“U vranë dhe u therën në mënyrë barbare!”- Vendimi i PKSH për goditjen e Ballit Kombëtar! Letra e Enverit më 4 tetor ‘43! Si e përshkruanin luftën civile!

Sep 13, 2024 | 12:38
SHPËRNDAJE

enver hoxhaDR. VASFI BARUTI

Lufta civile është e lashtë sa vetë lufta. David Armitage profesor në Universitetin e Harvardit në librin “Lufta civile nxjerr nga harresa e rindërton luftërat civile nga Roma e lashtë deri në agimi i shekullit 21”. Ciceroni dha formulimin e luftës civile si “Luftë mes bashkëqytetarëve”, por i pari është Herodoti në librin “Histori”, i pari libër historie.

Lufta civile në Shqipëri, më faqezeza e luftës nacionalçlirimtare, në një format ndryshe dhe shihet herë të parë: shkaku u luftës civile komuniste është armiqësia e Ballit Kombëtar kundër komunizmit dhe Partisë Komuniste pjellë e tij; lufta civile komuniste paslufte nga Partia Komuniste konvertohet në luftë klase mbi të përvuajturit ish-ballistë, familjarë e të afërm shpallur me emrin përbuzës armiqësor ‘Kulak’ dhe që formonin shtresën e kulakëve. Investigimi i luftës civile komuniste, hap pas hapi të rroket e vërteta e panjohur!

Shenjat e para të luftës civile komuniste shihen fundverë ’43 kurse Bejdulla Destani në dega Balli Kombëtar në Arkivi i Londrës shenjat e para i zbulon fundviti ’42, kur bie dëshmori i parë Zenel Abdyrrahmani nga Drashovica, i merret jeta teksa me kufje në vesh dëgjon muzikë, të rënë edhe Savet Selmani nga Bolena, Avni Voshtina nga Libohova.2 Kësi dukje të para të luftës civile komuniste kanë për argument të vërtetën kur nacionalistët e Ballit fituan Konferencën e Pezës e mori drejtimin e saj, porse komunistët s’falin hakmarrjen. Pranverë ’43 bëhen marrëveshje politike mes dy forcave politike (Partia Komuniste e Balli Kombëtar) për goditje të përbashkëta kundër pushtuesve fashistë, së bashku e veças u kryen aksione kundër pushtuesit, porse komunistët i shkelën marrëveshjet dhe godasin pas shpine forca të Ballit, kurse në vjeshtë (fillim tetori) komunistët asgjësimin e çetave nacionaliste të Ballit e shpallë platformë luftë e fitore.

Letra e Tarasit Enver e 4 tetorit ’43 shpall strategjinë e luftës komuniste ndaj Ballit Kombëtar. Abas Ermenji një nga krerët e Ballit e përshkruan luftën civile komuniste: “… Kaos, u kapën ballistë, të cilët nuk e prisnin, u vranë e u therë në mënyrë barbare, shpesh duke u nxjerrë sytë, me prerje veshë e hundë, thyerje kocka në torturë. Në Shipskë të Voskopojës edhe të rrjepur apo të mbathur së gjalli me gozhdë e patkonj kali. /…/ Një mizori e tillë nuk është parë në Shqipëri prej grekëve e serbëve më 1913-1914. Por këtë radhë ishte shumë më e dhimbshme, shumë më tragjike kur shqiptari vret shqiptarin.” Në botime studimore s‘shihet asnjëherë që Balli t‘i gjegjet me kundër qëndresë të armatosur sfidave komuniste, porse konformimin e prish Abas Ermenji: “… I vënë përballë kësaj gjendje Balli vendosi t’i qëndronte furtunës dhe mblodhi fuqitë e tij dhe iu ktheu armën armëve komuniste. Përleshja qe e rreptë, gjakderdhëse, shkatërruese. S’mbeti fshat pa u përgjakur.”3

Në historinë politike komuniste, Historia e PPSH, 73 veprat e Enver H. etj. termi luftë civile mbeti e panjohur dhe konvertohet me “luftë vëllavrasëse”, përgjegjësinë e “mbante” Balli, po ashtu në historiografi referohet me luftë vëllavrasje. Në historiografinë zyrtare lufta civile konvertohet në fjalën “vëllavrasje” dhe me të vetme fjali: “Reaksioni vendas i imponoi popullit shqiptar një luftë vëllavrasëse.”4 Si përherë përgjegjësinë e “vëllavrasjes” e ka Balli kur përgjegjësia ishte e Partisë komuniste.

Shoqëria e hapur demokratike me llojllojshmëri mendime për luftën civile, historia më e përpunuar në librin “Lufta civile në Shqipëri” me autor Uran Butka, porse ende s‘ia kemi mbërritur një studimi të pranuar nga institucione shkencore e opinioni, gjasa zor se ndodh në këtë shumësi ndarje e nënndarje me gjithfarë interesa politike.

Historianë madje në sferë akademike mbrojnë pikëpamjen “mungesë e luftës civile” dhe “argument” kanë Spanjën: Lufta civile në Spanjë zhvillohej në kushtet e mungesës së pushtuesve të huaj, paçka se u shndërrua edhe në luftë internacionale me mbështetje fashiste, socialiste e komuniste, kurse Shqipëria ishte nën pushtimin gjerman andaj “s’mund” të kishte luftë civile! E përbashkëta e luftës civile Spanjë-Shqipëri: është “Luftë mes bashkëqytetarëve”. Në Spanjë spanjollët republikanë në luftë me spanjollët nacionalistë kurse në Shqipëri shqiptarët me prijës PK në luftë me shqiptarët nacionalistë me prijës Balli Kombëtar dhe, qenia e pushtuesit të huaj s’mund të jetë përcaktor për luftën civile. Por ka dhe një dallim tjetër: në Spanjë lufta civile kishte një vijë të madhe fronti, kurse në Shqipëri mungon vija e frontit, kryesisht ishte luftë guerile. Historianë që mohojnë luftën civile sikur bëjnë ndonjë “kompromis” kur formalisht pranojnë se ka pasur ndonjë ngjarje të vogëlth lufte shqiptarë me shqiptarë e me kësi luftë “s’mund” të ekzistojë koncepti luftë civile dhe argumentet arkivore në vijim shembin ‘argumentin’ e tyre.

Historianë të ditur bëjnë erudicion të lënë në hije të vërtetën për të mbetur e fshehur. Kur Prof. A. Lalaj pritet të shprehë ka apo s’ka luftë civile e gjëma e saj si edhe të stigmatizojë diktatorin autor i strategjisë së luftës civile, vjen e pabesueshme e vërtetë në gjegje të pyetjes të intervistuesit Aristir Lumezi: “Debatet për luftë civile janë një prej dilemave, apo jo?” Prof. i kërkon lexuesit të bëjë vetë “vlerësimin” nëse ka pasur apo jo luftë civile por edhe gjegjja si s’ka më humoristike për sa diktatori ledhatohet me Zotëri: “Vlerësimi nëse ka pasur apo nuk ka pasur luftë civile në Shqipëri nuk varet nga motivet e luftës, po nga forcat ndërluftuese, nga çfarë ka ndodhur në terren. Vërtet, lufta në Shqipëri ishte e drejtuar kundër pushtuesit, po ç’pate, more zotëri, që iu ktheve armët shqiptarëve!”5 Vajmedet!Zotëria dikator Enver H. fjalën Zotëri e përdori vetëm një herë në Vendimi Nr. 45, dt. 17 prill 1945 për emrat e anëtarëve të komisionit për studimin e dëshmorëve të Luftës e pas kësaj zotëria ishte në armiqësi me fjalën zotëri e vetë zotërinjtë!

Në botime akademike dhe të tjera mbetet i panjohur shkaku i vërtetë i luftës civile komuniste dhe njëri botim ai kryesori shkak të luftës civile konsideron çështjen e pushtetit, e vërtetë ama kjo është derivate i shkakësisë kryesore: komunizmi. Teksa citohet dokumenti, ku është shkaku i vërtetë i luftës civile, ndjehem i çuditur si nga historianë s’shihet ai në penë të Tarasit: Është letra e Tarasit e 4 tetorit ’43, përgjigjja që i dërgon Dr. Ymer Dishnicës e Nako Spirut në të cilën qartësisht zbulohet lufta civile me strategji komuniste të partisë. Letra është e gjatë por në nëntë rreshta këtu jepet e shumta e luftës civile komuniste në të paktë: Enveri e vlerëson ideale ofensivën e përgjithshme por është kundër “pse s’jemi hala aq të fortë” dhe Tarasi Enver vetzbulon shkakun e luftës asgjësuese kundër çetave të balliste: Balli “është armik i Partisë dhe i komunizmit.”, e vërteta e shkakut të luftës civile komuniste.

Preambola e luftës civile komuniste përmblidhet në pak rreshta: “Balli Kombëtar është armiku i komunizmit”; Delegati i Ballit Ramazan Jarani në Konferencën e Pezës deklaron fitoren e nacionalizmit mbi komunizmin, është dukja e parë antikomunizëm: “Nacionalizmi s’mund të pengohet nga komunizmi. /…/ S’ka nacionalizëm në kundërshtim me popullin. /…/ Duhet bashkim kombëtar.”6 ; Në Rezolucioni /original/ i Mbledhjes themeluese të Partisë komuniste vihet në vëmendje edhe: “Nuk duhet të harrojmë rrezikun nga influenca nacionaliste” e kuptuar Shqipëria etnike kurse i ashtuquajturi Rezolucion këtë përkujdesje e censuron kështu: fjala nacionaliste ndryshohet me fjalën naziste, kur nazizmi doli në skenë pas tre vjet: “Nuk duhet të harrojmë rrezikun nga influenca naziste.”7

Nga teksti i letrës së Tarasit: “Të dashur shokë, Doktor [Dishnica], Nako [Spiru]. … Për çështjen e Ofensivës së Përgjithshme kundër Ballit ne mendojmë që kjo ofensivë të mos jepet në atë mënyrë që e kuptoni ju, pse s’jemi hala aq të fortë sa t’u hapim luftë gjithë çetave të Ballit në Shqipëri edhe njëkohësisht me goditur edhe okupatorin. Në udhëzime ju kemi dhënë gjithë organizatave [qarkoreve] se duhet demaskue Ballin pa mëshirë politikisht, gjithashtu të goditin dhe të vrisni të gjithë ata që na kanë sabotuar luftën dhe që është armik i Partisë dhe i komunizmit. /…/ Nuk është kollaj ajo që propozoni juve do qe ideale të arrihesh por mendoni pak me gjakftohtësi duke llogaritur edhe forcat tona.…”8

ENVER H. FAJKOI I LUFTËS CIVILE KOMUNISTE…

Lufta civile komuniste mbetet faqe më mizore e luftës dhe vijnë paksa ngjarje jo në memorie, por në burime arkivore. Në dokumentin e sjellë Enveri përveçse merr meritën e autorësisë së luftës civile komuniste merr e meritë të jetë njëshi organizues i vëllavrasjes e trajnues i personave përgjegjës në luftë vëllavrasëse, nga e shumta dy urdhra të tij për zjarrosjen e krejt fshatit Starovë të Pogradecit e përgjakjen e Tiranës për hyrje qetësisht të qeverisë Hoxha në Tiranë. Enveri e Moisiu, komisar e Komandant të Shtabit të Përgjithshëm i shkruajnë letër komandantit e komisarit të Brigadave I e IV më 21 mars ’44. Urdhri përgjakës…

1. Goditja dhe marrja e Pogradecit dhe Starovës. Sikundër e dini Starova ka qenë e është qendra reaksionare më e fëlliqur e qarkut të Korçës. /…/ Me një fjalë Starova është një çerdhe e ndytë të cilën ne duhet ta goditim rëndë dhe ta zhdukim [të digjet e bëhet hi]. Për të sulmuar Starovën dhe për të vepruar duke kapur bejlerët dhe duke djegur shtëpitë e tyre është patjetër edhe goditja e Pogradecit, ku përveç përfitimit politik që mund të kemi mund të furnizojmë me veshmbathje e me ushqime forcat tona të brigadës…”10/1 Përgjigjja e shefave të Brigadës I e IV për realizimin e detyrës nga Tarasi: “Të dashur shokë /…/ Forcat e dy brigadave filluan veprimin duke u gëdhirë për objektivat e caktuara. /…/ Batalioni I i Brigadës IV mbas një rezistence të vogël hyri në Starovë ku mbas tërhekjes [grabitje] së ushqimeve e bereqetit i vumë zjarrin krejt fshatit me përjashtim të pak shtëpive që qëndronin mirë. Në Pogradec u dogj Hoteli i Xhevat Starovës e i Dunkollarëve e pamundur ndryshe për marrjen e dy fortesave.”10/1

Që hyrja e qeverisë Hoxha në Tiranë të ishte e sigurtë kryeministri Hoxha merr në dorë masa të rrepta për “pastrimin” politik nga kundërshtarë e të dyshimtë. Prej 28 tetor në 16 nëntor ’44 Tirana gjakoset me marrje jetë më shumë se 100 persona civilë të pafaj. Të vërtetën e deklaroi Sekretari politik i Qarkorit Gogo Nushi në Plenumi Dytë i Beratit, 23 nëntor ’44, por Nushi mban në fshehtësi urdhërdhënësin dhe ekzekutorin për atë terror tmerri. E vërteta e fshehur mes rreshtave: byroisti Shule [Kristo Themelko] zbatues i urdhërit të Enverit, në drejtimin batalionit Disiplina.

Byroisti “Shule” [Kristo Themeli], shef i Sigurimit të fshehtë: “… Nga kjo më mbeti që të gjithë ata elementa që janë kundër nesh po qe se [s’kemi] fakte të pushkatohen që tani. Edhe në Shtabi i Përgjithshëm është pushkatuar një po në këtë mënyrë [pa fakte]. Kur ika [në Tiranë] unë kam biseduar me Enverin po kështu [për vrasje pa fakte] prandaj edhe unë [kur] hyra në Tiranë kërkova një listë nga organizata [qarkori i partisë] për këta elemente [që janë kundër nesh]. Me sa kuptoj unë asnjë nga ne nuk kish mendim të kjartë [“pastrimi” pa fakte] as Dali [Ndreu] as Besniku [Hysniu] as Vojua [jugsllav]. Që elementet me i pastrue gjatë luftës, për ata që s’kemi fakte, kjo ka qënë [mendim] nga të gjithë, veç me i pastrue [vrarë] në mënyrë [të fshehtë] që të mos merret vesh prej popullit. /…/”11

Gogo Nushi në Plenumi Dytë i Beratit: ‘‘… Këtë shpirt kriminaliteti e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona në Tiranë janë vrarë 60 veta, e kemi edhe listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjeri prej tyre s’meritonte të vritej. Kjo është konseguencë e vijës sonë. Jemi të sigurt që do të ketë edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar të 100 vetët. Kjo do të na sjellë dëme të mëdha /…/ Unë nuk kam qenë dakord. Ne kemi menduar se me këto masa do mbronim fitoren duke vrarë e zhdukur armiqtë…”12

Ditënetët 28 tetor-16 nëntor ‘44 Batalioni gjakatar “Disiplina” me pretekst “për informacion” me listë përgatitur nga Qarkori i Tiranës rrëmben qytetarë në gjendje gjumi, në darkosje, në rrugë, në qendrën e punës e rrënohen në vende të fshehta, ekzekutohen natën, lihen të gjakosur në rrugë e vende të dukshme e përfunduar në gropat e zeza, të shumtë mbesin pa varr. Fundi i dhjetorit ’44 në bodrumet e Hotel Bristolit në qendër të Tiranës nga ata u gjetën 20 trupa të dekompozuar. Nga më shumë se 100 të ekzekutuar identifikohen 38 nderuar me Nderi i kombit, emrat në memoriali para Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurit politikë. Përgjakjen e madhe e hulumtoi Bedri Alimemeti.13

Mehmet Shehu, letër Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare: “… Robërit i gjykuam. Gjyqi behej prej meje, nënkomisari i komandës së Vendit të Lushnjës e një partizan i Batalionit Parë të Brigadës. Ne në gjyq vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve, /…/ Por këtë radhë gabimi, faji kryesor është imi personalisht mbasi gjyqi drejtohej prej meje Unë i dehur nga urrejtja kundër ballistave, temperamenti mikroborgjes i çasteve, qeshë i mejtimit për këtë masë të pa masë. Reflektoj e bindem se ishte tepër e rreptë dhe se terrori ka qenë pjesërisht i pa vend. /…/ Të fala shoqërore Komandant i Brigadës I-rë Mehmet Shehu.”14

“Heqimi” [Manush Myftiu]: “Në Buzëmadh /…/ Dërguam aty [Shefqet] Peçin e çobanin [Hito Çako], ata mblodhën fshatin dhe pushkatuan 21 veta. Një përsëritje e Kurdarisë [fshat në Lumë]. /…/ Ne vendosëm, ishte mendimi i Besnikut që të pushkatohej kushdo që do të gjendej rrugës. Dhe kështu u bë. Kur forcat tona u futën në Kurdari ata dogjën 15-20 shtëpi, një mëhallë dhe vranë 20 fshatarë. U bënë të gjitha të këqiat që bënte një forcë mercenare. Partizani kapte pulën e rripte e piqte vetë. /…/ në Buzëmadhe thirrën në Konferencë dhe i vranë 22 veta.”15

Nako S., letër Tarsit… “… 3 batalione të Brigadës Parë me Mehmet Shehu kaluan Shkumbinin. Shtabi, Majori, Tarasi, Doktori e Inxhinieri u nisën për tek ju më 17/2/44. U hasën [përplasen] Brigada e Parë me forcat e Ballit. Vranë Haki Blloshmin, zunë 200 [400] rob, i liruan mbasi u thanë që po t’i zënë edhe një herë do i pushkatojnë. Vranë disa nga krerët. Përshkuan Çermenikën ku nuk gjetën gjë [ballistë]. Në zonën Librazhd-Martanesh vranë 28 krerë të Ballit pse fshatrat i pritën me pushkë. Fshatrat u shtruan si pulë… Të fala Deti. 19/3/44 “16

LUFTA CIVILE KOMUNISTE KONVERTOHET NË LUFTË KLASE KOMUNISTE…

Lufta civile paslufte konvertohet luftë klase, binjake me atë. “Luftës së klasave forcë kryesore lëvizëse e shoqërisë”! i shtohet edhe një front tjetër lufte klase: janë nacionalistët e Ballit të armiqësuar me komunizmin dhe partinë komuniste dhe pas lufte ishin ndër të parët në ndjekje të vihen ballë ligjit, që komunistët e bënin siç deshën vetë. Në marsprill ’45 nga 125 vendime dënim me burgosje ‘vendnderi‘ kishin ballistët e çetave balliste, Kishin 274 anëtarë të Ballit Kombëtar16/1 e familjarë të tyre, Kishin 54 të rënë në luftë dhe të gjithë bëjnë një shtresë me mijëra të cilësuar kulakë, fronti i ri luftë klase vijimësi e luftës civile. Nga viti 1947 deri më 1967 s’mbeti ballist në fshatra pa marrë titull “nderi” Kulak, emër i urryer, forma e egër e luftës së klasave në fshat. Familjet kulake privohen nga e drejta e votës, e besimit në institucione fetare, me detyrime të mëdha në natyre (drithëra, lesh, bulmetra etj. Dhe vuajnë manifestime përbuzëse me thirrjet kulak, kulak… Një detaj nga Ditari i Sevo Tarifa, sekretar personal i diktatorit: ditari i 10 majit ’71, në një fshat të Durrësit një ish-ballist shpallej kulak, pas shumë vitesh i hiqet cilësimi armiqësor por s’vuri mend dhe i drejtohej diktatorit me një letër me ca kritika për shokët drejtues, letra verifikohet nga partiaku i caktuar dhe përfundi letrës diktatori me dorën e tij shkruan: “T’i jepet gjyqit për të gjitha ç’po bën dhe të cilësohet kulak.”17 Diktatori shkelmon të gjitha procedurat e cilësimit kulak, dhe ja edhe pushtetar i bazës, edhe gjykatës, edhe prokuror…

Nga lufta civile trashëgohen masakra, vrasje, me varr e pa varr, varre masive si në Shipskë të Voskopojës me 185 nacionalistë masakruar dhe mbuluar në një varrezë masive, ende të pazbuluar. E njëjta përvojë gjakatare paslufte, me mijëra s’u dihet varri nga familjarët. E vërtetë e padyshimtë: “Janë me qindra familjarë që prej 28 vjetësh kërkojnë eshtrat e prindërve e të afërmve të vrarë gjatë diktaturës komuniste. Me qindra raste të tilla janë paraqitur pranë organizatës për gjetjen e të zhdukurve, ICMP me qendër në Tiranë. Janë rreth 5000 persona të zhdukur në Shqipëri gjatë regjimit diktatorial komunist.”18mmm

Stalini ndjente kënaqësi të madhe me tre shkronja gjakatare VMN që formojnë fjalët “Puna e zezë” për pastrimin e partisë komuniste dhe këtë treshe të kodit e mori Enveri porse kodit stalinist i dha emër nderues “Të dekorohet” dhe si? ‘Dekorimi‘ pas koke, në befasi, në fshehtësi, me nderim (sipas rastit) e pa lënë shënjë gur-varri! Enveri autor i kodit vetzbulohet në letra dërguar ‘Hyseni‘ [Gogo Nushi], kurse në dokumenti origjinal arkivor paragrafi këtu që citohet fillon e mbaron me kllapë katrore që do të thotë të mos botohet: [Për A. P. [Anastas Plasari] nuk ja u kërkuam aspak të vijë këndej por ta dekoronit vetë atje, trutharës sime [e fejuara ‘Delegate‘ Nexhmije Xh.] i thamë të na çoni Sotir Sikuçkën se me atë kemi disa muhabete. [Dekorim]. Sa për S.K ne e thamë mendimin tonë [dekorimi] dhe s’është arsye që jep ti se mund të dalin 20-30 të tjerë. Ne s’do i dekorojmë të gjithë por /…/ do i dekorojmë.”]19 Në komandë Kodi “Të Dekorohet”: Mustafa Gjinishi, Mynyr Xhindi, me fat Zef Mala, Anastas Plasari, me marifete të tjera ‘dekorimi‘ bie Qemal Stafa, Nako Spiru etj. Me Kodin “Të Dekorohet” diktatori pastroi partinë nga shokët besnikë të tij e jo pak i la pa shënjë gur-varri. Kodi i luftës “Të Dekorohet” me vijimësi besnike në komunizmi paslufte me besnikët e tij dhe të tjerë antikomunistë, madje firmëtarë të Pavarësisë këtë fat ‘dekorimi‘ patën! Në të njëjta frekuenca me këtë publikim është studiuesi Abedin Preza në publikimi mjaft i vlerë “Lufta civile dhe kompleksi historografik.”20

Investigimi i luftës civile dhe konvertimi i saj në luftë klase paslufte është arritje studimore e pavarur nga faktologjia byroiste, por edhe në harmoni me kësi mendim dhe po ndiej se i bën mirë investigimit të autorit. Kur diskutohej karakteri i luftës nacionalçlirimtare Mehmet Shehu, Liri Belishova e Ramis Alia pavarësisht vijnë në një mendim me emërues të përbashkët se “Lufta e klasave në Shqipëri mori karakterin e luftës civile”21 por i kundërshtuar me vendosmëri nga Enver Hoxha dhe kësisoj mendimi i tyre objektiv shuhet në embrion dhe s’publikohet as në burime të brendshme partiake por meritë se mbeti në dokumenti arkivor me sigël Sekret!

Burime kryesore.
1.Erald Kapri . Sekretet e Luftës. Shqipëria në dokumentet britanike. 2017:207.
2.Bejdulla Destani. Balli Kombëtar. 2019:79. Arkivi i Londrës.
3.Abas Ermënji. Albania. 1968: 460-467. E botoi Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë, Itali.
4.Historia e Shqipërisë, vëll. 2 1939-1944. 1973:103. Instituti i Historisë.
5.Prof. A. Lalaj. Intervistë, Panorama 2019:5 maj.
6.AQSH, Procesverbali i Konferencës së Pezës, mbajtur
nga Nexhmije Xhuglini Hoxha.
7.Dokumente Kryesore të PKSH, vëll. 1, 1962.
8.AQSH Fondi 14, D. 20, 1944.
9.AQSH, Fondi Konferenca e Pezës.
10.Rezolucioni i Mbledhjes themeluese të Partisë komuniste shqiptare, E. Hoxha vepra 1, 1983
10/1 AQSH, Fondi 14, d. 52, 1944 dhe AQSH, Fondi 14,
D.81, 1944
11.AQSH, Fondi 14, D. 21, 1944.
12.AQSH, Fondi 14, D. 21/1, 1944.
13.Beetidri Alimehmeti. Tirana e përgjakur. 2001.
14.AQSH, Fondi 14, D. 32, 1943.
15.AQSH, Fondi 14, D. 2.1, 1944.
16.AQSH Fondi 14, D. 91, 1943
16/1 Bejdulla Destani. Balli Kombëtar. 2019:107-134..
Arkivi i Londrër.
17.Sevo Tarifa. Ditari. (i pabotuar). “I dashur me popullin dhe i rrept me armiqtë”, 10. 5. 71.
18.Icmp. Birn. Balkan Investigativo Reporting Netëork.
19.AQSH, Fondi 14, D. 27, 1944.
20.Panorama 2016:2 dhjetor.
20.AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 14, 1959:9 maj; AQSH,
Fondi 14/AP Dosja 12, viti 1964:2 tetor. Cituar Dr. Prof.
Sonila Boci. Situata politike në Shqipëri (tetor-dhjetor 43),
Rezistencë, bashkëpunim e luftë civile. Studime historike
2021: nr. 1-2

/Gazeta Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura