EMISIONI VETTING
Por çfarë thotë ligji për trajtimin e këtyre mbetjeve?
Sipas Ligjit 10463/2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, mbetjet e rrezikshme trajtohen nëpërmjet procesit të rikuperimit, riciklimit dhe asgjesimit. Sipas procedurave ligjore, mbetjet e rrezikshme nuk duhet të ruhen në venddepozitime për një periudhë më të gjatë se 1 vit në qoftë se ato janë cilësuar për asgjësim ose jo më shumë se 3 vjet nëse ato janë të paracaktuara për riciklim/trajtim.
Pra, mijëra tonë mbetjesh nga industria e hidrokarbureve dhe industrisë së rëndë nuk mund të lihen më shumë se një vit në një vend pasi paraqesin rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik.
Duke hulumtuar dokumente nga Ministria e Mjedisit dhe Doganat, “Vetting” ka faktuar se mbetjet toksike nuk përpunohen apo eksportohen sa duhet, investigim që ka nisur me episodin e kaluar “Trafiku i mbetjeve të rrezikshme”.
Abdulla Diku eksperti i mjedisit për “ Vetting” shprehet se “Deri më sot nuk është marrë asnjë masë domethënëse për të ulur ndotjen, së dyti, masa përmirësuese për ta zbutur sadopak atë ndotje, si në tokë, në ujë, në ajër dhe si e tillë e bën të pamundur në një kohë të shkurtër e një mase të tillë.”
Për “Vetting”, eksperti i mjedisit shpjegon se në vendin tonë nuk është bërë një planifikim se çfarë do të bëhet me mbetjet, ku do të shkojnë dhe si do të përpunohen. “Është njëlloj sikur kemi menduar të bëjmë një shtëpi, por kemi harruar të bëjmë banjon, në analogji po themi.”
Sipas aktivistit mjedisor, Lavdosh Ferruni, menaxhimi i mbetjeve të rrezikshme duhet programuar në plane afatgjatë, pasi aty fshihen edhe pasojat. Sipas tij “Dëmtimi është kumulativ i metalevë të rënda që janë prezente të paktën për rastin që diskutohet tani dhe mbetje të tjera që konsiderohen të rrezikshme kanë efekt afatgjatë në shëndetin e njeriut që vijnë nëpërmjet bimëve, nëpërmjet ujit”.
Duke analizuar raportet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, “Vetting” ka zbuluar se eksporti i mbetjeve të rrezikshme për vitin 2021 dhe 2022 është shumë i ulët, për të mos thënë i papërfillshëm në krahasim me atë që gjenerohet nga industria. Madje bie në sy fakti se në raportet zyrtare shpeshherë disa nga të dhënat ose mungojnë ose janë të shpërndara në mënyrë kaotike.
Por le të ndalemi te viti 2020 sepse te dokumentet e Ministrisë së Mjedisit nuk kemi asgjë të deklaruar për eksport mbetjesh toksike, të cilat na nxjerrin në konkluzionin se nuk kemi patur eksport.
Te raporti i 2021 kemi zbuluar se janë eksportuar rreth 48 mijë ton mbetjesh, nga të cilat vetëm 97 ton janë mbetje të rrezikshme me kod 12 01 06*, që përkon me sasinë e mbetjeve të vajrave të përdorur dhe 1.6 ton mbetjesh spitalore të rrezikshme dhe dentare me kod 07 01 02*.
Praktikisht është eksportuar diçka më tepër sesa 1%, ku përfshihen mbetje të rrezikshme spitalore dhe produkte të lëngshme ujore. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e eksportuar janë mbetje, që shkojnë për riciklim si qelq, metale, dru, plastikë, letër dhe karton.
Raportet nga Ministria e Mjedisit jo vetëm që tregojnë një amulli totale me mbetjet toksike, por ngrenë pyetjen se si nuk është menduar apo planifikuar të zgjidhet kjo situatë, e cila shton sasinë e mbetjeve të rrezikshme të papërpunuara.
Ambientalisti Lavdosh Ferruni për “ Vetting” shprehet se “Mbetjet që emetohen nga kompanitë, i deklaruar mund të mos jetë, kjo duhet pare, kompanitë normalisht nuk i deklarojnë mbetjet e rrezikshme.”
Në vitin 2022, industria shqiptare ka transferuar 17 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, që kanë nevojë për përpunim ose eksportim për t’u eliminuar si rrezik për ekosistemin dhe njerëzit.
Të dhënat nga Ministria evidentojnë se në vitin 2022, vendi ynë ka eksportuar rreth 52,240 kg mbetje, nga të cilat sasia më e madhe i përket mbetjeve të metaleve. Përsëri mbetjet e rrezikshme janë në sasi të vogël. Në raport, Ministria e Mjedisit thekson se eksporti është më i madh se sa në vitin 2021, por çfarë thonë shifrat?
Konkretisht nga 52 ton mbetjesh të eksportuara për vitin 2022 janë eksportuar vetëm 37 kg, e cila është një shifër e papërfillshme kur e krahason me mbetjet e rrezikshme që janë gjeneruar paraprakisht në vitin 2021, por edhe më herët.
Madje në vitin 2023 nuk ka asnjë informacion për eksportin e mbetjeve të rrezikshme. Në këtë raport duhet të ishte i publikuar eksporti i mbetjeve të rrezikshme, por Ministria dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit ose e kanë mbajtur të fshehtë ose nuk kemi patur absolutisht eksport mbetjesh të rrezikshme në këtë rast.
Pra, për vitin 2023 nuk dihet se çfarë ka ndodhur me 39 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, duke përjashtuar mbetjet e rrezikshme spitalore që llogariten më vete.
Sipas ekspertit të mjedisit Abdulla Diku: “kjo nuk është një situatë e cila doli sot. Sot u ekspozua e tillë për shkak të mediatizimit të problemit. Ky stoku i mbetjeve nëse nuk i menaxhojmë, do vijë duke u rritur dhe është e vështirë, sa më shumë mbetje të kesh”.
Vetëm në vitin 2023, Ministria e Mjedisit ka lëshuar 56 autorizime për eksportin e mbetjeve të rrezikshme dhe të parrezikshme dhe këto mbetje janë eksportuar në Maqedoninë e Veriut, Itali, Belgjikë, Poloni, Slloveni, Greqi, Gjermani, Bullgari dhe Holandë. Madje, burime konfidenciale për “Vetting” zbulojnë se këto mbetje janë eksportuar edhe në Turqi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al