I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Dritan Rexhepi ka mbërritur në vendin tonë pasi u ekstradua nga Turqia, ku edhe u arrestua në një vilë luksoze ku ishte akomoduar në Stamboll.
Në video shihet momenti kur baroni i drogës, me pranga në duar shoqërohet nga forcat RENEA që kanë “blinduar” aerportin.
Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi konsiderohet si shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Ndaj tij rëndojnë akuza të shumta si “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ”Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Njoftimi policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.
45-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, sepse:
-Në vitin 2020, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ”Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin G. D., ka urdhëruar rrëmbimin e shtetasit J. P., pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i shtetasit J. P., kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij;
-Në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”;
-Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më datë 06.10.1999, në një lokal në Krujë, 45-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin D. K., si dhe ka plagosur pronarin e lokalit, shtetasin R. B., i cili ka humbur jetën më pas, në spital;
-Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al