Vetting zbulon emrat e kompanive që u favorizuan tek Unaza e Re! Ekspertët analizojnë shkeljet: Dëm i dyfishtë, në fund e pësojnë qytetarët

Jan 23, 2025 | 22:54
SHPËRNDAJE

EMISIONI VETTING

Në fund të vitit 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesit e tenderit “Projektim Rikualifikim i Unazës Lindore, per Lotet 4,5,6.”, që u fitua nga kompanitë “KLODIODA & A.L.T.E.A. – GEOSTUDIO 2000” me vlerë 282 mijë euro.

Por përfituesit e tenderave për ndërtimin e akseve 4,5,6 të Unazës së Jashtme të organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar janë shpallur dhe lidhur kontratat në fund të vitit 2021.

Përkatësisht fituesit janë “EUROTEOREMA PEQIN shpk – “PE-VLA-KU” sh.p.k – “NOVA Construction 2012” shpk”,        “ G.P.G. COMPANY” – ”SENKA” shpk, “ALKO-IMPEX General Construcion – 2 T”. Por të tre tenderat janë shënuar me flamur të kuq nga Open Data Albania pasi ka indicie për korrupsion dhe favorizim të fituesit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Pyetja që ngrihet është: Si janë organizuar tenderat parakohe, kur Vendimet e Këshillit të Ministrave të marra pas tenderave kanë ndryshime, të cilat bazohen te devijimet e projektit ?

Në fakt, institucionet që kanë përgjegjësi janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Kamëz dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Por problemet me dokumentacionin e pronësisë në Bashkinë Kamëz nuk janë një risi, pasi më herë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar problematika të shumta nga kryetari i bashkisë Rakip Suli.

Sipas auditit rezulton se nga totali prej rreth 2000 pasuri që i janë transferuar kësaj bashkie, duke përfshirë zonën e Paskuqanit, janë dërguar për regjistrim 93 pasuri, nga të cilat vetëm 47 janë regjistruar.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se zona e Paskuqanit ku gjendet edhe prona e Mustafa Kabilit nuk është rakorduar me Agjencinë Shtetërore të Kadastrë Kamëz-Vorë mbi statusin juridik dhe tjetërsimin e mundshëm të pronave nga persona të tretë, përmes procedurave të legalizimit, privatizimit, vendimet e kthimit/kompensimit apo vendimet gjyqësore.

Në raport theksohet se inventari i pasurive të paluajtshme të Bashkisë Kamëz është i papërditësuar dhe në shkelje të nenit 37, të ligjit nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

Por vet programi i Rindërtimit ka mangësi të theksuara në mënyrën e hartimit dhe zbatimit.

Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka zbuluar probleme të theksuara me programin e Rindërtimit, ku për periudhën nga 10 janari 2020 deri më 30 prill 2021 realizoi auditimin për Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin dhe Komisionin Shtetëror të Rindërtimit, duke u përqendruar te zbatimi i kompetencave të Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.

Që nga themelimi i kësaj ministrie e deri në gusht 2022, programi i Rindërtimit është drejtuar nga ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili është në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me  veprimtarinë e ish zv.kryeministrit Ahmetaj të Shtetit mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë ministrive dhe të institucioneve të  tjera, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara.

Në raport evidentohen edhe probleme me Komisionin Shtetëror të Rindërtimit, ku theksohet se nuk rezulton i dokumentuar hartimi dhe miratimi i Programit të përgjithshëm të rindërtimit nga KSHR, dhe më pas përcjellja e tij për miratim në Kryeministri.

Në konkluzionin e përgjithshëm, auditi zbulon se mungon në mënyrë të dokumentuar evidentimi i burimeve të brendshme, materiale dhe  njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore. Gjithashtu nuk është dokumentuar plotësisht ndjekja e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për Bashkitë, për trajtimin e banorëve që kanë humbur familjarët ose kanë mbetur të pastrehë.

Si ka mundësi pastaj që dy institucione që të gjitha veprimet e tyre dhe procedurat të tëra të administruara në një  struktura që e administron AKSHI  dhe këta të kenë përplasje. Shteti ka çdo të dhënë për çdo individ jo më për institucionet  bashkëpunim me njëri-tjetrin më duhet absurd në kohën e teknologjisë. Unë me profesion jam audituese dhe ne themi që nëse funksionojnë letrat, gjithçka funksionon në rregull”, shprehet ekspertja audituese Meri Lika.

meri lika

Një situatë e paprecedentë ka ndodhur për shkak të mungesës së koordinimit ndërmjet institucioneve shtetërore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe duke krijuar një ngërç të rëndë për qytetarët e prekur.

Problemi kryesor është se FSHZH nuk ka pasur një bashkëpunim të mjaftueshëm me Autoritetin Rrugor Shqiptar para hapjes së tenderave dhe ndërtimit të shtëpive, duke bërë që këto investime të kthehen në një humbje totale për shtetin dhe qytetarët.

“Dëmi është i dyfishtë: për qytetarët që kanë humbur shtëpitë e tyre dhe për buxhetin e shtetit, i cili ka shpenzuar fonde të konsiderueshme pa një plan të qartë dhe të koordinuar. Dëmi ekonomik ka individin ka si pikësynim qoftë  dëm në buxhet, qoftë në forma të ndryshme dëmton individi sepse edhe buxheti i shtetit është e ardhur nga  taksapaguesit shqiptar. Çdo e ardhur që hyn në buxhetin e shtetit janë një e ardhur që u është marr individëve banorëve popullit. Pavarësisht gjithë analizës së kompanisë qytetarët janë ata që e pësojnë”, shprehet Meri Lika.

Një familje shqiptare i duhen të pakten 30 vite për të blerë një banesë, pasi niveli i kursimit  është shumë i ulët si shkak i çmimeve të larta që tek produktet e shportës dhe më pas të atyre më pak të domosdoshëm.

Shqipëria renditet e treta më e shtrenjtë në Europë, pas Serbisë dhe Republikës Çeke në Indeksin e Çmimit të Pasurive të Paluajtshme. Të dhënat janë publikuar nga Numbeo, i cili është portali më i madh i të dhënave mbi kostot dhe cilësinë e jetesës.

Treguesi kryesor është raporti i çmimit të shtëpive me të ardhurat e individëve, i cili bën matjen e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti dhe shprehet në vite të ardhurash. Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie.

“Çmimi i banesave u bë vite që ka një trend goxha rritës një trend, goxha rritës sidomos këto 2 ose 3 vitet e fundit ka pasur kurbë rritëse shumë të lart kjo vjen si pasojë e kërkesave dhe si rezultate kemi këto çmime që kemi sot shumë të larta”, shprehet Ervin Demerxhiu.

Ervin Demerxhiu

Edhe e drejta kushtetuese mbi pronën nuk është e garantuar edhe në rast se qytetarët sakrifikojnë dhe kursejnë fati i së nesërmes është i pasiguri.

“Historia e Mustafa Kabili është vetëm një nga shumë raste që tregojnë dështimin e institucioneve shtetërore për bashkëpunimin institucional, kosto e cila përkthehet në mungesën e mbështetjes për qytetarët që kanë nevojë për përkrahje.

LEXO EDHE: 

Vetting/ Shtëpia iu shemb nga tërmeti, banesën e re s’ja dhanë kurrë, por ia ‘rrëzoi’ projekti i Unazës së Re! Kalvari i vuajtjeve të Policit të Burgjeve, që ngeli mes katër rrugëve!

Mish-mashi me tenderat/ Si u dëmtua familja Kabili nga ‘paaftësia’ e institucioneve! Prona që u rikonstruktua, u shemb për Unazën e re! Vetting zbardh korrespondencën

Vetting zbulon emrat e kompanive që u favorizuan tek Unaza e Re! Ekspertët analizojnë shkeljet: Dëm i dyfishtë, në fund e pësojnë qytetarët

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura