U takua me përfaqësuesit e opozitës shqiptare, eurodeputeti ndan detaje nga biseda: Diskutuam reformat kryesore për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme

Oct 23, 2024 | 19:32
SHPËRNDAJE

Deputet i Parlamentit Evropian, Arkadiusz Mularczyk, zbardh detaje nga takimi që zhvilloi sot me deputetët e opozitës shqiptare, të cilët shkuan sot në Strasburg në kuadër të protestës para Parlamentit Europian.

hhhhhhhhh

Përmes një postimi në rrjetin e tij social “X” eurodeputeti thotë se gjatë takimit me përfaqësuesit e opozitës shqiptare u diskutua për reformat kryesore të nevojshme për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri.

Ndër të tjera u diskutua për situatën gjeopolitike të rajonit dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

“Sot u takova me deputetë të opozitës të Kuvendit të Shqipërisë, që përfaqësojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë. Shqipëria së fundi filloi bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, është në një rrugë të gjatë drejt anëtarësimit. Besoj se do të përfundojë me sukses. Gjatë bisedimeve tona, ne diskutuam reformat kryesore të nevojshme për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ne diskutuam gjithashtu situatën gjeopolitike të rajonit dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Polonia është një avokate e një politike aktive të zgjerimit të BE-së , veçanërisht me vendet e Ballkanit Perëndimor. Rruga e tyre drejt anëtarësimit nuk duhet të jetë një garë pa vijë fundi në horizont”, shkruan eurodeputeti në rrjetin e tij social.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u takua sot edhe  me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian David McAllister.

Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, i shprehën zyrtarit të lartë të Parlamentit Europian, të gjitha shqetësimet mbi situatën politike në Shqipëri.

Lajmi u bë i ditur nga një njoftim për shtyp i Grupit Parlamentar, ku ndër të tjerat shkruhet se zyrtari i lartë europian i ka uruar mirësëardhjen në familjen e EPP.

Reagimi i plotë:

David McAllister, Kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, është një mik i Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane. Një zë i fuqishëm jo vetëm në Parlamentin Europian, por edhe në Partinë Popullore Europiane (EPP).

“Welcome back to your family” ishte mesazhi i mirëseardhjes së tij për përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD, duke iu referuar ripranimit të PD-së me të drejta të plota në EPP.

Garancitë për zgjedhje të lira, barazia e palëve në zgjedhje, shteti ligjor dhe balanca mes pushteteve, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, shkëputja e menjëhershme e lidhjeve mes qeverisjes dhe krimit të organizuar, respektimi i Kushtetutës dhe hapësirës së opozitës, janë sfidat që Shqipëria ka përpara dhe që vënë në rrezik serioz demokracinë në vend.

Informimi me fakte e prova për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, do të ndihmojë në daljen nga rruga e errët e autoritarizmit ku e ka futur Edi Rama vendin.

Ndërhyrja e krimit të organizuar në caktimin e kandidatëve për deputetë të partisë në pushtet, përdorimi i krimit të organizuar e parave të pista të korrupsionit në zgjedhje, sulmet e vazhdueshme ndaj opozitës nga ana e mazhorancës qeverisëse përmes burgosjes politike të lidershipit të opozitës, apo injorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur zyrtarët e korruptuar të Qeverisë, nuk kanë asnjë lidhje me parimet dhe vlerat që duhet të udhëheqin një vend anëtar të NATO-s apo vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Përpjekjet e opozitës për të garantuar shtetin ligjor dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri, janë rruga e vetme që e afron Shqipërinë në familjen europiane, mbështetja për të cilën nga Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet e përhershme dhe e pa kursyer.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura