Kreu i PD-së, Sali Berisha është shprehur se varfëria në vend është rritur në mënyrë të frikshme.
Në një takim me pensionistët në Elbasan, Berisha u shpreh se ata u mashtruan nga qeveria.
“Pensionet u shpallën se do indeksoheshin dhe ai u provua një mashtrim i madh. Pensionet absolutisht nuk u indeksuan, por nëse marrim indeksimin e fundit, që nuk ishte as 4 përqind, pensionet sot, 160 mijë lekë pensioni mesatar me 143 mijë që ishte pensioni në vitin 2013. Po të zbresësh inflacionin, janë të paktën 15 përqind më të ulëta”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha shtoi se çmimet për produktet bazë dhe ilaçeve u rritën 3.7 herë më shumë se inflacioni.
“Rritja e çmimeve të shportës dhe ilaçeve është pra 3.7 herë më e lartë se sa rritja në tërësi e të gjithë produkteve. Ky është pra një mashtrim i madh që u bëhet pensionistëve, një mashtrim cinik, i pashpirt”, deklaroi ai.
Sali Berisha: Unë vij këtu sot për të diskutuar me ju problemet jetike të shoqërisë sonë, gjendjen në të cilën ai ka zhytur shoqërinë shqiptare, para së gjithash me këtë vjedhje të madhe që u bëhet fondeve dhe pasurive publike dhe këtë varfërim të pamëshirë në rritje nga viti në vit.
Ju e keni të qartë që në një ekonomi tregu që funksionon në mënyrë normale, varfëria nuk rritet, por ulet progresivisht. Pasuria nuk përqendrohet, por shpërndahet progresivisht. Kurse këtu në Shqipëri, nga viti 2013 gjer në vitin 2024, varfëria është rritur në mënyrën më të frikshme, është shndërruar në një tiran të vërtetë për qytetarët shqiptarë.
Në vitin 2013, me një përpjekje shumë të madhe, nga viti 2005, ne dolëm në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet, e hoqëm atë vulën e më të varfërve, sepse ajo vulë ishte shumë e pamerituar për ne, sepse ne jemi një vend me pasuri përrallore. Nuk ka një vend të dytë, jo në rajon, por askund me pasuritë që ka Shqipëria.
Ajo që ne trashëguam, më të varfrit e të varfërve, aty u shkëputëm nga ajo kohë. Në vitin 2013 kishim paga dhe pensione më të lartat se 6 vendet e rajonit, plus Buljgaria dhe Rumania.
Kjo ishte në radhë të parë vullnet politik. Shqiptarët duhet të dilnin shpejt nga varfëria. Nuk dolëm, por bëmë hapa shumë të mëdhenj përpara. Kaluam nga grupi i kombeve me të ardhura të ulëta, në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
Kjo ishte, dhe aty e dorëzuam pushtetin, humbëm zgjedhjet, bëmë rotacionin. Çfarë ndodhi? Ndodhi një dukuri që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Europës. Për 12 vite u ngrinë rrogat në një politikë absolutisht kriminale, rrogat u ngrinë, çmimet u rritën trokthi.
Pensionet u shpallën se do indeksoheshin dhe ai u provua një mashtrim i madh. Pensionet absolutisht nuk u indeksuan, por nëse marrim indeksimin e fundit, që nuk ishte as 4 përqind, pensionet sot, 160 mijë lekë pensioni mesatar me 143 mijë që ishte pensioni në vitin 2013. Po të zbresësh inflacionin, janë të paktën 15 përqind më të ulëta.
Kjo në pamje të parë sepse inflacioni llogaritet duke marrë për bazë çmimet e dhjetëra artikujve. Mirëpo për pensionistin, 60 përqind e tyre nuk kanë asnjë vlerë, as nuk i blen, as nuk i shet. Pensionisti ka në radhë të parë produktet bazë dhe ilaçet.
Këtu ndalemi. Në qoftë se i referohemi inflacionit të këtyre produkteve, ky inflacion, kjo rritje është 3.7 herë më e lartë se sa e rritja e inflacionit të përgjithshëm, për të cilin janë indeksuar pensionistët.
Rritja e çmimeve të shportës dhe ilaçeve është pra 3.7 herë më e lartë se sa rritja në tërësi e të gjithë produkteve.
Ky është pra një mashtrim i madh që u bëhet pensionistëve, një mashtrim cinik, i pashpirt.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al