Gjykata ka liruar tre punonjësit e burgut të Shënkollit të cilët u arrestuan pas arratisjes së 49-vjeçarit Daut Laze, u liruan nga qelia.
Gjatë seancës gjyqësore, mësohet se ata kanë deklaruar se kanë qenë në detyre, por nuk e kanë konstatuar sesi u arratis Laze
Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Lirim Bulica pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tre punonjësve të burgut dhe vendosi ndaj tyre masat e sigurisë “Arrest në Shtëpi” për Gjin Ndoken punonjës shërbimi në kupole dhe Mark Nikolli punonjës në sektor (grup sigurie), ndërsa (operatore e kamerave) Zhaneta Mella u vendos masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Arratisja e Daut Lazes nga burgu
Daut Laze u arratis nga burgu i Shënkollit më 3 shkurt 2025. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, nuk rezulton që 49-vjeçari të jetë ndihmuar nga persona të tjerë brenda burgut që janë staf, por ai ka shfrytëzuar momentet që ka qenë në sektorin e trajtimit mjekësor.
Ai ka shfrytëzuar momentet kur nuk ka pasur staf të burgut pranë tij dhe ka dalë jashtë në ajrim dhe aty ka marrë një llamarinë dhe duke e mbështetur te muri mbi 4 metra i lartë, është ngjitur nëpërmjet llamarinës dhe ka kapërcyer murin.
Më pas, ai ka kaluar edhe rrjetën rrethuese dhe është larguar me vrap në arat fushore pranë burgut të Shënkollit.
Ndërkohë, nëna e Daut Lazes ka treguar për mediat se nuk ka asnjë informacion për të birin.
“Jam nëna. S’ka telefonuar. Nuk kemi asnjë haber fare, po të kisha do të thosha”, është shprehur ajo për mediat.
Gardianët kanë konstatuar mungesën e tij vetëm në momentin kur është bërë ndërrimi i turneve, ndërkohë Policia e Shtetit është vënë në ndjekje të tij.
Përveç kontrolleve të imtësishme nëpër vendet ku dyshohet që mund të strehohet, policia kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve duke hedhur shpërblimin prej 10 mijë euro kush jep informacion për vendndodhjen e tij, por deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme u bë me dije se nuk kishte asnjë gjurmë të shtetasit Daut Laze, 49 vjeç, i cili përpos të tjerave, është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Drejtoria e Burgjeve ka theksuar se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe se është arrestuar që prej vitit 2021. 49-vjeçari nga Çorovoda, por me banim në Tiranë, mësohet se ndodhej i shtruar në dhomën e mjekimeve në spitalin e burgut të Shënkollit.
Daut Laze është arrestuar më 16 nëntor të vitin 2021 për dhunë në familje. Në 4 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës vendosi për të “Mjekim të detyruar në një institucion spitalor”, dënim të cilin po e vuante në burgun e Shënkollit, aty ku u zhvendosën të gjithë të dënuarit me probleme të shëndetit mendor pas mbylljes së Zaharisë për kushte çnjerëzore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al