Turi i kryeministrit Edi Rama, të dielën me emigrantët në Londër: Radha me shqiptarët e Britanisë së Madhe! Ja kur do të zhvillohet takimi

Nov 23, 2024 | 7:47
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë ditën e diel takim me shqiptarët në Londër. Kjo vizitë në diasporë organizohet në kuadër të turit të bashkëbisedimit, pas vendosjes të së drejtës së votës për çdo shqiptar jashtë Shqipërisë.

edi rama

“Radha e takimit me shqiptarët e Britanisë së Madhe, në rrugën drejt Shqipërisë 2030”, – shkruan Rama. Njoftimin kreu i qeverisë e bëri në rrjetin social “Facebook”, shoqëruar edhe me posterin “Krenar për Shqipërinë”, i caktuar për në orën 12:00.

Ky është takimi i radhës i kryeministrit, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, në kuadër të turit të tij të bashkëbisedimit me diasporën dhe zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Rama është takuar më parë me shqiptarët që jetojnë në Greqi (dy herë), në Itali, dy vende me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, si dhe në SHBA. Më herët kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, publikoi pamje nga takimi më anëtarët e Akademisë Politike të partisë së tij.

Sipas Ramës, rritja e interesimit të të rinjve të mirëshkolluar dhe të gatshëm për angazhim qytetar e politik me Partinë Socialiste, rrit energjinë pozitive të të vetmes forcë reale udhëheqëse të Shqipërisë 2030.

Kjo akademi funksionon në kuadrin e rienergjizimit të Partisë Socialiste. Në këtë akademi të rinjtë mësojnë më shumë për historinë dhe idetë e partive progresiste, por edhe të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Kjo është shkolla e parë e lidershipit të së majtës moderne. Stafi i Akademisë Politike përbëhet nga pedagogë të përzgjedhur dhe profesionistë në fushat e tyre, të përkushtuar dhe të motivuar për t’u dhënë studentëve njohuritë e duhura.

Lektorët janë politikanë të shquar, parlamentarë, udhëheqës të niveleve të ndryshme, diplomatë, profesorë universiteti dhe analistë të njohur, studiues e gazetarë, që kontribuojnë me dijen, përvojën, studimet dhe analizat e tyre. Partia Socialiste hapi më 9 prill aplikimet për regjistrime në Akademinë Politike.

Pjesëmarrja në këtë akademi konsiderohet një eksperiencë e re për të rinjtë e të rejat që duan më tepër njohuri mbi zhvillimet e lëvizjeve të partive progresiste dhe sigurisht të PS-së. Përmes pjesëmarrjes në këtë akademi të rinjtë fitojnë një eksperiencë të re duke mësuar më shumë mbi historinë, idetë, zhvillimet e lëvizjeve të partive progresiste.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura