Vrasja e 14-vjeçarit jashtë ambienteve të shkollës Fan Noli, Ogerta Manastirliu: Dhimbja jonë sot e paimagjinueshme! Duhet të promovojmë vlerat e respektit te njëri-tjetri

Nov 18, 2024 | 15:18
SHPËRNDAJE

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka reaguar lidhur me vdekjen tragjike të 14-vjeçarit, i cili u konfliktua me bashkëmoshatarët e tij jashtë ambienteve të shkollës Fan Noli.

ogerta

14-vjeçari humbi jetën pas një sherri me thika me bashkëmoshatarë të tij, konflikt i ndodhur jashtë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet mesditën e sotme (18 Nëntor).

Adoleshenti u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë duke humbur jetën.

Nga foltorja e Kuvendit, Manastirliu tha se ndihet thellësisht e tronditur për ndarjen nga jeta e 14-vjeçarit, ndërsa theksoi se parlamenti dhe deputetët duhet të promovojnë vlerën e respektit te njëri-tjetri, për t’i dhënë shembullin të rinjve.

Ogerta Manastirliu: Sot ndihem thellësisht e tronditur për nga humbja tragjike e jetës e një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës Fan Noli. Një jetë e re e humbur në mënyrë të parakohshme dhe tragjike ndërkohë që policia po zbardh rrethanat e ngjarjes dhimbja është vërtetë e madhe e prindërve. Dhimbja e komunitetit, e jona, e imja personale është e paimagjinueshme dhe është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë,  na fton se si përfaqësues të qytetarëve këtu në këtë sallë të angazhohemi edhe më shumë për një mjedis më të sigurt dhe më te mbrojtur për fëmijët tanë, duke luftuar në çdo formë dhunën e të gjitha formave. Por nga ana tjetër edhe ne kemi rolin tonë në këtë seancë dhe në këto seanca të cilat mbajmë. E para të jemi shembull të promovojmë vlerat e respektit për njëri tjetrin, të mos ketë gjuhë urrejtjeje duke filluar nga kjo sallë se ne jemi edhe modeli për fëmijët tanë. Çdo fëmijë në Shqipëri është fëmija ynë ndaj është detyra jonë e përbashkët që të kujdesemi. Ndaj sot të dashur qytetarë është një ditë e dhimbshme për ne dhe sot ju po dëgjoni buxhetin e shtetit për vitin 2025.

Ndërkohë që kujtojmë se nga sherri mes adoleshentëve i plagosur ka mbetur edhe një 14-vjeçar i përfshirë në sherrin me thika, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Raportohet se është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura