Verifikimi i tapive, ja fondi që shkon për ish-pronarët

Apr 8, 2015 | 19:32
SHPËRNDAJE

Në harkun e një viti, Komisioni Vendor i Verifikimit të Titujve të Pronësisë ka marrë në total 262 vendime për shfuqizimin e tapive të dhëna në mënyrë të paligjshme.

Në një intervistë për gazetën, prefekti i qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, bën me dije rezultatet e arritura deri më tani në lidhje me veprimtarinë e Komisionit për verifikimin e tapive, të dhëna bazuar në ligjin 7501. Zona më problematike janë piketuar ato përgjatë vijës bregdetare.

Prefekti Sadi Vorpsi

Nga të dhënat mësohet se janë shfuqizuar tapitë për 138 familje. Vorpsi shton se puna është intensifikuar përgjatë muajve të parë të këtij viti. Kështu, vetëm në periudhën janar-shkurt të këtij viti janë marrë 48 vendime. “Në vitin 2014, Komisioni Vendor ka marrë 262 vendime, prej të cilave kemi: 94 shfuqizime të plota, 39 shfuqizime të pjesshme: 2 rrëzime kërkesash, 3 rikonfirmime, 2 pushime çështjeje, 5 mosshqyrtime, 110 vendime të ndërmjetme etj.

Ndërsa për muajt janar–shkurt, numri i vendimeve ka qenë 48, pra është rritur vendimmarrja”, shprehet prefekti. Në total, për periudhën nga viti 2014 deri më tani, sipërfaqja e kthyer në shtet është rreth 1.5 milionë m2 . Ky fond do të vendoset në dispozicion të skemës për kompensimin fizik të ish-pronarëve.

Qeveria zhvendosi deri në vitin 2016 afatin e Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë. Cila është situata aktuale?

Kjo shtyrje erdhi si nevojë e paligjshmërisë së konstatuar në ndarjen e tokës, në bazë të ligjit 7501, datë 19.07.1991, paligjshmëri kjo e cila prekte jo vetëm abuzimin me tokat bujqësore, por edhe në ato bregdetare, pyje, kullota apo truall të ndarë brenda zonave urbane etj. Sot jemi 15 muaj mbas miratimit për shtyrjen e afatit të Komisionit në fjalë dhe mund të them me plot bindje se ky Komision që funksionon pranë Prefektit të Qarkut Tiranë, i ngarkuar për zbatimin e ligjit 9948, ka realizuar një punë shumë të mirë, duke justifikuar maksimalisht besimin e dhënë nga qeveria. Sot situata është vërtet mjaft e përmirësuar në mënyrën e përpunimit të praktikave të subjekteve që trajtohen pranë Komisionit Vendor, si në aspektin procedural, ashtu edhe në atë profesional. Më parë, praktikat ndiqeshin në mënyrë klienteliste, duke mos zbatuar afatet ligjore të trajtimit të dosjeve, që nga momenti i hapjes së një dosjeje, ecurinë e procedimit administrativ e deri në vendimmarrje, që është dhe pjesa më e rëndë- sishme e nxjerrjes së një akti administrativ.

Çfarë problematikash janë evidentuar në tapitë e lëshuara dhe cila është procedura që keni ndjekur me to?

Një ndër paligjshmëritë më të mëdha të ndeshura gjatë procesit të hetimit administrativ në ndarjen e tokës nga pushteti vendor për familjet bujqësore dhe pajisjen e tyre me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), janë konstatuar disa raste, ndër të cilat dua të veçoj: është vënë re se një pjesë e madhe e këtyre subjekteve që i janë nënshtruar verifikimit, na rezultojnë të jenë pajisur me tokë mbi normën takuese të përcaktuar në kriteret e ligjit 7501 akteve nënligjore të tij. Kjo është paligjshmëri tipike, ku Komisioni Vendor ka operuar me shfuqizime të pjesshme të AMTP-ve. Nga ana tjetër, kemi ndarje të sipërfaqeve nga një territor i një fshati në territorin e një fshati tjetër, në kundërshtim me ligjin dhe me qëllim përfitimin e paligjshëm. Edhe në këtë rast, Komisioni ka operuar në shfuqizimin e plotë të AMTP-së. Gjithashtu, është vënë re pajisja me tapi e subjekteve, të cilat nuk kanë qenë objekt i ligjit 7501, pra duke mos qenë banorë të fshatrave si sipërfaqe të përfshira në territorin e kooperativave apo ish-ndërmarrjeve bujqësore në vitet 1991-1992. Edhe në këtë rast Komisioni ka bërë shfuqizim të plotë të AMTP-së. Ndërkohë, mungesa e zbatimit të VKM Nr.161 për aktet e tokës së lëshuar brenda territorit të ish-NB-ve, duke pajisur subjekte të cilat nuk kanë depozituar dokumentacion provues për vërtetësinë e pronësisë së vjetër, me te cilën kanë dorë- zuar tokë për themelimin e ndërmarrjeve, kemi shfuqizim të plotë të AMTP-së. Shfuqizime të plota të tapive kemi edhe kur ato janë dhënë brenda territorit urban apo, siç njihet ndryshe, vija e verdhë.

A ka pasur abuzime me titujt e lëshuar në zonat që shtrihen përgjatë vijës bregdetare?

Siç e dini, qarku i Tiranës përfshin edhe rrethin e Kavajës, i cili ka në territor edhe zonën bregdetare dhe jo pak, por katër komuna që dalin në Adriatik. Kryesisht në këto komuna është vënë re dhënia e tokave jobujqësore, siç janë pyjet, kullotat, ranishtat, trualli etj. sikur të ishin toka bujqësore. Pra, një papërgjegjshmëri në flagrancë të hapur me ligjin. Komisioni Vendor përsëri ka funksionuar duke bërë shfuqizim të plotë të sipërfaqes së përfituar. Pra, duket qartë se paligjshmëria dënohet ashpër me shfuqizime të plota apo të pjesshme, ku paraprakisht kësaj vendimmarrjeje i paraprin një proces hetimi administrativ në kuptimin procedural dhe material, duke mbledhur dokumentacionin e nevojshëm nga organet që merren dhe janë marrë me administrimin e provave në Shqipëri që nga viti 1991. Domethënë, me këto dokumente të ardhura nga institucione të treta formohet një dosje, e cila i nënshtrohet në fund të këtij procesi hetimor një vendimmarrjeje, pra nxjerrjes së një akti administrativ konform ligjit 9948, datë 07.07.2008.

Sa është sipërfaqja e tokës, e cila është dhënë në shkelje të ligjit 7501?

Konkretisht, si rezultat i një pune këmbëngulëse, në vitin 2014 Komisioni Vendor ka marrë 262 vendime, prej të cilave kemi: 94 shfuqizime të plota, 39 shfuqizime të pjesshme, 2 rrëzime kërkesash, 3 rikonfirmime, 2 pushime çështjeje, 5 mosshqyrtime, 110 vendime të ndërmjetme etj. Ndërsa për muajt janar–shkurt numri i vendimeve ka qenë 48, pra është rritur vendimmarrja, shenjë kjo e dukshme se tashmë është krijuar infrastruktura e duhur për trajtimin e shpejtë të praktikave. Marrja e këtij numri të madh vendimesh ka sjellë ndërkohë dhe shfuqizime sipërfaqesh, të përfituara në mënyrë të paligjshme. Për periudhën 2014–2015, sipërfaqja e kontrolluar është 2.658.595 m2 . Ndërkohë që për periudhën 2009–2014, sipërfaqja e kontrolluar është 2.781.580 m2 . Pra, për periudhën 2014-2015 kemi realizuar kontroll të një sipërfaqeje, e krahasueshme kjo me 95,57% të sipërfaqes së kontrolluar për 5 vite së bashku nga Komisioni i mëparshëm.

Çfarë ka rezultuar nga ky kontroll? D.m.th sa është sipërfaqja e tokës që është shfuqizuar?

Sipërfaqe e shfuqizuar si rezultat i përfitimit të paligjshëm: për periudhën 2014–2015, sipërfaqja e shfuqizuar 1.668.207 m2 . Ndërkohë që për periudhën 2009–2014, sipërfaqja e shfuqizuar është 872.647 m2 . Pra, në 2014–2015 kemi tejkaluar sipërfaqen e shfuqizuar në raport me 5 vite së bashku me 795.560 m2 më shumë ose 91.16% më tepër. Sipërfaqe fizike e kthyer në shtet, përfituar kjo në mënyrë të paligjshme: për periudhën 2014–2015, sipërfaqe e kthyer në shtet 1.438.941 m2 . Për periudhën 2009–2014 sipërfaqe e kthyer në shtet 872.647 m2 . Pra, për 2014–2015 kemi vendimmarrje për kthim në shtet të një sipërfaqeje prej 566.294 m2 me shumë, në raport me 5 vite së bashku, ose 64.89% më tepër. Së treti, janë aplikuar masa administrative me pagesë për shkak të transaksioneve në vlerë leku: për periudhën 2014–2015 masa administrative me pagesë 107.286.104 lekë. Për periudhën 2009–2014 masa administrative me pagesë 80.793.709 lekë. Pra, 2014 deri më 31.01.2015, vendimmarrja me masë administrative me pagesë në raport me 5 vite së bashku është 26.492.395 lekë më shumë ose 32.79% më tepër. Pra, për periudhën 2009–2014, nga totali i sipërfaqes së marrë nën kontroll kemi shfuqizuar 31.37% të saj, të shpërndarë në mënyrë të paligjshme. Për periudhën 2014–31.01.2015, nga sipërfaqja totale e marrë nën kontroll kemi shfuqizuar 62.74% të saj, të shpërndarë në mënyrë të paligjshme.

Ku është e lokalizuar kjo hapësirë?

Sipërfaqet në të cilat është konstatuar paligjshmëria, janë zonat bregdetare, si dhe në sipërfaqet, të cilat ndodhen në rrethinat e qytetit të Tiranës dhe konkretisht nga vendimet e Komisionit për periudhën 2014-mars 2015 do të përmendja më problematiket, që janë: komuna Zall-Herr, komuna Vorë, Bashkia Kamzë, komuna Farkë, komuna Kashar, komuna Gosë, si edhe komuna Kryevidh.

Sipërfaqja i kthehet shtetit dhe më pas janë ish-pronarët që përfitojnë prej saj, duke pasur në konsideratë faktin që kjo tokë kalon në fondin për kompensimin fizik të tyre. Cila është procedura që ndiqet? Sa kohë nevojitet që ky fond të kalojë për pronar- ët e vjetër?

Vendimet e Komisionit, duhet theksuar, janë të karakterit konstatues dhe jo titull ekzekutimi, pra duhet të kalojnë në shkallët e Gjyqë- sorit. Mbasi trajtohen në Gjyqësor dhe marrin formë të prerë, detyrohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor që ZVRPP e Tiranës ose e Kavajës, sipas rastit, të bëjnë çregjistrimin nga pronësia e subjektit dhe regjistrimin e pronësisë në favor të shtetit. Nga ana e tij, në bazë të VKM 1269, datë 17.09.2008, “Për tokat e liruara”, KV harton procesverbalin përkatës, në përmbajtje të të cilit pasqyrohen vendndodhja (fshati dhe komuna dhe/ose bashkia), numri kadastral i ngastrës, sipas regjistrit të SAMT, dhe sipërfaqja në metër katrorë, e shoqëruar me një planimetri manuale. Ky procesverbal i dorëzohet përgjegjësit të SAMT të qarkut përkatës. Përgjegjësi i SAMT, pas marrjes së kopjes së procesverbalit dhe në mbështetje të tij, kryen veprimet e dorëzimit të kësaj sipërfaqeje Zyrës Rajonale të AKKP-së, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave me nr.567, datë 5.9.2007 “Për miratimin e kritereve dhe të procedurave, përcaktimin e pronave, fond pasurie të paluajtshme, për kompensim fizik”, dhe nr.868, datë 18.6.2008 “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi i tokës bujqësore”.
 

NGA ADA HAZIZOLLI
Lajmi u publikua sot ne Panorama print 
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura