U la në qeli nga GJKKO, Ilir Meta do të dërgohet te paraburgimi ‘313’

Oct 23, 2024 | 18:40
SHPËRNDAJE

U la në qeli nga GJKKO, Ilir Meta do të dërgohet te paraburgimi ‘313’.

arrestimi ilir meta pl

Seanca gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi përfundoi rreth orës 18:00, pas disa orësh përplasje mes Metës dhe gjyqtarëve.

GJKKO rikonfirmoi masën arrest me burg për Ilir Metën dhe masën detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin.

Gjithashtu mësohet se GJKKO rikonfirmoi masën detyrim paraqitje për  Ema  Çokun, ndërsa ka ndryshuar masën për Pirro Xhixhon, për të cilin është vendosur masa “detyrim paraqitje” nga arrest shtëpie që ishte.

Ish-presidenti ka kaluar dy netë në bllokun e sigurisë tek Mine Peza dhe pas seancës së sotme në GJKKO, ku ndodhet për konfirmimin e masës së sigurisë, do të dërgohet në qelitë e paraburgimit.

Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua ditën e hënë për akuzat korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat vepra penale akuzohet dhe Kryemadhi. Sot para Gjykatës dolën Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Sipas SPAK, akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci.

Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsionit pasiv, ndërsa Ema Çoku- një financuese e LSI ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje para oficerëve të policisë gjyqësore për akuzën e pastrimit të parave.

Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura