Kanë zbarkuar në Bari 43 emigrantët që u larguan nga porti i Shëngjinit me anijen e patrullës së Rojës Bregdetare italiane.
Gjykata e Romës kundërshtoi mbajtjen e tyre në Gjadër, duke ngritur pikëpyetje mbi përfshirjen e Bangladeshit dhe Egjiptit, në listën e “vendeve të sigurta” nga ana e autoriteteve italiane.
Sipas Gjykatës, duke qenë se për çështjen, ka interpretime kundërthënëse mes të drejtës europiane dhe asaj italiane, rasti i është lënë gjykimit përfundimtar nga Gjykata europiane e Drejtësisë, e cila do të duhet të shprehet më 25 shkurt.
Migrantët ishin kapur fundjavën e shkuar në ujërat ndërkombëtare. Procesi gjyqësor pë vlerësimin e mbajtjes së tyre në Gjadër u krye gjatë ditës së djeshme përmes videokonferencave.
Kjo është hera e tretë që gjykatat në Itali, kundërshtojë qëndrimin e tyre në kampin e ngritur në Shqipëri, në bazë të marrëveshjes mes qeverive të të dy vendeve.
Përfaqësues të partisë së Melonit folën për “rezistencë të një pjesë të gjyqësorit” ndaj qeverisë, ndërsa për opozitën italiane, gjithshka është “një dështim i madh”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al