“Unë jam gjithmonë në provim”, Fonseka: Milani kalon krizën, duam titullin

Sep 14, 2024 | 13:19
SHPËRNDAJE

Paulo Fonseka nuk e ka nisur aspak mirë aventurën e tij me skuadrën e Milanit, por tani në prag të debutimit në Champions dhe derbit kundër Interit kërkon patjetër që të marrë fitoren e parë në kampionat ndaj Venecias. Ai nuk e mohon që objektivi kryesor i kuqezinjve është titulli kampion, ndërsa nuk ka dashur të tregojë nëse Leao dhe Teo Hernandez do të jenë titullarë.fonsekaTIFOZËT- “Pas 3 ndeshjeve pa fitore të kesh stadiumin plot është një provë e fortë dashurie nga ana e tifozëve për klubin. Por është gjithashtu edhe një përgjegjësi e madhe për ne, që të përmirësohemi dhe t’i bëjmë krenarë”.

RËNDËSIA- “Ndeshja ndaj Venecias është e rëndësishme ashtu si ajo e Liverpulit dhe derbi. Është një moment delikat për ne, prandaj duhet të fitojmë patjetër. Kam besim dhe jam i përqendruar. Pastaj mendojmë për Liverpulin”.

TEO E LEAO- “Nuk e di nëse do ta nisin ndeshjen nga minuta e parë, por janë rikthyer me një qasje shumë pozitive dhe po punojnë me alegri dhe përkushtim ashtu si e gjithë pjesa tjetër e skuadrës”.

NË PROVIM- “Gjithmonë trajnerët janë në provim. E di që varem nga rezultatet, por kam besim te puna ime. Nuk lexoj dhe dëgjoj ato që thonë jashtë”.

MBROJTJA- “Nuk mendoj që të luaj me 3 në mbrojtje. Nëse flasim për module dhe shohim skuadrat e mëdha, moduli është thjesht një pikënisje e ndeshjeve. Dinamikat ndryshojnë dhe ka faza të ndryshme”.

TRE MESFUSHORË- “Unë i respektoj gjithmonë mendimet e të tjerëve, për më tepër kur vijnë nga Boban dhe Sarri. Ata kanë folur në mënyrë konstruktive. Me lojtarët punoj unë dhe nuk kemi të gjithë të njëjtat ide. Unë punoj mbi atë që besoj unë dhe jo mbi mendimet e të tjerëve”.

PROBLEMET- “Nuk dua të flas për to, por ato janë evidente. Një prej tyre është fakti që kemi pësuar shumë gola dhe të ngjashëm. Kemi detyrën për të reaguar”.

TITULLI- “Objektivi i Milanit është titulli kampion. Unë shoh ditë për ditë një skuadër që beson në atë që do të bëjë dhe ka nevojë për t’u përmirësuar. Unë kam besim dhe ata gjithashtu. Sinjalet janë pozitive”.

FITORJA- “Ne luajmë gjithmonë për të fituar. Venecia është një skuadër e rrezikshme në kundërsulm, por në krahasim me Parmën jemi rritur në këtë aspekt dhe e pashë ndaj Lacios. Jemi gati për të përballuar Venecian”.

MENJA- “Nuk e di çfarë ka thënë në dhomat e zhveshjes së Francës, por sigurisht që është një lojtar me karakter të fortë dhe një lider brenda grupit. Kemi nevojë për këtë lidership, por të gjithë lojtarët mund të japin kontribut te Milani”.

DREJTUESIT- “Unë e kam të vështirë të flas për situatën që drejtuesit mungojnë sepse jam në kontakt të vazhdueshëm me ata si në telefon apo edhe në takime të ndryshme”.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura