Shqipëria ka për të luajtur edhe një ndeshje të fundit në fazën e grupit në Ligën e Kombeve.Ekipi i Silvinjos do të presë nesër në mbrëmje Ukrainën në Tiranë, duke qenë në një grup të hapur dhe ku mund të ndodhë gjithçka. Diçka e tillë reflektohet edhe nga vet pozicioni i kombëtareve dhe pikët që ato kanë. Aktualisht në vendin e tretë me 7 pikë, po aq sa Gjeorgjia dhe një më pak se Çekia, kuqezinjve një fitore e mundshme me Ukrainën, do iu siguronte vendin e dytë, sido që të jetë rezultati i ndeshjes Çeki-Gjeorgji.
Por, nëse Shqipëria fiton dhe takimi tjetër del barazim, ky do të ishte një bonus për kuqezinjtë sepse do të mbyllnin grupin të parët me 10 pikë. Skenari i fitores së Shqipërisë dhe Gjeorgjisë në dy takimet e fundit, do t’i çonte këto kombëtare në vendin e parë dhe të dytë, por çdo gjë do të ndahej nga golavarazhi, që aktualisht Gjeorgjia e ka +2 dhe Shqipëria – 1. Nëse bëjmë llogaritë me fitoren e Çekisë dhe ne mposhtim Ukrainën, mbetemi në vendin e dytë, ku do të sigurojmë qëndrimin në Ligën B, por do të tentojmë edhe ngjitjen në Ligën A nëpërmjet play off-it që do të luhet në muajin mars.
BARAZIMI
Shqipëria është në kuotën e 7 pikëve dhe një barazim me Ukrainën do ta çonte 8 pikë. Ndërkohë nëse në ndeshjen tjetër, Çekia do të fitonte, Shqipëria merr vendin e dytë dhe kalon Gjeorgjinë që mbetet 7 pikë. Nëse këta të fundit marrin një pikë me çekët në Pragë, do të mbyllnin grupin me të njëjtën kuotë pikësh sa ne, dhe këtu sërish do të vendoste golavarazhi. Nëse Gjeorgjia i rrëmben tri pikë Çekisë del e para dhe Çekia e mbyll me 8 pikë, po aq sa Shqipëria, por e renditur më sipër për shkak të ndeshjeve direkt. Ndërkohë humbja e Kombëtares shqiptare do ta dërgonte atë në direkt në Ligën C, sepse edhe Ukraina që është në kuotën e 5 pikëve, do të shkonte 8 pikë, një më shumë.
SHORTI
Sa i përket shortit për play off-et, i cili vendos për ngjitjen ose zbritjen në Ligat e ndryshme do të mbahet më 22 nëntor të këtij viti në orën 12:00, në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës. Nëse Kosova do ta mbyllte në vendin e dytë që shanset janë të mëdha dhe Shqipëria do të dilte e treta, në short rrezikohet një përballje Shqipëri-Kosovë.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al