për Britaninë një “shmangie nga detyra. E vetmja mënyrë reale për t’i bërë ballë një dhunuesi si Putini është të jesh i fortë, i bashkuar dhe i vendosur për ta arritur atë. “Mirëpo, qeveria britanike ka nevojë për miratimin e SHBA përpara se të lejojë Zelenskin të përdorë pa asnjë kufizim raketat Storm Shadow, sepse pa mbështetjen amerikane, ato mund të përgjohen nga mbrojtja ajrore ruse, që do të thotë të shkatërrohen ose të devijohen nga kursi. Ekspertët thonë se raketat nuk fluturojnë drejt e tek objektivi i tyre, ato përdorin sistemin GPS dhe të dhënat e hartës së terrenit. Lufta elektronike ruse e ka bërë GPSnë të padobishëm. Ata e bllokojnë atë. Në këtë rast, raketa Storm Shedow, duhet të përdorë një grup tjetër të dhënash, të cilin e zotërojnë amerikanët.
Storm Shadow dhe versioni francez, SCALP, mund t’i jepnin ndihmë të konsiderueshme Ukrainës, por Pentagoni këmbëngul se asnjë armë nuk është vendimtare në vetvete dhe se problemi kryesor i Ukrainës është mobilizimi.
REAGIMI RUS
Për Presidentin Putin, nëse Ukraina godet me raketa perëndimore thellë në Rusi, kjo do të thotë se Rusia është në luftë me NATO-n dhe Moska do të përgjigjet në përputhje me rrethanat. Kësisoj, ai vëren: “Nëse merret ky vendim, nuk do të thotë asgjë tjetër përveç përfshirjes së drejtpërdrejtë të shteteve të NATO-s: Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane po luftojnë me Rusinë. Dhe, nëse po, duke pasur parasysh ndryshimin në vetë thelbin e këtij konflikti, ne do të marrim vendimet përkatëse bazuar në kërcënimet, që do të na krijohen.”
Sipas Presidentit Putin, pasojat do të jenë të tilla që nuk janë parë kurrë në histori: së pari, rusët do të përmirësojnë sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore për të shkatërruar raketat perëndimore dhe së dyti, zoti Putin do të dërgojë armë të së njëjtës klasë në mbarë botën, ku do të synojnë objektet e ndjeshme të vendeve, që do lejojnë Ukrainën të godasë Rusinë me armët e tyre.
Kryeministri polak Tusk është shprehur se nuk u jep rëndësi të tepruar deklaratave të fundit të Putinit. Ato, vëren ai, tregojnë, më tepër, situatën e vështirë, që kanë rusët në front, që, sipas inteligjencës britanike, i ka kushtuar Rusisë më shumë se 610,000 ushtarë, të vrarë ose të plagosur. Po kështu, zyrtarët britanikë besojnë se kërcënimet e Putinit janë boshe: në 18 muajt e parë të luftës, rusët kërcënuan me hakmarrje bërthamore 38 herë dhe kur perëndimi dërgoi tanke në Ukrainë, presidenti rus tha se do të synonte bazat e NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, mbështet aleatët britanikë dhe francezë për të autorizuar Kievin të përdorë raketa Storm Shadow dhe SCALP për të goditur Rusinë. Ai thekson se autorizimi i përdorimit të tyre ishte çështje e vendeve individuale dhe jo e NATO-s. “Është e gabuar”,- thotë ai, “të thuhet se aleatët e NATO-s do të ishin palë në konflikt nëse lejojnë që armët të përdoren kundër objektivave legjitime në territorin rus. Koreja e Veriut dhe Irani po ofrojnë mbështetje të konsiderueshme ushtarake për Rusinë pa u bërë palë e drejtpërdrejtë në konflikt”.
Pak ditë më parë, edhe Parlamenti Evropian, me anë të një rezolute, bëri thirrje për heqjen e menjëhershme të kufizimeve për përdorimin e armëve perëndimore në territorin rus.
DY VJET E GJYSMË
Pas dy vjet e gjysmë luftimesh me intensitet të lartë, liderët ukrainas mund të mburren se qëndrojnë përballë një pushtuesi të njohur si shumë i fuqishëm, sidoqoftë, ata i frikësohen luftës pafund. Inkursioni i Kurskut qe një rritje morali afatshkurtër, por tregoi se qenë të aftë të rifitonin iniciativën.
Më 26 shtator, pas pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Zelenski do të pritet nga Presidenti Bajden dhe zëvendëspresidentja Harris në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë këtyre dy takimeve të veçanta, liderët do të bëjnë një bilanc të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, do të diskutojnë planin strategjik të Ukrainës (plani i paqes dhe plani i fitores) dhe mbështetjen amerikane për Kievin, për të cilën si presidenti Bajden, edhe zonja Harris dëshirojnë të jenë “të palëkundur”. Z. Zelenski do të takohet, gjithashtu, edhe me ish-presidentin dhe kandidatin për president, Donald Trump.
Disa aleatë besojnë se diplomacia e Ukrainës është më shumë e zhurmshme sesa efektive. Shumë iniciativa dhe konferenca, dhe jo punë e mjaftueshme me vetëpërmbajtje për një rezultat të mundshëm politik të konfliktit. Ushtria është e rraskapitur nga një luftë e pandërprerë me dronë, e pashembullt në historinë e luftimeve. Ukraina nuk ka ushtarë të mjaftueshëm për të luftuar në një luftë, që nuk dihet se kur mbaron. Sidoqoftë, vërejnë analistët, Ukraina duhet të përshkallëzojë luftimet për të qenë mjaft e fortë që të arrijë një zgjidhje të pranueshme, por pa siguruar armatimet e shumta që i nevojiten, Ukraina mund të detyrohet të pajtohet me kushtet e Vladimir Putin për të ndalur sulmin e tij brutal.
MATURIA E PRESIDENTIT BAJDEN
Diskutimet e Presidentit Bajden me Kryeministrin britanik janë dëshmi se presidenti amerikan mbetet thellësisht i shqetësuar nga nisja e një konflikti të rrezikshëm e me përshkallëzim më të gjerë. Shqetësimet amerikane janë dyplanësh:
Së pari, zoti Bajden kërkon që lufta të mos përshkallëzohet. Herë pas here, ai u ka tërhequr vëmendjen bashkëpunëtorëve të vet se prioriteti i tyre është “shmangia e Luftës së Tretë Botërore.”
Shqetësimi i dytë amerikan është praktik: zyrtarë të Pentagonit nuk besojnë se Ukraina ka mjaftueshëm raketa “ATACMS”, “Storm Shadow” dhe “SCALP” për të bërë një ndryshim strategjik në fushën e betejës. Rrezja e veprimit e këtyre raketave, theksojnë ata, është e mirënjohur dhe Rusia, tashmë, i ka zhvendosur avionët dhe armatimet më të rëndësishme përtej rrezes së tyre. Për më tepër, zyrtarët amerikanë thonë se nuk mund t’i ofrojnë më shumë Ukrainës. Pentagoni ka paralajmëruar se duhet të mbajë një rezervë të shëndetshme armësh në rast të ndonjë shpërthimi luftimesh qoftë në Evropë apo në Azi. Meqenëse këto raketa janë tepër të shtrenjta, ata pretendojnë se Ukraina do të ishte më efektive në fushën e betejës nëse paratë e parashikuara për raketa do t’i shpenzonte për dronë.
Sot, Presidenti Putin nuk po tregon asnjë prirje për negociata reale dhe objektivi i paqes mbetet shumë hipotetik. Megjithatë, Zelenski dëshiron që Presidenti Bajden, para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë, të miratojë ftesën për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në fund të luftës. Ukrainasit janë të bindur se e vetmja garanci sigurie për ta është neni 5 i Aleancës: mbrojtja kolektive. Ndoshta, Zelenskit i janë rritur shpresat nga një shprehje e Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare, se Presidenti Bajden do të përfitojë nga katër muajt, që i mbeten, për ta vënë Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm. Por, Presidenit Bajden i qëndron idesë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ndizte Luftën e Tretë Botërore dhe suksesi i trashëgimisë së tij është pikërisht ndihma e matur që i ka ofruar Ukrainës për të mënjanuar përshkallëzimin, për të shmangur një Luftë të Re Botërore.
Edhe pse prapa skenave, në disa vende evropiane, vihet re një “lodhje”, Shtetet e Bashkuara, Polonia, Britania e Madhe dhe Franca janë të palëkundura në mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe planin e Presidentit Zelenski që thuhet se përfshin sigurinë e Ukrainës, marrëdhëniet e saj me BE-në dhe NATO-n, ndihmën e vazhdueshme ushtarake dhe ekonomike, si dhe rindërtimin pasluftës./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al