Nga Joana Doda & Prof. Ass. Dr. Albert P. Nikolla
– Përndjekja e shkencëtarëve shqiptarë, në vitet 1945-1955; lidhja ndërmjet shkencës dhe ideologjisë – rasti i përndjekjes së inxhinier Petraq Qafokut! –
Metodologjia
Në pjesën fillestare analiza do të ketë një qasje filozofike, për të sqaruar lidhjen ndërmjet ideologjisë dhe shkencës, sipas modelit të filozofisë marksiste dhe nga ana tjetër, do të bëhet një qasje kritike ndaj kësaj rryme, bazuar kryesisht te vepra e filozofit francez Zh. Mariten. Do të shikohen në mënyrë kritike, vizoni marksist i njeriut dhe reduktimi i këtij të fundit në një objekt, përkundër kritikës së Maritenit, i cili mbron përmasën njerëzore të personit. Në këtë pikëpamje do të shohim se si trajtohet rasti i inxhinier Petraq Qafokut, nga gjykata komuniste e nga Sigurimi i Shtetit dhe se si, nëpërmjet dhunës, dijet e tij, përdoren për të “mirën socialiste”.
Pra, regjimi e shikonte industrializimin si mjet për mbrojtjen dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare, bazuar në parimin e barazisë. Në fazat e para, të cilave u referohet edhe studimi ynë, ky lloj komunizmi, sipas një forme “të përshtatur shqiptare”, ecën me modele që nuk i referohen aq shumë teorisë marksiste, por kryesisht modeleve jugosllave, apo sovjetike. Një ndër fazat më të dhunshme të këtij procesi, është edhe ajo e futjes së Shqipërisë në fushatën e kolektivizimit të bujqësisë, që krijon një tragjedi të vërtetë në popull.
Dhuna ishte mjeti i pazëvendësueshëm i kolektivizimit dhe në emër të “barazisë”, dhunohej sistematikisht pasuria private e personave dhe e familjeve. Në emër të barazisë, shumica ndëshkohet në favor të “klasës udhëheqëse”, që nuk bën gjë tjetër veçse hedh bazat e një falimentimi të pashmangshëm, të vetë kolektivizmit dhe sistemit në tërësi. Ja si e përkufizon J. Ratzinger, dështimin e zhvillimit që bazohet vetëm te teknologjia si e tillë:
“…Zhvillimi i popujve degjeneron, nëse shoqëria njerëzore mendon se mund të ‘rikrijojë’ vetveten duke u besuar ‘mrekullive’ të teknologjisë. Në të njëjtën mënyrë zhvillimi ekonomik bëhet i rremë dhe i dëmshëm nëse u beson vetëm ‘mrekullive’ të financës për të mbështetur një zhvillim jo të natyrshëm dhe konsumist”. Në këtë kontekst, absurd të zhvillimit industrial të vendit, futet edhe dashakeqësia që regjimi bën kur ndërton akt-akuzën për inxhinier Petraq Qafokun: “ky inxhinier, nuk i ka premisat morale për të dhënë një kontribut me vlerë ideologjike, në ndërtimin e socializmit”
Thelbi i moralit komunist, kërkon që çdo person duhet të dëshmojë një dashuri të pakufishme për Partinë dhe pushtetin popullor dhe të punojë me vetëmohim, për socializmin. Inxhinier Qafoku pohon edhe vetë, me një sinqeritet tipik të një intelektuali të nivelit të lartë, se ai është i edukuar me kulturë dhe edukatë fashiste, gjatë studimeve në Romë. Sigurisht, për një mendje të kthjellët e normale, kjo nuk do të thotë automatikisht se është agjent i fashizmit. Por për një hetues komunist, kjo është premisa kryesore e hetimit.
Ja një pjesë dialogu ndërmjet hetuesit dhe inxhinier Qafokut, që nxjerr në pah lartësinë e tij morale, ku sinqeriteti është arma e tij më e fuqishme, që do ta ndihmojë më vonë edhe në reduktimin e dënimit:
Pyetje: Si element dhe kuadro i fashizmit Italian, çfarë aktiviteti ke kërryhur dhe si e ke ndihmuar regjimin Fashist Italian?
Përgjigje: “S’kam treguar ndonjë aktivitet pro fashizmit Italian. Megjithëse kam patur një edukatë dhe kulturë fashiste”.
Dialogët mes inxhinier Qafokut dhe hetuesit, janë një burim mjaft interesant antropologjik, për të kuptuar dramën e të akuzuarit dhe anën groteske të regjimit. Këmbëngulja e hetuesit për të nxjerrë në pah mungesën e moralit komunist tek inxhinier Qafoku, e detyron këtë të fundit, të fillojë ironinë me hetuesin. Tashmë inxhinier Qafoku e ka kuptuar, se dënimi është i pashmangshëm dhe përdor një ironi therëse, duke e çarmatosur hetuesin, i cili me pohimet e Qafokut, e ndien veten në lartësinë e detyrës, si hetues i regjimit komunist:
Pyetje: Cila ka qenë detyra jote si Shqiptar, të qëndrojë e të luftonje fashizmin që okupoi atdheun; apo të riktheheshe në Rromë, në shkolla dhe në vatrën e fashizmit, siç je kthyer?
Përgjigje: Detyra ime ishte të qëndroja në Shqipëri si shokët dhe të merrja pjesë në Lëvizjen N.Ç.L., por unë veprova në të kundërtën, u ktheva në universitetin e Romës Fashiste; qëndrimi im në këtë rast, ishte i keq dhe jo i mirë.
Inxhinier Qafoku e pranoi se nuk ishte “njeri i ri”, nuk ishte i përshtatshëm për moralin komunist të Shqipërisë së re. Veç anës morale, të papërputhshme me moralin komunist, mësimet e diktatorit Hoxha, të vëna në jetë nga hetuesi në këtë rast, nxjerrin në pah edhe faktin se inxhinier Qafoku, nuk ka as shpirtin e heroizmit, i cili është i domosdoshëm për “njeriun e ri” komunist.
“…Tipari heroik është një anë e figurës së pasur morale të njeriut të ri dhe nuk mund të përfytyrohet i veçuar nga tërësia e vetive, që përcaktojnë personalitetin e tij”.
Nga dialogu i sapo-cituar, del në pah mungesa e “heroizmit komunist” të inxhinier Petraq Qafokut. Ai, duke qenë një intelektual i rafinuar, e ka mjaft të qartë anën groteske të heroizmit komunist dhe keqpërdorimin që regjimi u bën njerëzve, duke i përdorur si “mish për top”, për këtë arsye zgjedh të luajë me ironinë dhe të pranojë disa të vërteta që mund ta dënojnë, por që nuk e çojnë drejt dënimit me vdekje.
“Njeriu i vjetër”, nuk është vetëm moralisht i keq dhe pasiv. Ai, sipas mendësisë së regjimit, vepron kurdoherë kundër pushtetit popullor dhe saboton zhvillimin shkencor e teknologjik të komunizmit. Vetë diktatori Enver Hoxha, jep direktiva se si duhet pasur kujdes ndaj sabotatorëve dhe ngre “vigjilencën”, duke pohuar se; intelektualët janë të rrezikshëm, ndërkohë që “njerëzit tanë të rinj”, janë ata që do ta ndërtojnë socializmin:
“Që në muajt e parë pas çlirimit, na u desh të luftonim dhe të lanim hesapet me sabotuesit italianë, me në krye ish-drejtuesin e shoqërisë italiane, dhe të ndesheshim me punën armiqësore të disa inxhinierëve reaksionarë shqiptarë. Por si atëherë, kur pothuajse na mungonin fare mjetet dhe kuadrot, ashtu edhe më pas, kur kuadrot tanë për nga dituria dhe eksperienca ishin, si të thuash, nxënësit e specialistëve sabotatorë sovjetikë, ne nuk mbetëm pa naftë, për arsye të zotësisë e të vendosmërisë së njerëzve tanë”.
Pika e parë e akt-akuzës fillon me akuzën se i pandehuri Petraq Qafoku, gjatë studimeve në Itali, ka përvetësuar kulturën fashiste e për rrjedhojë, ai ka propaganduar fashizmin. Kjo akuzë është mjaft e rëndë, përgjatë gjithë kohës së diktaturës, por mund të konsiderohet veçanërisht e rëndë, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur propaganda komuniste mbi luftën e bënte akoma më të rëndë një akuzë të tillë, ku flitej për bashkëpunim me armiqtë fashistë. Pra, inxhinier Petraq Qafoku, ishte një rrezik potencial për komunizmin dhe si i tillë duhej burgosur.
Gjithë dialogu midis Qafokut dhe hetuesit, ka një peshë të madhe antropologjike dhe nxjerr në pah një hipotezë të ngritur prej vitesh nga filozofi H. Marcuse, i cili pohonte se marksizmi sovjetik; është kthyer në një “shkencë të mënyrës së sjelljes”. Hetuesi kërkon me ngulm çdo element të “sjelljes” së inxhinier Qafokut. Jemi në një panoramë krejt të ngjashme me atë sovjetike, ku hetuesia dhe mjetet e tjera të dhunës, veprojnë ndaj intelektualëve sipas një metode “të trajtimit si fëmijë”.
Rasti i burgosjes, dënimit dhe lirimit të parakohshëm prej burgut të Peyraq Qafokut, është mjaft interesant për të evidentuar disa veçori të regjimit, që ndodhej përballë dy shtysave të forta në ushtrimin e diktaturës: nga njëra anë ishte nevoja për dhunë dhe terror, e cila ishte thirrja e përbrendshme e një regjimi diktatorial; nga ana tjetër regjimi, është i vetëdijshëm se ka nevojë edhe për lëshime në interes të pushtetit.
Antropologu gjerman H. Popitz, e shtjellon mjaft qartë këtë veti antropologjike të përdorimit të dhunës nga regjimet diktatoriale, në librin e tij ‘Phänomene der Macht’, ku nënvizon faktin se hapi i parë i ushtrimit të pushtetit, është pikërisht përdorimi i dhunës, ndërkohë që në një hap të mëtejshëm, regjimi përdor instrumentalizimin: kërcënon dhe njëherazi bën lëshime sipas nevojës, për të mbajtur pushtetin.
Inxhinier Qafoku dhe mjaft profesionistë të tjerë që janë të domosdoshëm për arsye teknike për regjimin, për shkak të përgatitjes së tyre profesionale, i nënshtrohen dhunës, pasi ata duhet të kuptojnë se nuk janë të lirë dhe nuk duhet të kenë asnjë pretendim për pushtet. Vetë natyra e personave të përgatitur profesionalisht, i bën ata të rrezikshëm për pushtetet diktatoriale, sidomos kur këto të fundit udhëhiqen nga persona mediokër dhe në të shumtën e rasteve, nga injorantë. Dëshmitë nga familjarë e të afërm të inxhinier Qafokut, na sjellin mjaft rrëfime, se si ai është kërcënuar disa herë me vdekje, sidomos përgjatë periudhës së hetuesisë. Antropologjikisht, kërcënimi me vdekje, është më i rëndi e më ekstremi dhe nëpërmjet tij, regjimi kërkon bindjen e verbër dhe absolute, nga ana e të persekutuarit. Kërcënimi me aktin e vrasjes, luan rolin e simbolit antropologjik të fitores absolute të regjimit, mbi të persekutuarin e tronditur.
Akt-akuza vazhdon me hipotezën e bashkëpunimit me inxhinierë të huaj që ndodheshin në Shqipëri, për shkak të rrethanave të punës për rimëkëmbjen e ekonomisë së shkatërruar nga lufta dhe për shkak të trashëgimisë së një prapambetjeje të theksuar, kundrejt ekonomive europiane të asaj kohe. Pra, “armiqve të huaj”, u bashkohet edhe “armiku i brendshëm”, e sabotatori inxhinier Qafoku i cili:
“Ka patur lidhje me elementë reaksionar, të arratisur politik jashtë shtetit, n’Itali i kanë dhënë letra dhe lidhje për elementë reaksionar të vendit t’onë. Ka patur lidhje me Ing. Taraskonin (Italian) dhe me Prof. Zuber Stanislav, i cili është nxitur nga këta dhe ka sjellur pengesa dhe çrregullime në punimet e kantierit të Kuçovës. Ka patur dijeni të plotë mbi organizatën agjento- sabotatore (Tekniko-Intelektuale), ku është konsultuar me Ing. Zyber Stanislav dhe Ing. Riza Alizoti. Ka bërë mbledhje me karakter politik, me elementë të ndryshëm kundërshtar që punojnë në këtë minierë dhe ka sabotuar në prodhimin e kantierit të Selenicës.
Në kantierin e Kuçovës, me gjithë përkushtimin e jashtëzakonshëm profesional, ai gjatë punës has vështirësi të mëdha, nga elementë të Sigurimit të Shtetit të cilët, e ndjekin dhe më pas, gjatë seancave gjyqësore, i ngrenë akuzat e bashkëpunimit me të ashtuquajturit “armiq e sabotatorë”, si; inxhinier Zuber Stanislav dhe inxhinier Riza Alizoti. Përballë këtyre akuzave, inxhinier Qafoku dëshmon një urtësi dhe qetësi të pashoqe. Megjithëse është i vetëdijshëm se këto akuza janë të rreme, ai e di fort mirë se për të tilla akuza, të pret dënimi me vdekje.
As torturat dhe as presioni i tmerrshëm psikologjik, nuk e thyejnë që të pohojë dëshmi të paqena. Përballë akuzës se ka marrë pjesë në grupin armik të Kuçovës, ai përgjigjet:
Përgjigje: “Nuk është e vërtetë se unë, ingj. Petraqi, të kem marrë udhëzime nga prof. Zuber Stanislava dhe ingj. Riza Alizoti, të kem organizuar rrethe kundërshtare, të kem bërë mbledhje më karakter politik kundra Pushtetit Popullor dhe të kem sabotuar në punën (prodhimet) në kantierin e Selenicës, por kam punuar sa kam mundur, për të mirën e pushtetit popullor, deri në ditën e arrestimit tim, më 18 shtator 1947.
Me gjithë pasionin djallëzor të prokurorëve e gjykatësve dhe dënimin absurd, me 10 vjet burg, të pambështetur mbi prova, regjimi ka nevojë për njohuritë e pashoqe teknike të inxhinier Qafokut. Është momenti i qëndrimit antropologjik instrumentualizues të pushtetit komunist. Përveç dhunës, pushteti përdor edhe mjete të tjera, që kanë të bëjnë me liri të përkohshme dhe të kufizuar për shkencëtarët shqiptarë. Të njëjtën strategji regjimi, përdor edhe me inxhinier Qafokun. Pas dënimit me 10 vjet burg dhe me mohimin e vazhdueshëm të akuzave nga Qafoku, organizohet një seancë tjetër gjyqësore, në dhjetor të vitit 1948, ku i dënuari shpallet i pafajshëm.
Mirëpo aventurat e persekutimit, nuk mbarojnë me këtë akt pafajësie. Ai mbahet vazhdimisht nën mbikëqyrje gjatë punës nëpër kantiere dhe qëndrimi i kuadrove partiakë ndaj tij, është tejet mosbesues. Dënimi i tij, edhe pse më vonë doli i pafajshëm, ishte si një “njollë biografike”, e pashlyeshme. Kalvari i vuajtjeve të tij, mjerisht ka ndjekur edhe familjen, bashkëshorten dhe dy djemtë. Ata kanë qenë gjatë gjithë kohës së regjimit komunist, të vrojtuar nga Sigurimi i Shtetit dhe u janë krijuar shpesh probleme me të drejtën e studimeve për në shkollën e lartë, edhe pse kishin kaluar tashmë rreth 30 vjet, nga marrja e pafajësisë.
Një element i rëndësishëm që shpreh praninë e vazhdueshme të dhunës ndaj inxhinier Qafokut, është edhe ushtrimi i ofendimit nga ana e regjimit, përgjatë kohës kur ai nuk ishte në burg. Sjell në këtë studim edhe dëshmitë e shumta ta familjarëve të Qafokut, ku kujtohen raste të shumta të ofendimit para kolektivit, apo dhënia e medaljes si “Punëtor i dalluar”, për inxhinier Qafokun. Ndonëse ekzistonte edhe medalja “Inxhinier i dalluar”, ai trajtohej si punëtor kantieri dhe jo si inxhinier. Emblematike mbetet, gjatë studimit tim, një dëshmi e një bashkëkohësi të inxhinier Qafokut: “Ai ishte i jashtëzakonshëm. Njeri me autoritet të lartë, përballë njerëzve autoritarë”!
Në këtë perspektivë, për ta kuptuar këtë dëshmi, shpjegimi i filozofes H. Arendt, është i përkryer. Në studimin e saj; ‘What is Authority’, ajo shpjegon ndryshimin ndërmjet protesta dhe auctoritas. Pikërisht në këtë ndryshim, qëndron edhe fakti që dikush (inxhinier Qafoku në rastin tonë), mund të mos ketë pushtet, por përmasa e tij e lartë morale i jep autoritet, gjë e cila mungon te regjimi, megjithëse ai e kërkon autoritetin me çdo kusht.
Në vitin 1978, kur i biri i tij Lluka Qafoku, kërkon të përgatisë dosjen për punësim, ndodh ngjarja tjetër e pabesueshme: inxhinier Qafoku, rezulton akoma në regjistrat e gjykatës, si person i dënuar. Ky fakt dëshmon hipokrizinë e shtetit dhe të gjykatave, mbi dënimin dhe mosrespektimin e procedurave të regjistrimit të pafajësisë, pasi interesi i regjimit në atë kohë, ishte vetëm lirimi i tij, me qëllim që të shfrytëzohej në kantierin e Selenicës dhe jo respektimi i së drejtës së tij si person. Duke u ndodhur përballë kësaj situate sa absurde, aq edhe ofenduese, inxhinier Qafoku, vendos t’i drejtohet drejtpërsëdrejti diktatorit Hoxha, pasi e sheh si të vetmen rrugë, që mund t’i japë zgjidhje kalvarit të pafund.
Letra drejtuar diktatorit, është me një vlerë të veçantë antropologjike dhe më kujton letrën e filozofit italian, N. Bobbio, drejtuar Musolinit në vitin 1935, mbi një arrestim të kryer nga policia politike fashiste, kundër filozofit. Kur intelektuali humbet shpresën përballë makinës së dhunshme e të shumëfishtë të regjimit, kërkon si shpresën e vetme, të drejtuarit drejtpërsëdrejti diktatorit, pasi në këtë rast, të paktën ke të bësh me një person dhe jo me një turmë të dhunshme e të shurdhër, përballë zërit të të pafajshmit.
“Shoku Enver. Ju lutem të më falni për guximin që marr t’ju drejtohem Juve personalisht, por e bëj këtë, sepse problemi që shtroj ka rëndësi shumë të madhe, për punën e jetën time. Im bir më dt. 28.3.1978, kërkoi pranë Gjykatës së Lartë, një dokument për gjendjen time gjyqësore, duke ditur se kam marrë pafajësinë, për një dënim të dhënë nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, në drejtimin tim. …Iu lëshua një dokument, që vërtetonte se unë figuroja akoma në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore të Gjykatës së Lartë, si i dënuar…! U shtyva t’Ju shkruaj këtë letër, sepse unë dhe fëmijët e mi, do të mbanim për gjithë jetën pa të drejtë, njollën e tradhtarit”.
Letra shpreh gjithë dramën e inxhinier Qafokut, për pasojat që ka pasur ndër vite njolla e të dënuarit pa faj, por edhe dhimbja për të ardhmen e fëmijëve. Përcjellja e pasojave të dënimit të prindërve te fëmijët, ka qenë një tipar dallues i regjimit komunist shqiptar dhe ky rast, e nxjerr në pah mjaft qartë.
Letra ka rëndësi antropologjike edhe në për-shfaqjen e karakterit tribal të komunizmit shqiptar. Qeveria shqiptare është formalisht e organizuar në formë burokratike, por sidoqoftë i pari i vendit, diktatori, është mbi ligjin, si i tillë ai mund t’u japë zgjidhje problemeve duke tejkaluar ligjin, qoftë ky i drejtë apo i gabuar. Këtu duket edhe nuhatja kulturore e Qafokut, për t’iu drejtuar diktatorit. Ky element tribal i komunizmit shqiptar, ka shkaktuar mjaft përplasje klanesh, brenda Partisë së Punës, duke shkaktuar viktima të shumta. Preteksti i kësaj dhune ndërmjet klaneve, ka qenë përherë ideologjik, por motivet e vërteta, kanë të bëjnë me natyrën tribale të komunizmit shqiptar.
Në fakt, përgjigjja e diktatorit, vjen jo drejtpërdrejt, por nëpërmjet detyrimit të gjykatës, që të japë dëshminë e penalitetit të korrigjuar. Kjo ndodh një vit pas dërgimit të letrës, saktësisht, më datë 3 korrik të vitit 1979. Dëshmisë së mëparshme të penalitetit, i shtohet edhe një rresht mjaft i rëndësishëm: “Me vendimin nr. 328, dt. 10.12.1948, të Gjykatës së Lartë, ka marrë pafajësinë”!
Falë kësaj fjalie në fund të dëshmisë së penalitetit, fëmijët e inxhinier Qafokut, Lluka dhe Niko, mundën të vazhdonin studimet e larta, duke njohur arritje shkencore të jashtëzakonshme: Lluka duke punuar në Rrjetin Informatik të Akademisë së Shkencave në Tiranë dhe Nikoja, duke arritur majat më të larta në nivel botëror në shkencat e studimit të tokës, si pjesë e Bordit Shkencor të Agjencisë Federale të SHBA-së, për Studimin e Tokave.
Përfundime
Në regjimet komuniste në përgjithësi dhe tek ai shqiptar në veçanti, duke qenë se ky i fundit ndjek me përpikëri modelin e Bashkimit Sovjetik, në fazën e parë të ndërtimit të socializmit, shkencës dhe industrisë, u jepet rëndësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e socializmit, pasi shkenca dhe industria, sigurojnë të ardhmen jo vetëm ekonomike, por, sipas perspektivës komuniste, edhe morale. Ky fakt përbën edhe motivin thelbësor të persekutimit të shkencëtarëve shqiptarë përgjatë komunizmit.
Në Shqipëri, për fat të keq, sikurse u lejua ndërhyrja pa mëshirë e mediokritetit masiv të masave punonjëse, në hierarkinë e domosdoshme të vendimeve në fushën e drejtësisë dhe të dijeve shoqërore e shpirtërore, ashtu u veprua për interpretimin e revolucionit tekniko-shkencor, si pronë e klasës punëtore dhe e masave punonjëse, pra: në praktikë të vlerësoheshin vetëm idetë praktike, detyrimisht të pazhvilluara dhe mediokre, primitive, të dala nga njerëzit e pashkolluar dhe të mos lejohej formimi i elitave shkencore dhe teknologjike, pasi këto ishin të papërgatitura moralisht për ndërtimin e komunizmit dhe mund ta sabotonin atë.
Kjo do të sillte moslejimin faktik të punës shkencore në grup, që realisht përbën një kusht ‘sine qua non’, për një kërkim shkencor të vërtetë. Kështu, në fakt, iu pre koka zhvillimit real shkencor dhe teknologjik të vendit dhe institucioneve që e përfaqësonin atë, sepse këto duhet të kontrolloheshin, si në nivelin e personelit që zgjidhnin, ashtu edhe nga tematikat e kërkimit nga struktura dhe njerëz krejtësisht të paaftë, për të dhënë mendim në fushat përkatëse. Kjo çoi, në fakt, në sabotimin e zhvillimit shkencor real në vend. Gjë që nuk ndodhi në këto përmasa, në vendet e tjera komuniste, ku efekti frenues i ideologjizimit të shoqërisë, u kufizua nga shteti me krijimin e strukturave të mbrojtura të shkencëtarëve dhe teknologëve, që u lejoi atyre zhvillime interesante e hera-herës të suksesshme, në fushat ku shteti kishte interes.
Veç këtyre fakteve, një peshë specifike të rëndësishme në interpretimin e persekutimit ndaj shkencëtarëve, zë përdorimi i dhunës si fenomen antropologjik. Mendoj se dhuna e ushtruar gjatë regjimit, mund të klasifikohet si “fakt social i përgjithshëm” (koncept i antropologut francez M. Mau- ss), pasi ajo ka pasur ndikim në çdo sektor të jetës përgjatë komunizmit dhe ka ndikuar shumë edhe tek ata që e kanë pësuar dhunën e, që më pas janë bërë viktima të një mendësie dhune. Një shembull i këtij supozimi, është dhuna verbale e politikanëve të periudhës paskomuniste.
Në këtë kontest politiko-ideologjik, shembulli i qëndresës së jashtëzakonshme të inxhinier Qafokut, përbën jo vetëm një rast mjaft interesant studimor, për të hedhur dritë mbi atë kohë të zymtë, por sidomos paraqet një shembull udhërrëfyes të ruajtjes së integritetit moral e njerëzor, përballë njërës prej diktaturave më mizore të shekullit XX-të. Memorie.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al