NGA QEMAL ÇEJKU
Që pa filluar mirë viti akademik për universitetet, Qeveria duhet të marrë masa për provimet e veta ‘të vjeshtës’.
Vihet notë nglelëse për universitet shqiptare nga dy renditësit e rankimeve të universiteteve. Lajmi i keq nuk është që universitetet shqiptare nuk janë më të mirët e rajonit, pasi ka kohë që jemi shumë më keq se Kosova, por ulja me 200 vende ky duhet të jetë lajmi i keq për Shqipërinë, tym dhe joorientues për studentët, ngritje zëri nga stafet akademike dhe ulje me këmbë në tokë të institucioneve arsimore duke lënë propagandën e shëmtuar. Disa muaj më parë në një studio televizive, kur rankimimi ishte për web-et dhe shërbimet e tyre një profesor më tha: – Nuk ka rëndësi kjo, rëndësi katheksoi zotëria, – puna akademike, kërkimet shkencore etj.
Por tani që ishte kjo dhe rankimimi, dhe për më tepër vjen ulja me 200 vende, çfarë mund të themi?
Ja, pra, servilët, ata që nuk reagojnë, nuk u bëjnë nder studentëve, as shoqërisë, por atyre që propagandojnë pa fund çdo komponent në Shqipëri. Problemi themelor i universiteteve në Shqipëri është mungesa e dy elementeve themelore që e përbëjnë një universitet:
1. Librat shkencorë;
2. Kërkimet shkencore.
Baza e informacionit për studentët (librat shkencorë) është zero pasi ose punohet me libra të huaj, të kaluar kohe, të përkthyer shumë keq ose me leksione të marra nga interneti. Ndërsa kërkimet shkencore për fatin e keq të universiteteve nuk funksionojnë fare. Nuk ka as plane, as buxhet, as strategji dhe as dëshirë nga askush.
Në të gjitha universitet normale kërkimet shkencore, temat e doktorantëve janë ushqim i “përkëdhelur” për shoqërinë, kjo në të gjitha fushat. Por pyetja është: -Sa nga këto tema apo mijëra tema të doktorantëve në Shqipëri kanë qenë orientuese për ekonominë e vendit? Pa folur pastaj për programet master në të gjitha universitetet tona, pasi nuk kemi program master, por zgjatim të programit bachelor. Prandaj shtrohet me forcë pyetja:
– Si mund të ketë cilësi të lartë pa literaturë dhe pa kërkime shkencore?! Si mund të meritojë emrin “universitet” një institucion i lartë arsimor që nuk boton libra dhe nuk kryen kërkime shkencore?!
Pa literaturë shkencore, të përkthyer apo të stafit akademik dhe pa kërkim shkencor, universiteti degradohet në shkollë të mesme, duke kthyer profesorët në folës pa kuptim, teori pa fund dhe sigurisht që kjo do të sjellë këtë renditje. Por gjëja më kryesore është zhgënjimi për studentët për të ardhmen e tyre dhe arsimin e lartë në Shqipëri. Nuk mund të kemi arsim të lartë me libra teorikë të dalë nga trendi shkencor. Duke parë këto rezultate studentë apo maturantë kanë mbushur universitet botërore, të cilët janë në kërkim pikërisht të këtyre studentëve.
Gjithë këto ditë është mbushur e tejmbushur aeroporti i Rinasit me studentë në ikje. Pra më shumë është bërë lajm ikja e studentëve jashtë sesa mbulimi i kuotave të lira në universitet publike. Edhe pse po fillon viti i ri akademik, sipas portalit studentor, kemi mbi 5000 kuota të lira.
A duhen kambana të tjera që të bëhet zhurmë e të dëgjohet “klithma e shoqërisë së torturuar” nga keqqeverisja?
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al