Shërbimi rus i sigurisë njoftoi sot se një 29-vjeçar nga Uzbekistani është arrestuar për vrasjen e gjeneralit të lartë Igor Kirillov.
Gjeneral-lejtnanti Igor Kirillov, drejtuesi i forcave bërthamore, biologjike dhe kimike, u vra ndërsa po nisej për në zyrë. Nga shpërthimi u vra edhe ndihmësi i tij.
Atentati ndaj tij u bë përmes shpërthimit të telekomanduar të një bombe të vendosur brenda një motori të vogël (skuter) të parkuar pranë godinës ku banonte drejtuesi i lartë ushtarak.
Disa vende, ndër to Britania dhe Kanadaja, e kishin përfshirë gjeneralin rus 54-vjeçar në listën e sanksioneve, për shkak të veprimtarisë së tij gjatë luftës gati trevjeçare në Ukrainë.
Të hënën, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU), çeli një hetim penal ndaj tij, duke e akuzuar se ka urdhëruar përdorimin e armëve të ndaluara kimike.
Sakaq shërbimi rus i sigurisë tha sot se i dyshuari i paidentifikuar është rekrutuar nga inteligjenca ukrainase, sipas agjencive shtetërore të mediave.
Kujtojmë se mbrëmë përmes një deklarate Ukraina mori përgjegjësinë për vrasjen e gjeneralit t ë lartë rus.
Sipas një deklarate nga FSB-ja ruse, i arrestuari kishte pohuar rekrutimin nga shërbimet speciale ukrainase. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk mund të konfirmojë se në çfarë rrethanash mund të ketë qenë i dyshuari gjatë marrjes në pyetje nga shërbimet ruse të sigurisë.
FSB-ja tha se të dyshuarit i ishte premtuar një shpërblim prej 100,000 dollarësh dhe vendosja në një shtetet të BE-së në shkëmbim të vrasjes së Kirillovit.
Shërbimi Federal i Sigurisë tha se i dyshuari zbatoi udhëzimet e marra nga Ukraina duke udhëtuar drejt Moskës, ku u pajis me një mjet shpërthyes artizan.
Ai e vendosi mjetin shpërthyes në një motor elektrik, skuter, dhe e parkoi atë në hyrje të pallatit ku banonte ushtaraku i lartë, Kirillov.
Më pas, i dyshuari mori një makinë me qira dhe vendosi në të një kamera duke transmetuar drejtpërdrejt pamje nga skena e objektivit për porositësit në qytetin Dnipro të Ukrainës.
I dyshuari u arrestua në një fshat të rajonit të Moskës, sipas zyrtares së Ministrisë së Punëve të Brendshme, Irina Volk, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al