Turqia i ka dhuruar Shqipërisë disa dronë kamikazë, për të cilin Rama falënderoi presidentin Erdogan, por theksoi se nuk duhet të shqetësohet askush, pasi vendi ynë nuk ka ndërmend të godasë askënd.
“Nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që mban brenda një mesazh të qartë të Turqisë, në raport me këtë marrdhënie që Shqipëria është e pagoditshme”, u shpreh kreu i qeverise.
Rama foli edhe per marrëveshjet e firmosura, duke u ndalur tek hapja e deges se Universitetit Teknik të Stambollit në Tiranë.
Ndërsa sa i takon turizmit, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se ne kete vit qe lame pas ka pasur shume turiste te turq.
“Së pari, dua të përsëris edhe njëherë, për të disatën herë qysh kur presidenti ka ngjitur shkallët e kësaj godine, falënderimet dhe shprehjen më të sinqertë të mirënjohjes për vizitën sot në Tiranë, së bashku me një pjesë të konsiderueshme të ekipit të tij qeveritar. Ejvallah!
Jam vërtetë shumë i kënaqur që zhvilluam takimin e dytë të Këshillit të nivelit të lartë të Bashkëpunimit ku jo vetëm konfirmuam vendosmërinë për ta forcuar më tej karakterin strategjik të këtij bashkëpunimi por edhe mundën të vlerësojmë zbatimin konkret të marrëveshjeve të bëra si edhe potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj marrëdhënieje.
Presidenti i Republikës së Turqisë e përsërit sa herë takohemi dhe me shumë të drejtë që niveli i shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk e pasqyron ashtu siç duhet potencialin mes dy vendeve dhe sikundër e dëgjuat dhe nga ai vetë, ambicia jonë është që sa më shpejt ne të arrijmë tavanin e 2 miliardë eurove për të çelur pastaj një fazë të dytë me edhe më shumë zhvillim të këtyre shkëmbimeve.
Nga ana tjetër, ndava me Presidentin kënaqësinë që në tërësinë e zhvillimit shumë inkurajues të turizmit në vendin tonë, numri i qytetarëve turq që kanë vizituar Shqipërinë gjatë 8 muajve të parë të këtij viti është rritur me 85% dhe nga ana tjetër, duke parë interesimin në rritje të përditshme të agjencive dhe të operatorëve turistikë të vendit mik, ne jemi besimplotë që vitin e ardhshëm, numri i qytetarëve turk që do të vizitojnë Shqipërisë do të jetë ende më mbresëlënës.
Në këtë aspekt, presidenti ritheksoi dhe patjetër që ramë plotësisht dakord që duhet të bëhet më shumë për investime të drejtpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit ku e dimë të gjithë dhe falë, në radhë të parë, të zotërisë në krahun tim, Turqia ka bërë një transformim marramendës dhe është kthyer në një vend që jo thjesht mirëpret miliona e miliona turistë, por ka një kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer.
Nga ana tjetër, sot ne firmosëm disa marrëveshje, të gjitha të rëndësishme, por më e rëndësishmja dhe më e mirëpritura dhe pak si e shumëpritura nga ana jonë ishte firmosja e marrëveshjes për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme në disa aspekte dhe patjetër që është diçka që do të sjellë një hapësirë të re studimesh të larta të nivelit të lartë botëror pasi Universiteti Teknik i Stambollit është i kuotuar ndër universitetet më të mira të botës, por dhe për një arsye tjetër, sepse është hera e parë në praktikën e Republikës së Turqisë që bën diçka të tillë dhe kjo thjesht dhe vetëm për përkushtimin e presidentit Erdogan ndaj kësaj marrëdhënieje vëllazëror dhe prandaj dua që ta falënderoj specifikisht për këtë marrëveshje të nënshkruar sot dhe uroj dhe dua të besoj që edhe në implementim, njerëzit që do të merren me zbatimin e marrëveshjes do të kenë, të paktën, gjysmën e energjisë dhe të këmbënguljes të presidentit sepse t’i kërkosh që ta kenë të tërën është diçka që është jo realiste.
Nga ana tjetër, ne jemi shumë të interesuar dhe patjetër edhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak ku dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapacitetesh për prodhimin e industrisë ushtarake dhe ku ne kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë.
E thashë në hapje të mbledhjes së Këshillit dhe e përsëris që unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim, të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë.
Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”, tha Rama.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al