U përcoll në banesën e fundit patrioti, Idriz Basha, njohu botën me robërinë e shqiptarëve

Feb 26, 2015 | 13:22
SHPËRNDAJE

U nda nga jeta në Bruksel të Belgjikës veprimtari antikomunist, publicisti i njohur Idriz Basha. Ai u përcoll në varrezat e Brukselit nga bashkëkombës të tij, të cilët vlerësuan figurën e Bashës si një prej organizatorëve kryesorë të protestave në mbështetje të Kosovës në vitet 1981 dhe 1989. Ai organizoi manifestime në Bruksel, Paris etj., informoi shtypin botëror mbi atë çka po ndodhte në Kosovë dhe vendosi kontaktet e tij diplomatike në shërbim të shqiptarëve të Kosovës në Parlamentin belg dhe atë europian. Përveçse një veprimtar dhe mbrojtës i çështjes shqiptare, Basha u shqua edhe për penën e tij të mprehtë. Publicistika e tij ka zënë vend në faqet e shtypit europian si “Le Monde”, “Belgique libre” etj.

Idriz Basha (mes) gjatë protestave në mbështetje të çështjes kosovare, në Bruksel në vitet ‘80

Jeta më bëri një nder të madh, duke më njohur 24 vjet më parë me Idriz Bashën. Por, po kjo jetë që ma bëri nderen, u kujtue me më kërkue “haraçin”, duke më vu përpara arkivolit të tij me derdh lot për të dhe me i thanë disa fjalë lamtumire.

I arratisur nga Shqipëria komuniste në moshën nëntëvjeçare me prindërit e tij nacionalistë lumjanë, jetim pa atdhe në mikpritjen bujare të Belgjikës si mijëra emigrantë të tjerë politikë, frekuentues i hershëm i rretheve politike dhe mediatike të Bruskelit e Parisit, ithtar par exellance i Sharl de Gol në figurën e të cilit kishte projektuar ëndrrën e kthimit nga mërgimi politik në atdheun e lirë, politikan dhe veprimtar shumë aktiv i çështjes shqiptare, publicist i klasit të parë, Idriz Basha ishte fisnikëria e kulluar shqiptare, e gërshetuar me fisnikërinë e intelektualit të kultivuar europian; ishte një patriot i madh, nga raca e atyre që integrojnë natyrshëm në atdhetarizmin e origjinës vlerat e qytetërimit perëndimor; ishte i yni, por në të njëjtën kohë ishte edhe i oksidentit, i botës, një demokrat dhe libertar në gjen.

Shqiptarët nuk e dinë të gjithë, por duhet ta mësojnë: në vitet e heshtjes dhe censurës për shtypjen serbe në Kosovë dhe shtypjen komuniste në Shqipëri Idiz Basha ishte shqiptari që lëshoi klithmën e tij në faqet e shtypit më të njohur perëndimor, në sheshet, foltoret dhe sallonet e Europës, duke pohuar me force të rrallë të vërteten e robërisë së dyfishtë të kombit shqiptar nën komunizëm dhe nën pushtim. Ishte për shumë vite zani më i artikuluar i dramës kombëtare, shkroi dhe botoi mbi dyqind artikuj dhe intervista në gazetat prestigjioze “Le Monde”, “Belgique libre” e të tjera, foli në qindra emisione televizive dhe radiofonike për Kosovën dhe Shqipërinë, debatoi me lobistë dhe avokatë të sprovuar të regjimit serb, por edhe të regjimit të Tiranës, të cilët i përballoi me forcën e argumentit dhe pasionit të tij proverbial.

Kush tjetër sa Idrizi? Kush tjetër si Idrizi?

Kur mjaft emigrantë politikë ishin kuptueshëm skeptikë për ndryshimet që ndodhën në Shqipëri në fund të vitit 1990, Idriz Basha u ngrit mbi armiqësitë e vjetra, mbi kujtimet e hidhura dhe hakmarrjen, zgjati i pari dorën e afrimit, lëshoi i pari sinjalin e hapjes, aleancës dhe bashkimit të emigracionit me forcat e reja demokratike që kishin lindur e po lindnin në Shqipëri. Për shumë kohë, Idriz Basha ishte mbështetësi numër një i shtypit të ri shqiptar pranë organizatave më të njohura botërore të gazetarëve të lirisë.
Kush tjetër si ai? Kush tjetër sa ai?

Meritat i ka më të mëdha se njohjen dhe vlerësimet zyrtare, duke qenë se ky njeri nuk ka ditë me jetue dhe me punue në bujë e në kreni, nuk ka ditë me i ra gjoksit duke kërkue vëmendje dhe pubilicitet. Ka punue me ndihmue, jo me u duk. Por jam i bindur se në qetësinë dhe vetminë e tij të viteve të fundit pranë familjes është ndier gjithsesi i shpërblyer që e pa Shqipërinë të lirë nga komunizmi dhe Kosovën të lirë nga Serbia- ëndrra e tij e jetës për të cilën sakrifikoi gjithçka.

E kam parë Idrizin në ditët e shkëlqimit të tij, kur fjala e tij përndriste shpresën dhe kuptimin e të jetuarit në liri. E kam pa para disa javësh në spitalin Saint Luk të Bruskelit. Vdekja e tij më kapi në befasi dhe mendoj se e di përse: Idriz Basha e kishte kalue vdekjen e tij. Asnjëherë nuk kemi mund me e përfytyrue ndryshe veçse në kambë, veçse të vrullshëm e të zhdërvjellët, veçse të qeshur e të urtë, lumjan, shqiptar, europian, qytetar i Belgjikës dhe botës, me atë pamjen e tij të paharrueshme prej shkrimtari mondan.

Ashtu do ta kujtojmë sa të kemi frymë. Do të vazhdojmë të jetojmë me ty, Idriz, me kujtimet për ty, me veprën tënde madhore publicistike dhe eseistike.

Do të vazhdojmë me të takue në devocionin e Kimetes, me mbajtë gjallë emrin tënd dhe me publikue veprën tënde të plotë.

Do të vazhdojmë me u shmallë me ty në pamjen, buzëqeshjen dhe personalitetin e dy vajzave të tua të mrekullueshme, Sarës dhe Orelisë.

Të qoftë i lehtë dheu i tokës së Belgjikës! Mos qoftë e largët dita kur kemi më të pa aty ku e meriton me qenë: në panteonin e shqiptarisë dhe civilizimit tonë. Lamtumirë, mik i shtrenjtë!

Preç Zogaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura