“Varka e Europës lëkundet, por…”- Shkrimtari Ben Blushi: Është i vetmi shpëtim për ne! Na mbron edhe nga breshëri atomik

Oct 9, 2024 | 10:33
SHPËRNDAJE

FATMIRA NIKOLLI/ Shqipëria e vitit 2044 mund të jetë krejt ndryshe nga kjo që njohim, por shqiptarët nuk do të zhduken dhe as gjuha shqipe.

ben blushi

Duke marrë shkas nga libri i tij më i fundit “Komploti”, shkrimtari Ben Blushi mori pjesë në kuadër të “Tetorit të librit” në një bisedë mbi “Shqiptarët dhe Europën”, duke sjellë një vështrim të detajuar të një marrëdhënie shekullore që ka pasur ulje-ngritjet e veta.

“Viti 1913 ka qenë viti kur Europa na bëri dëmin më të madh. U mor harta e Shqipërisë dhe gjysma u la jashtë e gjysma brenda kufijve. Pyetja është, nëse ne nuk do të ishim turqizuar aq shumë, a do na kishin lënë kaq të vegjël? S’e di! Ne na përçanë, por na përçanë si pjesë e një perandorie që humbi. Se shtete e tjera e kishin marrë pavarësinë më para, ndërsa ne ishim ende pjesë e Perandorisë osmane. Kështu që kur perandoria humbi, ne na u mor gjysma. Nëse ne nuk do ishim turqizuar, nuk do na kishin ndarë, nëse do ishim pak më me kulturë. Do ishte kështu them, se të gjithë u zgjeruan atëherë, fqinjët, përveç nesh, sepse ne ishim me turqit, ne mbetëm me turqit. Fqinjët ishin ndarë para nesh e kishin krijuar shtet e ushtri, ndërsa ne ishim ende fise”, – tha Blushi.

Sipas tij, kjo ishte arsyeja pse u copëtuam dhe na u morën territore.

“Europa donte të na ndihmonte, por ne duhej të ndihmonim veten. Pastaj kemi vitin 1997, Europa na e ka fajin për 1997? A ka popull që ia ka bërë vetes një gjë të tillë? Unë mendoj se nëse nuk do të ishte ‘97-a, ne do të mund të ishim më afër BE-së. Mendoj se ‘97-a, na çoi 10 vjet pas. Ata na kanë ndihmuar kur kemi ndihmuar veten”, – tha Blushi.

Situata në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, ndikimi i gjeopolitikave dhe e ardhmja e gjuhës shqipe përballë një forcimi në rritje të gjuhës angleze u bënë temë e bisedës. Ndërsa libri “Komploti” sjell një Shqipëri që mund të ketë ndikim rus, për Blushin, çadra jonë e vetme, edhe kundër bombave, mbetet sërish Europa.

“Europa është shpëtim dhe për ne është i vetmi shpëtim. Varka e Europës lëkundet, lufta në Ukrainë mund të ishte shmangur mendoj nëse Europa do të kishte qenë më e fortë. Njerëz si Fransua Miterrani, me autoritet, mund ta kishin shmangur”, – tha ai.

ERRËSIRA JASHTË EUROPËS

Gjatë diskutimit, ai vuri në peshore Europën dhe Rusinë e ndikimin e SHBA-ve dhe Rusisë.

“Është Europa, ajo që e vuan më shumë luftën. Edhe luftën në Siri, edhe atë në Afganistan, edhet atë që ndodh tani në Lindje, sepse emigrantët vijnë në Europë. Europa duhej të gjente paqen. Unë mendoj që sa herë kemi qenë jashtë Europe, kemi rënë ose në komunizëm, ose në errësirës osmane. Ne na duhet një çadër dhe e vetmja çadër natyrale, të cilës i përkasim është Europa. Ajo na mbron, edhe nga breshëri atomik”, – tha shkrimtari.

Gjatë diskutimit që preku edhe ateizmin, kombet e fetë, u soll në vëmendje edhe tema e pashmangshme e Izraelit, Gazës, Palestinës, Libanit dhe Iranit me gjithë kompleksitetin e tyre.

“Në këtë situatë e shoh të vështirë të zgjidhet. Për fat të keq ajo që ndodh prej 1 viti, që prej sulmit të Hamasait më 7 tetor, kam frikë se vrau zgjidhjen me ‘dy shtete’ ose atë që njihej dhe diskutohej që prej kohës së Jaser Arafatit, ‘two state solution’, pra një shtet izraelit e një palestinez”, tha Blushi.

Ndërsa kujtoi se kjo ishte një çështje që kishte 30 vjet që negociohej, ai argumentoi pse me këtë që ndodhi, duket e vështirë të flitet më për shtet palestinez.

“E para, se nuk do ta lejojnë izraelitët pas ngjarjes së 7 tetorit të vitit të shkuar dhe e dyta, se edhe për vetë dashamirësit e Palestinës, pyetja sot është a kanë aftësi palestinezët të administrojnë shtetin e tyre, me polici, me ushtri, me taksa? Pas asaj që u pa, duket e vështirë”, tha Blushi.

“Komploti” i Ben Blushit pasqyron pasojat e një kryengritje afgane në Shqipërinë e së ardhmes, ku shqiptarët e ikur në emigrim janë zëvendësuar nga të huaj të ardhur si refugjatë a emigrantë. Çifutë, rusë e shqiptarë, pasardhës figurash historike ritakohen në pozicione të reja dhe në konflikte të reja.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura