Tubimi i opozitë/ Deputeti gjerman Krichbaum: Partia Demokratike duhet të ndryshojë kreun

Oct 8, 2024 | 17:48
SHPËRNDAJE

Gunther Krichbaum, zëdhënësi për çështjet evropiane i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, ka reaguar ashpër ndaj protestave të dhunshme të zhvilluara së fundmi në Tiranë nga përkrahësit e Partisë Demokratike, duke i cilësuar ato të papranueshme për një vend kandidat për në Bashkimin Evropian.

cdu csu

Në një deklaratë për media, lëshuar të martën në Berlin, Krichbaum  ka bërë thirrje për distancimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit Sali Berisha nga aktet e dhunshme: Nëse Berisha do të kishte ende sadopak besueshmëri, ai do të duhej të distancohej menjëherë nga kjo lloj proteste dhe t’i përjashtonte  të dhunshmit nga partia. “Fatkeqësisht lind dyshimi se Berisha po i nxit më tej këto protesta”.

Mosbindje civile kundër qeverisë Rama

Protestat që filluan të hënën në Tiranë janë organizuar nga opozita e djathtë, veçanërisht përkrahësit e Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Protestat janë përshkallëzuar në dhunë, me disa protestues që kanë hedhur kokteje Molotov ndaj ndërtesave qeveritare, përfshirë selinë e Partisë Socialiste dhe Ministrinë e Brendshme.

Shkaku kryesor i këtyre protestave lidhet me akuzat për korrupsion ndaj qeverisë së Ramës, si dhe me arrestimin e deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, të cilin opozita e konsideron një akt politik të motivuar nga hakmarrja. Opozita gjithashtu kërkon lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak, ku ndodhet për akuzat e korrupsionit. Berisha u vu në arrest shtëpie dhjetorin e kaluar, ndërsa hetohej për një ligj që thuhet se i dha dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, përfitime financiare në një projekt ndërtimi. Si Berisha, ashtu edhe Malltezi i mohojnë akuzat, duke pretenduar se janë viktima të një hakmarrjeje politike. Pavarësisht hetimeve, Berisha rimori drejtimin e Partisë Demokratike dhe në korrik u konfirmua nga një gjykatë në Tiranë, si kryetari i saj./dw

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura