Ushtria serbe bombardoi dhe dogji qytetin e Dibrës së Madhe, ç’ndodhi në shtator 1913! Kryengritja e parë e shqiptarëve ndaj vendimeve për copëtimin e trojeve shqiptare

Sep 18, 2024 | 12:50
SHPËRNDAJE

BEQIR SHEHU/ Kryengritja kundërserbe e shtatorit 1913 e banorëve të Luginës së Drinit të Zi, është e para kryengritje që bënë shqiptarët kundër vendimeve të padrejta që mori Konferenca e Ambasadorëve të Londrës më 22 mars 1913 për copëtimin e trojeve shqiptare. Diplomati anglez në Selanik, Vicenkonsull C. A. Greig, më 26 shtator 1913, i raportonte qeverisë tij. “Kryengritja e shtatorit për nga forma ishte drejtuar kundër pushtetit kolonialist serb, mirëpo në esencë, ajo ishte drejtuar kundër vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës”.

233

Populli shqiptar dhe qeveria e Vlorës i pritën me zemërim të thellë vendimet e Konferencës së Ambasadorëve dhe në shumë qytete e krahina brenda dhe jashtë vendit, u organizuan manifestime e protesta. Vetë kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, së bashku me Luigj Gurakuqin e Isa Boletinin udhëtuan në Romë, Paris e Londër, për të mbrojtur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar.

Qeveria serbe e Pashiqit, e orientuar për të dalë në Adriatik, nuk e përfilli as vendimin trishtues të copëtimit të trojeve shqiptare nga Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, të 22 marsit 1913,ndaj u hodhën në një revansh shtetërorë, për të siguruar një “kufi strategjik” në vijën: Qafë Mali – Lanë Lurë– Qafë Murrë–Qafë Buall–Qafë Studën, duke deklaruar hapur, se nuk i njihte vendimet e organizatave ndërkombëtare në lidhje me Shqipërinë e pavarur. Kjo si dhe gjendja e rëndë që krijoi ushtria serbe në vendet e pushtuara prodhoi tension tek banorët e luginës së Drinit të Zi.

Sipas një njoftimi të botuar në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” (14 gusht 1913), jepen të dhëna të besueshme, se më 12 gusht 1913 Elez Isufi, Ramadan Zaskoci e Rexhep Bajraktari, të shoqëruar nga Halil Shira (Vasije), u takuan me Ismail Qemalin në Vlorë, ku morën udhëzime për masat që duheshin marrë për të rimarrë territoret e pushtuara nga ushtria serbe. Ky bashkëveprim i malësorëve dibranë e lumjanë ishte frymëzuar jo vetëm nga tradita e fqinjësisë, por edhe nga interesat kombëtare dhe orientimet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Përpjekjet e Elez Isufit, Ramadan Zaskocit, Mustaf Litës, Cen Dacit, Baftjar Dodës, Xhafer e Jusuf Dodës, Qazim Likës e Halil Shirës për organizimin e një kryengritje në krahinat e tyre, Dibër e Lumë, ishin të lidhura me veprimtaritë që zhvillonin udhëheqësit e Kosovës: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini etj., të cilët, duke shpërfillur vendimet e Konferencës së Ambasadorëve mbi kufijtë e Shqipërisë, filluan një lëvizje, e cila synonte çlirimin nga pushtimi serb e malazez i të gjitha krahinave shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin shqiptar të pavarur.

Në këto rrethana, ushtria serbe me 2 shtator 1913 bombardoi dhe dogji qytetin e Dibrës së Madhe dhe me 10 shtator1913, mbreti i Serbisë, Pjetri I, miratoi propozimin e ministrit të Luftës, Vili Boxhanoviç, për mobilizimin e divizionit “Morava”, së bashku me regjimentin I dhe II të fanterisë të ushtrisë serbe, për të ruajtur nën pushtim “zonën strategjike”.

Në përgjigje të veprimeve të ushtrisë serbe, sipas Ismail Strazimirit, bashkëkohës, mobilizimi i luftëtarëve dibranë e lumjanë për t’i bërë ballë mësymjes së ushtrisë serbe, ishte i një shpejtësie të jashtëzakonshme. Të organizuar në tre grupime, u ngritën shtabet e luftës dhe u përcaktuan detyrat luftarake për mësymjen, që do të organizohej në tri drejtime, për të larguar forcat ushtarake serbe nga lugina e Drinit të Zi.

Grupi i parë, i udhëhequr nga Elez Isufi, S. Alia e Halil Kaloshi, do të mësynte nga Dibra e Poshtme, Peshkopi, Maqëllarë, Dibër e Madhe, Gostivar, Kërçovë.

Grupi i dytë, i udhëhequr nga Mersin Dema e Ramadan Cami, do të sulmonin në vijën Selishtë-Homesh-TrebishtStrugë-Ohër.

Grupi i tretë, që përbëhej kryesisht me luftëtarë nga fshatrat e Kalasë së Dodës, të udhëhequra nga Qazim Lika, Isuf Xhelili, Osman Lita, Ramadan Zaskoci, Islam Spahia e Ramadan Çajku, do të mësynin në dy drejtime. Nga Dibra e Poshtme, në Kala të Dodës dhe nëpër bjeshkët e Çajës, për në Opojë e Prizren dhe nga Kalisi në Kolesjan, Bicaj, Kukës e Prizren.

Luftimet nisën në mëngjesin e 21 shtatorit te Ura e Lushës në katundin Arras të Çidhnës. Luftime të rrepta u zhvilluan në Shumbat, ku ishin përqendruar forca të shumta serbe. Ato nuk mundën t’i përballonin sulmet trimërore të luftëtarëve dibranë dhe u tërhoqën për të organizuar një vijë mbrojtjeje në Malin e Skërtecit, ku me gjithë qëndresën dëshpëruese, përfunduan të shpartalluara, pothuaj plotësisht. Edhe rezistenca e forcave serbe në Dibër të Madhe, Strugë e Kërçovë u thye dhe forcat kryengritëse arritën deri në Gostivar

Forcat kryengritëse, që mësynë nga Kalaja e Dodës, në drejtim të Prizrenit, pasi thyen rezistencën serbe në Vasije, ku ishin përqendruar forca të mëdha, tërheqjen e tyre e ndoqën në dy drejtime:

Nga Ura e Lapave në Qafë të Kolesjanit, te Ura e Lumës në Zhur e deri në Prizren.

Forcat kryengritëse, që mësynë në këtë drejtim, udhëhiqeshin nga Osman Lita, Isuf Xhelili, BajramGjana, Halil Shira, Ramadan Çajku, Islam Spahija e shumë të tjerë. Nuk u lanë kohë e mundësi forcave serbe të organizoheshin për ndonjë qëndresë të pathyeshme. Në Vërri, afër Prizrenit, një pjesë e forcave kryengritëse, nën drejtimin e Ramadan Çajkut, duke u ngjitur shpateve të Koritnikut, i shkojnë në ndihmë Qazim Likës në Gorë, ku ishin përqëndruar forca të mëdha serbe dhe po bënin një qëndresë të dëshpëruar në shpatet e Pikllimës.

Grupi i dytë, që ndoqi forcat serbe në drejtimin e Kalasë së Dodës, Buzëmadhe, Topojan, Shishtavec, Dragash, Zhur e Prizren, i udhëhequr nga Qazim Lika, Cen Daci, Riza Ahmati, Molla Qamili e shumë drejtues të tjerë nga katundet e Nahijes, Grykës së Çajës u erdhën në ndihmë edhe luftëtarët e Opojës e të Gorës, të udhëhequr nga Nail Hyseni, i cili pas plagosjes së Qazim Likës, u vu në krye të forcave kryengritëse të këtij drejtimi, që rrethuan forcat serbe në Prizren.

Konsulli austro-hungarez në Prizren njoftonte qeverinë e tij në Vjenë me tel: nr.28, datë 29.9.1913, se “shqiptarët nën udhëheqjen e Qazim Likës, pas luftimesh të gjata, i kanë thyer serbët në Vasije, Kolesjan e sot kanë arritur në Prizren afërsisht 50 serbë të plagosur”

(AIH, Fondi: Arkivi i Vjenës, D.nr.23/18,datë 29 shtator 1913).

Fitorja e forcave kryengritëse të Dibrës e të Lumës kundër forcave serbe, jo vetëm shkaktoi një tërmet të fuqishëm në qeverinë e Beogradit, por befasoi e solli shqetësime edhe te Fuqitë e Mëdha dhe konsullatat e tyre. Konsulli austriak, Hombarstel në Durrës, në telegramin e 28 shtatorit 1913, dërguar në Vjenë, njoftonte se “Shqiptarët kanë zënë 500 robër serbë, 20 topa dhe një sasi të madhe municioni…”. Konsulli anglez në Beograd i raportonte Londrës se vrulli i kryengritësve paraqet rrezik për paqen në Europë. Konsulli austriak, Von Strok, duke mos qenë i një mendimi me konsullin anglez, i thotë: “Nuk ka rrezik për paqen në Europë, por serbët i zmadhojnë gjërat artificialisht, me qëllim që të veprojnë më me rreptësi për të mundur të përparojnë edhe më në thellësi”.

Edhe shtypi shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, i bëri jehonë kryengritjes së shtatorit 1913. Gazeta “Liria e Shqipnisë” në Sofje, më 28 shtator 1913 shkruan: “Kjo kryengritje denoncoi me forcë edhe vendimet e padrejta të Londrës”. Po në këtë numër, duke iu referuar burimeve serbe shkruan: “Në Beograd janë shumë të trembur dhe po bëjnë përgatitje të mëdha për të shuar lëvizjen shqiptare, që po përhapet në të gjithë Kosovën. Hasan Prishtina ka njoftuar se një sulm analog do të bëhej së afërmi edhe mbi qytetin e Gjakovës”.

Qeveria serbe, e dëshpëruar nga disfata që pësoi në betejën e Qafës së Kolesjanit, në nëntor 1912, ku djemtë e Lumës ndaluan, goditën e shkatërruan për disa ditë me radhë aradhat serbe, duke mos i lejuar që të dilnin në Adriatik e ta bënin fakt të kryer pushtimin e trojeve shqiptare, para se të kryhej Shpallja e Pavarësisë, si dhe nga humbjet e mëdha në luftimet e shtatorit 1913, ku vetëm për 3-4 ditë ato u detyruan të linin jo vetëm luginën e Drinit, por edhe qytetet kryesore në fushën e Pollogut e deri në Prizren, deklaroi zyrtarisht se shuarja e kryengritjes në krahinat Lumë e Dibër dhe kthimi në zonën strategjike ishte një detyrë për ushtrinë serbe, që do të realizohej me çdo kusht e çdo mënyrë.

Me 1 tetor 1913 filloi kundërmësymja serbe. Nëradhët e kësaj ushtrie numëroheshin rreth 60.000 trupa të rregullt. Vetëm në sektorin e Ohrit e të Strugës, sipas Ismail Strazimirit, komanda serbe, futi në luftim regjimentin nr.3, që vepronte në Përlep, ndërsa një divizion këmbësorie, me regjimentin e 2-të, 11-të dhe 16-të të fanterisë, nën komandën e kolonelit Jovanoviç, do të sulmonin në drejtim të Prizrenit me objektiv që, pasi të pushtonin Lumën, të kalonin në Dibër.

Forcat kryengritëse me 3000 luftëtarë do të luftonin kundër 60.000 forcave serbe. Ato bënë një rezistencë heroike, por u detyruan të tërhiqeshin edhe për mungesë të armëve e të municioneve. Serbët hynë në territorin e Dibrës e të Lumës, deri në Kala të Dodës, duke kryer masakra të tmerrshme. Në katundin Ceren të Kalasë Dodës vranë dhe masakruan 38 burra. Ata janë varrosur në varret e shehitëve, në fushën e mullinit, në Ceren. Në Shullan u masakruan 56 burra. Në Kalis janë vrarë 100 burra. Vrasje e masakra të tmerrshme janë kryer në Çajë, Topojan dhe pothuaj në të gjitha fshatrat e Lumës e të Dibrës. Më 22 tetor 1913, në gazetën “Radomiske Novine Serbia”, botohet letra e një ushtari serb, që i ka shkruar së ëmës, ku i tregon për këto masakra: “Gjëra të tmerrshme po shikoj. Jam i tmerruar dhe pyes gjithnjë se si njerëzit mund të jenë kaq barbarë për të kryer të tilla mizori… Mund të them se Luma nuk ekziston më, nuk ka veç kufoma, pluhur e hi”.

Në librin “Golgota shqiptare” të Leo Fraundlich, botuar në Vjenë, menjëherë pas dështimit të kësaj kryengritje (Vjenë 1913) shkruhet për skena të tilla të llahtarshme: “Gra dhe fëmijë pa ekzagjerimin më të vogël, janë zhytur në kashtë dhe janë djegur të gjallë përpara syve të baballarëve e bashkëshortëve të lidhur këmbë e duar. Gra shtatzana janë shpërthyer në mes në mënyrën më të llahtarshme dhe fëmijtë e palindur janë ngritur përpjetë me bajoneta”.

(* Autori është “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” i Institutit të Studimeve Historike të Akademisë së Shkencave)

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura