Turpërimi në derbin e Madoninës, mbrojtësi i Milanit: Duam të ringrihemi, Njukasëlli nuk është shaka

Sep 19, 2023 | 11:18
SHPËRNDAJE

Milani ka kaluar një fundjavë të turbullt pas humbjes së thellë në derbin e Milanos kundër Interit (1-5).

fikayo-tomori-pictured-while-representing-ac-milan-in-serie-a-game-against-napoli

Gjithsesi, në kampin kuqezi nuk ka kohë për të humbur. Te dera është Njukasëlli, me kuqezinjtë që do të presin anglezët në “San Siro” në takimin e parë në fazën në grupe në Ligën e Kampioneve. Një ndeshje që mund të shërbejë si një ringritje pas plagëve të shkaktuara në derbi. Këtë mendim ndan edhe mbrojtësi i Milanit, Fikajo Tomori.

“Pas një disfate si ajo ndaj Interit duam të luajmë sërish, nëse mund të luajmë të nesërmen do të luajmë. Ne duam të tregojmë dëshirën dhe aftësinë për t’u rikthyer te fitorja: kjo ndaj Njukasëllit është mundësia më e mirë për ne”, deklaroi ai për “Milan TV”.

Duke vijuar me intervistën e tij, Tomori ka bërë apel për kujdes ndaj anglezëve.

“Dëshira jonë për të bërë mirë në Ligën e kampioneve nuk na mungon. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se në këtë sezon grupi është më i ndërlikuar. Por Champions-i vërtet nuk të jep shumë mundësi zgjedhje, do të përballesh gjithnjë me më të mirët. Njukasëlli është një skuadër tipike angleze, por ne jemi gati për t’u përballur me më të mirët dhe duam ta nisim me këmbën e mbarë. Duam të fitojmë dhe ta nisim grupin me një sukses”, deklaroi mbrojtësi kuqezi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura