Ikona e këngës shqipe, “Nderi i Kombit”, Vaçe Zela u nda nga jeta 10 vjet më parë. Këngëtarja e lindur në Lushnje më 7 prill 1939 ndërroi jetë në Bazel të Zvicrës më 6 shkurt 2014.
Ajo e filloi karrierën në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada etj.. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Fituese 12 herë e festivalit, Vaçe Zela fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977.
Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.
Vaçja do të spikaste me talentin e saj që në moshë të hershme. Repertori i saj i ngjeshur vijon të gëzojë popullaritet edhe për publikun e sotëm. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në radio dhe më pas në radiotelevizion, që prej organizimit të parë të tyre. Është fituesja e parë e Festivalit të Parë (1962) me këngën “Fëmija i parë”. Në vazhdim të karrierës do të fitonte edhe 11 çmime të tjera të para. Do të largohej përfundimisht prej skenës në vitin 1992, duke lënë pas një kontribut të konsiderueshëm në muzikën shqiptare me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada etj..
Në shenjë vlerësimi është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Me “Natën Vonë” Vaçja garoi në Festivalin e 11-të të Këngës.
Shkrimtari i madh Dritëro Agolli është shprehur për Vaçe Zelën: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”. Ndërsa kompozitori e këngëtari Avni Mula është shprehur: “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë ‘hyzmetin’ këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës.
E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al