“T’u rimbursojmë çdo qindarkë të…”- Tabaku dhe Bardhi me një propozim të ri ligjor në Kuvend: Të qëndrojmë krah profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme

Sep 18, 2024 | 12:02
SHPËRNDAJE

Dy muaj pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar taksën mbi Profesionet e Lira si një taksim antikushtetues dhe të padrejtë, mijëra taksapagues ankohen se përpara këtij vendimi ato janë detyruar nga qeveria për të paguar këtë taksë.

bardhi tabaku

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, së bashku me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, kanë ndërmarrë një iniciativë ligjore për rimbursimin e taksave të paguara padrejtësisht nga profesionistët e lirë.

” Ky është propozimi ligjor që, bashkë me z. Bardhi, po dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë ,” deklaroi Tabaku në videon e postuar në rrjetet e saj sociale. Ajo theksoi se, gjatë kohës kur vendimi ishte në shqyrtim, qeveria vazhdonte t’u kërkonte këto taksa bizneseve të vogla dhe profesionistëve të lirë, duke treguar një qëndrim të padrejtë ndaj shtresës së mesme.

propozimi ligjor-bardhi tabaku

Tabaku kritikoi ashpër qeverinë për mosveprimin e saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t’u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton“, u shpreh ajo.

Gazmend Bardhi, në mbështetje të këtij propozimi, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare.

“Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të tyre dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend,” deklaroi Bardhi.

Pritet që propozimi ligjor të diskutohet në Kuvend, ku PD do të kërkojë mbështetjen e të gjithë deputetëve për miratimin e tij, në mënyrë që drejtësia dhe barazia të jenë themeli i politikave fiskale në vend.

Fjala e plotë:

Ky është propozimi ligjor që, bashkë me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bardhi, po dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli taksën ndaj profesionistëve të lirë të pandershme, antikushtetuese dhe të padrejtë.

Ndërkohë që vendimi shqyrtohej në Gjykatën Kushtetuese, qeveria vazhdonte t’i trokiste dyerve të bizneseve, si gjithmonë e fortë me të dobëtin, dhe kërkonte këtë taksë që sot është shpallur antikushtetuese.

Çfarë do të ndodhte nëse unë, një biznes apo një qytetar, do të ishim debitorë ndaj qeverisë?

Ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë. Ndërkohë që sot, në arkën e shtetit janë paguar këto para që duhet të rikthehen, qeveria nuk po i rikthen. Duke qenë se ata po hezitojnë, ne po bëjmë një propozim ligjor për rimbursimin e pagesave të gjithë profesionistëve të lirë, për t’i shkuar deri në fund betejës që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar për profesionet e lira në Gjykatën Kushtetuese, derisa kjo shtresë, që sot është një nga më punëtoret, të mbrohet deri në fund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura