Vetting/ Të ‘harruar’ në kontejner prej 5 vitesh! Rindërtimi në Thumanë, historia e trishtë e familjes së Have Lleshajt! “Beteja” e Liza Tucit: Ma prishën shtëpinë për të bërë pallat! Më premtuan…

Nov 21, 2024 | 23:05
SHPËRNDAJE

EMISIONI VETTING

Më 26 nëntor 2019, një tërmet i fuqishëm goditi Shqipërinë duke lënë pas 51 viktima, rreth 3 mijë të plagosur dhe mijëra të pastrehë. Autoritet shtetërore u angazhuan në aksione intensive për të strehuar fillimisht çdo banorë, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti.

 “2020 do të jetë definitivisht viti i ndërtimit. Jemi të angazhuar për të bërë të gjithë faktorët bashkë, Qeverinë, pushtetin vendorë edhe qytetarët që procesi i rindërtimit pavarësisht nga problematikat që duhen kapërcyer  nga procedurat po bëjmë çmos t’i ndërtojmë sa më shpejtë”, tha ish-ministrja Olta Xhaçka asokohe.

WhatsApp Image 2024-11-21 at 17.52.27

Qindra kontejnerë u vendosen nëpër fshatra e qytete ku tërmeti kishte shkaktuar dëme. Zyrtarët e lartë thanë se kontejnerët do të ishin një zgjidhje e përkohshme. Shumë prej atyre që jetuan disa javë apo muaj  dhe transferuan nëpër banesa me qira. Por për shumë prej tyre kontejneri do të mbetej e vetmja strehë deri sot.

Have Lleshaj bashkë me fëmijët e saj dhe bashkëshortin jeton në këtë kontejner prej pesë vitesh.

Ndërsa tregon se në momentin e rënies së tërmetit:“Ishte një natë shumë e tmerrshme, kur dëgjuam se po binte tërmet. Në momentin që donin të hapnim dyert, dyert nuk u hapeshin. Dhe unë që isha edhe vetë shtatzënë e kam përjetuar shumë keq. Ndoshta si një traume më ka mbetur, sa dëgjoj një zhurmë, ulëras për të ikur, ose marrë fëmijët për të dalë jashtë. Por ne jemi shumë bukur, kur kujtojmë se në Thumanë shumë njerëz, kanë vdekur duke mbutuar nën rrënoja. Por mirë falë zotit ne jemi shëndosh e mirë”.

WhatsApp Image 2024-11-21 at 17.52.27 (1)

Kontejneri është i vendosur afër banesës së saj të dëmtuar nga tërmeti. Ajo thotë se gjatë ditës qëndron bashkë me fëmijët brenda mureve të shkatërruara sepse hapësira në kontejner është e pamjaftueshme, në vapën e verës e pabanueshme dhe në dimrin e ftohtë gjithashtu.

“Bashkia na ka thënë të mos hymë brenda. Nuk kam ku të vete tjetër, nuk kam ku të gatuaj. Të marrë gazin ta vendos jashtë, nuk bën. Këtu është një hapësirë e vogël” .

Have Lleshaj nuk është e vetmja që vazhdon të jetojë në kontejner prej pesë vitesh. Por ka një ndryshim nga të tjerë sepse beteja e saj prej pesë vitesh është e ndryshme më e vështirë sepse njëri prej fëmijëve të saj ka probleme kronike shëndetësore.

Sipas Arlind Qorit, kryetar i Lëvizjes Bashkë tha se “po ashtu duhet thënë se pavarësisht se ka ende qytetarë që nuk kanë bonus qiraje, janë  në rrugë pasi do të ishte detyrim bazik I shtetit  për dëmin e shkaktuar nga tërmeti  dhe jo vetëm nga tërmeti por se   që ju ti ktheheni normalitet një orë e më përpara”.

WhatsApp Image 2024-11-21 at 17.52.31

Nuk është fjala për disa kushte që mungojnë as për disa vështirësi në përballimin e jetesës, është fjala për histori mbijetesë në kufijtë e të pamundurës. Sepse ajo thotë se nuk ka asnjë ndihmë nga shteti, as bonus, as mbështetje sociale.  Have Lleshaj ka ende shpresë dhe vazhdon t’i lutet dëshpërimesh institucioneve për t’i ndërtuar shtëpinë e premtuar.

“Jam prindër i dy fëmijëve, jetoj në Thumanë, sikurse ju e shikoni. Shtëpia ime është e dëmtuar nga tërmeti i 2019 dhe që nga ky vit e deri tani ne jetojmë në një kontejner. Shtëpia është caktuar si e pa banueshme  dhe nga pamundësia për të jetuar me qira ne kemi jetuar këtu”.

Have Lleshaj ka ende shpresë dhe vazhdon t’i lutet dëshpërimisht institucioneve për ti  ndërtuar shtëpinë e premtuar. “S’kemi pasur ku ikim tjetër vend, shyqyr që një kishë na ka dhuruar këtë kontejnerë e jetojmë në të. Dhe asgjë, nga shteti nuk kemi marrë Akoma asnjë gjë. Shpresoj dhe uroj ta marrim dhe ta ndërtojmë  këtë shtëpi, pasi se di si do jetojmë më gjatë. Kërkesa më e madhe është të mi japin ato lekë, të ndërtoj shtëpinë e të fus fëmijët brenda. Dhe shpresoj të bëhet diçka më mirë, për fëmijët që janë me sëmundje kronike  sikurse është vajza ime. Kjo shtëpi do të ndërtohet sërish nga fillimi. Na kanë thënë që do i marrim por deri tani nuk na kanë thënë një afat.”.

Drama përsëritet në personazhe të tjerë, viktima të goditjes natyrore nga tërmeti, por më shumë viktima të braktisjes nga shteti. Padyshim ka shumë prej tyre që kanë hyrë në banesat e reja të ndërtuara nga shteti. Por a janë në çdo rast banesat e premtuara?

Vetting ka zbuluar në terren skandalin e ndërtimit të pallatit nr. 14 në Thumanë, ku hyrjet e katit të parë janë të pabanueshme për shkak të problemeve të rënda gjatë ndërtimit.

Liza Tuci e mori me gëzim çelësin e shtëpisë së re, por shpejt do të bëhej e pabanueshme.

“Për këtë shtëpi unë kam vërejtje sepse këtë shtëpia e kanë gjashtë kalamaj dhe unë shtatë. Kjo është pasuri e paluajtshme e burrit tim dhe e imja. Problemi është se kanë hyrë ujerat e zeza e kanë mbuluar këtu  dhe brenda duke shkatërruar dyert, deri këtu ujë. Unë kam hyrë me çizme për të pastruar këtë vend”.

WhatsApp Image 2024-11-21 at 17.52.30 (5)

76-vjeçarja thotë se ia prishën gabimisht shtëpinë sepse banesa e saj nuk ishte dëmtuar nga tërmeti. Ajo pretendon se vendimi ishte abuziv dhe se ishte me qëllim të qartë që aty të ndërtohej ky pallat.

Sipas saj, “nga tërmeti, u prish çatia lartë e lanë që shtëpia do të rregullohet, nuk donin ta prishnin shtëpinë time. E prishen ata që do të rindërtonte shteti.  As një gjë, asnjë plasë për Zotin nuk e ka pas shtëpia ime. Unë kam vajtur tek komuna ju kam thënë mos ma prishni shtëpinë, pasi shtëpia ime është në rregull. Do të prishet, do të rindërtohet Thumana. Unë nuk e pengoj rindërtimin,  por ama të më rindërtojnë edhe shtëpinë time. Mua më kanë thëne metrat katrorë do t’i maresh”.

Institucionet e pushtetit lokal vendosën që banesa e saj të ishte në katin e parë dhe Liza Tuci e kishte pranuar fillimisht. Por sapo nisën shirat e vjeshtës banesa përmbytej. Askush nuk i përgjigjet dhe e moshuara është dënuar të jetojë në këtë mizërie e braktisur nga të gjithë.

Sipas saj “atëherë kam marrë këtu kryetarin e komunës që është administratore, i kam thënë hajde e më shiko shtëpinë, unë duke qarë me lot. Erdhi e pa shtëpinë, shtëpia ime ujë dhe m… në çdo cep mender jush”

“Vetting” ka kërkuar një prononcim nga kryetarja e Njësisë Thumanë, për këtë problematikë, por ajo nuk ka refuzuar duke argumentuar se nuk në zyrën e saj pret vetëm qytetarët, jo gazetarët.

Kryetarja e njësisë: Peseta e ujërave të zeza është mbi nivelin e apartamentit

Liza: A është banueshme apo nuk është e banuar shtëpia? Dhe në qoftëse shtëpia ime është e pabanueshme më thuaj ose do ta ndërroj ose nuk do ta ndërroj?

Administratorja e njësisë Thumanë: Atëherë dokumentacioni që disponoi unë, për rastin tuaj. Me datën 28 Shkurt 2023 kemi ardhur tre persona Lulzim Kryqi., Agim Farubi, Grisela Mana dhe kemi mbajtur një proces – verbal tek shtëpia jote. Në pallatin 14,  konkretisht në apartamentin e përfituar nga zonja Liza Tuci, me të dhënat pallati Nr. 14, Shkalla numër dy, kati numër zero, apartamenti numër katër. Me datë 17.03.2023 u krye konstatimi në terren dhe u konstatua si vijon: Në pallatin Nr.14 është bllokuar peseta e shkarkimit të ujerave të zeza dhe ujerat e zeza janë kthyer mbrapssh brenda apartamentit të zonjës Liza Tuci. Në hyrjen e shkallës Nr. 2 të pallatit Nr.14 u konstatua lagështirë me ngjyrë myku në brezin e poshtëm të murit. Në këtë shkallë ndodhen edhe dy apartamente banimi njëri me përfituese me zonjës Liza Tuci dhe tjetri me përfitues Mereme Maksudaj. Në këtë shkallë ndodhen gjithashtu ashensori, kasetat e matësit të ujësjellësit dhe elektrikë, dhoma teknike e pallatit gjithashtu janë kthyer mbarsh brenda ujërat e zeza dhe ambienti i brendshëm i shkallëve të korridorit mban erë të rëndë lagështire, pra e kemi konstatuar. Brenda në shtëpinë e Liza Tucit u konstatua lagështirë me ngjyrë myku, në pjesën e poshtme në murin e banesës. Në dyshemenë e tualetit u konstatua ujë i ndenjur e cila nuk shkarkohen nga pileta e shkarkimit, pasi  pileta e shkarkimit të piletës në tubacionin e shkarkimit është mbi nivelin e dyshemesë së pallatit. Pra banjo nuk thith ujin e shprehur me fjalë më të thjeshta. Jashtë banesës u konstatua  puseta kryesore e shkarkimit të ujerave të zeza të pallatit Nr.14 e cila vizualisht shihet se është mbi ne velin e shkarkimit të pallatit dhe mbi nivelin e tokës. Ujërat e zeza dalin në apartamentet e përshkruar më sipër, tek ashensori, tek dhoma teknike, dhe tek kasetat e matësve të ujit dhe elektrike. Këto dokumente i kam nisur tek drejtori e urbanistikës në Bashkinë Krujë. Numri i protokollit dhe data 28.02.2023. Ka për detyrim ti bëj komunikim zyrtarë ose tija dërgoi gjithë dokumentacionin tim firmës së ndërtimit që ka kryer punimet tek pallati.

Liza: Unë dua ta di ajo shtëpi është e banueshme apo nuk është sipas teje?

Administratorja e njësisë Thumanë: Nuk e jap dot unë atë përfundimin, as nuk të them do ta ndërroj, as nuk të them dot se shtëpia është e pa banueshme.

WhatsApp Image 2024-11-21 at 17.52.29 (4)

Prej dy vitesh Liza Tuci endet sa në Thumanë e në Krujë, për të takuar kryebashkiakun Artur Bushi,  i cili i ka premtuar se do t’i ndërrojë banesën.

“Kërkesa imë është, mua të më japin shtëpinë time. Kjo nuk është shtëpi banimi.  Bëra 2 vite që kërkoj Artur Bushin,  se më ka thënë do ta ndërroj, burrash do ta ndërroj. Unë nuk mundet të them se më ka thënë jo, më ka thënë po, po e bëra me të thënien janë larg. Po të paktën të dalë të thotë ça është kjo plakë që më vjen në komunë në bashki”– shprehet Liza Tuci.

Banesa në të cilën Liza Tuci jeton prej më shumë se një viti na tregon anën tjetër të abuzimit me rindërtimin, por edhe braktisjen e qytetarëve nga institucionet shtetërore.  E  lodhur, por jo e dorëzuar, nga ecejaket sa tek njësia bashkiake e deri tek Bashkinë Krujë, duket se Liza Tuci nuk heq dorë, nga të drejtat e saj. Ajo kërkon me ngulm një banesë si gjithë të tjerët, pasi sipas saj shtëpinë ia shembi shteti, për të ngritur pallatet e rindërtimit të Thumanës.

Të tjerë banorë të Thumanës folën për probleme të ngjashme, por nuk i afrohen kameras sepse kanë frikë të shprehin shqetësimin e tyre se institucionet i ndëshkojnë. Nuk është vetëm Liza Tuci dhe Have Lleshaj apo të tjerë banorë me të cilët folëm në Thumanë.  Këto histori dramatike të qytetarëve të varfër që jetojnë prej pesë vitesh nëpër kontejnerë, rrëzojnë çdo propagandë për suksese e arritje.

LEXO EDHE: Ku shkuan 1.15 miliardë eurot e Rindërtimit? Vetting hedh dritë mbi kompanitë që u favorizuan me tendera! Firma me 23 asete te bllokuara nga ligji Anti-mafia, fitoi paratë publike

Misteri i shkollave të reja që u shemben nga tërmeti! Dy firmat e ‘preferuara’ të Rindërtimit! Dyshime se janë përfituese dhe te transaksioneve të Inceneratorëve të Zotos dhe Mërtirit! Lidhjet që zbuloi SPAK

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura