Vendimi i Gjykatës së Romës për kthimin e emigrantëve në Itali, reagon PL: Provon kapjen e Gjykatës Kushtetuese shqiptare! Magjistratët të japin dorëheqjen

Oct 18, 2024 | 17:49
SHPËRNDAJE

Sekretarit i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Romës për paktin për emigrantët, ku sipas një vendimi të marrë sot, të gjithë emigrantët e mbërritur në Gjadër, duket të rikthehen menjëherë në Itali.

Në një deklaratë për mediat, Blushi u shpreh se vendimi i sotëm i Gjykatës së Romës për të rrëzuar marrëveshjen Rama-Meloni, “provon kapjen për fyti të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nga Edi Rama”.

Sipas tij, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që e shpallën të ligjshme këtë marrëveshje duhet të japin urgjentisht dorëheqjen.

“Gjyqtarët Kushtetues nuk mund të gjykojnë më dhe as mund të kenë besueshmërinë publike në dhënien e drejtësisë standard që ata vetë e përmendin në çdo vendim të tyre. Tashmë është fakt se dhe ky institucion i ngritur për të mbrojtur Kushtetutën dhe parimet e saj, po e dhunon atë me të njëjtën egërsi si Edi Rama”, u shpreh ai.

Ndër të tjera ai tha se Partia e Lirisë përshëndet vendimin e Gjykatës së pavarur të Romës që legjitimoi të gjitha shqetësimet e bëra publike lidhur me këtë marrëveshje që cënon sovranitetin e Republikës së Shqipërisë.

LEXO EDHE: Ardhja e emigrantëve në Gjadër, Gjykata e Romës: Duhet të kthehen të gjithë në Itali! Vendet nga ata vijnë nuk janë të sigurta

Deklaratë për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm, z.Tedi Blushi lidhur me vendimin e Gjykatës së Romës për paktin Rama-Meloni

Vendimi i Gjykatës së Romës për të rrëzuar marrëveshjen Rama-Meloni, si të paligjshëm dhe në shkelje të hapur të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut provon tej çdo dyshimi kapjen për fyti të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nga Edi Rama.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që e shpallën të ligjshme këtë marrëveshje, sipas urdhrit politik të Kryeministrit, “de facto” nga sot janë të shkarkuar nga kjo detyrë dhe “de jure” duhet të japin urgjentisht dorëheqjen.

Gjyqtarët Kushtetues nuk mund të gjykojnë më dhe as mund të kenë besueshmërinë publike në dhënien e drejtësisë standard që ata vetë e përmendin në çdo vendim të tyre.

Tashmë është fakt se dhe ky institucion i ngritur për të mbrojtur Kushtetutën dhe parimet e saj, po e dhunon atë me të njëjtën egërsi si Edi Rama.

Partia e Lirisë përshëndet vendimin e Gjykatës së pavarur të Romës që legjitimoi të gjitha shqetësimet tona të bëra publike lidhur me këtë marrëveshje që cënon sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe që siç u vërtetua nga drejtësia italiane nuk është gjë tjetër veçse një farsë në funksion edhe të interesave të pastra elektorale të Edi Ramës dhe aspak një pakt i ndershëm që ofron zgjidhje ligjore të çështjes së emigrantëve.

Përkundrazi, shkel hapur Kushtetutën e vendit tonë, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ligjet ndërkombëtare të refugjatëve dhe marrëveshjet bilaterale shqiptaro-italiane për refugjatët.

Ky vendim i Gjykatës së Romës është gjithashtu një tjetër provë e pakundërshtueshme se Kuvendi i Shqipërisë është kthyer jo vetëm në noter të Edi Ramës, ku interesat personale të Kryeministrit dhe bandës së hajdutëve të tij prevalojnë mbi Kushtetutën, por edhe në një institucion ku miratohen vendimet më të poshtra antishqiptare dhe antiligjore.

Partia e Lirisë garanton Italinë mike, popullin dhe autoritetet e këtij vendi partner strategjik, se mbetet gjithmonë e vendosur të punojë ngushtë me ta në çdo fushë, për forcimin e mëtejshëm të miqësisë tradicionale dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm, në interes të qytetarëve të të dy vendeve tona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura