Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha se vdekja e udhëheqësit të Hamasit, Jahja Sinwar hap mundësinë për “zgjidhje politike” ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Shtëpia e Bardhë, Patsy Widakuswara, Presidenti Biden e bëri këtë deklaratë pak pasi ushtria izraelite njoftoi se kishte vrarë Sinëarin, ideatorin e sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, i cili ishte edhe shënjestra e fushatës njëvjepçare hakmarrëse të Izraelit në Gazë. Hamasi e konfirmoi vrasjen e udhëheqësit të tij duke e quajtur martir, ndërsa Hezbollahu, grupi tjetër militant i mbështetur nga Irani, u zotua sot se lufta kundër ofensivës izraelite në Liban po hynë në një fazë të re.
Udhëheqësi kryesor i Hamasit në Gazë, Jahja Sinwar me vite ndërtoi kapacitetet ushtarake të grupit militant. Që kur Hamasi, të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit 2023, Sinwari fshihej në tunelet nëntokësore të Gazës. Të enjten, Izraeli njoftoi se e kishte vrarë Sinwarin gjatë një operacioni në pjesën jugore të Gazës. Zyrtaret izraelitë publikuan një video-regjistrim, për të cilin thonë se tregon momentet e tij të fundit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al