Ai tha se grupi G7 mbështet një gjykatë hibride, e cila do të bazohej në legjislacionin ukrainas.
Ukraina dhe të tjerët shpresojnë se krijimi i një gjykate të tillë do të mundësonte gjykimin e Presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit Mikhail Mishustin apo ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov. Megjithatë është e paqartë se si ndonjëri nga këta zyrtarë do të mund të përfundonte ndonjëherë në gjendje arresti në Ukrainë ose ndonjë vend perëndimor, sepse ekstradimi i tyre nga Rusia duket shumë i pamundur.
“Është e pamundur t’u shpjegosh ukrainasve se mund të ketë një gjykatë pa Putinin në bankën e të pandehurve,” tha Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin.
Çështja e aseteve të ngrira ruse
Kievi gjithashtu po kërkon transferimin në Ukrainë të parave ruse të ngrira në bankat perëndimore, për t’i përdorur ato për rindërtimin e vendit. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u shpreh për një “mungesë vullneti” në lidhje me transferimin e këtyre aseteve.
Që nga fillimi i pushtimit të Rusisë në Ukrainë u hodh ideja që paratë ruse të ngrira në bankat perëndimore në kuadrin e sanksioneve të përdoren për të rindërtuar Ukrainën e shkatërruar nga lufta. Vlera e këtyre aseteve të ngrira mendohet se shkon në qindra miliardë dollarë./DW